Koha kur Bedri Islami e Hashim Thaçi e kthyen “Zërin e Kosovës“ në Zë të Serbisë

SHKRUAN: XHAFER SHATRI, ISH MINISTËR I INFORMATAVE NË QEVERINË E BUJAR BUKOSHIT

Më 31 tetor 1998, kur Kosova po digjej flakë, me njerëz, me shtëpi dhe me çdo gjë të sajën, Hashim Thaçi kukulla e Bedri Islamit, këtij koçixoxisti të paskrupull, publikoi në emër të ashtuquajturit Shtab i Përgjithshëm, Komunikatën e turpshme numër 59, përmes të cilës përpiqej ta shpallte njeri të Serbisë Gani Gecin dhe familjen e tij.

Këtë përpjekje të turpshme vëllavrasëse e kundërshtuan kategorikisht të gjithë bashkëluftëtarët e Adem Jasharit (Shih shkrimin tim “Komunikata e rrezikshme numër 59“.

I mbështetur me shpatulla për muri, Hashim Thaçi, këtë akt të rëndë tradhtie u përpoq t’ia mveshë dikujt tjetër, në një emision televiziv, më 12 shkurt 2019. Iu deshën 21 vjet për të bërë mea culpa, por hashimisht, siç e thashë, duke e hedhur fajin për dritare. Por të gjithë shokët e tij të atëhershëm (Jakup Krasniqi, Rexhep Selimi, Fatmir Limaj, Bardhyl Mahmuti etj…) e demantuan publikisht këtë gënjeshtër gjarpërishte. Por nuk është vetëm kjo komunikatë, sepse një muaj e gjysmë më vonë, konkretisht më 17 dhjetor “Zëri i Kosovës“, botoi një artikull të gjatë të njëfarë “Latif Baliut“ me titull “Kush janë shtatë vëllezërit Geci?“ shih shkrimin në foto.

Artikulli është shkruar me porosi dhe në frymën e komunikatës numër 59. Është një shkrim i paskrupull që kishte për qëllim përçarjen e UÇK-së dhe shpërthimin e luftës vëllavrasëse në zemër të Drenicës. Në këtë paçavër autori më implikon edhe mua pa pasur asnjë argument. Madje shkon aq larg sa të thotë se Gani Geci e kishte vrarë Abedin Rexhën me snajperin që ia kisha dërguar unë! Kjo ishte një rrenë e madhe sa bjeshka. Sepse unë nuk jam marrë me armatim por me informim. Dhe këtë e dinte krejt bota shqiptare. Asokohe unë kisha dhënë dorëheqje (shih tekstin në foto) dhe nuk kisha asnjë post, asnjë përgjegjësi politike ose organizative, isha një mërgimtar i thjeshtë, si qindra mijëra të tjerë.

Më befasoi shumë ky sulm i ulët dhe ia dërgova redaksisë së Zërit të Kosovës „recommandé“ këtë reagim (shih reagimin ne foto) i cili nuk u botua asnjëherë.
Siç kam marrë vesh më vonë, artikulli është shkruar me porosi të Bedri Islamit dhe të kukullave të tij Hashim Thaçit dhe Azem Sylës. Nga këta tre persona është marrë edhe vendimi për sulmin vëllavrasës e antishqiptar në Zyrën e Kosovës në Gjenevë, më 1 korrik 1998 (Shih artikullin tim “Sqarim i vonuar për një akt të shëmtuar antishqiptar“. Këtë shkrim, e kishte botuar te “Bota e re“ edhe kryeredaktori i saj, siç është konstatuar, biri i një spiuni të KOS-it serb.

Ishte koha kur Bedri Islami me ndihmën e Fatos Klosit dhe Ibrahim Kelmendit ishte katapultuar në “kryetar“ të LPK-së dhe, pasi kishte eliminuar politikisht kuadrot kryesorë të LPK-së që ishin kategorikisht për një front të përbashkët kundër Serbisë:

Emrush Xhemajlin, Muhamet Kelmendin, Ali Ahmetin, Gafurr Elshanin, Fazli Veliun…, i mori frenjtë në dorë dhe me një energji diabolike punonte në përçarjen e shqiptarëve dhe të UÇK-së. Ka me mijëra fakte që e ngarkojnë këtë pinjoll të Koçi Xoxes me përgjegjësi të rëndë historike. Nga burime të sigurta kam mësuar më vonë se me insistimin kategorik të Bedri Islamit reagimi im i ligjshëm nuk është botuar. Ishte kohë luftë dhe nuk kam dashur të ndërmarrë masa ligjore ndaj gazetës të cilën e kisha themeluar me shokët e mi dhe e kisha udhëhequr në periudhën më të lavdishme të saj. Më vonë kam mësuar edhe për emrin e autorit të shkrimit, një personazh mizerabël që ka ditur mirë se kush jam, sepse me një familjarin e tij e kishim larë me gjakun tonë krejt ndëshkimoren e Podgoricës. Pas çlirimit, ky faqezi, si shpërblim për shpifje të tilla ka fituar edhe statusin e diplomatit në Zürich, por padronët e tij marrokë, kishin harruar se ky maskara tavolinën e punës nuk di ta përdorë të shkruajë me dorë, por me këmbë. Pulenët e Bedri Islamit krejt administratën e shtetit e kanë mbushur me tipa të tillë që nuk kanë haber se çka është as shteti e aq më pak çka është morali… Publikimi i këtij shkrimi plot shpifje, nuk ngarkon me përgjegjësi historike e penale vetëm nxitësit dhe autorin e pafytyrë, por edhe gjithë redaksinë e atëhershme të “Zërit të Kosovës“, ku ishin edhe katër të burgosur politikë, njëri prej të cilëve ndër më të shquarit e Kosovës, të cilët, për turpin e tyre, kanë lejuar të pështyejnë mbi shokun e tyre të prangave legena si Bedri Islami e ‘Latif Baliu’. Kjo tregon gjithashtu edhe përmasat e helmit përçarës që kishte hedhur në gjirin e Lëvizjes Kombëtare të Kosovës, Udba dhe veglat e saj.

Ishte një shëmbull i neveritshëm që fliste shumë dhe që tejkalonte çdo kufij personal, sepse ishte thirrje publike për luftë vëllavrasëse në orën më të ligë të Kosovës.

kush jane shtate vellezerit geci

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *