Koha, është kur vjen koha: para kohe nuk është koha, pas kohe s’është më koha!

L’heure, c’est l’heure ; avant l’heure c’est pas l’heure ; après l’heure, c’est plus l’heure!
Koha, është kur vjen koha : para kohe nuk eshte koha, pas kohe s’është më koha!

Jules Jouy

PRA, ME KOHË

Kanë kaluar më shumë se 25 vite nga angazhimi im aktiv në fushën e publicistikës, me specifikë me tema politike, apo më mirë të them, të vrasjeve politike. Veç unë e di, gjatë këtyre viteve, sa herë kam menduar ta braktis këtë fushë; shpesh për hir apo shkak të shqetësimeve të familjes apo të rrethit – më të dashurëve të mi. Mendoj se kur i përmenda « shqetësimet e familjes », i kam thënë të gjitha ato që përbëjnë fushën e minave, në të cilën biem vetëm njëherë.

Në fakt, në fushën e minave të thashethëmave kam rënë disa herë, por kam qëndruar i papërkulur dhe fort stoik, sepse e kam ditur që janë shpifje pa asnjë bazë apo dëshmi. Pse atëherë ato shpifje ? Sepse njerëzve, që janë pak njerëz, iu kam prekur idolët e tyre politik. Duke mos pasur idol politik, nuk e kam ditur as nuk e kam ndie se sa njerëzve mund t’iu lëndohet sedra. Unë e kam pasur një ushtarak idol, i cili, po e them për herë të parë, përkundër dëshirës sime dhe nëse mund të them këshillave, ka koketuar me të majtën ekstreme dhe e ka paguar me jetë, sepse që nga Komuna e Parisit, ekstremistët e majtë, e kanë dëshmuar katërcipshi që janë të pabesë. Për këtë, me kohë, do t’i them disa gjëra më detalisht. Megjithatë, vrasja e tij e ka përshkuar jetën time dhe të njerëzve rreth meje. Sikur strategjia e tij për çlirimin e Kosovës, të ishte përkrahur në masën e duhur, sot, pas njëzet viteve nuk do të bisedonim ende për Kosovën e pavarur e sovrane, sepse nuk do ta kishim Ahtisarin e shumë gjëra tjera. Në fakt, një përkrahje e Rugoves ndodhi, por ishte tepër e vonuar, sepse vendimi për vrasjen e tij, madje edhe të vetë Rugovës, ishte marrë…

Kosova e para dhe pasluftës

Dje, Kosova hyri në periudhën e tretë, pas shpërbërjes së Jugosllavisë së Titos. Dhjetë vitet e paraluftës çlirimtare, karakterizohen me qeverisjen e Rugovës dhe organizimin e sistemit, jashtë sistemit të okupatorit serb apo sundimit të Millosheviqit dhe me formimin e Gueriles së Kosovës, e cila më vonë do të quhet UÇK. Pavarësisht ndërrimeve të pushtetarëve, dje për herë të parë Rugova nuk u përshëndet nga KM i ri Albin Kurti. Por, fatkeqësisht, Rugovën nuk e përmendi as Kryekuvendarja – Vjosa, në fjalimin e saj përshëndetës. Pasi është i vetmi person që e kam përkrahur gjatë kësaj fushate, nga të gjitha kohërat, më dëshproi ende pa e ndërruar hapin e parë. Një korrigjim e bëri në Facebook, me një shkrim, por FB nuk është Parlament ! Në fakt, Vjosa, siç e mori shembull një thënie të Jusuf Gërvallës, për të na kumtuar lajmin që MARRËVESHJA ndodhi me LVV, dje fjalimin e saj në Parlamentin e Kosovës do të duhej ta kishte filluar me një thënie të fortë e të zgjedhur të Rugovës ! Së paku për ta bërë diferencen me Albinin, për të cilin, EuroNews në lajmet e mëngjesit, zgjidhjen e tij për KM të Republikës së Kosovës, e karakterizoi si “nacionalist socialist” dhe që “Perëndimi s’ia ka besën”. Nga diskutimet e djehit, do t’i mbaj mend vetëm akuzat e Kadri Veselit, i cili akuzoi me tërë gojën se Albin Kurti qëndron pas Organizatës « Syri Popullit ». Akuzat tjera, i kam ditur dhe ishin përsëritje monotone e opozites, të quajtur PAN, e cila tregoi shumë zymtësi dhe frikë për të ardhmen e vet. Veçanërisht, Fatmir Limaj, i cili e humbi kontrollin! As Memli Krasniqi nuk ka vepruar më me shumë kontroll…

Albini, për tu pastruar, nëse brenda afatit njëqind ditësh nuk e paditë Kadri Veselin për akuzat e tij publike, para korit diplomatik, lidhur me organizatën « Syri Popullit», atëherë lë për të dyshuar në aktivitetet e tija ilegale terroriste.

Dje, LDK bëri marrëveshje për bashkëqeverisje me LVV. Mendoj që ky është gabimi i tretë i pasluftës, në zgjedhjen e partnerit dhe ka shkuar nga e keqja më e vogël, kah e keqja më e madhe (AAK>PDK>LVV). Nga këndi im, secilën herë ia ka ngul veti një therrë më të madhe në këmbë. Por, një parti e cila nuk krijon asnjë strukturë as infrastrukturë informative që nga koha e QIK-ut, nuk meriton më mirë. Prandaj, duke ndejur herë duarkryq e herë me duar në xhepa, i mbetet t’i zgjedh mbetjet. Jo vetëm kaq! Por, një parti që e pranon pa arsye fajin që nuk e ka përkrahur luftën, dënimin e ka të sigurtë.

Për fund

Pa dramatizuar, i shkrova disa rreshta për të treguar se angazhimi im hiperaktiv në fushën e lartëcekur, gjatë dy decenie e gjysmë, do të reduktohet në MINIMUM !

Gjatë gjithë kësaj kohe kam pasur shumë kënaqësi që në fillim, Shefqet Jashari-Strofci dhe i ndjeri, Kadri Osmani (Mani) më kanë inkurajuar shumë, ndërsa miku im nga Tropoja, Arbër S. Ahmetaj më ka ndihmuar JASHTZAKONISHT shumë.
Nëse, me gazetën « Bota sot » kam krijuar emër, Luftim Kelmendi, të cilin e permend për herë të parë, me faqen Trepca.net, si dhe Ajet Nuro, me faqen « Tribuna Shqiptare » (CDN) më kanë bërë shumë nder duke i botuar pa hezitim shkrimet e mia.
(Në këto dy faqë, për publikimet e tyre, iu kam ndihmuar shumë vetave. Fatkeqësisht, ndonjëri më ka sharë dhe ofenduar mizorisht! )

Të gjithëve iu kam borxh dhe u jam mirënjohës për jetë.
Mbi të gjitha, e falënderoj Zonjen e Shpirtit për durimin e saj rugovian dhe gjithe familjen time !

Përkundër të gjithave që i përmenda në këtë shkrim, edhe pse kam bërë fushatë për Vjosa Osmanin, Qeverisë Kurti me mendje, i uroj sukses të pafund, sepse kjo është deshira edhe e 420 000 votuesëve.

SEFEDIN KRASNIQI

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top