KOHA E XHAFER DEVËS!

SHKRUAN: NEBIL ÇIKA

Politika shqiptare pa shumë dallime është përfshirë sot në atë që mund ta quajmë “projekti i bashkimit kombëtar”, një aspiratë historike e kombit shqiptar, por dhe një detyrim kushtetues i shtetit shqiptar. Pa dyshim që projekti i theksuar fort në retorikën politike, sidomos në periudhën gjatë dhe pas 100-vjetorit të pavarësisë, ka miratimin dhe mbështetjen e shumicës së shqiptarëve, pasi, siç përcaktohet shumë drejt në Kushtetutën e Republikës së Shqipërisë, është aspirata jonë historike. Projekti i bashkimit kombëtar i shpallur në 100-vjetorin e pavarësisë, njëherazi edhe i copëtimit të Shqipërisë etnike, duket serioz dhe një zhvillim politik që garanton më shumë se kushdo stabilitetin në rajonin e dominuar nga luftërat dhe konfliktet etnike. Duket se ky projekt dhe retorika politike rreth tij do të dominojë edhe fushatat elektorale në Shqipëri, por edhe viset shqiptare jashtë shtetit amë, duke u bërë këtej e tutje objektiv parësor mbarëkombëtar. Po ndërsa politikanë e gazetarë janë përfshirë në debatin se si do të arrihet bashkimi kombëtar, ka pasur një kohë kur ky projekt ka qenë i realizuar. E gjejmë këtë periudhë të shkruar me emra të ndryshëm, por përcaktimi më domethënës, më realist nuk vjen nga historiografia zyrtare apo nga terminologjia politike, por nga populli, pjesëtarët e thjeshtë të kombit shqiptar në të gjitha hapësirat etnike të tij: koha e Xhaferr Devës! Siç e dimë, shqiptarët i kanë ndarë kohët sipas drejtuesve politikë apo qeverive, si: “koha e Turqisë”, “koha e Zogut”, “koha e Enverit”, “koha e Titos” etj. Në këto ndarje origjinale të periudhave historike pa dyshim që më e mira, më e shndritshmja, por fatkeqësisht më e shkurtra, është koha e Xhaferr Devës. E identifikuar me bashkimin kombëtar të shqiptarëve në një shtet të vetëm, periudha 1943-1944 mund të konsiderohet si e vemja periudhë i realizimit në praktikë të këtij ideali me kontributin parësor të një prej bijve më të mirë të racës sonë – Xhaferr Devës. Sot shqiptarët, sidomos ata në ish Jugosllavi, e kujtojnë me nderim kohën e Xhaferr Devës, pasi ajo përbën edhe provën se ideja apo projekti aktual i bashkimit kombëtar është plotësisht i realizueshëm.

Kush ishte Xhafer Deva?

Ai është djali i pestë, ndër shtatë djemtë e Ibrahim Agë Devës dhe Esmasë, i lindur në Mitrovicë, me prejardhje nga Gjakova. Shkollën fillore e kreu në Mitrovicë, ndërsa të mesmen në Selanik. U diplomua në Stamboll në “Robert College”, shkolla më e vjetër amerikane jashtë territorit të Shteteve të Bashkuara. Pas “Robert Kolexhit” në Stamboll Xhaferr Deva vazhdoi studimet në Vjenë, ku u diplomua në inxhinieri. Fliste pesë gjuhë të huaja dhe mund të konsiderohet si një nga intelektualët apo burrat e shtetit më të spikatur të kohës së vet. Doli në skenë pas lirimit nga burgu serb në kohën pushtimit të Mbretërisë Serbo-Kroato-Sllovene më 17 prill 1941 nga gjermanët. Ai u angazhua fillimisht në organizimin e pushtetit në rajonin Mitrovicë–Podujev?–Vushtrri, në atë pjesë të Kosov?s q? ishte n?n pushtimin gjerman. Në bashkëpunim me Rexhep Krasniqin dhe Ernest Koliqin në kohën kur ishte ministër arsimi ky i fundit, hapi shkolla shqipe në territoret shqiptare të ish-mbretërisë Jugosllave. Në vitin 1943 ishte ndër nismëtarët kryesorë për krijimin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit.Nga mesi i vitit 1944 e deri në mbarim të luftës ishte kryetar i organizatës Lidhja e Dyt? e Prizrenit dhe drejtoi qëndresën për të penguar futjen e trupave komuniste jugosllave n? Kosovë. Kur nazistët i kërkuan zyrtarisht administratës shqiptare listat dhe grumbullimin e gjithë hebrenjve në një fushë përqendrimi, ai dëshmoi virtytet më fisnike duke ndërhyrë për t’i shpëtuar ata. Burimet amerikane, sipas Sarnerit, thonë se dy përfaqësues të bashkësisë hebraike në Shqipëri, duke përfshirë edhe hebrenjtë e depërtuar prej vendeve të Europës Qendrore, që kishin gjetur Shqipërinë si strehë shpëtimi, Rafael Jakohel dhe Mateo Mathatia, i kërkuan ndihmë Xhaferr Devës. Ai mori përsipër të kundërshtonte kërkesën e nazistëve, duke mos pranuar që të prekeshin hebrenjtë e strehuar në Shqipëri. Deva ia doli që t’i bindte gjermanët të tërhiqeshin nga kërkesa për dorëzimin e listave të hebrenjve, duke bërë pjesë e këtij qëndrimi fisnik të kombit tonë, me të cilin ne krenohemi aq shumë sot. Në vitin 1944 u emërua ministër i Punëve të Brendshme n? qeverin? e Rexhep Mitrovicës në Tiranë ku zbatoi një politik të ashpër me komunistët, që ia i konsideronte vegla të serbëve, gjë që më vonë u vërtetua plotësisht.

Pas mbarimit të luftës shkoi në Austri, në dhjetor të 1944, mandej në Itali, nga Italia në Egjipt më 1947; nga Egjipti në Damask të Sirisë, në fund të 1947. Këtu filloi një aktivitet politik, sikurse botimi i gazetës “Bashkimi i kombit” në vitin 1948, si zëdhënëse e parë e nacionalizmit shqiptar pas Luftës II Botërore. Këtu mundi të tubonte rreth vetës shumë bashkatdhetarë e patriotë që kishin emigruar prej kohësh. Në vitin 1956 Xhaferr Deva shkoi në Amerikë. Në fillim jetoi e punoi në Nju-Jork, më vonë në Boston, kurse në vitin 1960 shkoi në Kaliforni, ku vendoset në Calavera Coubty. Aty rikrijoi organizatën “Lidhja e Dytë e Prizrenit në Mërgim”, që propagandoi çlirimin e Kosovës e të trojeve të tjera shqiptare n? Jugosllavi. I respektuar nga të gjitha organizatat nacionaliste shqiptare jashtë atdheut; vërehet në krye të tubimeve politike shqiptare të udhëheqjes nacionaliste në Aleksandri të Egjiptit më 1949 dhe në Madrid më 1972; punoni si kontabilist në Universitetin e Stanfordit, të qytetit Palo-Alto të Kalifornisë dhe referues në konferenca të ndryshme akademike. Vdiq më 25 maj të vitit 1978.

Armiku i komunistëve të Tiranës dhe të Beogradit

Proverbi shqiptar “pema me fruta goditet me gurë” merr kuptim të plotë me atë qëndrim që politika komuniste shqiptare në Shqipëri e ajo jugosllave në ish-Jugosllavi mbajtën ndaj Xhaferr Deves, personit dhe figurës historike të tij. Akuza të shumta u fabrikuan e u shpërndanë publikisht, ndërkohë që koka e tij ishte më e kërkuara nga qeveritë komuniste të Tiranës dhe Beogradit. Akuza më e madhe që i bëhej Devës nga qeveria komuniste e Tiranës ishte e ashtuquajtura “masakra e 4 shkurtit”, një ngjarje e fryrë dhe e falsifikuar, por akuzuesit e tij komunistë kurë nuk paraqitën dot një dokument historik që e lidhte Devën me të. Siç është vërtetuar sot, vetë “masakra” ishte një sajesë politike e propagandistike, pasi, edhe pse pretendohet për 85 të vrarë, askush nuk ka një listë me emrat e tyre. Historiografia komuniste vazhdon të justifikohet se shumica e viktimave ishin persona të paidentifikuar, gjë që duket e pabesueshme për një qyet me më pak se 20 mijë banore siç ishte Tirana në atë kohë. Janë identifikuar me mijëra të vrarë në masakrat serbe në Bosnjë e Kosovë e nuk mund të identifikoheshin 85 persona të pretenduar në mes të kryeqytetit! Po varret e viktimave ku janë? Në Shqipëri nuk i di askush, madje as ata që ende pretendojnë për ekzistencën e të ashtuquajturës “masakër e 4 shkurtit” nuk mund ta thonë një gjë të tillë. Sot, dy dekada pas rënies së komunizmit, shumë pak besojnë në vërtetësinë e kësaj legjende të fabrikuar nga komunistët, sidomos për sa i përket autorësisë së Xhaferr Devës. Por në të vërtetë armiqësia e komunistëve shqiptarë dhe atyre jugosllavë ndaj Xhaferr Devës kishte arsye të tjera. Ato lidhen kryesisht me veprimtarinë patriotike e atdhetare të tij e sidomos me faktin që ai arriti të realizonte në praktikë një shtet të përbashkët për të gjithë shqiptarët, e thënë ndryshe, Shqipërinë etnike. Natyrisht, kjo ishte një vepër që binte e bie ndesh me interesat serbe e jugosllave dhe vasalëve të tyre në Tiranë, gjë që, siç thashë, e bënë atë personin më të kërkuar nga qeveritë diktatoriale në Tiranë e Beograd, të cilat i bashkonte më së shumti lufta ndaj nacionalistëve, që sigurisht u prishnin planet skllavëruese të shqiptarëve. Akuza për bashkëpunim me gjermanët është pjesërisht e vërtetë, për faktin se ai u përpoq ta shfrytëzonte këtë situatë në dobi të çështjes kombëtare dhe duhet thëne se ia arriti, duke realizuar qoftë edhe për dy vjet të parin shtetet etnik shqiptar, periudhë që forcoi dukshëm pozitat nacionale të shqiptarëve në ish-Jugosllavi. Ai mund të konsiderohet një nga idealistët nacionalistë më të mëdhenj në historinë tonë kombëtare dhe shkriu gjithçka për të realizuar një ëndërr që e patën dhe e kanë të gjithë patriotët shqiptarë. Ishte një prej shqiptarëve më të pasur të kohës së vet dhe e kishe të zgjidhur jetën e vet e të familjes, pra nuk kishte nevojë për pushtet, gjë që e thekson edhe më shumë idealizimin e tij nacionalist. Në një intervistë të tij në Radio Tirana në prill të vitit 1944 ai theksonte se nuk ishte në shërbim as të gjermanëve e as të britanikëve, por në shërbim të kumbit të tij, gjë që e dëshmoi me veprimtarinë e tij patriotike deri në fund të jetës. Fakti që ai jetoi e punoi në SHBA hedh poshtë çdo akuzë të komunistëve për krime lufte apo bashkëpunim me nazistët. Dihet qëndrimi amerikan ndaj nazistëve dhe bashkëpunëtorëve të tyre, gjë që nuk do ta shpëtonte edhe Devën, nëse aleatët do ta konsideronin të tillë.

Rivlerësimi i Devës si detyrim mbarëshqiptar

Rivlerësimi nga historiografia zyrtare e Xhaferr Devës dhe veprës së tij është, pa dyshim, një detyrim mbarëkombëtar. Së pari, këtë duhet ta bëjë Tirana zyrtare, ajo që anatemoi me akuza të fabrikuara personin dhe figurën e tij. Në këto vite postkomuniste ka një ndryshim të ngadaltë të trajtimit historik të kësaj figure të nderuar të historisë kombëtarë, por kjo duket e pamjaftueshme. Vlen për t’u vlerësuar vendimi i kryetarit aktual të Bashkisë së Tiranës Lulzim Basha, që hoqi emrin e rrugës “Dëshmorët e 4 Shkurtit” dhe në një ceremoni dinjitoze, ku morën pjesë Kryeministri i Shqipërisë Berisha dhe ish-presidenti i Kosovës Sejdiu, i vendosën emrin e presidentit Ibrahim Rugova. Ky përbën edhe të vetmin veprim zyrtar të rishikimit të asaj pjese të historisë që lidhet me Xhafer Devën, që u kundërshtua fort nga e majta ish-komuniste, e cila e ka të vështirë të heqë dorë nga trashëgimia kriminale e pasardhësve politikë e gjenetikë të saj. Historianët komunistë, por dhe media e majtë, edhe pse me zë të mekur, vazhdon ta trajtojë Devën si tradhtar, ndërkohë që ai ishte njeri që sakrifikoi e bëri kaq shumë për kombin shqiptar. Për shumicën e shqiptarëve vendosja e emrit të Ibrahim Rugovës në këtë rrugë sigurisht është një nderim për Xhafer Devën. Qëndrimi i Tiranës zyrtare është, pa dyshim, i rëndësishëm edhe për orientimin e historiografisë shqiptare në Shkup, Prishtinë e Mal të Zi. Këmbëngul që vlerësimi të fillojë nga Tirana edhe për faktin se shqiptarët në Shqipërinë politike janë më të keqinformuarit për figurën e Xhafer Deves, ndërkohë që nga shqiptarët në Kosovë, Maqedoni e Mal të Zi ai konsiderohet në masë si një hero. Siç thashë më lart, vendimi zotit Basha ishte i rëndësishëm, por i pamjaftueshëm. Besoj se në situatën politike aktuale, kur politika i është afruar kaq shumë bashkimit kombëtar, veprës më të madhe të Xhaferr Devës, figura e tij do të fillojë të lartësohet e të zërë vendin e merituar në historinë zyrtare të kombit tonë.

Koha e Xhafer Devës

Koha e Xafer Devës duket se po troket serish, jo vetëm si figurë patriotike, por edhe si ideal e trend politik mbarëshqiptar. Pavarësisht se ende nuk pranohet zyrtarisht, ai është një figurë e rehabilituar politikisht vetëm për faktin se politika aktuale po synon të realizoje pikërisht projektin e tij, atë që ai dhe patriotë të tjerë arritën ta realizonin de facto 70 vjet më parë. Shqipëria etnike është sot një projekt i njohur e ndoshta i pranuar edhe ndërkombëtarisht. Muajin që kaloi Kryeministri i Shqipërisë, zoti Sali Berisha, e shtroi këtë çështje në samitin për sigurinë në Berlin, në prani të zv.presidentit amerikan Bajden dhe drejtuesve të tjerë europiane, duke hedhur kështu një hap të madh drejt bashkimit aq të dëshiruar kombëtar. Nuk shoh ndonjë ndryshim të dukshëm midis projektit politik të shpallur nga Berisha dhe asaj që dëshiroi e realizoi Deva 70 vjet më parë. Në këtë rrjedhë logjike të zhvillimit të gjërave mund të themi pa frike se, nëse vitin e kaluar festuam 100-vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë politike, këtë vit i bie të festojmë 70-vjetorin e Shqipërisë etnike, atij shteti të përbashkët që Deva e patriotë të tjerë shqiptarë arrtën të bëjnë e ta qeverisin në vitet 1943-1944. Shpresoj shumë që shumë shpejt shqiptarët, kudo që janë, në trojet e tyre etnike e në rajon, të jenë e të jetojnë si në… kohën e Xhaferr Devës.

1 thought on “KOHA E XHAFER DEVËS!”

  1. RESPEKT DHE PËRULJE BURRAVE MA TË MBËDHEJ TË KOMBIT Dr.Ibrahim Rugovën e Xhafer Deven,
    Me tradhtin që Ju banë Komunistët në Konferencën e MUKES dhe tradhtin e Oslos,asht vërtetue se Komunismi dhe Komunistët Shqipëtar janë vegla të ndyta në shërbim të gjakpirsave Sërbo-Rusë .Këtu vërtetohet se i Madhi i ndritun Legjenda Kombëtare Xhafer Deva e ka onjohin Komunismin dhe veglat tradhtare Komunist.Sa për ilustrim po përmendi nji shprehje të lanë nga Agja im Ajet Ruhani-Dyzi:
    QENI KOMUNIST MOS M’U BÅFTË!
    Pajtohem se tradhtarët Komunist të vjetrit dhe këta “neokomunista”,në Kosovë e Shqypëni,tradhtin që i ban Dr. Ibrahim Rugoves, në Osllo ,Jan në shërbim të Serbis.
    Edhe,edhe,Albin Kurti do të jet pasardhës i tradhtarëve,me dije apo dëshirë(?!)

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top