KOALICIONI SHQIPTAR “ME NJË QËLLIM”, SYNON REALIZIMIN E OBJEKTIVAVE KOMBËTARE NË MAL TË ZI

Shkruan: Florim ZEQA

Në zgjedhjet parlamentare të së dielës së 16 tetorit 2016 në Mal të Zi, shqiptarët i gjen më të bashkuar se asnjëherë më parë. Katër subjektet politike shqiptare të bashkuar në koalicionin e madh shqiptar me moton “Me një qëllim”, do të sfidojnë partitë malazeze dhe ato serbe, me qëllimin e vetëm, për sigurimin e sa më shumë vendeve në Parlamentin e Malit të Zi, për t’u bërë zë i fuqishëm i shqiptarëve në këtë shtet.

Mbrojtja dhe avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Malit të Zi, ka qenë objektiv i përhershëm i subjekteve shqiptare,…por asnjëherë nuk kanë qenë më afër arritjes së qëllimit se që janë tani në prag të zgjedhjeve parlamentare, ku katër partitë e mëdha shqiptare janë bërë bashkë në koalicionin e madh “Me një qëllim”

Pjesë e këtij koalicioni janë këto katër subjekte; Partia Demokratike, Lidhja Demokratike në Mal të Zi, Iniciativa Qytetare dhe Lëvizja qytetare “Perspektiva”.

Siç dihet bartës i listës së koalicionit të madh shqiptar dhe kandidat për deputet në Kuvendin e Malit te Zi është Gëzim Hajdinaga, ish Ministër për pakica në kuvendin malazez dhe ish kryetar i komunës së Ulqinit, i dyti i renditur në listë është zoti Fatmir Gjeka, ish deputet në kuvendin malazias dhe ish kryetar i komunës së Ulqinit, aktualisht kryetar i Partisë Demokratike, gjersa në pozicionin e tretë do të jetë Vasel Sinishtaj nga Iniciativa Qytetare.

Siç e kam cekur edhe më sipër, qëllimi i këtij koalicioni të madh shqiptar është mbrojtja dhe avancimi i të drejtave shqiptarëve në Mal të Zi, siç janë; zyrtarizmi i gjuhës shqipe në të gjitha territoret e banuara me shqiptar, përdorimi i lirë i simboleve kombëtare, hapja e një Universiteti në gjuhën shqipe,…si dhe realizimin e shumë objektivave tjera, që për synim kanë krijimin e kushteve për jetë të barabartë me të gjithë qytetarët e Malit të Zi, për t’i dhënë fund njëherë e përgjithmonë diskriminimit politik që u është bërë shqiptarëve nga qeveritë paraprake.

Avancimi i të drejtave të shqiptarëve në Mal të Zi, do të thotë faktorizimi i plotë i shqiptarëve në këtë shtet, duke e marrë statusin e kombit shtetformues në Mal të Zi dhe dhentën fund trajtimit diskriminues të deritanishëm si “pakicë kombëtare”.

Një fjalë e urtë popullore thotë; “Bjeshka është e atij që i kullosin delet”, janë afërsisht dhjetë komuna dhe qindra fshatra në Mal të zi të banuara me shumicë shqiptare, të harruara e të anashkaluar nga pushtetarët në Tiranë dhe Prishtinë!

Andaj ka ardhur momenti i duhur, që shqiptarët e bashkuar të zgjojnë ndërgjegjen e fjetur të dy qeverive shqiptare dhe përfundimisht të marrin statusin e merituar, të kombit shtetformues të Malit të Zi.

Shqiptarët e bashkuar në Mal të Zi, munden dhe do t’ia arrijnë qëllimit.

Zoti e bekoftë ditën e 16 tetorit 2016-të!

Zoti i bekoftë shqiptarët në Mal të Zi.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top