AUTOR: AV. XHAFER SADIKU
Hair Karkanjozi, një i ri nga Berati, me vargjet e tij shkruar në kulmin e luftës civile, akuzonte klikën e Miladin Popoviçit dhe Dushan Mugoshës. Të vjen keq për historinë tragjike të popullit tonë për më tepër kur banditët e luftës civile u bëjnë karshillëk viktimave të tyre që e deshën Atdheun me zjarrin e zemrës.
KLIKA DUSHANO-MILADINE
O moj klika Miladine
E mjerove Shqipërinë,
Shtire popullin në mjerime,
O, e gjeç në Perëndinë.
O moj ti klika Dushane,
Që e ndeze tym e flakë,
Mëmën tonë halle – madhe,
Shqipërinë e vogël plakë.
Të dy klika gjakatare,
Vrisni prisni pa gjykim,
Të dy shtriga mëkatare,
Po na bini një shëmtim.
Asaj ajkës djalëris,
Që shqypen s’ka tradhëtuar,
Asaj shpresës së Shqiprisë,
I pini gjaknë e kulluar.
Do rronj Mëma Shqipëri,
Me kufijt e saj etnike,
Me Flamurin kuq e zi,
Ty i poshtër tash u fike.
Shqipërija do të rronjë,
Sa të jetë gjithësija,
Ne djemtë do ti dërrmojmë,
Dushan e shokët e tija.
Ata djemt e shqypes lart,
Që duan vërtet Shqiprin’
Me vullnetin më të zjarrtë,
Do ta shporrin Miladinë.
Ndizen zemrat si vullkani,
Pika gjaku po kullojn,
Djema po na thrret Vatani,
Nga ky rrezik ta shpëtojm.
Duar lidhur kush qendron,
Shqipërin ka tradhëtuar,
Kush është burrë sot vrapon,
E derdh gjakun e kulluar,
Gjakun sot duhet ta derdhim,
Për flamurin kuq e zi,
Si të parët ton të vdesim,
Për Atdhe, për Kombësi.