SHKRUAN: ILIR HYSA PhD
Në 24 tetor 2018 në Tiranë u bë promovimi i volumit të tretë të veprës monumentale të Mid’hat Frashërit, e cila pritet të ribotohet në 13 vëllime. Ky botim është ndërmarrë nga Instituti i Studimeve Historike “Lumo Skëndo” nën kujdesin e historianit Uran Butka.
Sikur Mid’hat Frashëri të mos ishte aq i madh sa është dhe sikur të mos ishte baltosur padrejtësisht që nga Lufta e Dytë Botërore deri sot (në qarqe të caktuara), ky do të kishte qenë një promovim i zakonshëm libri. Por një tubim i tillë nuk kishte asgjë të zakonshme. Së pari, vëzhguesi i kujdesshëm konstatoi se konfliktualiteti mes atyre që pretendojnë se janë trashëgimtarët politikë të Mid’hat Frashërit vazhdon. Sigurisht që ky është lajm i keq. Por ndërkohë, një lajm i mirë është fakti se deformuesit e historisë sonë nuk po mundin dot të vazhdojnë kasaphanën e tyre makabre. E vërteta po shetit triumfatore rrugëve të Tiranës e gjetkë dhe historianët e tipit Xhufi po rendin që t’a kapin e t’a prangosin por nuk po mundin dot. Në prag të 110 vjetorit të Kongresit të Manastirit, shqiptarët e mashtruar për dekada me radhë po kuptojnë batërdinë që u është bërë dhe po sjellin më në fund ngjarjet historike dhe protagonistët e tyre në të njejtën tablo, ashtu siç ndodhi në ato vite të stuhishme të historisë sonë.
Ndërkohë, dikush që ka sadopak kërshëri për historinë tonë kombëtare po fërkon sytë nga mosbesimi: Si ndodhi që për kaq gjatë, për gati tetë dekada, ne si komb kujtuam Kongresin e Alfabetit por nuk dëgjuam të flitet në studiot televizive, radiot e gazetat për drejtuesin e tij Mid’hat Frashërin?! Më e rëndësishmja: Si ndodhi që ne besuam tek një dogmë e pështirë për aq gjatë?! Sigurisht që edhe teza si “të gjithë bashkëfajtorë dhe bashkëvuajtës” nuk e kanë ndihmuar ndriçimin e historisë sonë të dhimbshme. Fajtojët duhen identifikuar për hir të harmonisë sociale, jo për hakmarrje, ndërsa mëkatarët duhen të shprehin pendesë.
Në këtë kontekst, gjëja që ra më shumë në sy në këtë promovim ishte prania e Ismail Kadaresë, shkrimtari ynë tashmë me famë botërore. Kadare, ky pjestar i makinërisë gjakatare që vrau e preu shqiptarët për gati pesë dekada me radhë, ishte i ftuar nderi. Sikur të mos mjaftonte kjo, mësohet se Kadare ka shkruajtur edhe parathënien e vëllimit të tretë të veprës së Mid’hat Frashërit. Ndryshe nga gjithë ata që i janë vërsulur Kadaresë, unë e përshëndes veprimin e tij. Populli thotë “më mirë vonë sesa kurrë”. Shkrimtari ynë i realizmit socialist bën mirë që më në fund vendos të braktisë gënjeshtrën e madhe shekullore për Mid’hat Frashërin dhe heshturazi bën paqe me të birin e Abdyl Frashërit, por kjo nuk mjafton. Për të mirën e reputacionit të tij plot dritë-hije dhe për hir të interesit kombëtar, Ismail Kadare duhet të kërkojë ndjesë publikisht për qëndrimin e tij ndaj Mid’hat Frashërit. Le të kujtojmë se në kohën kur Mid’hat Frashëri baltosej nga regjimi komunist i Enver Hoxhës, Kadare i shërbente me zell atij regjimi dhe pyeste tek “Shqiponjat fluturojnë lart” në mënyrë retorike: “Ku t’i kërkoj rrënjët e tua Parti?” Ai qëndronte përbri Nexhmije Hoxhës teksa drejtonin Frontin Demokratik të Shqipërisë, strukturën kriminale që i bënte gjëmën shumë shqiptarëve askokohe. Ende më trishtues është fakti se gjeniu ynë mëkatar ka heshtur edhe gjatë tre dekadave të fundit. Pse vallë? A thua t’a ketë vrarë ndërgjegjja që ai vetë ishte pjesë e bandës kriminale që anatemoi dhe deklaroi të birin e Abdyl Frashërit, Lumo Skëndon e madh, armik të popullit që ai deshi aq shumë, madje edhe pas vdekjes. Ja si shkruante ai:
“Kur të vdes, miq, mos mbillni mbi varrin tim lule, që i than diell’ i gushtit, mos më vini një shtyllë në këmbë, që e rrëzon era e Veriut.
Mbi varr dua një bllok graniti, të shëndoshë e të fortë dhe në mes të bregut të vogël virmëni një qiparis.
E dua këtë dru që përçmon vitet e shekullit, që u bën ballë Jugës që djeg dhe murlanit të marrë, që ngjit drejt qiellit kryet e tij madhështor.
Shpirti im do të jetë i pështjellë në trupin e tij dhe do të shohë këtë njerëzi, këtë botë dhe stërnipërit e të sotmëve. Edhe kur fryn Veriu i egër dhe dëgjon drurin plak t’oshëtijë, mos pandehni se era këndon në degët e tij. Është zemra ime, që qan e rënkon.
Edhe kur shihni mbi gjethin e saj të hollë pikëza, që shkëlqejnë në diellin e një mëngjesi gazmor, mos pandehni se janë pika vese të natës. Janë lotët e mi.
Se dua edhe që pas vdekjes, o miq të pritmit, të rënkoj e të qaj bashkë me ju, të kem pjesë në gëzimet e pikëllimet.”
Pra, o njerëz, si baltoset e kryqëzohet një zemër e tillë?! Sigurisht që jo! Atëherë, ç’presim ne, pse nuk e përqafojmë Mid’hat Frashërin tonë të madh! A janë më në fund shqiptarët e mashtruar për dekada me radhë gati të përqafojnë shërbestarin dhe apostullin e tyre? E vërteta e lirë do të sugjeronte se po, por ne si popull ende vuajmë pasojat e së kaluarës, ende presim nga ata që na thanë se Shqipëria Socialiste ishte vendi shkëmb e granit që kishte frikë bota. Ne si popull ende shohim se ç’po bën Kadareja. Por ai po bën vetëm hapa të vegjël. Ndaj ne pyesim:
A është ky një moment i sinqertë kthese dhe faljeje publike nga Kadare? Në këto momente kur shoqëria shqiptare ka nevojë më shumë sesa kurrë ndonjëherë për mësues dhe kampionë si Mid’hat Frashëri, shtirja do të ishte mëkat edhe më i madh sesa baltosja prej gati tetë dekadash. Lë të shpresojmë që ky është moment reflektimi, pendese dhe bashkimi kombëtar. Që gjithçka të bëhet e besueshme z. Kadare duhet të kërkojë falje për rolin e tij në kalvarin e gjatë e të dhimbshëm, për harresën pse jo edhe në baltosjen e Mid’hat Frashërit.
Ndaj për hir të dhimbjes së djeshme, për të sotmen e paqartë dhe për të ardhmen tonë kolektive, kërkoni ndjesë publike për Mid’hat Frashërin, z. Kadare!