Shkruan: Edison YPI
Njoh njërin i cili kur ishte fëmijë një ditë pa therjen e një qingji në një oborr. I mbetën në mendje thikat e kasapit, çengelat, përpëlitjet e qingjit, rropullitë, qëntë e macet duke lëpirë gjakun. Prej asaj dite nuk vë mish në gojë, as sallam, as qofte, madje as peshk. Nga natyra është mishngrënës, por nga halli, për shkak të cenit të ushqimit, ha vetëm jeshil’llëqe, është bërë pa dashje vegjetarian, dhe vuan.
Di dhe dy raste të tjera me cene të ngjajshme.
Njërin që s’vë reçel në gojë sepse në kohën e kurvit brenda një kavanozi reçeli gjeti një buburrec, dhe një tjetër të cilit duke kafshuar një cop bukë j’u ngatrrua nëpër dhëmbë një spango e trashë që mezi ja hoqën duke ja prerë me gërshërë gati sa s’ja shqyen qojën si të Guimplenit. I pari, ai i buburrecit në reçel, prej atëhere nuk fut në gojë ëmbësirë, i dyti, ky i spangos nëpër dhëmbë, pasi mori vesh se kishte qënë spangoja e thasëve të grurit që e bënin brumë duke e shtypur me këmbë, u tmerrua aq tepër sa prej atëhere ta vrasësh nuk vë bukë më gojë, vetëm pi ujë.
Veç këtyre me të ngrëna e të pira, ka dhe cene të natyrave të tjera.
Një sauks, për shembull, i cili, jo që s’i afrohet dhe s’e prek, por as me sy nuk i sheh dot bregun e liqenit dhe detit. Është bërë me këtë cen qyshkur ishte adoleshent në vitet 80. Një behar po shetiste buzë detit në Golem me në dorë një radio duke dëgjuar kanconeta italiane. E pa një polic. E mori me gjithë radion e çoi në Rajon ku e zhdëpi në hu. Prej asaj dite nuk zë me dorë, jo vetëm radio e televizor, por asgjë elektronike nga këto të sotmet, celular, kompjuter, tablet.
Megjithatë, këto s’kanë të krahasur me çudinë që i ndodhi një elbasanlliu kur një natë j’u fikën dritat dhe provoi të ndizte një qiri. Qiriu ndizej pak, dhe fikej në çast. I provoi të gjitha llojet e shkrepseve dhe çakmakëve. Meazallah, e pamundur të ndizte një qiri. Kaluan vite derisa e mësoi shkakun; Gjyshi nga nëna kishte hedhur në erë një Kishë në Myzeqe.
Një vlonjati që e ka shtëpinë te sheshi avni rustemi se si i ra në vesh që Esat Pash Toptani ka qënë tradhëtar, dhe e besoi. E besoi për të besuar, por të nesërmen mori katil haberin se gruaja dhe çupa i kishin marrë rrugë të keqe. U deshën vite derisa një mik e bindi se Esat Pasha ishte një Shqiptar i madh. Prej atëhere gruaja dhe çupa nisën të mos venë më te semafori, dhe ceni u ndreq paq.
Një devolliu i ishte mbushur mendja se kurrë nuk ishte aty ku ishte, për shembull në Bilisht, Pojan ose Sovjan, por në një vend tjetër. Këtë e shpëtoi nga ky cen një i njohur i cili e mësoi të ikte diku tjetër që të ndjehej si në Shqipëri.
Një të përndjekuri që llafoset sikur ka ngrënë bythë turtulli dhe shkruan si surrati vet, nisi t’i krruhej kurrizi. S’la mjek pa vajtur për tu shëruar nga ceni i krruajtjes. Asnjë s’ja gjente dot shkakun. E takova në një kafene. E dëgjova sa e dëgjova. Opo ti qënke budalla, i thashë. Të përndjekurit që janë “kreu”, “balli”, “krema” e shqiptarisë, ti quan në mënyrën më poshtëruese që e ka lënë kurvi, “shtresë”. Shihe Fjalorin. Shtresë e mbulesë janë dysheku, jorgani, çarçafi, jastëku, jo të përndjekurit, prandaj krruhesh. Që nga ajo ditë nisi të krruhej më pak, por ende ja kam frikën.
Shqiptarët janë popull me cene. S’kan për të bërë kurrë hajër, asiher reforma, kurrë Shtet.