SHKRUAN BAJRAM MJEKU
Sot 92 vjet më parë, kur në malet e Dragobisë u vetëvra Bajram Curri, kryeministri shqiptar dhe ministri i Brendshëm, Koço Kota i dërgoi telegram urimi Hasan Kryeziut, prefekt i Kosovës në Krumë, në të cilin thuhej: “N’emën të Qeveris shqiptare, ju falënderoj dhe ju përgëzoj për veprën patrijotike qi keni krye tue shdukë nga faqja e dheut njeriun e shpellave qi kërcnonte qetsinë e Shqipnis!” Kështu shkruan Tahir Zajmi, sekretar i Lidhjes së Dytë të Prizrenit në librin e tij “Tallazet e jetës dhe lotët e zemrës”, botuar në Bruksel në vitin 1970. Librin më pat dhuruar nipi i tij, Ardian Zajmi.
Tahir Zajmi ishte adhurues i madh i figurës së Bajram Currit. Ai thotë se përkrah Xhandarmërisë shqiptare, kishte edhe mercenarë serbë e shqiptarë nga Kosova, të cilët ishin vënë në ndjekje të Currit dhe përkrahësve të tij.
Kryeministri shqiptar Koço Kota, 24 vjet më vonë vdiq nga torturat e komunistëve shqiptarë në burgun famëkeq të Burrelit në vitin 1949.
Tahir Zajmi është axha i akademik Gazmend Zajmit dhe dr. Ylli Zajmit. Pas Luftës së Dytë Botërore migroi në Izmir të Turqisë. Dr. Ylli Zajmi kah mesi i viteve pesëdhjetë vizitoi axhën dhe i propozon të largohet nga Turqia. Pas vizitës, Tahir Zajmi vazhdon të jetoj në Bruksel, derisa ndërroi jetë në shtator të vitit 1971.
Më 15 tetor të vitit 2014, familja Zajmi me shpenzimet e saj organizoi rivarrimin e eshtrave të Tahir Zajmit në Gjakovë. Veç mbledhjes komemorative që u organizua nga Komuna e Gjakovës, ceremonia e rivarrimit ndodhi pa kujdesin më të vogël të shtetit të Kosovës, për të cilin Tahir Zajmi sakrifikoi gjithë jetën.
Në foto – Prefekti Hasan Kryeziu duke pozuar pranë kufomës së Bajram Currit