SHKRUAN: KASTRIOT DERVISHI
Deputetët Edmond Leka dhe Artemisa Dralo nuk i përkasin botës së studimit dhe arkivave. I pari është inxhinier elektronik, i cili i ka thelluar e stërholluar dijet juridike në universitetin “Kristal”, ndërsa e dyta, ka mbaruar për anglisht. As njëri e as tjetra nuk ia thonë për arkivat. T’i pyesësh për gjërat më të thjeshta për arkivat, kushedi se çfarë mund të dëgjosh prej tyre. Mirëpo, më 3-6 shkurt 2020, ata iu bashkuan shokëve të Autoritetit për “hapjen e dosjeve”, për një vizitë të këndshme në Poloni, gjasme për punë kujtese. As Leka dhe as Dralo nuk kanë bitisur ndonjëherë të nderojnë ndonjë figurë antikomuniste në Shqipëri, por ama duhej të shkonin deri në Poloni e ta ndjenin këtë për antikomunistët polakë, se ashtu duhej. Nga mbresat e pashlyera të kësaj vizite, deputetët në fjalë, kanë pranuar të firmosin një projektligj për disa ndryshime në ligjin 45/2015, të cilin jam i sigurt se në të vërtetë, nga ajo që shihet, as e kuptojnë çfarë është. Kjo vihet re edhe te përdorimi i keq i gjuhës shqipe, se për anën juridike as që bëhet fjalë të ketë saktësi. Gjuha e tekstit është plotësisht brenda fjalorit të Autoritetit, të përbërë nga 5-6 fjalë gjithsej. P.sh. fjalitë si “ndërmerr hapa konkrete”, “u fokusua”, “rikuperimi i trupave” gjenden rëndom në shumicën e postimeve të Autoritetit. Në letrën pa datë që deputetët (mbase nuk kanë ndryshuar gjë as formalisht) i kanë drejtuar kryetarit Ruçi, thonë në njëjës “propozoj” dhe nënshkruajnë në shumës dy veta.Në relacion thonë se ligji në fuqi ka edhe “lapsuse”. Në fakt ligji 45/2015, siç edhe po provohet nga koha është një marmelatë e madhe (thënë me edukatë) që me kalimin e viteve vetëm sa e shton perimetrin e tij. Nuk është një “lapsus”, por është i gjithë në shkelje të ligjit të arkivave dhe parimeve universale të arkivistikës. Tashmë koncepti se çfarë quhet “dokument Sigurimi” u ndryshoka me ligj. Nuk ka rëndësi se çfarë ka qenë. Mjafton të ndryshohet. P.sh. nëse Kuvendi vendos me ligj që macja është tigër, ashtu duhet thënë. Vini këtë rresht: “…dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit, Ministrisë së Punëve të Brendshme të RSH (e kanë RPSSH në ligjin në fuqi-shënim), ku përfshihen edhe dokumentet e ish Sigurimit të Shtetit”. Nuk ka institut gjuhe që e përkthen këtë shqipe. E për ta bërë më lëmsh, duan çdo gjë “pa kufizim” që lidhet me veprat politike të parashikuara nga ligji nr.7514, datë 30.9.1991 “Për pafajësinë…”, i ndryshuar. Pra, një ligj i vitit 1991, qenka modeli si kanë funksionuar institucionet në komunizëm. Mirëpo shokët kanë harruar nenin 3/5 të ligjit që vetë e kanë caktuar çfarë quhet “dokument Sigurimi”! Brenda të njëjtit ligj do vendosin dy gjëra pa lidhje. Është edhe më keq se kaq. Mund të zemërohen shokët Rustem, Odhise dhe Ulsi. Ligji 7514, që nuk ka lidhje me mënyrën si janë e si duhen bërë arkivat, njeh si kohë të përndjekjes komuniste, datën 1.8.1943. Ulsia te komisioni i ligjeve është përgatitur t’ia heqë ISKK-së studimin e krimeve të Miladinit e Dushanit që i përkasin luftës, ndërsa dy deputetët, do ia kthyekan Autoritetit. Hiqja Lenën e jepja Prenës-thotë një fjalë e urtë. Meqë data është 1.8.1943, Autoriteti, pavarësisht se ndryshon edhe thelbin e ligjit të vet, si një fëmijë i llastuar e tekanjoz, mund t’i drejtohet Drejtorisë së Përgjithshme të Arkivave dhe të kërkojë çdo gjë që lidhet me vrasjet pas periudhës në fjalë, domethënë nga Arkivi i PPSH-së dhe fondet 149, 152, 153, 154, me “arsyetimin” e datës 1.8.1943. A thua janë informuar shokët Rustem e Odhise? A thua di gjë Ulsiu që është “dekoruar” nga dy shokët e parë dhe për të cilin “lufta nacionalçlirimtare” e shokëve Miladin e Dushan është një faqe e lavdishme e popullit shqiptar?
Tani cili është qëllimi? Të ligjojnë veprimet antiligjore që janë vërejtur deri më sot ndaj fondit hetimor-gjyqësor të Arkivit të Ministrisë së Brendshme. Në mënyrë të paligjshme dhe arbitrale fondin në fjalë e kanë shkatërruar duke e përdorur për ekspozita dhe për të plotësuar pa objekt përgjigjet e popullit.
Për fatin e tyre të keq, asnjë nga këto ndryshime kontradiktore nuk i ligjërojnë në veprimet e tyre ndaj Arkivit të MB-së. Mosdija nuk përbën lehtësim nga asgjë. Keqardhje për amatorizimin përtej çdo imagjinate.
(vijon)