KATEDRA E PARË E ALBANOLOGJISË NË HISTORINË E UNIVERSITETEVE AMERIKANE

Në shtator, në Universitetin DePaul në Çikago, me fillimin e vitit të ri akademik, pritet të fillojë punën edhe një katedër e re, ajo e studimeve albanologjike, e para e këtij lloji në univeristetet amerikane. Kjo shënon një moment të rëndësishëm në historinë e studimeve shqiptare, thotë drejtori i katedrës, Dr. Gazmend Kapllani. Kolegu Burim Goxhuli bisedoi para disa muajve me zotin Kapllani mbi planet e kësaj katedre.

Gjatë muajit maj të këtij viti pritet të bëhet përurimi i Katedrës së Albanologjisë në Universitetin DePaul në Çikago.

Kjo është hera e parë në historinë e universiteteve amerikane, që studimet shqiptare arrijnë këtë nivel.

Programi i studimeve albanologjike pritet të jetë gati në shtator, me çeljen e viti i ri akademik, thotë drejtori i katedrës Dr. Gazmend Kapllani.

“Po punojmë për të krijuar platformën dhe nga momenti i krijimit të saj brenda këtij viti çdo student do të mundet të drejtohet tek ne dhe të regjistrohet. Do jetë anëtar si të thuash i diplomës që ne do japim, sepse ne duam që t’u japim diploma studentëve tanë. Dhe do të mësojë nga një anë gjuhën shqipe dhe nga na tjetër ato që i quajmë ne lëndë përmbajtjeje, pra lëndë që do të jenë në shqip dhe anglisht për tema dhe tematika të ndryshme të albanologjisë”, tha ai.

Fushat e studimit, zoti Kapllani thotë se do të jenë gjithëpërfshirëse, prandaj pret interesim të madh edhe nga studentë të huaj.

“Do kemi të gjitha disiplinat nga gjuha, letërsia, historia, arkeologjia, filozofia. Dhe duam që të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore sepse Albanologjia ka mundësi të jashtëzakonshme sidomos kur lidhet me çështje që janë në qendër të diskutimeve globale sot, qoftë për letërsinë e diapsorës, qoftë për historinë dhe gjeostrategjinë, qoftë për fenë. Pra neve do të mundohemi të krijojmë një kurrikulë sa më bashkëkohore që mos t’i flasi vetëm studentëve shqiptaro-amerikanë të cilët janë qendra dhe publiku kryesorë i yni por t’i flasi çdo studenti nga çdo lloj origjine apo nga çdo lloj baze etnike”, tha zoti Kapllani për Zërin e Amerikës.

Themelimi i katedrës u bë i mundur nga një donacion i një filantropi shqiptaro-amerikan.

“Emri i tij është Hidai Eddie Bregu dhe unë kam nderin që të jem drejtori i parë i katedrës dhe do bëj ç’është e mundur që t’i shërbejë dhe ta nderojë dhe emrin dhe vizionin e tij. Ai ishte njeri me një vizion të jashtëzakonshëm. Sa patriot aq edhe i lidhur me rrymat më bashkëkohore, aq edhe mendjehapur aq edhe i lidhur me bashkësitë e ndryshme në Amerikë. Pra për mua është model i patriotit bashkëkohor”, tha zoti Kapllani.

Zoti Kapllani fton komunitetin shqiptaro-amerikan të marrin shembull nga vepra e filantropit Hidai Eddie Bregu në mënyrë që projekte si kjo e katedrës të mos ndalen vetëm në Çikago.

Gazmend Kapllani, Drejtor i Katedrës së Albanologjisë, Universiteti DePaul, Chikago

“Nje katedër nuk mund të ndryshojë historinë brenda një viti ose brenda dy vitesh, por ajo që mund të bëj është që të bëhet një bërthamë dhe një shembull. E para në përhapjen e ideve, e dyta duke i dhënë aq sa mundet, duke nxjerr në pah vet shqiptaro-amerikanët në radhë të parë dhe Albanologjinë e cila ka qenë pothuajse joegzistente në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe e treta ajo që ne shpresojmë është që do mundemi që të inspirojmë edhe njerëz të tjerë që të hapin programe të tjera në universitete të tjera amerikane. Imagjinoni sikur te kishim dy programe te tjera. Ndoshta eshte e veshtire per ata qe nuk jane ne boten akademike ta kuptojne se sa e rendesishme eshte kjo per statusin e vet shqiptareve por edhe per zhviullimin e studimeve albanologjike qe do te thote te studimeve qe kane te bëjnë me kulturen, gjuhen dhe historine tone”, tha zoti Kapllani.

I themeluar në vitin 1898 universiteti DePaul në Çikago është universiteti më i madh katolik në Shtetet e Bashkuara.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top