*TITULLI I REDAKSISË
SHKRUAN: FATON BISLIMI
Secili i zgjedhur apo i emëruar në një pozitë shtetërore, përfaqëson Republikën së pari, e më pastaj afiliimet tjera si partinë, apo të ngjashme. Opozitën gjithëherë e kam kuptuar si alternativë për qeverisje dhe kritikë konstruktive ndaj pushtetit, e assesi bllok kundër shtetit! Andaj, nuk i gëzohem huqjeve të atyre që e përfaqësojnë shtetin.
Vlera e znj. Donika Gërvalla si e bija e njërit prej pishtarëve të hershëm për lirinë e Kosovës, dhe kontributi i saj për vendin ndër vite, janë të pamohueshme dhe gjithësesi se e kanë vendin e vet në kujtesën tonë kolektive dhe e gëzojnë respektin tim personal. Mirëpo, Ministrisë së Punëve të Jashtme të Kosovës, të cilën e udhëheq znj. Gërvalla, nuk i falën gabimet e huqjet e njëpasnjëshme, thuaja ditore, ngase kosto e tyre i faturohet shtetit tonë dhe neve si shoqëri.
Nëse në krejt MPJ nuk paska asnjë zyrtar të kualifikuar denjësisht për PR, respektivisht për publikime në emër të Ministrisë dhe vet Ministres që të paktën anglishtën e zotëron siç duhet, atëherë tregoni se u gjejmë qoftë edhe diplomatë të karrierës nga SHBA që kanë kryer misionet e tyre e që besa vullnetarisht do ju shërbejnë në këtë rol, ashtu që mos të kemi më shumë gabime (gramatikore, sintaksore, edhe thjeshtë të drejtshkrimit) sesa fjalë, në postimet e MPJ në rrjete sociale.
Mandej, përtej këtyre huqjeve gjuhësore të panumërta në tekstin e biografisë së znj. Gërvalla, të publikuar sot në media me aludimin se ky tekst shpërndahet tek homologët dhe zyrtarët tjerë të huaj me të cilët takohet Ministrja, koncepti bazik i dokumentit është total gabim dhe tregon një mungesë të thellë të profesionalizmit diplomatik dhe komunikimit strategjik, që normalisht do duhej të ishin alfa dhe omega e përgatitjes së stafit të MPJ! Shpresoj se ky lajm të mos jetë i vërtetë, por nëse është, ja një leksion i shkurtër për përmirësim për hirë të Republikës sonë të re.
Kushdo që pak ka mësuar për diplomacinë ose ka patur përvojë qoftë edhe margjinale në sferën e marrëdhënjeve ndërkombëtare, do duhej me e dijtë se biografia zyrtare e një përfaqësuesi të lartë shtetëror, e sidomos e një ministri të jashtëm, fokusohet në tri shtylla kryesore:
1. Përvoja e ministrit në marrëdhnje ndërkombëtare, bindjet politike, dhe atributet e sukseset kyçe politike të tij/saj;
2. Vizioni politik i ministrit për politikën e jashtme të vendit, duke vënë theksin mbi orientimet e paluhatshme dhe qëllimet primare të interesit shtetëror; dhe
3. Përgatitja profesionale, të arriturat kulminante, dhe gjendja familjare e ministrit.
Bile, ata që janë të pasionuar pas punës së tyre, sidomos tek rasti i MPJ, do shkonin edhe një hap më tutje, dhe në shtyllën e dytë të CV-së së Ministrit/Ministres, do përfshininë ndonjë aktivitet ose lidhje direkte të Ministrit/Ministres me vendin e zyrtarit apo homologut të cilit do i jepej kjo CV.
Kur biografia zyrtare e cilido Ministër përgatitet profesionalisht, siç e elaborova më lartë, dhe e njejta i jepet homologut nga shteti i huaj paraprakisht, paramendojeni se sa me i frytshëm del takimi; ngase homologu tanimë është në dijeni për kornizat bazike ku mund ta fokusojë bisedën dhe çka mund të arrijë në përmbyllje!
Përfundimisht, MPJ ka nevojë urgjente për riorganizim dhe reformë substanciale. Barrën e stërkeqjes në këtë dikaster e bartin të gjithë ata që kanë udhëheqë me të në të kaluarën, sikurse edhe tani. Çdo vonim në këtë drejtim është rritje e dëmit ndaj vendit!