Shkruan: Prof. Dr. Sabile Keçmezi-Basha
Lidhja Shqiptare e Prizrenit e vitit 1878, u dha shqiptareve programin kombëtar për ruajtjen e tërësisë tokësore të atdheut dhe bashkimin kombëtar, kërkesat që përbënin themelin e programeve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare në vijim. Ato mbetën te tilla edhe në përpjekjet e mëvonshme për liri dhe shtetëformim që vazhduan si të tilla edhe gjatë Luftës së Dytë Botërore po ashtu edhe pas përfundimit të saj që u përfshin në programet e lëvizjes ilegale të shqiptarëve që mbetën nën pushtimin jugosllav.
Kërkesat kryesore te Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishin : çlirimin nga pushtuesit sllav, pavarësia kombëtare dhe bashkimi i të gjitha trevave shqiptare. Sepse, e tërë kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt tjerë. Se nuk gjendet në Evropën e sotme ndonjë komb tjetër, i cili të jetë cunguar aq rëndë, dhe që t’i jetë bërë një padrejtësi aq e madhe sa ajo që pësuan shqiptarët në përfundim të Luftës së Dytë Botërore.
Gjatë LDB, në jetën politike të Kosovës u kristalizuan dy rryma politike[2]. Siç dihej në pjesën e parë hynin komunistët dhe një pjesë e vogël e nacionalistëve që u bashkuan me Lëvizjen Antifashiste të cilët shpresonin se pas luftës do të çliroheshin trevat shqiptare nga çdo zgjedhë e huaj, nga ajo nazifashiste dhe nga ajo serbo-jugosllave.
Ndërsa në grupin e dytë merrnin pjesë të gjithë nacionalistët të cilët me kohë kishin hetuar tradhtinë e madhe që po përgatitnin komunistet jugosllav, ngase përvoja historike kishte krijua bindje tjera, se bashkëpunimi i Lëvizjes Antifashiste me LNÇJ dhe PKJ do të përfundonte me rivendosjen e pushtetit jugosllav në Kosovë dhe në trevat shqiptare. Për këtë arsye ata kërkonin të mbronin me çdo mjet kufirin etnik nga synimet grabitqare serbo-malazeze-bullgare, ndërsa okupatorin italian e gjerman e konsideronin si të keqen më të vogël në krahasim me atë që do t’u vinte pas tërheqjes së tyre.
Përfaqësuesit e këtij grupimi, pas kapitullimit të Italisë, dolën me idenë për thirrjen e një Kuvendi kombëtar në Prizren, i cili do të hidhte bazat për krijimin e një organizate kombëtare, me mision të ngjashëm me atë të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit të vitit 1878. Sipas nismëtarëve për thirrjen e kuvendit, Xhafer Deva[4] dhe Asllan Boletini[5], ata, materializuan idenë e tyre më 16-19 shtator, me thirrjen Kuvendit të Prizrenit dhe krijimin e një organizate me të njëjtin emër, si dhe të Komitetit Qendror të saj me kryetar Rexhep Mitrovicën[6]. Lidhja që do të krijohej do të kishte një mision të ngjashëm me atë të Lidhjes së Prizrenit të vitit 1878. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte organizata më e rëndësishme politike-ushtarake në Kosovë dhe në trevat e tjera shqiptare, e krijuar gjatë Luftës së Dytë Botërore.
Ajo u angazhua deri në fund për çlirimin dhe bashkimin e trojeve etnike shqiptare në një shtet të përbashkët dhe kjo organizatë politike e ushtarake e përcaktonte qartë vijën që duhej ndjekur për arritjen e qëllimit final të zgjidhjes së çështjes së Kosovës, bashkimin e saj me shtetin amë. Dhe është e vetmja organizatë politike e kohës e cila të gjitha pikat e saja në Statut ia kushton apo përmend Kosovën dhe mënyrat apo objektivat e realizimit të bashkimit.
Në kuvendin e parë themelues të Lidhjes (1943), me angazhimin e 45 përfaqësuesve nga Ohri, Struga, Gostivari, Dibra, Shkupi, Tetova, Prizreni, Sharri, Theranda, Kolesjani, Rahoveci, Gjilani, Prishtina, Ferizaj, Mitrovica, Rugova, Peja, Istogu, Drenica, Pazari i Ri, Senica, Rozhaja, Plava, Gucia, Gjakova dhe Malësia e Gjakovës u vunë themelet e Lidhjes.
Mbështetur në frymën politike të shkrimeve autentike të pjesëmarrësve në Kuvendin themelues, fillimisht Kuvendi kishte zgjedhë kryesin prej 7 vetave, por me miratimin e Statutit ishin caktuar 14 veta. Duhet përmendur që në Kuvend me propozimin e Tahir Zajmit[9] Kuvendi Themelues kishte proklamua Bashkimin e Kosovës, Dibrës, Tetovës, Strugës, Ulqinit dhe Tuzit me Shqipërinë, si pjesë integrale të saja dhe kishte kërkua bashkimin edhe të Qarkut të Mitrovicës që i takonte Zonës gjermane të pushtimit. Ndërsa delegati nga Gjilani Avokati Esat Berisha[10] kishte kërkua nga Kuvendi që të ndërhynte për rishikimin e vijës së demarkacionit me Bullgarin, gjë që nënkuptonte përfshirjen brenda kufijve të Shqipërisë të trevave shqiptare që ndodheshin nën pushtimin bullgar. Po ashtu edhe delegati nga Rugova, Sali Rama[11], kishte kërkua që Shqipërisë ti bashkohen edhe tokat shqiptare që kishin mbetur nën Malin e Zi.
Në bazë të vendimeve që kishte marr kuvendi i Dytë i LD të Prizrenit, më 21 janar 1944, veç të tjerave u vendos që, në përputhje me Statutin e organizatës, të zgjerohej KQ në 14 anëtarë dhe u miratua Statuti i organizatës së Lidhjes, i cili gjatë tërë kohës shërbeu edhe si Program i saj.
Sipas Statutit, organizimi i Lidhjes përfshinte Kuvendin dhe Komitetin Qendror me seli në Prizren, pastaj komitetet e qarkut, rrethit, komunës dhe katundit. Komiteti Qendror u kryesua së pari nga Rexhep Mitrovica (18-26 shtator 1943) së dyti nga Bedri Pejani (12 tetor-26 korrik 1944) dhe së fundi nga Xhafer Deva, deri më 19 nëntor 1944.
Për të vërtetuar se Programi apo Statuti i Lidhjes së Dytë të Prizrenit kishte karakter kombëtar duhet të sjell pjesë nga Statuti, i cili qartë flet për detyrat, për rolin dhe për rëndësinë e Lidhjes si organizatë gjithë kombëtare, participuese në aktivitetin politik, diplomatik, ushtarak, propagandistik e çlirimtar të trojeve gjithëshqiptare. Lidhja nuk i përkiste asnjë grupimi politik antifashist të kohës si: LANÇ-së, Ballit Kombëtar as Legalitetit. Lidhja e Dytë e Prizrenit ishte një mekanizëm logjistik i gjithanshëm i instancave çlirimtare- kombëtare dhe këtë e dëshmojnë kërkesat të cilat u ngritën në Programin e Lidhjes se Dyte te Prizrenit (1943).
Kërkesat kryesore te Lidhjes së Dytë të Prizrenit ishin : çlirimin nga pushtuesit sllav, pavarësia kombëtare dhe bashkimi i te gjitha trevave shqiptare me shtetin amë. Sepse, e tërë kjo buronte nga e drejta legjitime dhe e natyrshme për të qenë të bashkuar dhe të barabartë me popujt tjerë.
Në nenin 1, të Statutit, Lidhja pasqyron çështjen e themelimit, organizimit dhe të funksionimit të saj. Ndërsa neni 2. paraqet kompetencat dhe qëllimet e saja, andaj ky nen ishte titulluar :”Qëllimi”, i cili konsistonte, para se gjithash në mbrojtjen e trevave të çliruara, në çlirimin e krahinave të tjera shqiptare dhe në bashkimin e tyre me Shqipërinë në të cilën thuhej: Kjo organizatë ka për qellim mbrojtjen e tokave të lirueme si edhe të tokave të tjera t’ish Jugosllavis. Si mjet për kët qellim do të përpiqet të mbledhi dokumenta për Shqiptarësin e visevet në fjalë dhe t’organizojë popullin fizikisht e moralisht për mbrojtjen e këtij dheu.
Ndërsa në pjesën e 3, në të cilën përfshihen Kompetencat toksore, Lidhja e Prizrenit përcakton “Kompetencat toksore të kësaj organizate të cilat shtrihen mbi të gjitha tokat e Sali sipershenueme, dmth. mbi Kosovën e lirueme, mbi qarkun e Dibres, si edhe mbi viset tjera Shqiptare t’ish Jugosllavisë. Malsinat mbrenda kufijve të 1913-tës që ma parë varrëshin prej qyteteve të Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës s’Madhe me qënë se ekonomikisht dhe gjeopolitikisht janë fare ngushtas të lidhuna me qytetët në fjalë, mund të përfaqesohen në Kuvend vullnetarisht dhe mund të marrin pjesë në organizatën e « LIDHJES S’IItë TE PRIZRENIT » dhe vije në përfundim se Lidhja do të punonte si në organizimin ushtarak dhe politik, ashtu dhe në propagandimin e nevojave për ruajtjen e Shqipërisë Etnike.
Në pikat në vijim, statuti paraqet organizmin e brendshëm të organizatës, si të KQ, të Komiteteve të qarqeve, komunave, fshatrave etj. Por në pikën 11 të Statutit “Organizata e LIDHJES së II-të të PRIZRENIT ka tagër”: paraqet udhëzimet se si duhet të përgatitë popullata shqiptare, si në aspektin moral, material e luftarak për t’i mbrojtur tokat shqiptare kudo që janë. Në nën nenin 1. Lidhja porosit se si duhet bërë organizimin e propagandës intensive me qëllim që populli shqiptarë të përgatitet shpirtërisht, materialisht edhe fizikisht për mbrojtjen e tokës së vet.
Kërkonte me këmbëngulje me u përgatitë për luftën diplomatike për konferencën e paqes, duke grumbullua të dhëna e dokumente të cilat dëshmonin e vërtetonin shqiptarësinë e atyre viseve.
Kërkonte me organizua aparatin e vet administrativ, si mbas këtij statuti, ndër të gjitha viset e kompetencës së sajë tokësore me organe te çdo Prefekture, komune, Bashkie e katundi.
Po ashtu kërkonte në pikën 4) Me organizua stërvitjen paraushtarake të djelmoshave të pa rekrutuam, në konformitët me ligjin rreth organizimit të paraushtarakëve që ishte në fuqi.
Pastaj kërkonte me iu përveshë organizimit për stërvitjen e të gjithë meshkujve deri në moshën 60 vjeçe, veç atyre nën armë, duke i inkuadrua si mbas organizimit të përshtatshëm. Pjesëtarët e këtyre grupeve nuk do të mbahen në stërvitje të vazhdueshme, por do të regjistrohen, do të japin betimin dhe do të qëndrojnë në shtëpitë e veta dhe do të thirren herë pas here për ushtrime ose veprime të tjera.
Për të vazhdua më tej se anëtarët e lidhjes do të kujdesën për sigurimin e mjeteve të transportit, të ushqimit dhe nevojave të tjera për veprimin e organizatës.
Do të kërkojnë prej autoriteteve shtetërore e para shtetërore ndihmën dhe përkrahjen e tyre, të cilët për sa të jetë e mundur u a akordojnë etj.
Në vazhdim po e botojmë Statutin e organizatës “Lidhja e II e Prizrenit”, themeluar më 16-19 shtator 1943 në tokat e çliruara nga Jugosllavia dhe miratuar nga qeveria shqiptare më 14 mars 1944 pa asnjë ndryshim.
S T A T U T I
i Organizatës
« LIDHJA e II-të e PRIZRENIT »
I
Themelimi
Në bazë të vendimevet, që morri kongresi i Prizrenit me 16-19 Shtatuer 1943, ku u-perfaqesuen tokat e lirueme siedhe të tokave të tjera t’ish mbretnis Jugosllave, thëmelohet organizata « LIDHJA E II-të E PRIZRENIT ».
II
Qëllimi
Kjo organizatë ka për qellim mbrojtjen e tokave të lirueme siedhe të tokave të tjera t’ish Jugosllavis. Si mjet për kët qellim do të përpiqet të mbledhi dokumenta për Shqiptarësin e visevet në fjalë dhe t’organizojë popullin fizikisht e moralisht për mbrojtjen e këtij thëzi.
III
Kompetenca tokësore
Kompetenca toksore e kësaj organizate shtrihet mbi të gjitha tokat e sipershenueme, dmth. mbi Kosoven e lirueme, mbi qarkun e Dibres, siedhe mbi viset tjera Shqiptare t’ish Jugosllavis. Malsinat mbrenda kufijve të 1913-tës që ma parë varrëshin prej qytetcve të Gjakovës, Prizrenit dhe Dibrës s’Madhe me qënë se ekonomikisht dhe gjeopolitikisht janë fare ngushtas të lidhuna me qytetët në fjalë, mund të përfaqesohen në Kuvend vullnetarisht dhe mund të marrin pjesë në organizatën e « LIDHJES s’II-të TE PRIZRENIT».
IV
Organizimi, kompetenca dhe funksionimi
Organizimi i Lidhjes së Prizrenit përfshin:
1) Kuvendi i Lidhjes me qëndër në Prizren përbahet prej antarvet nga nji delegat për çdo rreth administrativ (Qendra e Prefekturavet dhe e N/Prefekturavet).
2) Komiteti Qendruer, me seli në Prizren, përbahet prej katërmbëdhetë (14) antarësh.
Kryetari, dy N/Kryetarët dhe gjithë antarët tjerë të Komitetit Qendruer zgjidhen prej Kuvendit.
Kryetari dekretohet prej Keshillit të Naltë mbi proponimin e Kryeministris.
3) Komiteti Qarkuer, me seli në kryevendm e çdo Prefekture perbahet prej shtatë(7) vetvet, të cilët zgjidhen si mbas proçedurës së caktueme prej qarkorës së Komitetit Ekzekutiv të Tiranës me datë 24-IX-1943 mbi rregullimin e zgjedhjes s’Asemblistevet.
Po kjo proçedurë ndiqet edhe për zgjedhjen e antarve të Komitetit Rrethuer.
Antarët e komitetit komunal zgjidhen prej Kryepleqsive të katundeve te komunes me seli-qendra e komunës ; kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Qendruer në mes t’antarve të zgjedhun si ma sipër.
4) Komiteti Rrethuer, me seli kryevendin e çdo N/Prefekture, perbahet prej pësë (5) vetësh, të cilët zgjidhen si ma sipër, kurse Kryetari caktohet prej Komitetit Qarkuer.
5) Komiteti komunal, me seli në kryevendin e çdo komune, përbahet prej tre (3) vetvet, të cilët zgjidhen si ma sipër, kurse Kryetari caktohet prej komitetit Rrethuer.
6) Komiteti katunduer, me qendër katundin, përbahet prej pleqsis së katundit.
V
Nënpunësat, në shërbim t’organizatës, emnohen prej Komitetit Qendruër mbi proponimin e Komitetit përkatës.
Në qoft se nuk gjinden nëpunësa në numer të mjaftueshëm për kryemjen e sherbimeve t’organizatës me lejën e kryetarit t’administratës së vendit, mund të ngarkohen me detyrat përkatse sekretarët Bashkijak ose komunal, kundrejt nji shperblimi prej arkës s’organizatës.
VI
Në marrëveshtje me Komandën e përgjithëshme të Mbrojtjes kombtare, organizata merr në shërbim si instruktorë oficerë dhe N/oficerë të cilët si mbas gradës, vehen në dispozitë të komiteteve të ndryeshëm.
Instruktorët pranë Komitetit Quendruer përbajnë shtabin e Komitetit.
VII
Funksjonet e kësaj organizate dhe kompetencat e organeve të sajë, rregullohen si mbas dispozitavet qi pasojnë :
1) Kuvendi i Lidhjes, i zgjedhun prej popullit, përfaqëson vullnetin e këtij dhe mblidhet tri herë në mot. Jashtëzakonisht Kuvendi mblidhet, kur thirret prej komitetit Qendruer, në rasë nevoje për me marrë vendime me randësi, ase mbi kërkesën e shumicës s’antarve të Kuvendit.
2) Komiteti Qendruer i zgjedhun prej kuvendit si ma sipër asht auktoriteti ma i naltë ekzekutiv i kësaj organizate ; përfaqëson organizaten, komunikon vendimet e Kuvendit, jep udhezime dhe urdhna komiteteve te ndryeshem gjerarhikisht, kontrollon komitetet ase urdhnon gjerarhikisht kontrollimin e tyne ; plotson organizimin e Lidhjes ; organizon stërvitjet, emnon funksjonarë të çdo natyre dhe çdo kathegorije t’organizatës, merr masa diciplinore dhe ndëshkimore kundër këtyne dhe harton buxhetin e organizatës.
3) Komitetët janë auktoritete t’organizatës ; këto përfaqesojnë në vendin e vet Komitetin Qendruer dhe veprojnë si mbas udhëzimeve dhe urdhnave te tij, që jepen e transmetohen gjerarhikisht.
Komitetët eprorë kan të drejtë inspektimi e kontrolli mbi Komitetët inferiorë. Gjerarkija e komiteteve asht analoge me ato t’auktoriteteve clvile të Shtetit. Kompetenca toksore e tyne koinçidon me atë t’autoriteteve civile të shtetit.
VIII
Funksjonët e mbrendëshme te Kuvendit dhe zgjedhja e Paris së tij rregullohen me vendimet e këtij kuvendi.
IX
Funksjonet e mbrendëshme të Komitetit Qëndruer e të komiteteve të tjera të varruna prej këtij, zgjedhje e antarvet zevendës t’atyne, që për arsyena të randa largohen prej Komitetit, themelimi i komitetive ku ënde s’janë themelue, plotsimi i organizimit si mbas ketij Statuti, rregullohen me vendimet e Komitetit Qendruer.
X
Emnimi, transferimi, gradimi dhe pushimi i nëpunsave të kësaj organizate kryhet me verdimet e Komitetit Qendruer si mbas normave ligjore në fuqi për nëpunsat e shtetit. Denimet diciplinore kundër nëpunsave t’organizates zbatohen prej Komitetit Qendruer si mbas ligjeve te shtetit mbi proçesin e Komitetit Qendruer ose komiteteve të ndryeshëm, si mbas ligjeve të shtetit. Në rasë se nëpunsat në fjalë kryejn nji faj që hyn në rrethin e ndeshkimeve penale, me proçes verbalin përkatës çashtja i referohet gjyqit përkatës për veprim.
XI
Organizata e LIDHJES së II-të të PRIZRENIT ka tagër :
1) Me organizue propogandë intensive me qellim të pregatisë shpirtnisht, materjalisht edhe fizikisht popullin per mbrojtjen e tokës së vet.
2) M’u pregatitë për luftën dipllomatike në konferencën e paqës tue organizue mbledhjën e dokumentave provuese të karakterit shqiptar t’atyne visevet.
3) Me organizue aparatin e vet administrativ, si mbas këtij statuti, ndër të githa viset e kompetencës së sajë toksore me organe te çdo Prefekture, komune e Bashki dhe katund.
4) Me organizue stërvitjen paraushtarake të djelmoshave ënde të parekrutuem, në konformitët me ligjën rreth organizimit të paraushtarakve qi asht në fuqi.
5) Me iu perveshë organizimit për stërvitjen e të gjithë mashkujvet deri me 60 vjeç, veç atyne nën armë, tue i inkuadrue si mbas organizimit të pershtatshëm. Pjestarët e këtyne grupevet nuk mbahen ne stervitje te vazhdueshme, por rre-gjistrohen, betohen dhe qendronjë ndër shtëpijat e veta dhe thërritën herë pas here për ushtrime ase veprime të tjera.
6) M’u kujdesë për sigurimin e mjeteve të transportit, t’ushqimit dhe të tjera pajime të nevojëshme për veprimin e organizatës.
7) Me kerkue prej autoritetevet shtetnore e parashtetnore ndihmen dhe përkrahjen e tyne, të cilët për sa të jetë e mundun u a akordojnë.
8) Me kërkue dhe me marrë në dispozitë oficerë dhe nënoficerë prej ushtris e Gjindarmeris dhe rrogat e këtyne do të vazhdojnë të paguhen prej arkës së shtetit.
XII
Financat
T’ardhunat e kësaj organizate, për me u-ba ballë shpenzimeve të sajë janë :
1) T’ardhuna nga ndihma të ndryeshme të dhurueme prej patrijotve, emnat e të cilvet do të rregjistrohen e do të shpallen. Këta shenohen edhe si antar ndëri, kur dhurata e tyne asht e konsiderueshme.
2) T’ardhunat nga shitje e pullavet fakultative, të cilat do të jenë Postare prej pësë (5) qindarka dhe per lutje zyrtare prej njizete (20) qindarka.
3) T’ardhunat nga fushata të hapuna herë pas here, me vendim të Komitetit Qendruer.
4) T’ardhunat nga pasunija e ish organizates serbe « SOKOL ».
5) T’ardhunat nga kontributi i Bashkive dhe i Komunevet të tokave te lirueme, kontribut icili dotë jetë dhetë për qind (10 %) mbi t’gjitha t’ardhunat vjetore brut të tyne. Bashkit dhe komunet në fillimin e çdo vjeti financjarë kur pregatisin buxhetin e tyne, janë të detyrueme me caktue në pjesën e shpenzimeve përqindjen e ma sipërme të sajueme në favorin e kësaj organizate dhe shuma qi do te resultojë do te derdhet n’arkën ma t’afërme të financës së shtetit, në llogari të arkës së Komitetit Qendruer.
6) T’ardhunat nga shitje e shëjeve (distingtive) t’organizatës.
XIII
Dispozita të posaçme
Shka nuk parashifet në kët statut dhe që nuk asht në kundreshtim me dispozltat e tij as me qellimin dhe misjonin e kësaj organizate rregullohet me vendimet e Komitetit Qendruer.
XIV
Marredhanjet e kësaj organizate me qeverrin kryhen nepërmjet Kryesis së Këshillit Ministuer.
XV
Organizata ka vulen e vet, ku shënohen fjalët: « LIDHJA e II-të E PRIZRENIT » dhe emni i zyrës. Po ashtu ka edhe shëjen (distingtiven) dhe pullat e veta, ku shenohen fjalët : « LIDHJA E II-të E PRIZRENIT ».
XVI
Organizata ka zyrat e veta në qëndër ashtu edhe nepër krahinat, ku janë themelue Komitetet. Këto gëzojnë përjashtimin nga taksat postare, telegrafike dhe telefonike, si mbas ligjes autorizuese.
XVII
Organizata asht person juridik dhe i gëzon të gjitha të drejtat përkatse ligjore.
XVIII
Vendimet, rregulloret, qarkoret dhe urdhat e kësaj organizate të daluna prej komiteteve dhe organeve të sajë kompetente, dhe në konformitet me kët statut, kan fuqi obliguese si për organët e veta dhe antarët e vet.
XIX
Kur e lyp nevoja Komiteti Qendruer i organizatës ka tagër me i tërhjekë vrëjtjën qeverris mbi sjelljet e nëpunsave të shtetit për të cilët kujton se u-nxjerrin pëngime aktivitetit t’organizatës.
XX
Mos-marreveshtjet eventuale midis autoriteteve lokale shtetnore dhe kësaj organizate zgjidhen në marrëveshtje midis tyne dhe, në rasë deshtimi, në marrëveshtje midis Kryetarit të Keshillit Ministruer dhe te Kryetarit te Komitetit Qendruer.
XXI
Organizata e naltëpermendun vazhdon deri në kryemjen e plotë t’aprovimit të sajë. Në mbarim të këtij qellimi organizata syprimohet me dekret të Pushtetit Sovran dhe pasunit e sajë destinohen në favor të shtetit.
XXII
Ky Statut i paraqitët Qeverris për aprovim dhe hyn në fuqi prej datës së shpalljës të Dekretit aprovues, Prizren, me 21 Kallnuer 1944.
Vertetohet se asht nji me origjinalin.
Kryetar’ i K.Q. i L.II-të TE PRIZRENIT
Bedri Peja d.V.
Sipas dokumenteve thuhej se pas miratimit të Statutit nga ana e delegatëve, Statuti iu dërgua shtetit shqiptar- Këshillit të Naltë, për miratim në të cilën thuhej
SHTETI SHQIPTAR – KËSHILLI I NALTË
Mbi propozimin e bamun me shkresën Nr. 324 datë 14-11-1944 të Kryeministris,
Si ndigjoj dhe pëlqeu vendimin Nr. 96 datë 12-11-1944 të Këshillit Ministuer,
DEKRETON
Aprovimin e Statutit t’Organizatës « LIDHJA E II-të E PRIZRENIT », dhe urdhnon zbatimin e tij
Tiranë, Më 14 Mars 1944
KRYETARI :
Mehdi Frashëri d.v.
ANTARË :
P. Anton Arapi d.v.
Lef Nosi d.v.
KRYEMINISTRI :
Rexhep Mitrovica d.v.
Formimi i Organizatës “Lidhja II e Prizrenit” -Komiteti Rinisë Intelektuale të Prizrenit, 1944
Sipas të dhënave arkivore “Mbi organizimin e strukturave të brendshme të organizatës “Lidhja II e Prizrenit”. Botuar në fletore, viti I, nr. 2 më 26.3.1944, rezultojnë këto të dhëna.
Pas formimit të organizatës politike e ushtarake të Lidhjes së Dytë të Prizrenit, Kryesia e Lidhjes kishte marrë përsipër që të formonte edhe Komitetin Rinisë Intelektuale. Me 7 mars, n’ora 17, 944, ftoi të gjithë intelektualët dhe intelektualet e qytetit në një mbledhje në sallën e shkollës Bajram Curri.
Kryetari i Komitetit – Bedri Pejani, kishte hap mbledhjen dhe me pak fjalë kishte fol mbi programin e gjatë të Komitetit, mbi veprimtarinë e zhvilluar deri në atë moment, mbi shkakun e mbledhjes dhe mbi kontributin që duhet të japi Atdheut çdo shqiptarë e veçanërisht çdo intelektual, në këto çaste me rëndësi të historisë Kombëtare[20].
Mbas referatit të mbajtur, Bedri Pejani s’bashku me anëtarët tjerë të kryesisë të Komitetit Qendrore ishte larguar nga mbledhja duke i lanë vetëm intelektualët që të jenë sa më të lirë që ta zgjedhin vetë, mbas dëshirës së tyre, Komitetin e Rinis Intelektuale prej shtat vetash.
Votimi për kryetar dhe anëtarët e rinj kishte zgjatë deri në orën 20 dhe unanimisht delegatet kishin zgjedhur për kryetar- Z. Kudret Kokoshin[21], ndërsa Z. Selman Riza, Ibrahim Fehmiu, Dr. Durmish Celina, Dr. Byrhan Shporta, Sylejman Aliu dhe Shefqet Veliu ishin zgjedhur anëtarë të Komitetit të Rinisë Intelektuale.
Më 11 mars 1944, Komiteti i Rinis Intelektuale kishte fillua punën e rregullt në veprimtarinë e tij. Po atë ditë kishte miratua programin e vet dhe kishin vendosur po në këtë mbledhje: 1. Botimin e një gazete të përjavshme, dhe e kishin pagëzua me një emër simbolik “LIDHJA E PRIZRENIT”. Si çdo organizatë politike, edhe kjo caktoi si organ të vetin këtë gazetë. Në shkrimet e së cilës u propagua me të madhe ideja e krijimit të Shqipërisë Etnike dhe pa kursyer as një mjetë duhet mbrojtur ata kufij. Trajtonte tema me shumë interes për kombin dhe shtetin shqiptar, por nga numri i 12 prillit 1944, kishte hapur edhe rubrikën “Tragjedia e Kosovës” në të cilën njoftonte opinionin e gjerë për krimet e masakrat që ishin bë dhe bëheshin në Kosovë. Gazeta botohej nga Komiteti Intelektual shqiptar, ku merrnin pjesë penat më të mira të kohës.
Ndërsa nën pikën 2. Morën qëndrim që të formonin “Grupin Kulturuer”. morën vendim që çdo javë të mbanin konferenca për çështje të ndryshme; u mor qëndrimi që të bënin grumbullimin e dokumenteve e të dhënave që argumentonin krimet e serbëve e të italianëve në tokën Shqiptare të Kosovës; për organizimin e Biblotekës; Formimin e Grupit Artistik (Filo-dramatik e Muzikor); Formimin e Grupit Sportiv; Çeljen e kurseve për të rriturit (burra e gra); Organizimin e Gruas Shqiptare; Thirrjen me ftesa të veçanta, të gjithë intelektualët në një mbledhje të përgjithshme, në të cilën të caktohet përfundimisht programi dhe të ngarkohen detyrat për secilin.
Më 13. III. 1944, n’orën 16, ishte caktuar një takim me intelektualët , në të cilën thirrje iu kishin përgjigjur gati që të gjithë, burra e gra, të rinj e të reja. Me ç’rast, kryetari i Rinisë Intelektuale,Kudret Kokoshi[23], e kishte hapur mbledhjen dhe kishte paraqit programin që grupi kishte përgatitë dhe të pranishmit kishin aderua aty ku dëshironin dhe ku e gjenin veten më së miri.
Në grupin kulturuar u regjistruan mbi 40 vetë, ndër të cilët 17 për gazetë, 6 për konferenca dhe 17 për mbledhje dokumentesh dhe për organizimin e Bibliotekës.
Në grupin Artistik 56 vetë, ndër këta 28 në degën Filo-dramatike dhe 28 në degën Muzikore
Mbas kësaj u caktua dita e konferencave dhe radha e tyre. Në fund të mbledhjes, nga grupi artistik u formua një orkestër prej 12 vetave dhe një kor prej 20 vetash. Ky grup javë për javë, mbas konferencës, ka për të dhanë një koncert për argëtim të rinisë. Po ashtu u organizua që të mblidhen ndihma vullnetare në dobi të ushtarit të të nesërmes.
Në mbledhjen e datës 15 mars, që kishte zgjati ma se dy orë, Komiteti i Rinis Intelektuale kishte marr këtë vendim:
1. Hapjen e kurseve për të rriturit më 21.III.1944, duke i ndarë në katër kategori. Në dhënien e mësimit ndër këto kurse, përveç arsimtarëve, do të marrin pjesë vullnetarisht edhe një grup intelektualësh jo arsimtarë.
2. Krijimin e një grupi për avancimin e Gruas Shqiptare. Për këtë gjë u caktua një komision i veçantë që të përgatisë projektin e organizimit dhe listat përkatëse.
3. Mënyrën e organizimin të manifestimit të datës 19-III-1944 dhe mbi ndihmën që me atë rast do të mblidhet në favor të Ushtrisë Kombëtare.
Për të pas një frytë të shpejtë në punë dhe që të shkojë çdo gjë me rregull e disipline, me 16 mars 944. të tre grupet u-mblodhën në sallat e ndryshme të Shkollës Bajram Curri për të zgjedhë secili këshillin e vet. Këto këshilla do t’a kenë përgjegjësinë e grupeve të tyre dhe do të interesohen për mbarë-vajtjen e grupeve që dirigjojnë.
U formua Këshilli Kulturuer, Këshilli Gazetar, Këshilli për përpilimin e programit të mësimeve që do të jepen ndër seksione të ndryshme, Këshilli Artistik dhe Këshilli Sportiv.
Çdo këshillë në krye të javës do të mblidhet për të bisedua mbi veprimtarinë e zhvilluar dhe për të caktuar punën që do të kryhet në javën e ardhshme.
Në mbarim të çdo muaji, u mor qëndrimi që secili këshill i secilit grup ka për t’ia paraqitë raportin përkatës Kryesisë së Rinisë Intelektuale rreth aktivitetit të zhvilluar prej grupit të tij.
Si pas të dhënave në këtë dokument, thuhej se simbas programit të parashikuar, me 19-III-1944, ishte bë shfaqja e pare e veprimtarisë së Rinisë Intelektuale. Ceremonia ishte hap para autoriteteve civile e ushtarake të vendit me një elitë burrash e grash të zgjedhur si edhe të Rinisë. Programi kishte fillua me ekzekutimin e Himnit të Flamurit prej korit dhe me një fjalim inaugurues të atdhetarit Ibrahim Fehmiut, i cili, në vija të përgjithshme, kishte prezantua programin që synonte të zhvillojë Rinia Intelektuale.
Po ashtu në këtë tubim ishte prezantua me një fjalë rasti edhe Kryetari i Rinisë Intelektuale, patrioti i madh, Kudret Kokoshi, që kishte bë një përshkrim të gjendjes politike të Kosovës dhe të Shqipërisë, duke theksua rolin e rëndësishëm që mund të lozi një rini e mire, e shëndosh, atdhetare, e organizuar në shërbim të Kombit, sidomos në këto rrethana të vështira të jetës Kombëtare.
Në këtë tubim kishte marrë pjesë dhe kishte ligjërua një temë me shumë interes, që te të pranishmit kishte zgjua interesim. Profesor Lukë Çuni kishte mbajtur temën të titulluar: A ASHT KOSOVA SHQIPTARE?
Profesori e kishte ligjërua temën me një kompetence të pa diskutueshme, me argumente historike duke fillua prej Ilirëve e Dardanëve dhe duke dokumentua me emrat shqip të lumenjve dhe të qyteteve të Kosovës, të cilat megjithëse kishin kalua shekuj edhe sot ato ruajnë karakterin e fizionominë e tyre kombëtare.
Në mbarim të Konferencës ishte dhënë një koncert i pasur kulturor i përgatitur nga grupi artistik dhe nën drejtimin e kujdesshëm të prof. Z. Lorenc Antonit. Ndërsa për datën 26 mars, në ora 16, ishte paraparë një konferencë të cilën do ta organizonte Z. Tahir Zaimi me temën: “BAJRAM CURRI SIMBOL I ATDHETARIZMËS SHQIPTARE”, në shenjë përkujtimi të heroit të maleve të Kosovës me rastin e 19 vjetorit të vrasjes së tij.
Dhe krejt në fund duke parë e analizuar Statutin e Lidhjes së Dytë të Prizrenit, dhe formimin e organizatës së Rinisë Intelektuale Shqiptare, mund të konkludojm se Statuti dhe veprimtaria e organizatës kishin karakter kombëtar dhe demokratik ngase në pikat e tyre mbi të gjitha qëndronte çështja kombëtare duke luftuar për një Shqipëri Etnike në tokat e veta dhe më konkretisht nëpër mes Statutit bënte organizimin e forcave të gjalla popullore dhe intelektuale për të realizuar programin e lëvizjes kombëtare mbarë shqiptare dhe për të shpëtuar vendin nga më e keqja. Dhe është demokratike ngase në asnjë dokument apo material që del nga kjo organizatë gjatë periudhës sa veproi ajo, askund nuk ka asnjë shenjë sado të vogël që kishte me shfaqë ndjenjën, pikëpamjen dhe qëndrimin shovinist, të cilat deri në fund ngelën të huaja për parimet themelore të Lidhjes.