Kapitulli i XV i librit të Rifat Haxhiut, Vjeshta Shqiptare

AUTOR: RIFAT HAXHIU, ISH-DREJTOR I DREJTORISË INFORMATIVE TË FARK-ut DHE REVISTËS USHTARAKE

Hamdiu me urdhër të ministrit Krasniqi kishte shkuar tek organet përkatëse në Tiranë për të siguruar një helikopter. Ahmet Krasniqi kishte vendosur t’u bënte një vizitë njësive në veri të Shqipërisë. Ai mendonte se mënyra më e sigurt, por edhe më e shpejtë e transportit në këtë moment ishte pikërisht helikopteri.

Ministri Krasniqi ditëve të fundit ndihej edhe më vetmuar dhe i zhgënjyer. Ishte në një takim pune me anëtarët e Shtabit, por mendja i kishte ikur tek biseda që kishte pasur mbrëmjen e kaluar me Shefqet Jasharin. Për shumë probleme bisedonte shpesh me Shefqetin, me të cilin ba-nonte në katin e dytë të një banese të vjetër prapa Pira-midës.

– Nganjëherë më thotë mendja se po luajnë me mua,- i tha ministri Krasniqi Shefqetit duke i treguar për mos-suksesin e marrëveshjes me boshnjakët.

Sipas tij, tre kosovarët që shkuan në Bosnje para dy javësh edhe pse bënë një marrëveshje atje, ajo kurrë nuk do të realizohej. Qeveria e Kosovës, sikur edhe shumë he-rë më parë kishte bllokuar mjetet financiare. Ministri Krasniqi i tregoi në mënyrë të detajuar Shefqetit për 9 milionë markat gjermane që iu dhanë tregtarëve turq për të siguruar armët si dhe për 7.9 milionë markat gjermane që ua kishte dhënë përfaqësuesve politikë të UÇK-së.

– Edhe unë e kam krijuar këtë bindje se diçka nuk është në rregull, por nuk kam dashur të përzihem pasi nuk jam ushtarak dhe si të them, nuk jam kompetent,- ia ktheu Shefqeti.

– Të them të drejtën,- vazhdoi Ministri, – kam frikë se disa nga ushtarakët kanë mbërritur në Tiranë vetëm sa për të thënë që kanë ardhur në luftë. U bënë më shumë se dy muaj që kazerma në Kukës është marrë me qira dhe disa nga bashkëpunëtorët më të afërt nuk janë të mendimit se Shtabi duhet të kalojë atje. Punët në rindërtimin e objektit po zhagiten. Kam përshtypjen se disa nuk dëshirojnë ta lënë kryeqytetin e Shqipërisë.

– Po nëse i urdhëron që të vijnë atje, do të jenë të de-tyruar ta zbatojnë urdhrin!

– E more Shefqet, sikur të kisha fuqi, me siguri që do t’i urdhëroja dhe jo vetëm ata, por edhe do të flisja më ndryshe edhe me të gjithë ata që po më pengojnë. Por, ja që nuk kam ende forcë!

– Forca do të vijë, por më parë duhet kontrolluar një pjesë të territorit urban të Kosovës,- shtoi Shefqeti, duke dashur që t`i japë kurajo Ministrit!

– Jam dakord me ty! Ti e di se që nga fillimi ai ka qenë opsioni im. Por, për ta bërë një punë të tillë më nevojiten armë. Të gjithë ata që më pengojnë e dinë mirë se një ditë do të përgjigjen për të ligat dhe tradhtitë që kanë bërë, dhe pikërisht për këtë arsye po më pengojnë, nga frika se një ditë, kur të forcohem, do t’i paguajnë të gjitha. Mendoj se pengesat dhe problemet do t`i kisha përballuar më lehtë, sikurse të kisha bashkëpunëtorë më aktivë. Ata po m`i lënë të gjitha punët mua. Të gjitha takimet duhet t`i bëj unë, të gjitha kontaktet gjithashtu unë, bile shpeshherë takohem edhe me njerëz të parëndësishëm, pasi nuk po mund t’i dalloj se cili prej tyre ka forcë të vërtetë.

– Të paktën kur bën inspektimet nëpër njësi, ti duhet t’i marrësh me vete,- i tha Shefqeti Ministrit.

– Është e qartë se do të dëshiroja të udhëtoja me ta, por çdoherë ata gjejnë ndonjë arsye për të mos ardhur me mua. Me të vërtetë jam lodhur, fizikisht dhe psiqikisht në atë masë sa që kam menduar të tërhiqem.

– Jo, bre, si të tërhiqesh,- e kundërshtoi atë Shefqeti! – Tërë këtë punë që ke bërë do të ishte dëm që ta lësh përgjysmë. Bile, të gjithë armiqtë tanë do t’i gëzoheshin dorëheqjes sate. Njerëzit në Kosovë nuk kanë dijeni për pengesat dhe dorëheqja jote do të kuptohet si ligësi dhe si paaftësi e juaja për t`u ballafaquar me luftën!

– Jam i bindur se që nga marsi kur u takova me Kryeministrin e Kosovës e deri sot, jam vetëm një pjesë e lojës së tij sepse ai rreth meje ka njerëzit e vet, të cilët më kontrollojnë dhe nuk më lënë të marr frymë.

– Po mirë de, edhe nëse Kryeministri ka rreth teje njerëzit e vet, duhet t`i gjesh dhe t`i largosh ata! Duhet të gjesh bashkëpunëtorë të devotshëm dhe me ndihmën e tyre të krijosh një bazë të fortë e të qëndrueshme,- vazhdoi Shefqeti.

– More Shefqet, e di që të gjitha këto i ke me zemër, por realiteti është krejt ndryshe. Derisa rreth meje ka klane të forta e kam shumë të vështirë dhe nuk di nga t’ia filloj. Unë që nga fillimi jam marrë më tepër me problemet e rëndësishme duke shpresuar se këto të voglat do t`i rregullojnë kolegët. Por, mos më detyro që të flas me emra…- përfundoi ministri Krasniqi duke ndezur edhe një cigare.

– Jo, jo nuk pajtohem me ty,- kundërshtoi Shefqeti. – Do të shohësh se mundesh. E ndërrove komandantin e brigadës “Skënderbeu”, pikërisht në bazë të sugjerimeve që i more nga ata bashkëpunëtorë tek të cilët ke besim.

Fjala ishte për ndërrimin e Mustafës nga posti i komandantit të brigadës dhe emërimi i Armandos në vend të tij. Brigada ishte vendosur në afërsi të Durrësit dhe në të kishte oficerë të zgjedhur, dhe sipas bashkëpunëtorëve të ministrit Krasniqi kreu nuk funksiononte si duhej. Kryeshef i sigurimit të kësaj brigade ishte Enveri, i cili po ashtu ishte larguar nga kjo brigadë me arsyetimin se kishte shkuar për pushime. Në atë brigadë kishte oficerë me akademi të kryer si Abdullahu, Esati, Enveri etj. Edhe ushtarët në këtë brigadë ishin zgjedhur ndër vullnetarët më të mirë. Dy muajt e fundit ata ishin përgatitur mirë ushtarakisht dhe ishin të gatshëm për t`u futur në Kosovë. Faza e parë ishte dislokimi i kësaj njësie në afërsi të kufirit me Kosovën, kurse në fillim të muajit tetor duhej të bëhej edhe futja e saj në Kosovë. Ajo, sipas strukturës organizative duhej të ishte gjithmonë njësia që e siguronte Shtabin e FARK-ut.

– Ke të drejtë, më duhet të ndryshoj diçka. Do të përpiqem të jem më pragmatik, por këto probleme do t’i shoh pas pushimit,- vazhdoi ministri Krasniqi. – Nga mesi i shtatorit do të shkoj në Rovinj të Kroacisë për të parë familjen, të cilën nuk e kam parë prej disa muajsh.

Vajza e tij kishte ditëlindjen dhe kjo vizitë ishte dhurata më e mirë që Ministri mund t`u ofronte fëmijëve të tij, Teutës dhe Florentit.

– Deri atëherë mendoj se do të botohet edhe numri i parë i Revistës Ushtarake,- i tha Shefqeti, i cili sikurse edhe të tjerët në Drejtorinë Informative, dëshironte që kjo revistë të botohej sa më parë.

– Do të botohet patjetër,- ia ktheu ministri Krasniqi, por edhe ti është mirë ta vizitosh familjen, sepse nga fundi i shtatorit e kam në plan që të gjithë ne t’i afrohemi kufirit, dhe nëse punët ecin si duhet fillimi i tetorit nuk do të na gjejë në Shqipëri.

Ministrit Krasniqi i kishte ikur mendja tek familja me të cilën këto vitet e fundit ishte parë shumë rrallë, sepse gjithnjë kishte qenë larg saj. Herë në burg e herë i zënë me punë për atdheun, dukej sikur e kishte lënë familjen pasdore. Tani kishte muaj që nuk e kishte parë. Mendimet e tij i ndërpreu trokitja në derë. Ishte Hamdiu, i cili hyri brenda. Ai mbeti i shtangur kur e pa se e kishte ndërprerë një bisedë të rëndësishme.

– Më falni që po ju pengoj,- iu drejtua ai ministrit Krasniqi duke shprehur keqardhje e duke u skuqur në fytyrë. Hamdiu ishte ndër ushtarakët më të ndërgjegjshëm, i cili e kryente detyrën e ndihmësit të kryeshefit të financave në Ministrinë e Mbrojtjes të Republikës së Kosovës. Kryeshefi i financave, Afrimi, momentalisht kishte shkuar për të vizituar familjen në Delnicë të Kroacisë. Hamdiun e ndihmonte edhe ushtari Nikqi, i cili më parë ishte truproje e ministrit Krasniqi.

– Mirë de, po të fal, nëse po na sjell lajme të mira,- i tha atij ministri Krasniqi, me një zë disi të mërzitur!

– Jo, mjerisht nuk kam lajme të mira! Nga tre helikopterët që qenkan në përdorim, dy nuk janë në gjendje të rregullt, kurse i treti iu paska dhënë Kryeministrisë së Shqipërisë në shërbim.

– Në tre helikopterë na paska mbetur ushtria shqiptare,- tha i befasuar njëri nga ushtarakët, duke shikuar shokët me habi!

– Nuk kanë vetëm tre helikopterë,- reagoi ministri Krasniqi, por nuk paskan dashur që të na e huazojnë. Po më duket se ata dëshirojnë që unë të udhëtoj për toke. Nuk e di se nga dalin informatat, por organet e këtushme e dinë më mirë se unë marshutën time, bile edhe këtu nëpër Tiranë,- përfundoi Ministri.

Organi i sigurimit të Ministrisë së Mbrojtjes ishte ndër më të plotësuarit me ushtarakë. Hilmiu ishte ndihmës i Ministrit të Mbrojtjes për Shërbimin Informativ Ushtarak (SHIU), kurse zëvendës i tij ishte Ismeti. Aty ishin edhe Prendi, Haziri, Mersini dhe ditëve të fundit këtij ekipi i ishte bashkuar edhe Skënderi, i cili kishte ardhur nga Kroacia. Ministri Krasniqi edhe kur nuk ishte shumë i kënaqur me punët e dikujt, nuk ia thoshte direkt. Nuk dëshironte që të krijonte armiqësi ndërmjet kolegëve. Ishte në pozitë të vështirë sepse edhe po të dëshironte të bënte ndërrimin e dikujt në detyrë, vështirë se do të gjente dikë tjetër që të merrte barrën përsipër.

Hamdiu doli nga zyra, kurse ministri Krasniqi vazhdoi t’u tregonte bashkëpunëtorëve rreth takimit që kishte pasur me Berishën në korrik, dhe se çfarë ishte biseduar. Ai i njoftoi edhe për takimin tjetër që do ta ketë së shpejti me Berishën. Ishte hera e parë që ai fliste për këto takime.

– Berisha u tregua mjaft konstruktiv, por forca e tij reale është shumë e vogël,- shtoi Ministri Krasniqi.

Ai u tregoi edhe për takimin që do ta ketë këto ditë me Azem Hajdarin, i cili më parë ishte kryetar i komisionit parlamentar për mbrojtje në Parlamentin Shqiptar. Ministri Krasniqi ishte i mendimit se Azemi mund të ndikojë që transporti i armëve nëpër Shqipëri të bëhej më lirshëm, pa konfiskime dhe pengesa të shumëfishta siç bëhej deri atëherë. U tregoi gjithashtu edhe për rezultatet e mbledhjes që ishte mbajtur një javë më parë në Rrafshin e Dukagjinit, ku përfaqësuesit e më se 50 fshatrave kishin kërkuar që të bashkohen të gjitha forcat e UÇK-së. Popullata kishte insistuar që ato forca t’i udhëheqë major Tahiri. Ai mendonte se ky është një sinjal, por edhe shembull i mirë edhe për viset e tjera të Kosovës, duke shpresuar se edhe atje së shpejti do të komandojnë ushtarakët profesionistë. Mirëpo, duhej që më parë të gjithë të futeshin brenda, duheshin armët të cilat mund të vinin nga të gjitha anët, por pengesa më e madhe ishte financimi dhe bartja e tyre deri në Kosovë.

Për të inkurajuar këtë akt të mirë, por edhe për të çmuar punën që kishte bërë major Tahiri së bashku me komandantët lokalë, ministri Krasniqi kishte përgatitur një urdhër të cilin mendonte ta bënte publik. Dokumentin e përgatitur ende nuk ua kishte treguar të gjithëve sepse mendonte që nuk ishte momenti i volitshëm.

Në mëngjes, para takimit me Shtabin ai kishte qenë edhe në Drejtorinë Informative ku kishte biseduar me drejtorin. Nga ai kishte kërkuar që të përgatiste njoftimin për këtë urdhër dhe të bënte publikimin e tij në programin e televizionit satelitor të Kosovës, në momentin e kërkuar. Dokumenti u pergatit dhe në Drejtorinë Informative pritej sinjali i Ministrit Krasniqi për emetimin e tij. Në njoftim tregohej realiteti i ri në Kosovë duke bërë të ditur mbledhjen e mbajtur me kryefshatarët e Rrafshit të Dukagjinit si dhe kërkesën e tyre për marrjen e komandës me të gjitha njësitë në atë zonë nga Tahiri. Në atë njoftim shpjegohej edhe vendimi për themelimin e Zonës së Tretë Operative të UÇK-së si dhe ai për avancimin e Tahirit në gradën e kolonelit, por dhe gradimin e Ramushit, zëvendësit të tij, me gradën e kapitenit. Ramushi nuk ishte ushtarak profesionist, por njëri ndër luftëtarët më të dalluar të asaj ane dhe i përkiste fraksionit tjetër të UÇK-së.

FILMI DOKUMENTAR KUSHTUAR AHMET KRASNIQIT, PJESA E PARË

FILMI DOKUMENTAR KUSHTUAR AHMET KRASNIQIT, PJESA E DYTË

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *