Justina

Shkruan: Edison YPI

Duhet të ketë ndodhur diku pak para Festivalit të 11-ë. Po sorollatesha një mbrëmje tek Sheshi Skënderbej. Në atë kohë, si dhe vite më parë e më pas, i përpirë nga leximet, radiot dhe televizionet italiane etj. s’kisha qënë kurrë as atëhere dhe as më vonë, në asnjë soc-koncert, soc-teatër, soc-film. Atë mbrëmje, pa e ditur as vet se si, këmbët më shpunë brenda Pallatit të Kulturës ku po bëhej një koncert me këngë. Hyra dhe nisa të vërdallosesha sa në katin e parë ku këngëtarët këndonin në mesin e një rrethi bosh në dysheme, dhe në katin e dytë ku ishte, e ndoshta është, një si ballkon i gjatë rrethqark perimetrit kuadratik të hapësirës së brendëshme. Të dy katet ishin plot me të rinj. Këngët, si këngët e asaj kohe. Ç’ësht e vërteta, jo të gjitha, se ende frynte ai flladi që më vonë u quajt “erë liberalizmi”. Duke dëgjuar të këndohej për partinë, puntorët, fitoret, furrat, uzinat, traktorët, kallot e duarve, djersën e kooperativës, befas nisi të këndojë një femër.

U ndodha fare afër, jo më tepër se nja 3 metra pranë saj, pikërisht në periferinë e atij rrethit ku këndohej, kur që në çastin e parë, hapin e parë, xhestin e parë, tingullin e parë, fjalën e parë, më kaluan mornica nga koka te këmbët. Ishte krejt e ndryshme, tepër larg partisë dhe furrave, puntorve dhe fabrikave, kallove dhe fitoreve. Kishte një energji tjetër, një rrezatim të panjohur, një shije tjetër, një vibracion të pangjajshëm. E kënduara e saj ishte një miks mahnitës i talentit, butësisë dhe ëmbëlsisë njerëzore, seriozitetit, po aq sa edhe i një nervozizmi të dukshëm, një shqetsimi të brendshëm, një revolte të papërmbajtur. Ishta pra, diçka e pa provuar kurrë më parë, diçka jo e atyshme, e këtushme, diçka e përtejme, njëkohësisht tepër e largët dhe tepër e afërt, diçka prej Udstoku, dhe më tepër. Nuk më kujtohet kënga që këndoi, titulli, dhe asnjë fjalë. Më kujtohet me përpikmëri diçka tjetër, diçka aq makabre që më mbeti përgjithmonë në kujtesë. Të mirkuptohen dhe ta nxisin reciprokisht njëri-tjetrin këngëtarët dhe publiku i sotëm, është diçka më se e natyrshme. Atëhere mirkuptimi i këngëtarëve me publikun, ishte, ose i shtirur, ose ndodhte tepër-tepër rrallë. Këngëtarja që sapo nisi të këndojë, pati aftësinë të realizojë në çast një mirkuptim të plotë me publikun. I elektrizoi menjëherë të gjithë. Edhe atë për të cilin kisha qënë i bindur se një gjë e tillë nuk mund t’i ndodhte kurrë, mua. Kaluan çastet e para, sekondat e para, minuta e parë, minuta e dytë, këngëtarja po bënte diçka të papërfytyrueshme.

Po konsumonte herezinë më të madhe kundër diktatorit, bukshkalësinë më të rëndë ndaj partisë, tradhëtinë më të madhe ndaj proletarëve, traktorave, arave, furrave, fabrikave, dhe sidomos, duke sfiduar syçelësinë e tij; pabesinë më të përbindëshme ndaj Sigurimit; Duke kënduar po lëvizte gjymtyrët, si dhe, e pabesueshme por e vërtetë, belin ! Aspak si qëllim në vetvete. Krejt natyrshëm, krejt shpenguar. Mes bukurisë së zërit, ritmit, lëvizjeve të saj, çfarë ndodhi më pas, lus lexusin që ka dëshirë ta dijë, nëse ka probleme me zemrën, leximin e këtij shkrimi ta ndali këtë çast. Të tjerët, më pak të rrezikuar nga ndonjë infarkt, marramendje, alivanosje, apo damlla, mund ta vazhdojnë leximin, por patjetër të kapur pas ndonjë sendi për të mos u rrëzuar. Një gotë me ujë pranë për çdo eventualitet, është gjithashtu e rekomanduar. Kur s’kishin kaluar as tre minuta, dikush me pamje tejet të merakosur, ja behu nga turma drejt këngëtares në mesin e atij rrethit bosh. Isha fare afër. Pashë dhe dëgjova gjithçka. I frikshëm dhe kërcënues, njeriu i ardhur befas nga turma, fare pranë saj, duke i treguar gjymtyrët dhe belin, i tha; “Kujdes-kujdes-kujdes, jo-jo-jo, jo kështu, mos lëviz !”. Këngëtarja ngriu ! Në fytyrën e saj pashë një llahtarë që s’e kam lexuar në asnjë libër dhe nuk e kam parë në asnjë film. Dola menjëherë jashtë duke mu marrë mentë. Volla mbështetur rrëzë njërës prej kolonave. Ika. Lashë të tyret. Vajta tek të miat. Leximet, librat, RAI, Jash Gavronski, Paolo Testa, Roberto Gervaso, Vittorio Gassman, Maria Laura Giulietti, pastaj në krahët e Morfeut për të parë ëndërra të liga.

Nuk u interesova të di çfarë ndodhi më pas me këngëtaren që ja ngrinë gjymtyrët dhe ja therën këngën. Prej atëhere nuk i lashë më kurrë këmbët të më çonin në asnjë koncert.

Shumë më vonë, pasi e kishin degdisur s’di se ku, mësova se këngëtarja e talentit të madh, e zërit kumbues, energjisë, refuzimit, përbuzjes, revoltës, gjymtyrëve lëvizëse, quhej Justina Aliaj. Justina Aliajn e kishin vrarë dhe s’e kishin groposur. Tashmë për të flisnin të gjithë. Vrasja dhe mosgroposja e kishin bërë të pavdekshme. Thuhej se Justina Aliaj ishte si Ornella Vanoni ndërsa Vaçe Zela si Mina. Por s’do ment se dy tonat që këndonin ku gjymtyrët t’i ngrinin, këngën ta thernin, të vrisnin e s’të groposnin, ishin më të mira se dy italianet që mund të bënin ç’të donin.
Më mbeti në mendje njeriu që u shkëput nga turma për t’i urdhëruar Justina Aliajt ngrirjen në vend të lëvizjes, vdekjen në vend të jetës, vrasjen por jo groposjen. Kush të kish’ qënë vallë ?!

Ndonjë sigurimist që e vrau dhe nuk e groposi për ta bërë të vuante sa më tepër, ishte më se e besueshme.
Por ishte gjithaq e besueshme të kishte qënë, pse jo ndonjë dashamir shpëtimtar, i cili, përmes një gjesti gjoja prej vigjilenti, vërtet e vrau, por, që Justina gjithsesi të mbetej gjallë, nuk e groposi.
Sa kohë shqiptarët gdhiheshin e ngryseshin jetevdekjepërqafuar mund të ishte edhe njëri edhe tjetri. Ende sot e kam të pamundur ta përcaktoj nëse ishte Ëngjëll apo Djall.

Ta tundin portretin e diktatorit. Ta lidhin shallin e kuq. Ta shkruajnë Historinë si të duan. S’ka problem. Qielli i kaltër do mbetet. Toka do vazhdojë të rrotullohet. Stinët do ndërrohen. Dielli do lindi e do ngrohi. Shiu do bjeri e do lagi. Era do fryjë dhe gjethet do t’i rrëzojë. Justina Aliaj këndoi, po këndon e do këndojë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top