SHKRUAN: EUGJEN MERLIKA
Rrëfimi në vitin 1991 i Eugjen Merlikës, i cili ndodhej në Kampin e Tepelenës në moshën 6-vjeçare. Në mënyrë konstante të gjitha dëshmitë që vijnë nga dëshmitarë të kampit famëkeq kanë të njëjtën panoramë, një Aushvic shqiptar, ku krematoriumin e zëvendësuan sëmundjet, uria, duke lënë të vdesin me qindra fëmijë e pleq
Një ditë nëntori të vitit 1949 na vunë në një kamion e na nisën për një rrugë të gjatë, të gjatë, që kalonte fusha, lumenj e male dhe përfundonte në Tepelenë. Tepelena… e famshme në historinë shqiptare si vendi nga nisi veprimtaria e njërit nga personalitetet më komplekse e më të diskutueshme të Kombit shqiptar, Ali Pashës, Vezirit të Janinës, do të bëhej, në gjysmën e dytë të shekullit të njëzetë, simboli më i gjallë e më rrëqethës i tmerrit që vetëm stalinizmi shqiptar mund të shpikte. Tepelena, zyrtarisht Kampi i dëbimit, në fakt ai i shfarosjes së njerëzve, padyshim barabitej me Mathauzenin, Aushvicin, Bukhenvaldin. Është e vërtetë se nuk pati krematoriumet e tyre por, puna e detyruar, mungesa e ushqimit, mizoria e aparatit policor e bënin vdekjen çdo ditë më të dëshiruar se jetën. Vdekja qëndronte pezull mbi kampin tonë, e kishte pothuajse çdo ditë prenë e vet mes një turme të larmishme shqiptarësh, nga të gjitha moshat e nga të gjitha krahinat, të futura në pesë kazerma të mëdha ushtarake me qindra vetë secila.
Tepelena dhe kampet e tjera të punës ishin varrezat e hapura mbi trupin e Shqipërisë, dëshmitë më të fuqishme, më tronditëse e më të pakrahasueshme të diktaturës së komunizmit shqiptar të Enver Hoxhës, Mehmet Shehut etj. Tepelena është një njollë turpi e pashlyeshme në ndërgjegjen e Kombit. Është detyrë e veçantë e demokracisë shqiptare t’i kujtojë me një përmendore madhështore viktimat e pafajshme të asaj tragjedie të madhe. Është edhe një detyrë e letërsisë së lirë shqiptare t’i japë botës një Arqipelag Gulag të markës shqiptare. Tepelena ka aq shumë lëndë nga kujtimet e njerëzve, sa një pendë e fuqishme (besoj se demokracia do t’i nxjerrë ato) do të krijonte një vepër madhore me përmasa botërore. Tragjeditë shpirtërore e jetësore që janë zhvilluar në atë kamp nuk kanë të numëruar.
Dita në kamp fillonte me natë, në orën tre të mëngjesit. Policët analfabetë e nisnin në atë orë leximin e apelit një për një të të internuarve dhe e mbaronin në ora pesë. Pastaj fillonte marrja e mëngjesit, një ujë i zierë që kishte emrin çaj. Më pas vargu i gjatë i grave, burrave, të rinjve nisej për në mal, për të plotësuar normën e druve- prerje e ngarkim në kurriz- nën vrojtimin e policëve me pushkë në krah. Do të furnizonin me dru ushtrinë, kampin për gatim, komandën për ngrohje, degën e punëve të brendshme, familjet e oficerëve e të policëve, të nëpunësve të komitetit të partisë dhe atij ekzekutiv… Njerëzit ishin kthyer në rolin e mushkës, episodet e dhimbjeve të kësaj pune arrijnë maja të tilla therëse, që do të fyenin ndërgjegjen e çdo qenieje që quhet njeri.
Mbaj mend se si natën e Vitit të Ri 1951, së bashku me gjyshen, prisnim të kthehej nëna nga mali. Gjyshja kishte gatuar diçka, një si qull me pak miell, që do ta hanim për të “festuar” Vitin e ri. Nëna ime u kthye së bashku me tri shoqe të saj, vajza të eksponentëve politikë të njohur antikomunistë, të ashtuquajtur “tradhtarë”. Pasi u kthyen të gjithë në kamp, ato polici i ngarkoi përsëri me dru dhe i nisi për në qytet, për të çuar dru në shtëpinë e një oficeri të policisë. Afër mesnatës ato u kthyen në kazermë. Ç’vit i ri i bukur, ndërsa të tjerë, të “përkëdhelur të fatit” festonin me gjithë të mirat në Hotel “Dajti” apo në Pallatin e Brigadave…
Ajo punë shtazore përballohej me një ushqim që përbëhej nga gjashtëqind gram bukë, nga bollguri me krimba që notonin në lëngun e tij, e plotësohej nga lakrat e egra, kungulli, lëndët e lisit, gorricat, këto kur kishim mundësi t’i gjenim jashtë kampit. Po t’i shtoje kësaj tabloje kushtet higjienike të tmerrshme, mungesën e banjave të mjaftueshme, të ndërtesave, të vendit për të fjetur (gjithsej tridhjetë cm gjerësi për person e njëzet për fëmijët), të krijohet pamja e vërtetë e torturës së përditshme në atë vend të mallkuar, që quhej Kampi i Dëbimit.
Atje, që në moshën gjashtëvjeçare, u njoha me qelinë apo “birucën”, siç përdoret rëndom. Një ditë, duke luajtur si fëmijë, bëra një “gjynah” të madh. Kisha gjuajtur me gurë derrat e komandës që kullosnin të qetë në liri, jashtë telave me gjemba të kampit. Polici më kishte parë. M’u afrua, më kapi për leckash e më futi në birucë. Ende sot më rrëqeth kujtimi i atyre orëve të kaluara në errësirën e birucës, i vetëm, duke qarë prej frikës së gogolit. Jashtë më fliste gjyshja ime e mirë: “Mos ki frikë, e mbyt nona gogolin!”. Edhe ajo i rezistonte policit që i kanosej për ta larguar. Në orën dy të natës një tjetër polic ma hapi derën e birucës dhe unë rifitova “lirinë”.
Ndofta fakte të tilla duken pak të pabesueshme, por e vërteta është se pati dhe të tjera raste të tilla, krahas qindrave që përbënin ligjin mizor aty brenda. Njëri ndër to, që më vjen ndërmend tani, është ai i një gruaje të sëmurë që rënkonte nga dhimbjet në veshka e i “prishte qetësinë” policit i cili, për pasojë, e lidhi në një shtyllë për njëzet e katër orë. Mbas kësaj ajo mezi erdhi në vete për dhjetë ditë. Cinizmi dhe sadizmi i personelit të komandës besoj se ia kalonte shumë herë figurave të esesëve, që vite më parë shihnim në filmat tanë apo të vendeve të tjera të Lindjes.
Poshtërimi dhe tortura ishin kënaqësitë më të mëdha që ndjenin këta ish partizanë në marrëdhëniet me të internuarit e çfarëdo moshe, njerëz të pafajshëm, krimi i vetëm i të cilëve ishte se u përkisnin familjeve të të arratisurve ose të kundërshtarëve të diktaturës së kuqe. Emrat e toger Hakiut, aspirant Syrjait, kapterëve Selfo e Tomi, policit Ismail e sa e sa të tjerëve janë shëmbëlltyra të së keqes njerëzore në mendjet e ish-banorëve të kampit dhe kujtohen ende mbas dyzet viteve, kur jeta ka fshirë nga kujtesa emra kryetarësh shtetesh e qeverish.
Gratë dhe vajzat e reja që vinin nga mali nëpër shi me rroba të lagura deri në mish, duke mos patur ndërresa (në çastin e internimit nuk u ish lejuar të merrnin asgjë veç rrobave të trupit), detyroheshin të mbuloheshin lakuriq nën batanije, mbasi rrobat e shtrydhura i ndenin për t’u tharë. Ruajtësi “vigjilent” i “rendit më të përparuar të njerëzimit”, kur e pikaste një gjë të tillë, shkonte dhe ia tërhiqte batanijen duke e lënë të zbuluar shqiptaren “armike” në sytë e dhimbshëm të të pranishmëve. Prej cilit armik ndër shekuj shqiptari do ta priste një kob të tillë? Ku t’i kërkojmë krahasimet? Ndoshta në rrëfimet e kuvajtianeve të përdhunuara nga ithtarët e Sadam Hysejnit.
Puna e detyruar, uria e vuajtjet i kishin kthyer në skelete të gjalla mijëra njerëz. Mbi pleqtë, fëmijët e sëmurë, vallëzonte përditë kosorja e vdekjes, që rrinte e gatshme të merrte pjesën e saj. Në një kamp pune, një të burgosuri, kur i thanë se të vdiq vëllai, pyeti a e kish marrë racionin e bukës për atë ditë…. Të tilla episode ndodhnin edhe në kampin e Tepelenës.
Një tjetër kapitull më vete, i llahtarshëm ishte ai i fëmijëve. Fëmijët e vegjël, që nënat e reja detyroheshin t’i linin lidhur në djep gjithë ditën, rriteshin në mëshirën e ndonjë plake të huaj. Qëllonte që mbasi kishte shkarkuar barrën e druve, natën, gruaja e re e gjente krijesën e saj duke u prehur në paqen e pasosur, me një pamje engjëllore… Lotët dhe mallkimet ishin shumë pak për të shprehur dhimbjen; të nesërmen, që në mëngjes, e priste rreshti me shoqet për në mal…
Fëmijët që mbetën të vetëm u rritën për mëshirë nga të afërm e madje herë-herë dhe të panjohur, sepse nënat u çuan në kampet e punës, për të ndërtuar falas “veprat e socializmit”. Më kujtohet ajo ditë e hidhur, kur u ndava nga nëna. Mundohesha t’i kacavirresha kamionit ndërsa polici më godiste duart. Lot rridhnin nga sytë e atyre grave bujare malësore që ishin ofruar vullnetarisht për të zëvendësuar nënën time në këtë transferim, por urdhri ishte i prerë: ajo duhej të ndahej nga unë. Polici duhej të zbatonte këtë urdhër të eprorëve, duke goditur duart e fëmijës që nuk donte të shkëputej nga nëna… Ç’skenë e bukur për një pikturë të denjë për Gojën, subjekt i bukur për të ilustruar “humanizmin socialist”, të trumbetuar me zell në këtë gjysmëshekulli.
“Lufta e klasave” ishte sistematike dhe me të vdekurit. Tri herë u ndërrua vendi i varreve, deri sa e çuan buzë Vjosës, që eshtrat t’i gëlltiste lumi, mbasi jetën ua shkurtoi ajo, e famshmja “vija e demarkacionit”, “guri i provës për marksistë-leninistët shqiptarë”. Dikush edhe sot i quan të drejta e, madje të dobishme, këto përbindshmëri, i përligj me “luftën e ftohtë”, me diversantët. Më vjen ndërmend personazhi i Hamletit, në bisedë me të ëmën, kur shprehet: “Do të vë një pasqyrë ku të shohç të zit e zemrës tënde…”. Këtë pasqyrë e ka për detyrë çdo njeri i lirë t’ua vërë para strategëve “të lavdishëm” të asaj lufte, që mishëronte në vetvete gjithçka mefistofelike kishte në natyrën njerëzore, skutat e errëta të së cilës i kish njohur aq mirë kolosi Dostojevski, duke parashikuar edhe rrezikun, njëqind vite më parë.
Dy vite shkollë në qytetin e Tepelenës. Vetëm nxënësit lejoheshin të dilnin jashtë rrethimit të telave me gjemba, për të vazhduar shkollën shtatëvjeçare. Vetëm në arsimin e detyrueshëm nuk u bë dallim, atë mund ta merrnin të gjithë. Më dalin parasysh skenat e vajtjes dhe kthimit nga shkolla. Më merrte për dore një vajzë mirditore, Bardha. Ishte më e madhe se unë, më e rritur, megjithëse ishim në të njëjtën klasë. Ajo ishte kushërira e Pal Mëlyshit, familjen e të cilit e kishim karshi për karshi në kazermën e parë. Mësonim të gjithë ne, fëmijët e kampit; megjithëse të uritur e të zhveshur, ishim më të mirët në mësime. Ç’ishte ajo fuqi që na jepte krahë të përballonim çdo ditë atë skëterrë? Ç’forca madhore viheshin përkrah nesh, për të na siguruar mbijetesën? “Zot i madh na ndihmo!”, kjo ishte ofshama nga thellësia e shpirtit, vetvetiu në çdo çast dhimbjeje e ligështimi…
Grabian, qershor 1991
LEXONI LIBRIN QË JU MUNDËSON T’A NJIHNI MË MIRË HISTORINË E SHTETNDËRTIMIT