Ju rrëfej historinë e Epirit shqiptar që duan të na e marrin grekët

Nga Faik Konica

Botuar më 1904

Grekëve u ka vajtur në mendje t’i japin Shqipërisë së Poshtëme emrin e saj të vjetër të Epirit, dhe nëpërmjet kësaj, me marifet, lënë të kuptohet që ky vend ka qënë i banuar nga grekët dhe një ditë duhet të bëjë pjesë në Greqi, dhe se kështu Greqia nuk është ngjitur me Shqipërinë.

Për grekët ka vërtet një Shqipëri të Veriut por jo një Shqipëri të Jugut; Shqipëria është si të thuash një distik që ka vetëm një varg ose një aleksandrin që ka një gjysmëvarg.

Mirëpo, të gjitha këto pretendime janë qesharake dhe të ndyra.

1- Straboni na mëson se epirotët nuk flisnin greqisht, ata ishin të huaj. Po citoj fjalë e tij: (fjalët e Strabonit në greqisht) Kjo është shumë e qartë apo jo. Straboni na thotë se kombet epirotas ishin barbarë domethënë të huaj për racën dhe gjuhën greke (Veprat e Strabonit, VII, 6-13, faqe 267. Botim i Dübner Müller);

2- Para se shqiptarët të jenë vendosur në një Epir grek, janë grekët ata që kanë vajtur – një numër i vogël sigurisht – në një Epir shqiptar.

3.- Shqipja është quajtur gjithmonë gjuhë epirotike. Dictionarium latino-epirotikum; F.Bardhit (Romë, 1635) është një provë e kësaj. Nuk ka as dyzet vjet që Rossi botoi përsëri në Romë një Vocabolario italiano-epirotico që nuk është gjë tjetër veçse një fjalor shqiptar;

4.- Në të gjitha shkrimet e mëparshme mbi dredhitë greke, njëjtësia midis fjalëve Epir dhe Shqipëri e Poshtëme është e plotë.

Faik Konica me veshje kombetare, 1909

5- E njëjta gjë është edhe në hartat gjeografike. Unë do të kënaqesha vetëm me një shembull: Në 1827, admiraliati anglez ka botuar një hartë zyrtare të bregdetit të Shqipërisë, hartë e përgatitur nga një komision hartografësh anglezë, austriakë dhe napolitanë: në të përfshihet i gjithë bregdeti i Epirit.

6.- Rusët, francezët dhe anglezët kanë patur me radhë në ishujt jonianë një regjiment që ata e quanin zyrtarisht regjimenti shqiptar: të gjithë ushtarët e këtij regjimenti ishin rekrutuar në Epir, të gjithë të së njëjtës fe si grekët, dhe megjithatë të gjithë i thoshin vetes shqiptarë dhe flisnin shqip. Një nga oficerët e regjimentit franko-shqiptar ishte Marko Boçari, i cili në atë kohë, me kërkesën e Pukëvilit, ka shkruar edhe një fjalorth dorëshkrimi i të cilit gjendet në Bibliotekën Kombëtare të Parisit (Fondit shqiptar nr.1): ju kujtohet që ne e kemi vënë në plan botimin e këtij fjalorthi. Po ai Boçar shkëlqeu në luftën për pavarësi, duke kujtuar, i gjori, se bëhej fjalë për të krijuar një mbretëri shqiptaro-greke. Nipërit e tij, që mbajnë ende mbiemrin e Boçarëve, tani e quajnë veten helenë dhe pasardhës të Themistokliut: Përshëndetje pasardhësve të Themistokliut! Ju e shikoni që, që të gjithë helenët janë po aq të vërtetë sa nipërit e Boçarit tonë. Përveç kësaj, në Athinë ka djem të Bavarnave të vendosur në Greqi në kohën e Otomit, që edhe ata e quajnë veten helenë, sigurisht pasardhës të Perikliut: Përshëndetje pasardhëve të Perikliut!

7- Tradita diplomatike e të gjitha fuqive evropiane ka njohur pakufizim njëjtësinë e Epirit dhe të Shqipërisë së Poshtëme. Qysh prej një muaji kam në dorë qindra dokumente të pabotuara që kanë të bëjnë me Shqipërinë, dhe, në të gjitha njëjtësia midis Epirit dhe Shqipërisë së Poshtëme është aq e plotë sa ajo midis Lytesë dhe Parisit ose Ali Hoxhës dhe Hoxhë Aliut.

8.- Më në fund, i huaji që përgatit një studim mbi Shqipërinë dhe ka dyshime mbi çështjen e të qënit të Epirit Shqipëri le të udhëtojë ca ditë nga Elbasani në Pargë dhe nga Vlora në Janinë, domethënë le të përshkojë si turist Epirin nga Veriu në Jug dhe nga Perëndimi në Lindje, për së gjati e për së gjeri, duke i rënë kryq e tërthor në mënyrë të tillë që të vizitojë sa më shumë fshatra që të jetë e mundur – pastaj të vijë dhe të na kundërshtojë.

Tani po u bëj një pyetje grekëve të zgjuar dhe që dinë të mendojnë: A besojnë ata vërtet se këto dredhi foshnjarake i shërbejnë interesave të Greqisë?

1 thought on “Ju rrëfej historinë e Epirit shqiptar që duan të na e marrin grekët”

  1. Shqiptarët kudo që janë të përkrahin fuqimisht raportin e CIA-së për bashkimin e trojeve shqiptare.Njëherazi ta përkrahin pamvarësinë e Çamëris dhe ta ndihmojnë Qeverinë e saj me të gjitha mundësit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top