Josep Borrell kërkon që Kosova të nënshtrohet ndaj kriminelëve!

Përfaqësuesi i Lartë i Bashkimit Evropian për Punët e Jashtme dhe Politikat e Sigurisë, Josep Borrell, ka reaguar ashpër për akcionin antimafia të Policisë së Kosovës!

Borrell tha se incidentet e dhunshme në veri duhet të ndalen menjëherë, teksa ka konsideruar se veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuara janë të papranueshme.

Më tutje, Borrell tha se të gjitha çështjet e hapura në mes të Kosovës dhe Serbisë duhet që të adresohen përmes dialogut të ndërmjetësuar nga BE-ja.

“Incidentet e dhunshme në veri të Kosovës duhet të ndalen menjëherë. Aksionet e njëanshme dhe të pakoordinuara që rrezikojnë stabilitetin janë të papranueshme. Të gjitha çështjet e hapura duhet të adresohen përmes Dialogut të lehtësuar nga BE. Ne jemi në kontakt me Beogradin dhe Prishtinën”, ka shkruar ai në një postim në “Twitter”.

Operacioni policor kundër mafias i realizuar në rajonin e Prishtinës, Pejës, Mitrovicës së Jugut dhe Mitrovicës së Veriut, ka kaluar me tensione. Policia ka njoftuar për bllokim të rrugëve, përdorim të bombolave të gazit, shok bombave, përdorimit të armëve të zjarrit e granatave të dorës nga persona të dyshuar si dhe dëmtimit të automjeteve zyrtare.

Prandaj, si pasojë e gjuajtjeve me mjete të ndryshme vdekjeprurëse drejt zyrtarëve policorë, deri më tani policia ka konfirmuar se 6 zyrtarë policorë kanë pësuar lëndime trupore, prej tyre 5 zyrtarë të nacionalitetit shqiptar dhe një i nacionalitetit serb.

“Bazuar në informacionet fillestare një nga personat e përfshirë në sulm ndaj zyrtarëve policorë, është lënduar”, njofton tutje policia.

Ndërsa, aksioni i sotëm ka vënë në pranga 8 persona.

Ndërkohë, kryeministri Albin Kurti ka bërë thirrje për qetësi në Komunën veriore të Mitrovicës, derisa ka njoftuar se aksioni i Policisë së Kosovës ka përfunduar.

“Herët në mëngjesin e sotëm, Policia e Kosovës, me qëllim të luftimit të kontrabandës ka filluar operacione bastisjeje në disa lokacione të ndryshme në Prishtinë, Pejë e Mitrovicë (si në jug ashtu edhe në veri). Këto veprime policore janë paraprirë nga hetimet intensaive dhe janë me urdhër e të bashkërenduara me prokuroritë dhe gjykatat kompetente. Janë sekuestruar mallra e dëshmi të tjera që paraqesin edhe prova materiale. Krimi dhe grupet kriminale nuk do të tolerohen dhe do të luftohen. Kontrabandën do ta luftojmë e do ta parandalojmë. Aksioni i sotëm policor ka përfunduar. U bëj thirrje qytetarëve në komunën veriore të Mitrovicës që të mos bien pre e disa medieve në Serbi që e mbrojnë krimin, korrupsionin dhe kontrabandën dhe duan ta politizojnë dhe etnizojnë atë”, ka shrkuar ai në një postim në “Facebook”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top