JO KORRIGJIMIT TË KUFIRIT, PO KORRIGJIMIT TË PADREJTËSIVE HISTORIKE NDAJ SHQIPTARËVE

Lideri shpirtëror i PD-së Sali Berisha, deklaroi në televizionin ALBSE se Edi Rama është iniciator publik i nismës për korrigjimin e kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, flamurin e të cilës e mbajnë argatët e Beogradit në Prishtinë. Ndërsa roli i faktorit ndërkombëtar ka qënë shumë kompleks. Ka që e kanë kundërshtuar në mënyrë kategorike ndryshimin e kufinjve, të tjerë të cilët janë shprehur se përkrahin një marrëveshje midis Prishtinës dhe Beogradit.

Problemi është se argati i Beogradit në Prishtinë që përfaqësoi Kosovën, mashtroi tërë botën duke mos patur askënd me vete përveç Baton Haxhisë. As partinë e tij jo.

Tani po kuptohet që ai është njëri pa mbështetje, tani po kuptohet që parlamenti e zëvëndësoi atë me një delegacion përfaqësues parlamentar të Kosovës.

Gradualisht do të dalin të vërtetat se për llogari të kujt vepruan argatët në Prishtinë. Por një gjë dua të them këtu. Kufinjtë në Ballkan sigurisht që mund të rivizatohen dhe rivendosen në mënyra krejt të tjera, padiskutim që në këtë kontekst padrejtësitë më të mëdha u janë bërë shqiptarëve.

Nëse arrihet në këtë përfundim, për të korrigjuar padrejtësitë e mëdha të historisë, atëherë aq sa është e vlefshme Presheva, aq janë edhe trevat e tjera shqiptare, por kjo kërkon një konferencë ndërkombëtare të Fuqive të Mëdha, e cila t’i rikthejë të drejtën shqiptarëve për një shtet të përbashkët në Ballkan.

Kurse përpjekja për të ndarë Kosovën nuk është një përpjekje tjetër veçse për t’i krijuar precedentin në Kosovë Beogradit që të aneksojë dhe Bosnjën dhe të krijojë Serbinë e Madhe, dhe shqiptarët s’duhet t’a pranojnë këtë për asnjë çmim.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top