Jemi kundër korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë

Ambasadorja e Kroacisë në Prishtinë, Marija Kapitanoviq, gjatë një interviste ka deklaruar se shteti i saj nuk e përkrah idenë e korrigjimit të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që, siç thotë ajo, kjo nuk do ta bënte rajonin më të qëndrueshëm, por përkundrazi mund të ngrisë tensione shtesë në rajon, në vend se të ofrojë zgjidhje.

Kroacia nuk e mbështet idenë për korrigjim të kufirit mes Kosovës dhe Serbisë, pasi që nuk beson se një korrigjim i tillë do ta bënte rajonin më të qëndrueshëm. Kështu ka deklaruar gjatë një interviste për gazetën “Zëri” ambasadorja kroate në Kosovë Marija Kapitanoviq, duke shtuar se përkundrazi një iniciativë e tillë mund të shkaktojë çështje shtesë në vend të zgjidhjeve.

“Sa i përket korrigjimit të kufijve nga pikëpamja e dikujt që vjen nga një vend i cili përjetoi një të kaluar të vështirë, ne nuk mendojmë që kjo është zgjidhja më e mirë e mundshme”, ka potencuar ambasadorja Kapitanoviq.

Gjatë kësaj interviste ambasadorja e shtetit më të ri të Bashkimit Evropian (BE) ka folur edhe për lëvizjen e lirë të kosovarëve në zonën Schengen.
Diplomatja kroate në Kosovë thotë se procesi ka kaluar te konsultimet mes shteteve anëtare, duke mos qenë në gjendje të thotë nëse kosovarët në një të ardhme të afërt do të lëvizin pa viza në BE.

Lini një Përgjigje

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

error: E drejta e autorësisë i përket autorëve! Ju lutemi për mirëkuptim.