Je i pavdekshëm Ilir, të përkujtojmë me mall!

Vitet po ikin, por Ti, Komandant Mërgimi, vazhdon të jetosh në zemrat dhe mendjet tona! Para 20 viteve, Ti ishe trim e shkuar trimit. Ishe luftëtar i paepur, komandant e strateg i vërtetë i luftës guerile, duke shkruar historinë e lavdishme të luftës çlirimtare si një nga njerëzit më besnik të UÇK-së, si dhe duke dhënë kontribut të paçmueshëm në organizimin e zhvillimin e Ushtrisë tonë!

I dashur Ilir, sot të përkujtojmë me mall dhe po na mungon shumë prezenca jote! Po na mungon karakteri e morali yt i fortë! Po na mungon sinqeriteti dhe buzëqeshja jote, që na jipte guxim e trimëri edhe në akcionet e panumërta kundër pushtuesit. Po na mungon shumë, i dashur komandant, ne bashkluftëtarëve, familjes, por edhe tërë Kosovës.

Ti nuk ishe si ne të tjerët , ishe i veçantë në rrugën drejt lirisë! Ilir, ti ishe zemërluani në akcionet kundër armikut. Ilir, ti ishe bërë, së bashku me Zahirin e Hakifin, me Ademin e Adrianin, me Mujën e Luanin, tmerri i Serbisë pushtuese.

Sot, 20 vjet pas rënjes, Ti je bërë edhe më i madh, sepse populli të nderon dhe lartëson! Populli i shumëvuajtur shqiptar, i vlerëson lart veprat tua për lirinë e Kosovës. Sot, 20 vjet pas rënjes, Ti vazhdon të jesh udhërrëfyesi ynë, si dhe heroi i pakontestuar i Kosovës së martirizueme.

Sot, 20 vjet pas rënjes, ne kemi sërish nevojë per Ty, sepse Kosova po lëngon shumë nga ata të cilët ja ndalën dritën e zhvillimit dhe po e sfidojnë lirinë tonë, që ti e deshe dhe u flijove për të!

Ilir, Ti, heroi i kombit shqiptar, në kohërat më të vështira ishe bashkluftëtar i pandashëm me Hakifin e Zahirin. Ti, heroi i kombit tonë, me ta ndajshe bukën dhe ujin! E bashkuat trimërinë dhe mendjen e ndritur, duke na dhënë edhe ne bashkluftëtarve moral e guxim të pashoq në luftë kundër forcave ushtarake e policore të Serbisë pushtuese! Ilir, Ju ishit të pa ndarë në mendje e në shpirt! Ju ishit arterja dhe gjaku i UÇK-së! Ndërsa Ti, që sot të kujtojmë me mall e lot në sy, ishe simbol i bashkimit në luftë.

I dashur Ilir, thuhet se Njerëzit e mëdhenjë nuk vdesin natyrshëm! Fatin e tillë e kishe edhe ti, Komandant Mërgimi, heroi i kombit tonë shqiptar dhe gurthemel i pavarësisë shtetërore të Republikës së Kosovës.

Atëherë kur armiku pushtues nuk pati mundësi e guxim t’a ndalte rrugëtimin tënd drejt betejave të radhës, një mendje zemërprishur, të vrau pabesisht, ashtu sikurse u vranë edhe shumë patriot e luftëtar të paepur të kombit tonë, në luftën e gjatë për liri.

Ilir, Ti ishe dhe vazhdon të jeshë Udhërrëfyes e Shembull për shumë bashkluftëtarë! Ishe dhe do të mbetesh për të gjitha kohërat, Heroi i Kombit Shqiptar.

Ilir, rënia jote e vërtetoi karakterin e thellë popullor të luftës sonë çlirimtare, në të cilën u flijuan shumë komandant e luftëtarë, duke u bërë shembull i trimërisë, vendosmërisë dhe qëndresës së pathyeshme në luftën për lirinë e kombit tonë.

Je i pavdekshëm Ilir, të përkujtojmë me mall! Të qoftë i lehtë dheu i Shqipërisë etnike!

BASHKLUFTËTARËT E GUERILJES “ZAHIR PAJAZITI”

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top