Jam kthyer në kufomë, por mendimin e kam të lirë

SHKRUAR NGA ALMA MALILE

Për një të dënuar me 10 vjet burg dukej e çuditshme të shfletonte veprat e Stalinit. Dhe, në fakt, Stalini kishte shërbyer vetëm si “koperturë”.Nën fotografinë e udhë-heqësit sovjetik fshihej një vepër e mirëfilltë filozofike, e shkruar nën një tjetër “maskë”, atë të gjuhës. Në vitin 1955, Arshi Pipa do të shkruante në Burgun e Burrelit veprën e tij filozofike “Skica e një konceptimi mbi jetën plotësuar me Mbi gjeniun”. E shkroi në gjuhën italiane, i bindur se gardianët e burgut nuk dinin italisht, por, siç thotë albanologu Ardian Marashi, ndoshta edhe për t’u shprehur më saktë. Dje, në një konferencë shkencore organizuar nga Qendra e Studimeve Albanologjike dhe shtëpia botuese “Princi”, u prezantua një nga veprat e mendimtarit dhe shkrimtarit Arshi Pipa. Veç botuesit Myftar Gjana, drejtorit të QSA-së, Marashi, do të flisnin mbi këtë vepër edhe Amik Kasoruho, Mark Marku, Ermal Hasimja etj. “Arshi Pipa ka qenë shkrimtar, poet, kritik, por mendoj se vlera e tij më e madhe është si mendimtar”, do të shprehej Kasoruho. Sipas tij, me këtë libër Pipa ka sjellë një risi në mendimin shqiptar. “Ne nuk kemi vepra të mirëfillta filozofie dhe ky libër e përmbush me shumë dinjitet atë boshllëk. Në të gjitha fushat që ka lëvruar, Arshi Pipa ka qenë një model. Ai është një nga ata njerëz që ka kërkuar shumë nga vetja dhe u ka dhënë shumë të tjerëve”, tha ai.

“Botimi i këtij libri është një moment kulmor jo vetëm për krijimtarinë e Arshi Pipës, por të gjithë mendimit shqiptar. Unë mendoj, dhe këtë nuk e ka kundërshtuar njeri deri më sot, se ky është libri i vetëm i mirëfilltë filozofik i një autori shqiptar”, u shpreh Marashi, i cili në parathënien e librit shprehet se “Arshi Pipa nuk synon të provojë teza specifike e as të demonstrojë stërhollim metode, ai thjesht kërkon, me mjetet e filozofisë dhe për arsye praktike, të dijë se cili është për njeriun kuptimi i epërm i jetës dhe teksa kërkon për vete, na bind që ta ndajmë së bashku aventurën e mendimit”. Përpara se “Koncepti” të vinte për lexuesin, ai ka kaluar një rrugë të gjatë peripecish. Ka rrugëtuar nga qelitë e burgut, në internim bashkë me të motrën e autorit, ka udhëtuar drejt Amerikës, për t’u kthyer sërish në vendin e origjinës. Deri një vit më parë ai ishte një dorëshkrim, i cili erdhi në gjuhën shqipe falë përkthimit të së motrës, Nedret Kalakulla dhe përgatitjes së botimit kritik nga punonjësja e QSA-së, Merita Bruci. Libri është botuar në dy gjuhë, në shqip e italisht. Ishte një formulë e gjetur nga botuesi dhe QSA për ta sjellë sa më të plotë për lexuesin. Botimi i “Konceptit” paraqet një tjetër dimension të Arshi Pipës, por ka ende për të thënë mbi të. “Është tepër e vështirë ta ridimensionosh dikë vetëm me fjalë. Ridimensionimi i një figure nuk bëhet dot me një ditë dhe vetëm me një konferencë, por dita-ditës dhe vit pas viti me botimin e veprës. Me gjithë botimin e kësaj vepre, ende mbetet shumë pa thënë nga Arshi Pipa. Është trilogjia ‘Albanika’, e botuar njëherë në gjuhën angleze në Amerikë dhe tani po punohet për përkthimin e saj dhe paraqitjen para lexuesit shqiptar”, thotë Marashi.

Libri i shkruar në qeli (nga parathënia e autorit)

… Erdhën vitet monotone të burgut tim. Kohët e para nuk kam mundur të përqendrohem aq sa duhej që të mund të mendoja në kuptimin e mirëfilltë. Me mendimin gati të humbur në labirintin e vështirësive që pengonin studimin serioz dhe, në anën tjetër, duke jetuar i detyruar nga domosdoshmëria e ngutshme e momentit, në një fluks të rrëmujshëm emocionesh politike dhe, më në fund, duke pasur kthjelltësinë e shpirtit, shkaktuar nga një seri fatkeqësish familjare, për të mos përmendur këtu arsye të tjera të rëndësishme – më shumë personale, më është dashur, për të gjitha këto, të jetoj larg filozofisë. Jam ngushëlluar me artin duke u shprehur në të, si dhe me studime të një angazhimi më të vogël. Kam jetuar e ndier më shumë sesa kam menduar.

Dhe, nëse kam menduar dhe reflektuar për diçka, ky ka qenë problemi moral, i cili më është imponuar si një domosdoshmëri më e madhe sa më shumë që kërkoja të orientohesha në vendin ku po mbytesha, për të shpëtuar veten nga rreziku tepër kërcënues, në një jetë me kushte shumë të këqija, nga degjenerimi, nga kafshëzimi. Jam reflektuar në fytyrën e shokëve të mi të dhimbjes dhe jam trembur, jam tmerruar. Një herë pata menduar në Olimpin e mendimit të kulluar e të poezisë së kulluar. I tërhequr pastaj në vorbullën e jetës, ajo më kish fundosur në Ferr. A do të kisha imagjinuar ndonjëherë që njeriu, kjo qenie që Zoti e krijoi sipas shëmbëlltyrës së vet, mund të jetë kaq afër kafshës? Tashti po e kuptoja se ç’domethënie kishin ato hyjni pagane, gjysmë njeri e gjysmë kafshë, si centaurët e sirenat!

Në burg kam njohur gjithë poshtërsinë e njeriut, gjithçka që është trashëgim shtazor tek ai, nga egoizmi i egër që arrin të urojë vdekjen e shokut për t’i vjedhur bukën, te frika e marrë shtazore që errëson jo vetëm arsyen, por deri edhe ndjenjat. Por, në këtë ferr shëmtie kam ndeshur, si një oazë të vërtetë në mes të shkretëtirës, shpirtin e pastër, të butë, fëmijëror, çiltërsinë e virtytshme dhe pranë tyre Farinata-t dhe Kapaneus-at e kohëve tona. Kam njohur kështu nga eksperienca ime të mirën dhe të keqen, të gjitha shkallëzimet e këtyre. Edhe po të kisha jetuar 100 vjet, kurrë nuk do të kisha mundur të mbledh kaq të korra me kaq shumë varietete psikologjike. Dhe, nëse nga njëra anë kjo eksperiencë ka kaluar në art, në anën tjetër ajo ka ushqyer dhe mbarsur mendimin tim. Pak nga pak kthjelltësia është kthyer: mbi fundin e rëgjyrtë të mjerimit e të dhimbjeve të përditshme, është ngritur si një ylber mendimi i rigjallëruar. Është ngritur mbi një burg. Kanë prangosur trupin tim, por nuk kanë mundur të prangosin mendimin tim. Dhe – gjë vërtet e mrekullueshme – kur trupin tim e kanë bërë pothuajse një kufomë, atëherë mendimi ka fituar lirinë…

Më kanë mbyllur në këtë burg që të vuaj. Unë nuk u mbaj mëri atyre që më kanë bërë të vuaj, madje i falënderoj, dhe sinqerisht. Ka të drejtë të mallkojë vuajtjen ai që shtypet nga ajo. Por, ai që e mund, do të duhej ta bekonte. Ndërsa njëra degjeneron në vuajtje, tjetra ripërtërihet. Poshtë ajo të çon te krimbi, lart te hyjnia…

Nedret Kalakulla: Libri që mora me vete në internim

Duhet të kalonin 56 vjet që libri të shihte dritën e botimit. Një nga ruajtëset e tij ka qenë e motra e autorit, Nedret Kalakulla. Pas arratisjes së Arshi Pipës dhe arrestimit të një miku të tij të besuar, ajo do ta merrte me vete këtë dorëshkrim në kampet e internimit. Më mirë se ajo askush nuk e njeh historinë e kësaj vepre: “Ky libër ka një histori të veçantë. Ai nuk u shkrua në ndonjë studio në kushte të rehatshme apo të favorshme për meditim. Ai u shkrua ndenjur mbi një dyshek të shtruar mbi çimenton e një dhome të Burgut të Burrelit, në zhurmën e të burgosurve të tjerë të asaj dhome dhe nën trysninë e rreptë të kontrolleve të herëpashershme të gardianëve. Arshi Pipa kishte bërë nëntë vjet burg kur arriti të shkruajë në një fletore të vogël të maskuar me një kopertinë me figurën e Stalinit, Konceptimin e tij mbi jetën. Ai e ruajti atë fletore të vogël deri ditën që u lirua, pas një viti, më 1956-n. Këtu fillon rrugëtimi i Konceptimit. Dorëshkrimi nuk doli nga qelia, si “Libri i Burgut”, në fletë cigaresh të fshehura në ndërresa të palara, por doli i fshehur në një dyshek të vjetër, që gardianët nuk kishin marrë mundimin ta kontrollonin, meqenëse ishte tepër i ronitur dhe i ndotur. Para arratisjes së tij nga Shqipëria në vitin 1957, Arshiu i kishte besuar mikut të tij shkodran, Ruzhdi Çoba, “Konceptimin”, tezën e laurës së Universitetit të Firences, si dhe një bllok shumë të vogël me përkthime nga lirika europiane. Vite më vonë, kur unë, e dëbuar nga Tirana, u ktheva me banim në Shkodër, Ruzhdiu sikur ta parandiente arrestimin e vet të dytë dhe dënimin me 10 vite të tjera burg, m’i dorëzoi këto vepra të Arshiut. Kështu, unë i ruajta me kujdes dhe ato më ndoqën në internim e, pas lirimit, sërish në Shkodër, deri ditën që u bë e mundur t’i shkonin në dorë Arshiut, mbas vitit 1991. Në njërën nga vizitat e mia në Uashington, mbas vdekjes së Arshiut, fillova ta lexoj “Konceptimin” me dëshirën për të njohur më mirë një vëlla që aq pak kisha pasur mundësinë ta njoh. Dhe, meqenëse “Konceptimi”, bashkë me tezën e laurës, përcaktoheshin si vepra të pabotuara nga Arshiu, mendova se duheshin përkthyer dhe botuar. Pavarësisht nga vështirësitë që ndesha, jam përpjekur t’i respektoj tërësisht mendimin e tij dhe stilin e tij”.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top