JAKUP, SHUMË JE DEMAGOG! MORE MILIONA MARKA NGA BUKOSHI

Ti, më shumë se ti, askush nuk bëhet më shumë gjakpirës, sepse ti e fsheh të vërteten

Po vijoj ku do me ia nisë.

Sepse, në reagimin e parë, nuk more vesh gjë, përpos që shpife.

Mos shpif, përgjigju.

Nëse do ia fillojmë për datën kur je bërë ushtar i UÇK-së, në cilën zonë u paraqite fillimisht, apo kur të kanë bërë Hashimi e Kadriu, zëdhënës politik të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e më vonë, zëvendëskomandant, sepse këtë e dimë të gjithë. Aty filloi karriera jote politike.

Gjatë luftës, Ti Jakup ke rrezikuar duke i detyruar 60 ushtarë të lirisë që të përcjellin familjen tuaj për në Tiranë, përmes Maqedonisë, për të shpëtuar nga vrasjet e mundshme, ndërkohë që familjet e mijëra luftëtarëve rrezikonin jetën në malet e Drenicës.

Në mesin e familjeve të luftëtarëve të shumtë, në malet e Drenicës, ishte edhe familja ime, motrat e mija, nëna ime e madhe, e cila aq shumë kontribuoi për këtë vend dhe Ti je i vetmi shqiptar që ma ka sharë atë, përmes telefonit, lidhur me Sami Lushtakun. Aty, në male, ka qenë edhe baba Tush që të ka hapur derën sa herë kishe nevojë.

Ti e harron të mirën dhe kujdesin. Sytë të janë velur prej etjes në pushtet.

Kur, pas Konferencës së Parisit, nuk u ktheve në Kosovë, por vije e punoje në zyrat e Drejtorisë Administrative të Fondit “Vendlindja thërret”, të cilin fond ti po e përbuz sot aq sa e kanë urryer edhe udbashët në kohën e luftës, deklaroje se “këtu po punohet, po bëhet punë e mirë shumë” dhe se, sipas teje, ishe mbajtur i izoluar, për arsye që ti i di por nuk i ke thënë kurrë.

Raportet e mia me Xhavit Halitin dhe Azem Sylën kanë qenë raporte normale pune, herë pas here, edhe miqësore. Ndoshta ti di ndonjë gjë që unë nuk e di, por mos shpif. Mund të kishim pasur edhe mendime ndryshe, çka nuk e ka dëmtue luftën. Tre vetë kemi pasur qasje direkt në Zyrat e Sekretarit të Përgjithshëm të NATO-s, Javier Solana gjatë kohës së bombardimeve, unë, Xhavit Haliti e Bedri Islami, e emri i Xhavitit është dërguar nga unë, dhe, po të kisha pasur marrëdhënie jo normale, e aq më keq si thua ti, nuk do ta kisha bërë këtë.

Takimin e njohur tek „Bujtina e Gjelit“, midis Xhavit Halitit dhe të deleguarit amerikan Kris Hill, e organizuam unë dhe Dashamir Kadëna, atëherë zëvendës kryetar i SHIK-ut.

Takimi ishte kërkuar të bëhej me mua ose me Bedri Islamin, por unë, duke qenë gjithnjë institucionalist, kërkova të bëhej me Xhavit Halitin, që punën e tij në Tiranë e ka kryer shkëlqyeshëm.

Nëse Ti, Jakup, tani ke probleme me Xhavitin dhe me Azemin, mos kërko t’i zgjedhësh përmes meje. Ata janë këtu, në Kosovë, u bëjnë ballë vet punëve të veta.

Shtabi i Përgjithshëm, pas propozimit të Këshillit të Përgjithshëm të LPK-së, më emëroi Drejtor Administrativ të Fondit “Vendlindja thërret”, dhe jam krenar për këtë.

Sa më përket mua, jam i gatshëm të flas për çdo gjë. Po ti, sa ishe në Tiranë, kush të ushqeu, kush të krijoi kushtet, kush pagoi. Mos e bjerr veten.

A je i gatshëm edhe ti të japësh llogari si unë?

A je i gatshëm të japësh llogari për kërkesat që i ke bërë „qeverisë Bukoshi“. Sa ke kërkuar dhe sa ke marrë, ose, sa është marrë në emrin tënd e me kërkesën tënde?

Ekziston vendimi për shumën e tërhequr në emrin tënd, disa milionëshe, shumë që ka qenë shumë më e lartë se i gjithë Fondi që kemi administruar në Zyrën tonë, është aty vendimi që dorëzohen këto miliona sipas kërkesës tënde dhe kush i mori. A je i gatshëm të dëshmosh se si u përdorën këto miliona marka?

Milionat e markave i more nga Bukoshi, por kur ishe në Gjermani, u the autoriteteve gjermane se Bukoshi është tradhtar, do të gjykohet dhe politika gjermane të kthej shpinën, e me këtë humbi një rast i artë për Kosovën.

Kur erdhe në UÇK ti kishe merita që nuk i mohoj kurrë. Ke qenë në Lëvizjen ilegale, je burgosur dhe burgun besoj e ke mbajtur mirë.
Në kohën më të vështirë të saj, e braktise Lëvizjen Çlirimtare, gjete rehati në LDK, u bëre funksionar i lartë i saj, por prapë besimi tek ti nuk na kishte humbë.

Katër herë ke ndërruar parti, Jakup. Katër herë. Prej ekstremit në ekstrem; nga organizimi ilegal në LDK, nga PDK në Nisma. Bindja jote apo inati yt. Nesër ndoshta ndërron prapë.

Ku ta dish?

Jakup, unë jam në pikë, ti je senil! Përgjigja ime për ty e sojin tënd demagog e mashtrues të popullit do të vijojë

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top