Ja si mbrohem

SHKRUAN: EDISON YPI

Sëmuresh dhe vdes nëse nuk mbrohesh nga llumi shqiptaresk.

Kur shoh faqet e para të gazetave, më merren mentë, më vjen për të vjellë. Iki në një katund. Takoj një fshatar që ka ndërtuar një vilë sa një kështjellë. I them viganit të punës; Dëgjo Ibrahim, Të gjithë ikin, ti qëndron. Të gjithë rrinë, ti punon. Të gjithë vjedhin, ti ndërton. Je Hero. Meriton një monument.

Dijetarët shqiptarë të gjitha kohërave nuk e ka vënë kurrë në dyshim identitetin europian të Shqipërisë dhe shqiptarëve. Mirpo se nga kanë dalë ca mutër që hiqen për filozofa dhe po duan të na bëjnë me zor aziatikë. Ata pisa dua t’i pështyj në surrat por më vjen ndoht. Dua t’ua marr erzin atyre mercenarëve, por kam frikë se i bëj të famshëm. Dua t’ua fus thonjtë në fyt atyre haleve, por më vjen keq. Për të shpëtuar nga ky taksirat, iki humb brenda pyllit të fundbotshëm të fundbarkut të një mikeshe.

Kur shoh ndonjë shkrimtar që nuk lexohet me librin e vet në dorë duke thënë para kameras “letërsia është univesale dhe eterne” më vjen aq turp, hutohem aq keq, sa s’di çfarë të bëj, dhe iki shetis fundbarkun e një tjetre.

Kur shoh ca që udhëtojnë nëpër Dumre ose Zadrimë me xhamat e makinës të mbyllura, nga inati vete bëj një shetitje në formë patkoi nga kërthiza te kurrizi i një të trete.

E kam ditur se përfaqësuesit e konservatorizmit janë njerëz seriozë, të qytetëruar, të kënduar. Mirpo tanët janë ca trutrashë që të kallin datën. Për të ardhur në vete nga krrupa që më ngjallin konservativët të cilët në këmbim të drekave dhe darkave nëpër restoranta shesin nënë e babë, iki te një kasap për të marrë përvojën e përdorimit të hanxharit për therjen e derrit.

Kur dëgjoj ca sedentarë që edhepse nuk e kanë idenë ku bie Fush Arrzi, Lozhani u duket larg, Trebinjën nuk e dinë se ekziston,  thonë “vendi ynë është i bukur”, iki në Mokër në këmbët e një ujvare ku magjepsem me shushurimën e ujit, tingujt dhe ngjyrat e pyllit.

Kur nisin e mburren me premtime të parealizueshme, hyj në Youtube ku shoh dokumentarë për lokomotivat me avull, Urën e Bruklinit, Luftën Civile në Amerikë, kanalin e Suezit.

Kur konstatoj se muzika e keqe dhe tekstet katastrofike nuk janë modë vetëm shqiptare, ulem lexoj Pinokun.

Kur mendoj se për tu lehtësuar shpirtërat e shqiptarëve duhet me prit derisa të vdesi edhe i fundit soc-artist, më kapin të dridhurat, mbulohem me batanije, ja fus gjumit, shoh në ëndërr disa nga gratë e mia; Voskopojën, Prespën, Lurën, Pukën.

Kur dëgjoj ndonjërin që kujton ndonjë batutë nga filmat shqiptarë, për të evituar damllanë, iki shoh muzgun e përgjakur të Karavastasë.

Kur dëgjoj që shajnë Skënderbeun, Ismail Qemalin, Nolin, iki në gjendjen civile ku u gjej emrat e nënave, motrave, tezeve, hallave, kunatave, dhe ua shaj deri në shtatë breza.

Kur ndjehem i rrethuar nga libra që nuk lexohen, filma që nuk shihen, surretër që nuk durohen, biseda që nuk përballohen, vë duart në kokë si te Klithma e Munch-ut, dhe iki vrap te Gryka e Këlcyrës ku thith të gjithë ajrin e Luginës së Vjosës nga Laskoviku në det.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top