Ja pse Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohen me Mbretëri Kushtetuese

Princ Leka shkaktoi mjaft debate dhe polemika, kur pas deklaratës së Ramës për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë, ai u shpreh se bashkimi bëhej me një mbret. Në intervistën e tij dhënë për Diell-online.al, Princ Leka shprehet se kjo nuk ishte një deklaratë e tij emotive, por një qëndrim i Familjes Mbretërore ndër vite dhe breza. Më tej ai shprehet se BE nuk ka arsye të shqetësohet nga kjo deklaratë, pasi Familja Mbretërore i vlerëson siç duhet situatat politike të çastit, si edhe çdo ndryshim ka kohën e duhur. Trashëgimtari për fron sqaron në këtë intervistë sesi Shqipëria dhe Kosova mund të funksionojnë më së miri si një Mbretëri Kushtetuese.

Pas deklaratës së kryeministrit Rama për një president të përbashkët Shqipëri-Kosovë, reaguat duke thënë se realizimi arrihet me Kurorën Mbretërore, fillimisht si e vlerësoni atë çfarë kryeministri tha përpara Parlamentit kosovar?

Së pari unë përfaqësoj Familjen Mbretërore, dhe titulli im zyrtar është “Princi i shqiptarëve”, pra për mua nuk është një ide e huazuar nga ndonjë politikan apo qeveritar, por është një devizë dhe obligim i Familjes Mbretërore brez pas brezi në të mirë të kombit shqiptar e shprehur kjo nga paraardhësit e mi brenda e jashtë vendit përpara gjithë kancelarive perëndimore. Fjalimi i Kryeministrit ka qenë në vijimësi të deklaratave të mëparshme të shtetit shqiptar ndër vite, sidomos gjatë 100 vjetorit të pavarësisë, ku ndjenja kombëtare ishte kryefjalë e festimeve. Sigurisht është një deklaratë që reflekton dëshirën e madhe të shqiptarëve kudo që ndodhën.

Më tej shpreheni se bashkimi kombëtar ka qenë përpjekja e familjes Mbretërore, përse nuk e keni deklaruar më herët një ide të tillë?

Gjatë kohës së mbretërisë, exilit dhe më pas me hyrjen e demokracisë shprehja e Shqipërisë Etnike ka qenë motoja e Familjes Mbretërore. Madje gjatë referendumit slogani kryesor ka qenë pikërisht: Paqe, Bashkim dhe Vëllazërim… por situata ka qenë kritike. Unë personalisht kam mbajtur qendrimin e afrimit dhe heqjen e barrierave mes shqiptarëve për interesin tonë të përbashkët – forcimin e shtetit të Kosovës dhe Shqipërisë dhe unifikimin e arsimit, diplomacisë dhe kulturës…

A është gati politika shqiptare, por edhe ajo evropiane për një bashkim me një president të përbashkët?

Përgjigjen për sa më lart mund ta japë çdo shqiptar nëpermjet kësaj kundërpyetje: A përfaqësojnë sot realisht unitetin kombëtar përkatësisht presidentet e dy shteteve të zgjedhur me 50+1 të votave të deputetëve? Shteti shqiptar dhe shteti i Kosovës po punojnë për integrimin tonë në Bashkimin Europian, një sfidë kjo mjaft e rëndësishme që siguron të ardhmen e shqiptarëve në familjen europiane. Bashkimi insitucional mes shqiptarëve, duke unifikuar diplomacinë, arsimin, ekonominë, kulturën etj. Do të sjellin shumë benefite në mirëqenien e shqiptarëve. Vendosja e një Presidenti të përbashkët mendoj se nuk do të sillte stabilitet!

Po me një mbret?

Një mbretëri kushtetuese, do të sillte sigurisht më shumë stabilitet, pasi është një insitucion që qëndron larg partive politike. Këtu u referohem mbretërive europiane. Një tjetër shembull janë Mbretëria e Bashkuar dhe vendet e Commonëealth, ku  16 shtete i janë bashkuar kurorës mbretërore. Kjo është një formulë e ngjashme dhe e suksesshme propozuar gjithashtu nga i ndjeri Arbër Xhaferri, i cili ishte nga të fundit vizionare të rrallë të kombit tonë! Mbretëritë kushtetuese janë gjithashtu vendet me demokratike që njohim. Familjet Mbretërore sot nuk bëjnë politikën e vendeve respektive, por garantojnë stabilitetin e institucioneve, garantojnë unitetin kombëtar nëpërmjet promovimit dhe mbrojtjes së traditës, vlerave, kulturës dhe historisë së vendit!

A është gati Princ Leka për të qenë mbreti i shqiptarëve?

Familja Mbretërore do të respektojë kurdoherë vullnetin e popullit! Të jesh Princ trashëgimtar apo Mbret, është një betim dhe dedikim i jetës në shërbim të kombit, dhe jo një post pune!

Përse Shqipëria dhe Kosova duhet të bashkohet me një mbret?

Për qendrueshmëri dhe përforcim të mëtejshëm të imazhit kombëtar, gjë e cila do të sjellë më shumë prosperitet dhe begati në vendet tona. Për Mbretërinë Shqiptare Atdheu është një komb i vetëm, fatkeqsisht sot i ndarë në pjesë.

Shumë e kanë vlerësuar të nxituar deklaratën e Ramës, a keni marrë reagime për deklaratën tuaj?

Familja Mbreterore nuk ka bërë ndonjë deklaratë, ideja e bashkimit kombëtar e ka fillesën qysh nga Mbreti Zog, Mbreti Leka I dhe është qendrimi i Familjes Mbretërore ndaj çështjes kombëtare, pra ka një ndryshim të madh midis idesë dhe qendrimit të kahershëm ndaj kësaj çështjeje thelbësore kombëtare. Mendoj se është e domosdoshme të veprojmë me shumë kujdes larg çdo qendrimi nacionalist, sepse është e panevojshme që ksenofobia të keqpërdorë mesazhet tona patriotike kundër shtetformimit dhe njohjes së Kosovës.

Si mendoni ju se mund të realizohet ky bashkim, nëpërmjet një referendumi, apo një votimi në parlament?

Ky bashkim mund të realizohet fillimisht vetëm nëpërmjet forcimit institucional të dy shteteve, si edhe integrimit të shteteve tona në BE.  Si referendumi ashtu edhe votimi në parlament janë forma ligjore dhe e ardhmja do ta diktojë vetë zgjedhjen më të mirë.

Mendoni se BE do ta mirëpres idenë tuaj, ose vendet që tanimë janë monarki?

Besoj se në situatën e sotme BE pret që Shqipëria dhe Kosova të kenë më shumë qendrueshmëri në plotësimin e kushteve bazë të procesit të integrimit. Padyshim BE nuk mund të shqetësohet nga qendrimi i Familjes Mbretërore që i vlerëson siç duhet e me pjekuri situatat politike të çastit, si edhe prioritetet e politikës europiane dhe euroatlantike. Siç e theksova më parë Familja Mbretërore do të respektojë vullnetin e popullit! Çdo ndryshim ka kohën e duhur dhe nuk mund të realizohet jashtë konteksit të një Europë të Bashkuar ku vendet tona aspirojnë të bëhen pjesë. Fatmirësisht brenda BE-së funksionojnë më së miri edhe Mbretëritë Kushtetuese, të cilat madje janë shumë të sukseshme.

Lëvizin ekulibrat politikë, apo gjeopolitikë me deklaratën tuaj?

E ritheksoj se unë nuk kam bërë asnjë deklaratë e aq më tepër emotive. Unë veçse kam shprehur qendrimin e përhershëm të Familjes Mbretërore edhe për atë pjesë të njerëzve të cilëve memoria i është pluhurosur nga regjimi komunist.  Ne nuk kemi asnjë kompleks apo padurim dhe jemi me këmbë në tokë. Familja Mbretërore do të vazhdojë të punojë për të mirën e shqiptarëve nëpërmjet angazhimeve të saj brenda e jashtë vendit.

Do ta lini deklaratën në kufinjtë e një statusi në Facebook, apo do ta vijoni idenë e bashkimit nëpërmjet një mbreti?

Unë kam zgjedhur që kontributin e Familjes Mbretërore ta bazoj në punë konkrete e jo në polemika të çastit. Besoj se ky është një diskutim që ka nevojë për t’u studiuar dhe vlerësuar. Por obligimi im është të siguroj që Familja Mbretërore aktualisht të jetë në shërbim të kombit dhe promovuese e shtetit shqiptar dhe shtetit të Kosovës.

 

Në sytë e një Princi, sa nevojë ka Shqipëria për një monarki?

Sytë e mi shohin atë që sheh çdo shqiptar. Besoj që njerëzit kanë të drejtë të kenë një qeveri dhe opozitë që lufton kurrupsionin dhe sjell më shumë stabilitet ekonomik, siguri publike dhe drejtësi në të gjitha sferat e jetës. Mbi të gjitha të ushqejë shpresën tek njerëzit! Përsa i përket çështjes së mbretërisë, nuk do doja kurrë që raporti ynë me popullin shqiptar të ndërtohej mbi keqinformime, gënjeshtra dhe akuza. Këtu shteti shqiptar ka nje rol kyç për të pastruar memorien kolektive nga mbetjet e propagandës e cila ka kryqëzuar për gjysëm shekulli kontributin e Familjes Mbretërore. Uroj që koha të na ndihmojë për ta njohur më mirë njëri-tjetrin, larg mllefeve dhe urrejtjes së panevojshme ndër shqiptare.

A mendoni se po anashkaloheni, po “keqtrajtoheni” nga qeveria aktuale?

Ne funksionojmë brenda një statusi të veçantë i cili na lejon të bashkëpunojë me çdo qeveri. U jemi mirënjohës qeverive të Shqipërisë dhe Kosovës për mbështetjen që kanë dhënë në situata të hidhura, si edhe ato të lumtura që ka përjetuar Familja Mbretërore gjatë këtyre viteve. Të jemi të ndërgjegjshëm që pa mbështetjen dinamike të shtetit shqiptar, nuk do kishte qenë i mundur kthimi i Familjes Mbretërore në Atdhe, funerali zyrtar i Mbretit Leka, kthimi i eshtrave të Mbretit Zog, si edhe dasma jonë mbretërore që na solli shumë lumturi!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top