Dr. Rexhep Krasniqi, Prof. Vasil Allarupi, inxh. Ago Agaj, z. Adem Hodo, Dr. Hamdi Oruçi

Ja makina që “shpiku” Komunizma

Fjalim i Ago Shero Agaj

Thema që do të zhvilloj tash këtu është e vjetër, aq e vjetër sa dhe vetë njerëzia. Pra si çdo gjë e vjetër është e njohur prej të gjithëve dhe kam frikë se duke e përsëritur mos u mërzit, dhe për këtë shkak do të ndjek parimin e Martin Lutherit të Gjermanisë, i cili thoshte: “Tritt fest auf, mach’s Maul auf und hoer bald auf”, që në shqip ashiqare do të thotë: “Del në shesh i fortë, hape të shkretën gojë se nuk e ke vetëm për brumë dhe mbaro e largohu shpejt që të mos mërzitish dynjanë”.

Thema quhet: “Bashkim” dhe është e njohur por pak ose aspak e zbatuar prej popujve individualista siç jemi na, dhe natyrisht në dëmin t’onë e në të mirën e armiqve t‘onë. Kjo nevojë është vënë në dukje mijra vjet më parë me anën e njëj legjende. Kjo legjendë, thotë se, dikur një baba, para se të vdiste, i mblodhi djemtë e shumtë të tij dhe u dha nga një thupër në dorë dhe i urdhëroi t’i thyenin, gjë që ata e bënë me lehtësi.

Plaku mori prap aq thupëra, i bashkoi e i lidhi mirë dhe ua dha t’i thynin. Djemt e provuan por nuk qe e mundur. Atëhere plaku u tha, se, në qoftë se ata do të qëndronin të ndarë e të përçarë, ata do të thyheshin prej armiqve një nga një e me lehtësi të madhe, por në qoftë se, ata, do të qëndronin të bashkuar, nuk do të mundeshin kurrë. Ky bashkim ose bashkëpunim duhet të na vlejë për të luftuar komunizmën e cila popullin t’onë e ka poshtëruar më keq se skllavërit e motshëm se këta kishin lirinë e mendimit të fjalës e të besimit gjë që u është mohuar popullit t’onë. Veç kësaj atëhere vetëm skllavi fajtor dënohej, por jo familja e tij. Kurse kuçedra e Kuqe dënon kundërshtarin dhe persekuton brez pas brezi pasardhësit e këtij të pa fajshëm.

Komunizma është e vjetër sa njerëzia dhe ka dështuar sa herë që është vënë në zbatim. Edhe këtë herë, sado e perfekcionuar që të jetë do të dështojë se është në kundërshtim të plotë me ligjet e natyrës së njeriut dhe natyra nuk fal kurrë kundërvepëronjësit. Komunizma e quan njerinë maqinë të cillës i futet benzinë, i vihet shkëndia e zjarrit dhe ajo punon. Kështu komunizma i jep njeriut bukë, por dhe këtë, të keqe të pamjaftushme në vënd të benzinës dhe shkëndín e zjarrit e zëvëndëson me gërbaç. Por kjo mënyrë nuk ecën për shumë kohë dhe në shkoftë është e çalë e pa rendiment. Si punë skllavi që është mbetet e pa bereqet siç i thoshin të parët t’onë dhe shohëm se të gjithë popujt nën atë regjim vuajtën për bukën e gojës. Kështu që herë pas here detyrohen të blejën bereqet prej Amerike. Këto ditë Rusia e madhe bleu bereqet për 136 milionë dollarë. Rusia që është një herë e ca më e madhe se Shtetet e Bashkueme t’Amerikës. Tokat pjellore dhe burimet e saj të vajgurit, ndodhinat floriri, pyjet e saj, etj., janë të pafund. Po atyre që u mungojnë këto thesare si u vete halli? Të gjitha të mirat i ka toka ruse por i mungon thesari kryesor: i mungon liria, dhe kjo mungesë pengon të gjitha veprimet.

Shumë kohë para Marksit i cili shikon vetëm anën materiale, një njeri shumë, shumë më i madh nga ai, “Krishti”, ka thënë se njeriu nuk jeton dot vetëm me ushqim të trupit, por i duhet edhe ushqimi i shpirtit. Ushqimi i shpirtit është liria e mendimit, i cili çfaqet me fjalë e shkrim e veprim dhe ndrit e udhëheq njerëzinë në përparim gjithnjë më të lartë.

Këto të gjitha janë tabu në komunizmë dhe ajo mbahet më këmbë me terror të paparë ndonjë herë duke e hedhur popullin në mure e në gardh d.m.th. në burg, e vathë si kafshët e egra ndër kopshtet zoologjike. Të tillë hata historia edhe më e vjetëra nuk di të na tregojë mbi fiset barbare. U desh përparimi komunist i shekullit XX, që t’a çpik këtë metodë infernale dhe t’a vërë në zbatim.

Bota e lirë nuk i pranon këto hatara dhe është vazhdimisht në luftë të ftohtë kundër skllavërimit. Dhe këjo luftë do të vazhdojë gjer sa të mundet njëra prej tyre. Dhe ana e mundur do të jetë pa dyshim “bloku i skllavërisë” i cili ka filluar të shqepet si në Jugoslavi, Çekoslovaki, Rumani, Kinë etj.

Këjo përçarje është e pa ndalueshme se nuk bëhet për qejf, por për rivalitet e kundërshtim interesash jetike dhe ka për t‘u zgjëruar përherë e më tepër.

Më anën tjetër bota e lirë shkon drejt bashkimit si na tregon Tregu i Përbashkët Europian që u kompletua këto ditë dhe nisiativa e atyre popujve për të krijuar një institucion politik të përbashkët i cili edhe në këtë lëmë të flasë në emër të Europës.

Në këto ditë janë marrë nisiativa të mëdha edhe në vende të tjera të Botës së lirë të cilat do të sjellin konstelacione politike të reja e të ndryshme dhe për këtë e kanë trembur një pjesë të opinionit t’onë. Por na duhet të mos nënçmojmë inteligjencën, energjinë, dhe fuqinë materiale e shpirtërore të Shteteve të Bashkuara t’Amerikës dhe as atë të nisjatorit të kësaj politike.

Duhet të jemi të sigurt se luftimi i ftohtë do të vazhdojë dhe na nuk duhet të rrimë me duar lidhur, duhet të nxjerrim një zë të përbashkët duke kërkuar liri e të drejtat njërzore për popullin t’onë.

Kur themi populli ynë nuk mendojmë vetëm atë pjesë përbrenda kufive të cunguara të shtetit të sotëm shqiptar, por edhe gjysmën tjetër që jeton në koloninë serbo-malazeze-maqedhonase.

Dihen mirë legjendat e përrallat e trilluara në të cilën bazohen serbo-malazezët për të bërë koloni të tyre tokë shqiptare, por ku bazohen Maqedhonasit është hala një enigmë.

Sidoqoftë kolonitë që pas luftës së dytë botërore u zhduknë edhe në vendet më të errëta, të prapambetura e më të vogëla të botës dhe shohëm se 80 e ca ish-kolonira sot përfaqsohen në Kombet e Bashkuara si shtete të lira e të pamvarura. Shtete aq të vogla sa përfaqësonjësi i njërës prej tyre me rastin e votimeve për t’u pranuar Kina komuniste në Kombet e Bashkuara, u kërkua më kot dhe dikush propozoi që të gjendej më parë shteti dhe pastaj të kërkohej përfaqësonjësi.

Thamë se kolonitë u zhduknë në gjithë botën dhe se para pak ditëve kolonizimi u mallkua edhe prej Synodit të Romës. Por kolonia serbo-malazezo-maqedhonase vazhdon hala në mes të Europës. Kjo gjendje ësht një anakronizmë, padrejtësi e një anomali e cila duhet të zhduket përpara se të bëhet gangrenë e të helmojë Ballkanin dhe ndoshta Evropën mbarë.

Jo qëllime egoistike por qëllime kombëtare janë ato për të cilat na duhet të bashkohemi, të lëmë mënjanë mënitë e së shkuarës dhe të bashkohemi. Neve ç’na ndanë? Asgjë e arësyeshme veçse individualizmi i tepëruar ilirian që kemi në gjak.

Ky individualizmë nuk i la as ata vetë të formonin shtete të mëdha e të vazhdueshëm, por si na thotë Prof. Hans Krahe ata u dhanë popujve të tjerë impulsin shtytës drejt lartësimit e përsosmënisë dhe se pa Ilirët nuk do të kishte as Romë as Romakësí as Spartë as Dorianësí.
Të metat e të parëve tanë na pasardhësit e tyre nuk duhet t’i përsërijëm edhe pas 2000 vjetëve e në të XX shekull, se do të ishte turp e krim kundër sendeve më të shtrenjta të njërëzimit.

Është pra nevojë e domosdoshme që na të afrohemi për një bashkpunim kundër armiqve të idealeve më të shenjta të njerëzimit, kundër skllavëronjësve të popullit t’onë dhe këtë afrim duhet t’a bëjëm sa më parë se nuk dihet se ç‘sjell koha.

Prandej i ftojëm të gjithë Shqiptarët që kanë fatin të jetojën në botën e lirë që të mos tradhëtojën të shkuarën e tyre plot sakrifica të pa shembëllt gjatë 30 vjetëve, të hedhin poshtë të gjitha mënitë e ambicionet e vogëla e të pa denja për të kaluarën e tyre dhe të bashkohen rreth flamurit të pa yllë të kuq, dhe yllin e zjarrin e lirisë t’a ruajën në zemrën e tyre për sa të jenë gjallë.

Marrë nga “Lajmëtari i të Mërguemit” – New York, Numër i veçant, kushtuar 25 vjetorit të themelimit të Bllokut Kombëtar Indipendent, Nanduer 1946-1971

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top