Shkruan: Frank Shkreli
Nuk mund të ishte ndryshe! Ja i erdhi radha edhe ofendimit më të fundit kundër identitetit dhe historisë kombëtare të shqiptarëve. Kësaj radhe nga Mali i Zi, pikërisht nga e ashtuquajtura Akademi e Shkencave e Malit të Zi. Përveç pasqyrimeve të këtij lajmi në media nuk pashë ndonjë reagim zyrtar as nga Tirana (përveç një shkrimi nga deputetja shqiptare Ledi Shamku Shkreli) as nga Prishtina, as nga Shkupi as nga Podgorica dhe as nga shqiptarët nën Malin e Zi, me përjashtim të deputetit shqiptar nga Malësia, Nik Gjeloshaj, i cili kritikoi ashpër fjalorin e të ashtuquajturës akademi malazeze kundër shqiptarëve, që sipas tij i paraqet shqiptarët si, “agresorë, okupator dhe se përmes agresionit, kulturën dhe gjuhën u’a imponojnë të tjerëve me qëllime për t’i shqiptarizuar”, me pretendimin se edhe Malësorët e atyre trojeve autoktone shqiptare na qenkan të “shqiptarizuar”.
Ky ofendim ndaj shqipatarëve nga ana e Malit të Zi, nuk është i ratsësishëm as jashtë planeve ndoshta edhe koordinuese anti-shqiptare midis kryeqyteteve të tjera të shteteve fqinje ballkanike dhe “akademive të tyre të shkencave”, që janë venë re vitet e fundit. Ky lajm vjen pas disa ofendimeve të tjera nga burime të ndryshme të kohëve të fundit që i bëhen historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarëve. Kohë më parë — në radhën e disa shkrimeve mbi situatën e vështirë të shqiptarëve në Mal të Zi — kisha botuar një shkrim modest me titull: Grabitqarët Antishqiptarë Përsëri u Turren Trojeve Arbërore”, mbi përpjekjet e fundit e të vazhdueshme të armiqëve të kombit shqiptar për të mohuar ose për të tjetërsuar historinë e shqiptarëve. Më vjen keq për të përdorur fjalën “armiq”, sidomos në këtë periudhë të integrimit evropian dhe gjoja të bashkjetesës paqësore në çerekun e parë të këtij shekulli, për fqinjtë e shqiptarëve në Ballkan.
Por çfarë dhe si ta karakterizosh dike që jo vetëm historikisht por edhe tani në ditët e sotëme gjithnjë vazhdon të përpiqet, me të gjitha mjetet që ka në dispozicion, përfshirë politikanët më të lartë dhe njerëzit më të “mësuar“ të këtyre shteteve — që jo vetëm të tjetërsojnë historinë dhe autoktoninë e kombit shqiptar në trojet e veta, por të mohojnë krejtësisht ekzistencën e shqiptarëve si autokton në trojet e tyre, përfshirë edhe pretendimet greke anti-shqiptare në jug të Shqipërisë dhe mohimin e historisë dhe të autoktonisë shqiptare të Çamërisë martire – përveç përpjekjeve dhe pretendimeve sllavo-turke.
Duhet rikujtuar lexuesit se vetëm gjatë vitit të kaluar janë bërë përpjekje të hapta nga “akademi” të ndryshme dhe nga udhëheqsit më të lartë të disa vendeve fqinje dhe më larg të shqiptarëve, të cilët me deklaratat dhe me paraqitjet “akademike” të tyre i janë turrë përsëri tokave shqiptare me qëllim të tjetërsimit të historisë dhe të identitetit trako-ilirian të shqiptarëve. Kto hiena të egëra shekullore edhe sot mësyjnë gjithnjë çkombtarizimin dhe zbrazjen e trojeve shqiptare nepërmjet presioneve të ndryshme dhe tjetërsimit të historisë me qëllim të mohimit të identitetit arbëror të shqiptarëve. Jo shumë kohë më parë udhëheqës të lartë turq kishin bërë thirrje për ndryshimin e teksteve shkollore të historisë së Kosovës dhe të shqiptarëve, ndërkohë që Kryeminstri turk Ahmet Davutogllu kishte deklaruar gjatë një vizite në Shkup se vendi i tij, “po punon për të rilindur kulturën turke në Kosovë, në Shqipëri dhe në Maqedoni”. Ai u citua të ketë thënë gjithashtu se, “Ne do të dërgojmë nga një fjalor turqisht në çdo familje të Shkupit”. Në sytë e shumë vërejtësve ishte ky një vërtetim i ambicieve politike, diplomatike dhe ekonomike të Turqisë për të thelluar edhe më shumë influencën e saj në trojet autoktone shqiptare, anë e mbanë Ballkanit. Rasti tjetër i këtyre lojrave anti-shqiptare, ishin fyerjet kundër shqiptarëve në të ashtuquajturën “enciklopedi” të botuar nga Akademia e Shkencave e Maqedonisë në të cilën pretendohej se shqiptarët nuk kanë qenë të pranishëm në trojet e veta të sotëme nën Maqedoninë, as në antikitet dhe madje as në Mesjetë.
Një rast i tretë i kohëve të fundit –në përpjekje për të ndryshuar autoktonizmin e shqiptarëve në trojet e veta — ndodhi në rrethin e Ulqinit, ku popi i Kishës Ortodokse sllave në atë qytet, Radojica Bozhoviç paska shkuar në qytetin e vjetër shqiptar të Shasit për të bërë një shërbim liturgjik të fesë ortodokse mbrenda mureve tanimë të rrënuara të kishave të dikurshme katolike shqiptare të atij qyteti ilir. Edhe kjo ishte një përpjekje serbo-malazeze për të “provuar” historikisht se dikurë ato ishin kisha ortodokse sllave. Mirëpo, popi ka një problem se Shasi dhe as historia e tij nuk kanë të bëjnë aspak me fenë ortodokse serbe as me kulturën dhe historinë sllave. Shasi që gjëndet midis Shkodrës dhe Ulqinit, sipas historianëve, ka qenë dikur një prej katër “qyteteve satellitë” të Shkodrës, me shekuj qëndër me rëndësi e Kishës Katolike Shqiptare dhe e kulturës iliro-arbërore. Por, kjo nuk i ndalon serbo-malazezët që të përpiqen të përvetësojnë këtë histori antike të fisit të arbërit.
Dhe më në fund ishte e famshmja e ashtuquajtur Akademi e Shkencave dhe e Arteve e Serbisë, e cila me urdhër të qeverisë serbe dhe të Kishës Ortodokse serbe, vuri në dispozicion të gjithë mekanizmat e vet që të bindë shtetet anëtare të Organizatës së Kombeve të Bashkuara për Edukim, Shkencë dhe Kulturë, UNESCO, të mos votonin për anëtarësimin e Kosovës në këtë organizatë.
Mendohej dhe shpresohej se me shëmbjen e Murit të Belrinit, formulimet e vjetëra nacionaliste dhe anti-shkencore të fqinjve dhe ish-okupatorve shekullorë të trojeve shqiptare nuk do t’i ndëgjonim më në çerekun e parë të shekullit 21, sidomos në këtë periudhë të integrimeve evropiane e botërore. Por fatkeqsisht shihet se e kaluara nacionaliste e këtyre vendeve nuk ka ndryshuar fare përsa i përket pikëpamjeve të tyre mbi autoktoninë dhe mbi identitetin dhe kulturën shqiptare në trojet e veta në Ballkanin Përëndimor. Siç venë në dukje edhe pretendimet ofenduese të të ashtuquajturës akademi shkencash e Malit të Zi – e kaluara nacionaliste anti-shqiptare e këtyre popujve është “shëndosh e mirë” , në të vërtetë aktualja e sotëme e politikave të tyre anti-shqiptare është më e gjallë se kurrë.
Është fatkeq fakti se një lajm i tillë i fjalorit anti-shqiptar nga e ashtuquajtura Akademi Shkencore e Malit të Zi, përhapet pikërisht në prakun e festimeve të 10-vjetorit të shpalljes së pavarësisë së Malit të Zi, ku njoftohet se edhe Ulqini do ta shënojë këtë datë më 20 maj, ashtu siç thuhet në një komunikatë të komunës së Ulqinit me shumicë shiptare. Në të vërtetë ishin shqiptarët ata që votuan pothuaj unanimisht në favor të pavarësisë së Malit të Zi nga Serbia. Jam i sigurt se shqiptarët, duke votuar në favor të pavarësisë së Malit të Zi, 10-vjetë më parë, prisnin nga një shtet “demokratik e i pavarur”, një trajtim pak më dinjitoz jo vetëm ndaj tyre si shtetas, por edhe ndaj historisë dhe identitetit të tyre si qytetar autokton të atyre viseve. Çfarë zhgënjimi, kur të merret parasyshë gjithashtu edhe fakti se Mali i Zi posa nënshkroi të ënjtën në Bruksel edhe protokollin e antarësimit në NATO, gjë që do mundësojë Podgoricën të marrë pjesë si vëzhguese në takimet e aleancës, ndërkohë që nevojitet miratimi i të gjithë 29-vendeve anëtare të aleancës për ta pranuar si anëtare të saj.
Deputeti shqiptar në Parlamentin e Malit të Zi, Nik Gjeloshaj, duke shprehur indinjatën e tij ndaj fjalorit të përdorur kundër shqiptarëve nga e ashtuquajtura Akademi e Shkencave e Malit të Zi, u bën thirrje organeve përkatëse shtetërore dhe qeveritare që të dënojnë përdorimin e një gjuhe të tillë ofenduese kundër shqiptarëve dhe që të tërhiqet menjëherë gjuha e përdorur në atë botim. Reagime të tilla, si ajo e deputetit Gjeloshaj, duhet të ketë jo vetëm nga mbarë politika dhe komuniteti shqiptar nën Mal të Zi, por në raste të tilla, siç duhej reaguar edhe më heret, ofendime të këtij lloji kundër historisë dhe identitetit kombëtar të shqiptarve nga kushdo qoftë, nevojitin një përgjigje bashkrenduese dhe të pa dyshimt nga Tirana dhe nga Prishtina zyrtare, pasi ofendimi ndaj një shqiptari ose një grupi shqiptarësh kudo në trojet e veta, është një ofendim ndaj mbarë kombit shqiptar dhe si e tillë nevojit një përgjigje në nivel kombëtar.
Zgjohu o shqiptar, se nuk është nacionalizëm as fashizëm për të mbrojtur vet-veten dhe interesat tua, për të mbrojtur identitetin, kulturën, historinë dhe gjuhën tënde, në trojet tua. Kjo është detyra e çdo shqiptari, por sidomos është detyrë e përgjegjësi e kësaj klase politike që sot – me fat ose pa fat për kombin — përfaqëson këtë komb të vogël e krenarë krenar, por shpesh të nepërkëmbur, të viktimizuar dhe të vuajtur nga politikat e mbrendshëme dhe nga armiqtë e jashtëm. Është detyrë e përfaqsuesve politikë të kombit shqiptar për t’a mbrojtur atë dhe jo vetëm interesat e tija politike, diplomatike dhe ekonomike, por edhe vërtetësinë dhe interesat historike të tija, nga sulmet dhe shtrembërimet e vazhdueshme historike, nga kushdo qoftë. Përveç mbrojtjes territoriale të shtetit, kjo është përgjegjësia kryesore për udhëheqsit politikë të cilit do vend, përfshirë udhëheqsit shqiptarë kudo në trojet e veta.
Mos u shqetësoni shumë për Trump-at e kësaj bote, por interesohuni për fatin e kombit tuaj në trojet e veta autoktone, sepse me hallet e botës ka kush merret.
Keto mendime qe secila pale i quan te gabuara per palen tjeter zgjidhen me simpoziume shkencore albanologesh istorianesh dhe studiuesish qe duhen ftuar nga e gjithe bota, Prof. Gezim Boçarik
Keto ofendimi inkemi ndigjuar prej Imameve te vetquajtur qe nji dekad por ne kemi dhe po bejm Sehir