Ismail Taipi dhe Musa Ahmeti çajnë detin me not për ti shpëtuar ferrit komunist

“U nisën natën për të çarë 7 miljet me not në drejtim të Korfuzit. Iu lutën Zotit që t’i ndihmonte në këtë aventurë të pabesueshme, por vetëm të ikin prej ferrit komunist. Notuan plot 8 orë deri sa ia dolën të dilnin në Korfuz. Gazeta “Albanian-American” që dilte në Boston të SHBA-së do ta përcillte lajmin me titullin: Më mirë në fund të detit, a në bark të peshkut sesa në parajsën komuniste të Shqipërisë”

Gazeta “Albanian-American” që dilte në Boston të SHBA-së, i bëri jehonë ngjarjes së arratisjes së dy shqiptarëve. “Ismail Taipi dhe Musa Ahmeti çajnë detin me not”-njoftonte kjo gazetë. Si titull të madh vendoste thënien e tyre: “Më mirë në fund të detit, a në bark të peshkut sesa në parajsën komuniste të Shqipërisë”.

Këto ishin në fakt thëniet për njëri-tjetrin, një lloj betimi që kishin bërë para se të nisnin aventurën e arratisjes. Gazeta në vitin 1957 nëpërmjet korrespondentit të saj në Greqi sillte historinë e pazakontë të tyre.

Të dy djemtë ishin me origjinë çame. Në vitin 1945, kur ata ishin 11 vjeçarë, prindërit e tyre të përzënë nga grekët, u vendosën në lagjen “Skelë” të Vlorës. Pasi mbaruan shkollën fillore, nga nevoja ekonomike u detyruan të bëhen punëtorë krahu. Paga që merrnin ishte shumë e vogël, ndërsa lodhja shumë e madhe. Jeta u bëhej çdo ditë e paduruar, e vështirë dhe e mërzitshme. Gazeta shkruante: “Këta djelmosha prisnin të shikonin së shpejti parajsën socialiste që u predikohej çdo rast dhe në çdo vend nga agjitpropët e partisë e qeverisë. Pritën vite e vite me radhë, por horizonti, qielli dhe toka e Shqipërisë, në vend që të zbardheshin, errësoheshin edhe më tepër. Jeta e punëtorit në Shqipëri, sikurse jeta e të gjitha masave të tjera punonjësve, sapo vinte bëhej më e paduruar”.

Paga që merrnin nuk u dilte as për 3 ditë. Ata shfrytëzuan kohën kur u thirrën ushtarë. Fati e deshi të ishin të dy. Kur kompania e tyre u nis për të instaluar linjën telefonike Vlorë-Himarë-Sarandë-Butrint, ata gjetën rastin për arratisje. U nisën natën për të çarë 7 miljet me not në drejtim të Korfuzit. Iu lutën Zotit që t’i ndihmonte në këtë aventurë të pabesueshme, por vetëm të ikin prej ferrit komunist. Notuan plot 8 orë deri sa ia dolën të dilnin në Korfuz. Iu dha menjëherë ndihma e parë sepse ishin të lodhur e stërmunduar nga kjo sakrificë. Ishin betuar që më mirë t’ia hanin peshqit se sa të burgoseshin nga regjimi komunist.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top