Shkruan: Arbër Gashi
Diskursi për mbulesën ka shkaktuar polemika të ashpra gjithandej në rrjetet sociale. I nxitur si kërkesë e vazhdueshme e Bashkësisë Islame të Kosovës karshi institucioneve, ky diskurs ka ndikuar që shoqëria jonë të kyqet në debat dhe të japë së paku përmes rrjeteve sociale mendimin e saj. Kundërshtimet dhe përkrahja ndaj mbulesës islame në shkolla arsyetohen me argumente të ndryshme. Në këtë debat të zëshëm dhe shpeshherë shumë emocional, spikasin kërkesat e shumta për të respektuar islamin tradicional, për të cilin, shumica e debatuesve nuk e kanë të qartë se për ç’farë islami bëhet fjalë.
Islami tradicional ashtu siç e kupton një pjesë e shoqërisë tonë
Para Luftës së Dytë Botërore, në territorin ku jetonin shqiptarët e pushtuar nga ish-Jugosllavia, nuk ekzistonte liria politike për popullin tonë dhe e drejta njerëzore për t’u deklaruar si shqiptarë konsiderohej krim i madh. Në këtë periudhë, e vetmja parti që kamuflohej si përfaqësuese e interesave të popullit ishte Partia Islame “Xhemijeti”, e formuar në vitin 1921 me kërkesë të Nikolla Pashiqit dhe në marrëveshje të plotë me të vdekurin e Bosforit, Perandorinë Osmane. Ekzistenca e kësaj partie ia mundësoi Serbisë që para Lidhjes së Kombeve ta arsyetojë sundimin e dorës së fortë. Dy vite më vonë, Perandoria Osmane u zhduk nga harta politike e botës. Lindi Turqia e Ataturkut e cila i trashëgoi të gjitha marrëveshjet e ish-Perandorisë, përfshirë aty edhe marrëveshjen e Serbisë me Perandorinë Osmane për myslimanët e mbetur në territorin evropian. Ekzistenca e Partisë islame “Xhemijeti” dhe koalicioni i saj me Partinë Radikale të Serbisë ishte marrëveshje ndërkombëtare kundër interesave të popullit shqiptar. Madje, deputetët që herë pas here shpërfaqnin atribute kombëtare shqiptare e pësonin dhe zëvendësoheshin pa zhurmë me deputet më të përshtatshëm për interesat e Serbisë dhe interesat e Partisë Islame “Xhemijeti”. Kjo periudhë kohore që në popullin tonë njihet si periudha më e rëndë e pushtimit, dhunës dhe poshtërimit kolektiv, nuk kaloi pa pasoja. Urrejtja ndaj Serbisë pushtuese dhe urrejtja ndaj disa përfaqësuesve të bashkësisë islame që koketonin hapur me Serbinë dhe që e mbështesnin me të gjitha mjetet e mundshme planin e akademikut serb Vaso Çubrilloviq, si dhe marrëveshjen serbo-turke për shpërnguljen e shqiptarëve drejt Turqisë, kishte arritur kulmin. Për rrjedhojë, momenti kur filloi bombardimi gjerman i Jugosllavisë së Parë, për shqiptarët e Kosovës me vise ishte sinjal i qartë se kah do të orientohen dhe pse. Populli shpresonte që me ndihmën e gjermanëve dhe italianëve do të shpëtonte nga sundimi serb e islamik, nga dhuna, çnjerëzimi, prapambeturia, varfëria dhe që më në fund, pas shumë shekujve vuajtje e mjerim, edhe populli ynë do ta gëzonte lirinë e vet, të gëzohej e të festonte në festat kombëtare, të rihapte shkollat shqipe dhe të mësonte gjuhën dhe kulturën e tij. Brenda asaj periudhe të shkurtë kohore të sundimit gjerman e italian në trojet tona, u hapën shollat shqipe, filloi një periudhë e re e vetëdijësimit të shqiptarëve për vlerat kombëtare, për kulturën tonë, për të kaluarën e dhimbshme, si dhe u projektua ideja për të ardhmen e përbashkët, për lirinë kombëtare, për një Shqipëri etnike e demokratike, për një Shqipëri evropiane, të lirë e të pavarur nga sundimi i kolonistëve sllav dhe bashkpunëtorëve të tyre islamik.
Përfundimi i Luftës së Dytë Botërore dhe humbja e madhe që pësuan shqiptarët e Kosovës me vise pas saj, u shoqërua edhe me një fitore që aspak nuk i shkonte përshtati Serbisë dhe bashkësisë islame të asaj kohe. Megjithatë, ishin rrethanat ndërkombëtare ato që ndikuan në hapjen e shkollave shqipe, edhepse planprogramet dhe synimet ideologjike të kësaj shkolle ishin tërësisht në kundërshtim me synimin dhe idenë e rrënjosur thellë në shpirtin e popullit tonë. Pushtuesi i vjetër i dha mbështetje të madhe shkollave islamike edhe pas Luftës së Dytë Botërore, por ato nuk i përfilli pjesa më e madhe e popullit shqiptar. Madje, lufta e shqiptarëve në ish-Jugosllavi kundër mbulesës së imponuar islamike mori përmasa të atilla që e detyroi bashkësinë islame të sillej ndryshe dhe që planet e saj t’i lë në sirtarë e t’i realizoj në kohë më të përshtatshme. Kjo periudhë, në të cilën ndikimi i bashkësisë islame ishte shumë i vogël, nga një pjesë e madhe e shoqërisë tonë konsiderohet si islam tradicional. Pra, kjo pjesë e shoqërisë, sot, në shekullin XXI, mungesën e këtij të ashtuquajturi Islam Tradicional e ndjenë në shpirtë dhe në çdo hap. Por, kjo mungesë që ndjenë shoqëria jonë nuk ka asgjë të përbashkët me islamin e vërtetë, sepse Islami i Vërtetë është diçka krejt tjetër. Islami i vërtetë është kulturë islame, besim islam, dije islame dhe ligj islam. Islami Tradicional, shiquar nga perspektiva islamike, është dhunë e papërmbajtur e kulturës shqiptare ndaj Islamit të Vërtetë. Dhe, ky këndvështrim islamik, nga perspektiva e islamikëve, nuk është fare i gabuar, sepse sipas besimit islam, ligjet e huaja e sundojnë islamin vetëm atëherë kur islami është pakicë e madhe dhe jo anasjelltas. Pra, sado që të qajmë e të përlotemi për mungesën e islamit tradicional, për islamikët kjo nuk ka fare rëndësi. Madje, për islamikët dhe Islamin e Vërtetë kjo është dëshmi e fitores përfundimtare të kulturës, besimit, dijes dhe ligjit islam karshi imponimit që ia bëri dikur kultura, besimi, Kanuni dhe dija shqiptare.
Lufta e qytetërimeve në shtetin tonë të ri
Hoxha që e ardhuron Skenderbeun, shiquar nga këndvështrimi i Islamit të Vërtetë, është një qafir shumë i madh, i veshur me petkun islamik e që e ofendon shumë rëndë kulturën, dijen, ligjin dhe besimin islam. Për këtë arsye, shoqëria shqiptare e këtij shekulli dhe shteti ynë i ri, nuk kanë fare të drejtë t’ua imponojnë hoxhallarëve Skenderbeun, e as të kërkojnë prej tyre që ata të ndjehen shqiptarë, sepse, nga këndvështrimi i hoxhallarëve, kjo kërkesë percpetohet me plot të drejtë si dhunë e skajshme ndaj besimit, dijes dhe kulturës islame. Megjithatë, prej tyre, shteti mund të kërkojë që të mos e keqpërdorin Flamurin e Skenderbeut, sepse këtë veprim, ata po e bëjnë hapur për interesa të rekrutimit të jeniçerëve të rinjë.
Lufta e qytetërimeve që është zhvilluar dhe po zhvillohet te ne, nuk është diçka e re. As liria e fituar në vitin 1999 nuk e shmangë rrezikun dhe nuk e garanton mbijetesën e kulturës tonë kombëtare. Madje, protagonist shumë të zellshëm të asaj lufte, sot janë pozicionuar në istikamet e Islamit të Vërtetë dhe ëndërra e tyre është që në Bruksel, në Parlamentin Evropian, shteti ynë të përfaqësohet me simbolet e triumfit të kësaj ideologjie, këtij besimi, kësaj dije dhe kësaj kulture. Ne shqiptarëve mundet mos me na pëlqy fare ky synim, por kjo ndjenjë ka të bëjë vetëm me ne dhe jo aspak me ndjenjat, frymën dhe shpirtin e përfaqësuesve të Islamit të Vërtetë. Siç u tha më lart, Islami i Vërtetë është kulturë, është besim, është ligj, është politikë islamike dhe për pasojë, Islamin Tradicional që e dëshiron një pjesë e shoqërisë tonë, e konsideron dhunë, luftë dhe pengesë që duhet kapërcyer në interes të realizimit të synimeve fetare dhe politike. Islami i Vërtetë, Islamin e dëshiruar Tradicional, tash për tash po e konsideron edhe si material ndërtimi. Madje, kjo metodë e trajtimit të islamit tradicional nga islami i vërtetë ka dhënë rezultate të dukshme në terrenin ku po zhvillohet lufta e ftohtë e qytetnimeve. Pre e kësaj lufte kanë rënë dhe po bien përditë profesorët, mësuesit, akademikët, artistët, sportistët dhe një pjesë e madhe e atyre që nuk e kemi besuar kurrë që do të dorëzohen, po e lëshojnë pa luftë e pa fjalë Flamurin e Skenderbeut dhe po i nënshtrohen Islamit të Vërtetë dhe Flamurit të tij.
Epilogu i luftës së ftohtë të qytetërimeve në trojet tona
Humbjet që populli dhe kultura shqiptare i kanë pësuar gjatë dy dekadave të fundit, nuk mund të anashkalohen dhe nuk do të mbesin pa pasoja për të ardhmen. Ndryshimi radikal ka ndodhur. Një pjesë e shoqërisë tonë është ndarë me vetdëshirë dhe i është bashkuar Islamit të Vërtetë. Ata e kanë krijuar identitetin e tyre të ri, të ndryshëm nga identiteti ynë dhe kultura jonë kombëtare. Ata besojnë ndryshe nga ajo që besojmë ne, pavarësisht faktit që ne ende e flasim të njëjtën gjuhë. Sot për sot, ne nuk kemi identitet të përbashkët dhe nuk kemi perspektivë të përbashkët. Madje, ne nuk kemi as debat akademik për këto çështje të rëndësisë ekzistenciale. Kjo heshtje që i ka pllakosur intelektualët nuk është e rastësishme. Heshtja është shenjë e psiçikës tonë kolektive të brumosur me përjetime identike në të kaluarën. Është shenjë e furtunës që na pret dhe pasigurisë që sjell ajo.