Ish-Presidenti i Shteteve të Bashkuara, George Herbert Walker Bush, është vendosur nën kujdesin intensiv për shkak të pneumonisë, ndonëse raportohet se gjendja e tij është “stabile”.
Ai është dërguar në spital para katër ditësh në Houston të Teksasit, pasi ka pasur probleme me frymëmarrjen.
Zëdhënësi i familjes Bush, Jim McGrath, ka thënë se edhe bashkëshortja e ish presidentit, Barbara Bush është hospitalizuar për shkak të lodhjes dhe kollitjes.
McGrath ka thënë se më 18 janar Bushit të vjetër i janë dhënë qetësues me qëllim të pastrimit të kanaleve të frymëmarrjes, ndërsa në kujdes intensiv po mbahet nën mbikqyrje.
Zoti Bush është ish-presidenti më i moshuar i gjallë i Shteteve të Bashkuara, dhe babai i presidentit tjetër amerikan, George Bush i Riu.
George Herbert Walker Bush do mbahet mend si presidenti i parë amerikan që adresoi shqetësimin zyrtar përmes Kërcënimit të Kërshëndellave ndaj Serbisë pushtuese, duke e vënë si prioritet të administratës amerikane kujdesin dhe mbrojtjen e Kosovës nga gjenocidi.