IRJM: “Shqiptarët e mirë janë shqiptarët e vdekur”

18, Pri, 2016 | SPORTI

Urrejtja ndaj shqiptarëve nga fqinjët ballkanik ka dalë në pah përsëri në një ndeshje futbolli të zhvilluar dje në Maqedoni.

Derbi kryesor për titull të ligës ndërmjet Vardarit dhe Shkëndijes i zhvilluar dje në Shkup nuk ka kaluar pa incidente, pasi tifozët e ekipit maqedonas kanë kënduar kore raciste kundër tivozëve shqiptar të ekipit tetovar, transmeton Koha.net.

Thirrja tashmë e njohur “Shqiptarët e mirë janë shqiptarët e vdekur” ishte kënga raciste që ata këndonin kundrejt tifozëve mysafirë, të cilët edhe i sulmuan fizikisht në vazhdim të takimit.

Prezent në këtë takim ishte edhe kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, i cili është fans i Shkëndijes. Ai përmes një postimi në Facebook ka treguar rrjedhën e kësaj ndeshje.

“Dje isha në ndeshjen vendimtare të kampionatit në mes të Vardarit dhe Shkëndijës në Shkup. Tifozëve të Shkëndijës i ishte ndaluar hyrja në stadium ndërsa aty ishin mbledhur rreth 2 mijë tifozë të Vardarit. Ne ishim rreth 20 shqiptarë, mysafirë të klubit Shkëndija të cilëve udhëheqësia e Vardarit na kishte vendosur në mes të tifozëve të Vardarit”, ka shkruar Ahmeti.

Ai ka thënë se gjatë gjithë lojës këndimet e tifozëve të Vardarit ishin të llojit “shqiptarët e mirë janë shqiptarët e vdekur”.

“Pasi shënoi Vardari, gjërat u tensionuan edhe më shumë sepse ata e kishin të qartë që aty jemi rreth 20 shqiptarë. Kur filluan të këndojnë se të gjithë maqedonasit të ngritën në këmbë e vërtetuan se ishim shqiptarë. Mirëpo incidenti ndodhi kur Shkëndija shënoi golin e barazimit, ndërsa kryetari i klubit të Shkëndijës u ngrit në këmbë për të festuar. Që nga ai moment, filluan të gjuajnë gjësende në drejtim tonin, duke goditur disa nga personat që ishin aty. Policia erdhi me vonesë, dhe u mundua t’i qetësojë por pa sukses. U detyruan të na nxjerrin nga ndeshja për sigurinë tonë”, ka shkruar më tutje kreu i Prishtinës.