INTERVISTOI: FERDIN LIÇAJ
E mbajtur në 20 Gusht 2010
Zoti Novruz Shehu, ju para disa viteve keni bërë problem mediatik zhdukjen e Arkivit të Mitat Frashërit. A jeni ende i predispozuar për këtë arkiv?
Patjetër është një nga objektivat e mi si studjues, intelektual dhe si qytetar shqiptar. Heshtja totale ndaj denoncimit të vjedhjes së Mitat Frashërit m’i shton më tepër forcat dhe angazhimin personal. Këtë, trafikantët e Arkivit nuk mund ta kuptojnë pasi mendojnë se gjithcka në botë vërtitet rreth parasë, por për fat të keq ata gabojnë. Unë i përkas lobit të idealistëve dhe pa idealistët kombet zhduken ndërsa planeti shkon drejt shpërbërjes totale. Unë e dua jetën për të gjithë komunitetin , natyrisht që të jetoj dhe vet si individ, por kurrë që të bëhem pjesë e krimit. Mund t’ju deklaroj për herë të parë, pas pasurimit me fakte të tjera të rinj, se vjedhja e arkivit të Mitat Frashërit është vjedhja më e madhe e shekullit të XX për Shqipërinë por që do të quhej e tillë për ç’do komb të qytetëruar.
A mund të na thoni se çfarë kuptohet apo më saktë cfarë informacioni keni për këtë Arkiv?
Arkivi i Mitat Frashërit përmbledh një sasi të jashtëzakonëshme dokumentesh të të gjithë emigrantëve të diasporës shqiptare kryesisht gjatë periudhës së luftës së dytë botërore por edhe për të gjithë shekullin e XX të. Aty ka korrespodenca të përsonaliteteve më të shquar të Shqipërisë , programe e aktivitete partish politike, shoqatash, jetëshkrime individësh dhe aktivitetet e tyre, fotografi nga shumë aktivitete të personaliteteve të ndryshëm në të cilët pasqyrohen (nëpërmjet dokumenteve autentikë) qëndrime të personaliteteve apo të institucioneve e shoqatave të huaja për Shqipërinë etj..
Aty ka krijime të pabotuar ndonjëherë por edhe programe të forcave politike kryesisht atyre me orjentim antikomunist.
Ka një morì ose mjaft koleksione të gazetave dhe revistave që janë botuar gjatë shekullit të XX-të si dhe një korrespodencë mjaftë e pasur dhe e rëndësishmë ndëmjet Vasil Andonit dhe Mit’hat Frashërit.
Mund t’ju them se janë dokumente kryesore , të pa njohur e për pasojë të pabotuar ndonjëherë më pare. Ato kanë vlera investigative për historinë e Shqipërisë. Pjesa më e rëndësishme e tyre i përket luftës së dytë botërore ku një sasi e konsiderueshme fotografish (rreth 76000 të tilla), e shoqëruar edhe me filmat përkatës, e bëjnë ende më të rëndësishëm arkivin në fjalë. Por, në se më lejoni të theksoj sa për kuriozitetin tuaj, peshen fizike të këtij arkivi! Janë plot 1500 kuintalë (kv) dokumente ose njëmijë e pesëqind kuitalë e shprehur me fjalë. Shprehur më qartë kjo pasuri, në fakt, i’a kalon vlerës së 1500 tonëve ar. Pra, të ikën mëndja e kokës! Në botë të prangosin për një dokument, në shqipëri disa të ashtuquajtur vet-pronarë të arkivit mbajnë peng 15 kuitalë dokumente (!!). Natyrisht në se do të ishte ar duhet kuptuar se nuk do të ndodhte kështu, mbasi hetuesit, gjykatësit, prokurorët ministrat e të gjithë taborrët e tyre do të suleshin si qentë për ta gjetur atë, dhe jo vetëm kaq por, dy të tretat e tjera të dokumenteve (përvec këtyre) ndodhen në Çikago ku intelektualët, të tmerruar nga bëmat e këtushme, kanë vendosur të mos t’i dërgojnë në Shqipëri.
A keni dijeni se çfarë përmbajnë fotografitë?
Me aq sa kam informacion, ato janë foto të pushkatimeve që kanë kryer komunistet gjatë luftës së dytë botërore dhe jo vetëm kaq. Ka aktivitete e takime me shoqata e personalitete të misioneve të huaj në Shqipëri, procesverbale të ndryshëm, por jo vetëm kaq. Aty janë të fiksuar në celuloidë mjaft krime, nga më monstruozët, që janë kryer gjatë luftës së dytë botërore te të cilët, unë mendoj se mund të jenë regjistruar edhe autorët e krimeve , fakt ky që e bën këtë arkiv të rrethohet nga heshtja dhe nga indiferentizmi absolut, si të vetmet armë që mund të përdoren për ta zhdukur atë krejtësisht.
Do dëshironim të dinim diçka rreth historikut të ardhjes së këtij arkivi në Shqipëri.
Për egzistencën dhe zhdukjen e këtij arkivi e mora vesh rastësisht në një lokal dhe nuk mbaj mend as emrin e personit me të cilin bisedova. Në fakt kërkova ndihmën e medias dhe m’u përgjigj vetëm gazeta ‘NDRYSHE’, e cila shprehu gatishmërinë të më mbështeste në hulumtimet e mija. Nga investigimi i mëtejshëm mësova se arkivi i Mit’hat Frashërit ishte sjellë në Shqipëri pas vitit 1993 nga një person me mbiemrin Turdiu, së bashku me një person tjetër. Arkivi i’u dorëzua Partisë së Ballit Kombëtar, nuk dihet se për cilën arësye, por mendoj se pikërisht këtu nis projekti i zhdukjes së tij pasi nuk kishte përse të dorëzohej te një forcë politike, e jo në Arkivin e Shtetit. Nuk ma ha mëndja të ketë qënë amanet i një personaliteti si Mit’hat Frashëri apo i ndonjë burri tjetër të mënçur në përmasat e tij, që e dinë se çfarë vlere ka arkivi e çfarë vlere ka një forcë politike që në fund të fundit ka jetëgjatësi të përkohëshme.
Nga anëtari i kryesisë së Ballit Kombëtar, Spartak Picari, ky arkiv, në vitin 1997 U PERCOLL GJOJA PËR TU STREHUAR te Biblioteka Kombëtare te njëfarë Neriman Basha, e cila e mbajti aty pa asnjë procesverbal dhe më vonë ky Spartak Picari, si ç’më thanë në Ballin Kombëtar, e transferoi arkivin në një fshat anonym i shoqëruar nga një grup bashkpunëtorësh. Pretendimi për gjithçka që u ndëmorr ishte se në Shqiperi kishte nisur një trazirë e madhe gjatë vitit 1997 e për këtë arësye arkivi duhej të sigurohej. Pyetja shtrohet: Përse të mos të sigurohej në arkivin e shtetit por nëpër xhepa e nëpër shtëpi personash anonim, pa asnjë procesverbal, këtë natyrisht e di Spartak Picari dhe Adriatik Alimadhi i cili sot është zvëndësministër i qeverisë dhe njëkohësisht një nga turdinjtë që aktualisht është në ministrinë e jashtëme të Shqipërisë.
Cilët argumente ju dhanë atëhere?
Asnjë argument! Mësova se arkivi strehohej diku, se në Partinë e Ballit Kombëtar ishin kapakët e regjistrave të arkivit, se kryesia e Ballit Kombëtar e kish hedhur këtë çështje në gjyq duke realizuar kështu një justifikim për grabitjen e ligjëshme qe i bëri arkivit mbasi gjykata ‘e nderuar’ e mbylli çështjen si të kish të bënte me një kosh mbeturinash dhe jo me pasurinë më të madhe intelektuale të Shqipërisë. E theksoj si pasurinë më të madhe pasi aty janë angazhuar disa qindra intelektualë idealiste në të gjitha vendet e botës si në Angli, në Amerikë, në Belgjikë, në Austri, në Australi, në Itali, në Greqi etj.
Kryetari Partisë së Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi, më paraqiti dokumentet e gjyqit i cili e kish mbyllur çështjen në formë të prerë dhe dyshoj se në këtë vendim kanë marrë pjesë personalitete të politikës qëndrore në Shqipëri kryesisht në presidencën e kohës .
Mirë që gjykata e mbylli, por përse nuk u kërkua gjyq tjetër qoftë edhe me ekspertë ndërkombëtarë? Kryetari I Partisë së Ballit sot eshtë zvëndës ministër, a ka rast më të mirë për t’ia bërë prezent kryeministrit e të këmbngulë për tu kthyer ky arkiv pranë arkivit të shtetit, natyrisht aq sa ka mbetur se nuk dihet se në cilat rrëza janë future dokumentet arkivorë. Kryetari i Partisë së Ballit Kombëtar dhe Spartak Picari e dinë të plotë odisenë e mbajtjes peng të këtij arkivi që nuk ka të drejtë askush ta mbajë peng, nuk ka të drejtë askush të rrijë indiferent, nuk ka të drejtë askush të përdhunojë mundin, djersën, vullnetin, aktivitetin e intelektualëve më të Shquar të Shqipërisë që u detyruan të banonin, të vepronin e të vdisnin nëpër botë. Është e tmerrshme të mendosh se ka guximtarë që rrinë indiferentë ndaj mbajtjes peng të këtij arkivi , që kërkojnë ta quajnë këtë arkiv pronë të një grupi intelektualësh ordinerë që pretendojnë se janë intelektualë përfaqësues të së djathtës.
Mund të pohoj se qëndrimi në komunizëm ka qënë shumë më tëpër korekt se sa qëndrimi i ballistëve të sotëm. Shkoni në arkiv dhe do të shikoni se asnjë kundërshtari të komunizmit nuk i janë djegur dokumentet. Bile ka qënë orientim që të ruheshin me fanatizëm dhe vetëm shgarravitja e një dokumenti e shpinte punonjësin e arkivit në pranga. Është e tmerrshme që ballistët djegin historinë e tyre! Personat përgjegjës duhet të vendosen para drejtësisë dhe nuk ka asnjifarë justifikimi, Duhet, në mënyrë urgjente, që drejtësia të sjellë në arkivin e shtetit këtë pronë me vlerë të jashtëzakonëshme. Kam shpresë se Gazeta Shqiptare nuk do ta jap vetëm si një sensacion mediatik, por do ta shpjerë deri në fund këtë betëjë intelektuale ndaj një grupi trafikantësh të cështjes sonë kombëtare.
A mendoni se ky arkiv mund të egzistojë?
Patjetër! Spartak Picari shetit i qetë te Brryli i Unazës, Adriatik Alimadhi rri i qetë në karrigen e zvëndësministrit, një tjetër bën politikë kombëtare në Ministrinë e jashtëme, Neriman Basha thonë se është për një weekend në Amerikë, një ish i burgosur politik përdredh mustaqet e mbajtura herët etj., ndërsa arkivi flë në një fshat të Tiranës i kafshuar nga britmat e shpirtrave të të vdekurve jashtë atdheut…
Nuk besoj se në botë mund të krahasohet ky akt me ndonjë akt tjetër më të turpshëm, dhe më lejoni t’Ju siguroj se, në këtë rast nuk kemi të bëjmë me një përrallë me tigra e me personazhe të kategorisë ‘horror’ por me një grup trafikantësh me ligësinë dhe dëmet e monstrave.
Zoti bekoftë cilindo që do të shpjerë deri në fund rikthimin e këtij arkivi në vendin që i takon.