Zotni Xhafer, Shqipëria po lëngon, ndërsa shqiptarët po shprehin gatishmëri të shpërngulen! A mund të na thoni, pse dhe çka po ndodhë realisht në vendin e shqipeve, cilat janë alternativat e mundshme dhe, shiquar realisht, a posedojnë alternativë të mirëfilltë politike e ekonomike qytetarët e Shqipërisë?
Shpërngulja e shqiptarëve është drama më e madhe që po i ndodh kombit shqiptar. Pyetjen tuaj duhet ta analizojë çdo shqiptar që i dhimbset atdheu.
Sipas meje, arsyet janë disa, por kryesorja duket se është zhgënjimi i madh që pësuan shqiptarët pas viteve 1990. Kështu, ëndrra e shqiptarëve për liri dhe demokraci nuk u realizua, sepse pluralizmi politik, që në fillim ishte i kontrolluar nga elita e regjimit stalinist dhe si i tillë, rezultoi i korruptuar.
E njëjta gjë mund të thuhet edhe për Kosovën, ku pas luftës u përsëritën disa dukuri si në Shqipërinë e 1945-ës, ndërsa aktualisht janë të njëjtat probleme si në tërë hapsirën shqiptare.
Pluralizmi i korruptuar ka prodhuar, në përgjithësi, edhe një klasë politike të tillë dhe një sistem juridik po ashtu. Trashëgimtarët e regjimit stalinist, nëpërmjet lidhjeve fisnore dhe nepotizmit prej 75 vjetësh sundojnë dhe grabitin. Këta kanë privatizuar për vete dhe tutorët e tyre ndërkombëtarë sektorët strategjikë të ekonomisë, resurset e vendit si dhe kanë dhënë qindra koncesione. Këta menaxhojnë buxhetin e shtetit që mbushet me taksat e qytetarëve, të cilat i rrisin në mënyrë abuzive, duke mos marrë parasysh as nivelin ekonomik dhe as aftësinë paguese të qytetarëve. Këta zotërojnë median dhe janë po këta që kanë kanabizuar Shqipërinë. Kjo pakicë jeton në luks duke zhytur në mjerim pjesën tjetër të shoqërisë.
Në këto kushte, qytetarët nuk kanë as mbrojtje nga sindikatat, sepse ato nuk ekzistojnë, as përfaqësim politik sepse partitë janë kapur nga biznesmenët; qytetarët nuk gjejnë dot drejtësi pasiqë ajo shitet nga gjyqtarët dhe e blejnë kategoritë e mësipërme.
E në kushtet e dëshpërimit, shqiptarët po braktisin atdheun. Se çfarë dhimbje do të jetë kjo për kombin shqiptar, mjafton të bëjmë një krahasim: kemi me qindra vjet që kujtojmë me trishtim emigrimin e disa mijëra shqiptarëve drejt Italisë dhe Greqisë, ndërsa sot, janë shpërngulur nga atdheu më shumë se një milion shqiptarë!
Shqiptarët ndodhen në pozitë shumë të vështirë dhe alternativë e vetme duhet të jetë përmbysja e kësaj klase të degjeneruar për të ndërtuar shtetin e së drejtës. Shtetin që të jetë në shërbim të qytetarit dhe jo e kundërta; ku qytetarët të ndjehen të barabartë përpara të drejtave, të vlerësuar e të nderuar në atdheun e tyre. Kjo mund të realizohet kur në krye të këtyre proceseve të vihen njerëzit e ndershëm, të rinjtë vizionarë dhe intelektualët idealistë.
Si i vlerësoni Marrëveshjet e Qeverive të Shqipërisë (PD e PS) me shtetin grek, si dhe, pse në çështjet që bartin vlera të interesit kombëtar, siç mund të cilësohen Marrëveshjet me Greqinë, në Shqipëri mungon koncenzusi, mungon bashkimi i spektrit politik, në mbrojtje të interesit kombëtar e shtetëror?
Marrëveshjet ndërkombëtare, si rregull, lidhen sipas një procedure të caktuar ku pasi arrihet marrëveshja midis palëve, për objektin e saj, ajo ratifikohet në parlamentet respektive.
Mirëpo, kur objekt i marrëveshjes është territori shtetëror, procedura nuk është kaq e thjeshtë sepse objekti është kushtetues dhe i mbrojtur. Në këtë rast, duhet të ketë konsensus të gjerë dhe përfaqësim po ashtu, ku rolin kryesor ta ketë kryetari i shtetit. Përfaqësimi i gjërë është i domosdoshëm edhe për faktin se në fushatën elektorale partitë nuk e kishin shpalosur në program. Dhe kur nuk i është thënë popullit, duhet që t’i thuhet doemos, për të zhvilluar debat publik, i cili të shpie tek konsensusi.
Kushti i dytë që duhet të përmbushet është transparenca e marrëveshjes përpara shtetasve, sepse të gjithë janë të pyetshëm kur është fjala për interesin kombëtar dhe atë shtetëror.
Në rastin konkret, të marrëveshjes së qeverisë së Shqipërisë me shtetin grek, këto janë të domosdoshme edhe për shkak të historisë. Marrëveshjet e hapura dhe të drejta i bëjnë ato të qendrueshme dhe forcojnë miqësinë midis shteteve dhe respektin e ndërsjelltë midis popujve.
Në veprën “Shqipëria 1878 – 1928”, ju e keni trajtuar rolin e elitës politike shqiptare. A mund të na thoni se, cili nga personalitetet e asaj kohe i mungon sot Shqipërisë dhe pse?
Aty nga viti 1878 filloi procesi i rritjes së vetëdijes për formimin e shtetit shqiptar, i cili, siç dihet, u shpall më 1912 dhe mori formën e plotë të një shteti modern më 1928, me legjislacionin kushtetues, civil dhe penal.
Gjatë kësaj periudhe kanë dhënë kontributin e tyre elita politike dhe intelektuale e kohës dhe paria lokale. Ka patur shumë personazhe që kanë lënë gjurmë në fushën e politikës, arsimit, diplomacisë etj. Për fat të keq, historiografia zyrtare nuk e pasqyron në tërë dimensionin e saj përiudhën në fjalë.
Në këtë studim, më shumë se sa me personazhet, jam marrë me idetë dhe ngjarjet historike që sollën ato ndryshime dhe në këtë mënyrë dalin vetiu edhe personazhet dhe idetë e tyre. Personazhet historike nuk janë parë në funksion të klasës që i përkisnin, ideologjisë që mbartnin, partisë ku bënin pjesë, por në raport me Atdheun.
Qëllimi i trajtimit të kësaj lënde historike ka qenë njohja e një epoke ku shkëlqyen episode të forcës e të vlerave, ku u derdh shumë gjak e shumë lot nga një popull i vogël, i goditur në zemër të humanizmit të tij, në dashurinë për atdheun dhe besimin e tij.
Duke ndriçuar të shkuarën e vërtetë të popullit tonë, kujtojmë me mirënjohje dhe respekt sakrificat dhe flijimin e të parëve tanë dhe mësojmë shkaqet e mjerimeve tona.
Nisur nga këto motive, mund të themi me siguri se Shqipërisë së sotme i mungojnë shumë nga ato personazhe dhe vlerat që cituam më sipër. Përse?!
Sepse e majta që sundon vendin prej 74 vjetësh, nëpërmjet historianëve marksistë, ka shkruar historinë, sipas “parimit” të luftës së klasave dhe ndarjes “Patriot” – “Tradhëtar”. Për atë periudhë e Majta nuk ka asnjë rol dhe kontribut, sepse dihet që veprimtaria e saj politike institucionalizohet në qershor 1924, ndërsa pas vitit 1943 si forma më ekstreme, stalinizmi.
Diktatura komuniste i anatemoi, i ndaloi veprat dhe i la qëllimisht në harresë shumë personalitete të shquara të kulturës e politikbërjes shqiptare. Po Shqipëria e sotme, Shqipëria e shekullit XXI, çfarë raporti kultivon me të kaluarën e saj të bujshme?
Diktatura staliniste, nëpërmjet politikës dhe artit të soc-realizmit, krijoi njeriun e ri, që Enver Hoxha e quante veprën më të madhe të Partisë. Letërsia dhe Arti i soc-realizimit ishte i vetmi që i jepej publikut të gjërë. Veprat e mëdha të letërsisë dhe arteve u ndaluan dhe autorët e tyre u harruan, madje u anatemuan jo vetem nga politikëbërësit, por edhe nga krijuesit e soc-realizmit.
Pas vitit 1990, organet përkatëse kanë bërë shumë pak për të sjellë para publikut vlerat kombëtare të së shkuarës. Gjithçka e shikon si biznes dhe jo për nga vlerat që mbartin. Kjo ka thelluar edhe më shumë krizën në sistemin arsimor dhe të edukimit në përgjithësi. Shumë më tepër kanë bërë në këtë drejtim studiuesit, me inisiativa dhe burime financiare të tyre. Rezultatet do të ishin shumë më të mira nëse biznesi i ndershëm do të ishte më dashamirës për të kontribuar në financimin e botimit të veprave të studiuesëve të pavarur.
Sigurisht, shoqëria shqiptare por edhe pushteti, do tu kthehen kultivimit të vlerave të vërteta të së shkuarës pasiqë, vetëm me disa autorë të soc-realizimit dhe veprat e tyre nuk mund të mbahet në këmbë sistemi arsimor, letërsia, historiografia dhe kultura në tërësi. Kjo do ti shërbente kalimit të krizës shpirtërore që vrehet në shoqërinë shqiptare, sidomos tek brezi i ri.
Kur do të vijë ajo ditë që Shqipëria të ketë një Akademi Shkencore të pandikuar nga interesi politik dhe nga interesat e “historianëve” që i kanë shërbyer regjimit diktatorial të Enver Hoxhës?
Historiografia si metodologji dhe historia si lendë mësimore janë ndër më kryesoret që luajnë rol shumë të rëndësishëm në formimin politik të brezit të ri. Për këtë qëllim, regjimi komunist, ngriti institucionet kryesore, midis të cilave, Institutin e Historisë dhe Akademinë e Shkencave. Kriteri bazë i punonjësve të shkencave shoqërore ishte besnikëria ndaj regjimit stalinist. Veprat e tyre gjatë viteve të diktaturës, por edhe sot i shërbejnë komunistëve të djeshëm. Kjo qasje e ka shpurë Akademinë në krizë të thellë. Por, krahas tyre ka disa historianë të rinj të talentuar, që të frymëzojnë me veprat e tyre, me të vërtetë shkencore.
Koha ka ardhur që edhe studiuesit me formim e origjinë të djathtë dhe ata që vijnë nga shtresa e të munduarëve nga regjimi komunist duhet të japin kontribut më të madh në këtë drejtim.
Duhet të kenë kujdes nga kurthet e disa pseudohistorianëve majtistë dhe medias po ashtu, që përdorin mosmarrëveshjet që kanë patur midis tyre personazhet e së djathtës historike, për të përçarë pasardhësit e tyre dhe të djathtët e sotëm.
Nëse do të shikojmë mosmarrëveshjet e tyre, ne nuk do të bashkohemi kurrë. Por, nëse do të studjojmë se si i kanë patur raportet me Atdheun, nuk do të përçahemi kurrë.
***
Av. Xhafer Sadiku ka lindur më 1954, në Përmet. Ka mbaruar studimet e larta për drejtësi. Studiues i historisë. Ka botuar një studim për fshatarësinë shqiptare gjatë periudhës 1948-1990, nën titullin “Genocidi mbi kulakët”, ribotuar edhe nga Instituti i Studiumeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit. Gjithashtu një studim për zonat e Përmetit në periudhën 1943-1990, nën titullin “Skenarë të Përgjakur”, edhe ky i botuar nga Institui i Studiumeve të Krimeve dhe Pasojave të Komunizmit”. Studimi voluminoz “ Shqipëria 1878-1928 (Roli i elitës politike) është një botim i vlerësuar dhe i kërkuar nga lexuesit, si dhe dy monografi. Ka në proces dy studime të tjera dhe plotësimin dhe ribotimin e veprave të cituara më sipër. Punimet e tij janë të gjitha me burime arkivore nga Arkivi Qendror i Shtetit, Arkivi i Ministrisë së Punëve të Brendshme dhe kanë bibliografi të pasur. Çdo punim i Xhafer Sadikut, ka më shumë se 1000 referenca.
E more Vlla keta merren me tradhtina e mbeturina te se kalures ,kohes monizmit e ko me pun Komtare per at jemi ku jemi.