INTERVISTA E FUNDIT E KADRI MANIT – TRE ÇEREK SHEKULLI KRENARI

Festa tri-dimensionale e familjes së nderuar Kadri Mani- Prishtinë

Ekskluzive nga Zeqir Lushaj, botuar te Zemra Shqiptare

  • 25 pyetje, pak (edhe) si të zorshme, në këtë Ditë të shënuar Trijubilare –

I. Pesë pyetje në lidhje me datlindjen:

1. Si ndjehesh në 75 vjetor? I gëzohesh Ditës së festës, apo ke nostalgji për ditët që kanë ikur?

Përgjigje: – Te libri që e kam botuar kam edhe një fotografi të kahershme, të përbashkët me gruan time, ku qenkam përgjigjur edhe në këtë pyetje, ende pa ma bërë: atëherë kemi qenë më të rinj, kurse tash jemi më të mençur!

2. Përse e ndërrove datë-lindjen? Aq më shumë pa i pyetur as prindërit dhe as gjendjen Civile!

Përgjigje: Prindërit na kanë vdekur, Ofiqaria ka refuzuar të ma përshtat mbiemërin nga-Osmani, në-Mani, prandaj e kujtoj me neveri atë gjendje “civile”!

Nuk jemi mësuar me kremtimin e ditëlindjeve, nuk e kemi pas shprehi… prandaj tri festat i tkurrëm në një- trefish më pak (edhe) shpenzime!

3. Në këto 75 vite jetë, cili është viti që do të doje (më shumë), ta rijetoje përsëri, dhe pse?

Përgjigje: – Kalimi nga administrata në arsim: e kisha lexuar “Afërditën” e Sterio Spasës e po fluturoja pakrahë! Dhe merre me mend: ika nga redaksia e Revistës “Jeta e Re”, ku isha daktilograf-depoist, kur Kuvendi i Krahinës pati blerë fotele të reja e neve na i fali të vjetrat! E lëshova Kryeqytetin e shkova në fshat me idealet e “Afërditës”!

Nga ajo kohë kujtoj kolegët: Xhelil Rama, drejtor, Fasli Maloku, Idriz Zeqiraj… me të cilët edhe sot jemi tok ose në punë ose në restorantin “TRE PRINCAT”, në Taukbahçe në Prishtinë! I kujtoj ish-nxënësit tanë, nga të cilët me disa edhe sot mbajmë lidhje, nuk po i përmend me emra se mos po e harroj ndonjërin e më hidhërohen! Kam punuar jashtë orarit me nxënës më të dobët dhe kurrë s’kam dhënë nota të dobëta! Ama si çdo rregull që ka përjashtim, një nxënës rebel e kam përjashtuar nga Gjimanizi i Vitisë: ia pata dhënë paratë që ta blente abetaren e të më vinte në banesë për çdo ditë, ai kishte blerë cigare!!

4. Si e shpjegoni Ju, zotri Mani që: -Të gjithë i lutem Zotit për jetë të gjatë, ama, me u plakur nuk duam!?

Përgjigje: – E, kjo punë i mbetet Zotit ose Natyrës!?! Ne të dy që shkruajmë, sikur edhe të tjerët si puna jonë, po lëmë gjurmë në histori: porosi-mesazhe-amanete!!! Ama kundështarët tanë me shkrimet e tyre ia kanë shkruar vetvetes aktakuzat! Prokurorët nga shkrimet e tyre do të ju ngritin paditë penale për vepra antikombëtare, sikur që janë: Rexhep Qosja, Rexhep Meidani…

5. Kush të nervozon më shumë: Serbia, apo pleqëria?

Përgjigje: – As Serbia as pleqëria!! Po na nerovozojnë e po na çmendin shqipfolësit: kurrë s’kemi qenë në gjendje më poshtëruese! Në gjendje të pashpresë kur para syve tanë vdesin ose vetëvriten pensionistët, invalidët e luftës… Tash kemi rënë nën robërinë vetanake! Nën robërinë e të huajve ka qenë fare lehtë të luftosh: ia ke sha gjuhën, ia ke sha himnin, ia ke sha flamurin…

Kurse tash deputetëve tanë-hajna: as nuk mund t’ua shash gjuhën, as himnin, as flamurin!!!

Nga bota e ndytë s’kemi përkrahje, ngase po na thonë se ne vetë po qeverisim!! Se jemi të lirë e të pavarur!!

Merre me mend, ne për festat tona familjare e kemi ftuar një dynja, por apostafat nuk i kemi ftuar ish-shokët tanë të ilegales as të burgjeve; dhe kuptohet se ata nuk vijnë, por edhe po të vinin, do të bëhej skandal pa një pajtim paraprak?- ngase ata i kanë duart me gjak! Dhe as po bëhen merak! Paskan qenë familjarisht të poshtër, nuk po distancohen as familjarët e tyre; vallë, a kanë pirë të nënës kulloshtër!?

II. Pesë pyetje lidhur me përvjetorin e martesës

1. Thonë se në rininë tende ke qenë shumë simpatik. Sa të sherbeu paraqitja në jetë?

Përgjigje: – Nuk di në kam qenë simpatik?- por kurrë narcisoid! Karakterin e fortë e kam trashëguar nga babai, kurse logjikën e fortë nga nëna!! Në rini kam qenë si plak, në pleqëri si i ri!!

Martesa jonë është bërë sa me simpati, poaq edhe me përkatësi politike: gruaja ime është nga një fshat i vogël-Kosovicë, i cili shpesh quhet: Kosovica e vogël e burrave të mëdhenjë! Kosovica një fshat me 13 shtëpi e me 12 kaçakë! Janë të përmendur kaçakët: Lushi e Veseli, Ajet Bunjaku-Kosovica me tri rrethatore fishekësh!!! Kurse nga lagjja jonë, Bejtë Osmani.

Po çka mendon devja e çka devejari?

Por çka po flasim ne të dy dhe kush na kupton!?- ne jemi të pushtuar edhe nga burokracia shkencore: FGJSH, Tiranë, 2006, f. 425, emrin-kaçak “e shpjegon”- cub mali!!

Devja e stërngarkuar nëpër vapë nëpër shkretirën e pafund, mendon se tash edhe pak e vjen në oazë ku do të pijë ujë të freskohet e të pushojë… ndërkohë që oaza nuk shihet në shkretirën e paanë, devejari ia hedh mbi shpinë edhe xhyben e vet! Dhe pas pak edhe ai vetë i gjuhet mbi shpinë!!

Dhe lexuesit që i ka “edukuar” Akademia, mund të thonë:

-Për çfarë bëjnë fjalë këta?- për cubni!?! Dhe, praktikisht del se rrahëm ujë në havan!

2. Sa vashave ju ke thënë “Jo”, derisa hase në legjendarën Shukrije?

Përgjigje: – Atëherë ka qenë tjetër kohë, koha mësitnisë! Po Shukrija e ka pas hallën te një fqinji ynë, dhe ne kemi “biseduar” me ndërmjetësimin e kushërirës Zejnepe: dhe kur e kanë lyp gjithandej, ajo për mua ka thënë-po! Se është një djalë që po çmendet për të!

3. Me fjalët aq të zgjedhura që ia drejtoni bashkëshortes, mos doni ti thoni se: “je lindur për Kadri Manin”.

Përgjigje: – Ashtu disi! Dhe për mirënjohje: po i the njeriut-mosmirënjohës, s’ka nevojë ta shash më tej me asnjë fjalë, që të gjitha i ke përfshirë!

Shukrijes i ka vdekur nëna në moshën 13-vjeçare (sikur edhe mua!), dhe kjo është bërë zojë shtëpie për pastrim e për gatim!! Shukrija është kujdesur edhe për mysafirë: unë në shtëpinë time kam qenë si mysafir! Kurrë nuk më ka pyetur se ku po shkoj as kur po kthehem! Edhe ajo ka qenë e lirë, si zogu në degë, ka mund të fluturojë për Amerikë e për Afrikë… as pa më pyetur mua! Desha të them, fjala-gjelozi, për ne as ka ekzistua e as ekziston!!

4. Kush ka vuajtur më shumë: -Kadriu në burg, apo Shukrija në ‘liri”?

Përgjigje: – Ajo më shumë me fëmijët, me shkollimin e tyre… por herën e fundit e kanë marrë pensionin tim edhe gjatë vuajtjes së dënimit! Kjo është e pakuptueshme për regjimin enverist, po në titoizëm nuk është përndjekur familja për shkak të individit.

5. Po të ishe sot 20 vjeçar, a do të pranoje të hyje në “Big-Brother”?

Përgjigje: – Kategorikisht-JO. Te Zemra Shqiptare e kam pas një reagim: o anglez, mos u bëj anglez! Turpi i dyfisht është i atyre të “fejuarëve” apo edhe të “martuarëve”!?! Dhe shumëfish i prindërve dhe i të afërmëve të tyre!

III. Pesë pyetje, si risi-ist dhe shkrimtar-publiçist.

1. Kur e binde veten se, mund të shkruash artikuj, vjersha, libra?

Përgjigje: – Vjersha ime e parë, që nuk është botuar, e ka pas titullin: macja dhe miu: protestoja përse macja e masakron miun e vogël e të shkretë!? Kush e di në dorë të cilit redaktor burokrat ka rënë, dhe si ndonjë maçoku plak që i kalon miu përrreth mustaqeve, i mbyllë sytë, do t’i ketë ardhur mërzi edhe ta hudhë në shportën e hedhurinave!?

I vetmi i ndjeri Dr. Esad Mekuli ishte ai i cili me vjershë në dorë shkonte nëpër shkolla dhe e gjente autorin e bisedonte me të…

Pra, reagimi ndaj të keqes, ose mburrja për një vepër të mirë: u ndërtua një rrugë, një urë…e gjeti kuletën me para dhe ia ktheu pronarit…

Fshati ynë Makreshi i Poshtëm është midis Moravës dhe Gallapit, një fshat si një “doaganë” e fjalëve: si flasin moravalinjtë e si flasin malokët? Rrafshi ka qenë më i pushtuar, andaj edhe më i asimiluar, kodrat as i kanë vyejt pushtuesit as ka guxur të ngjitet andej nga krisja e mamëzerës shpat më shpat!

I përlepnicasi ose i koretinësi… thoshte:

-E mora një xhak (barrë) e nëpër një putinkë (rrugicë) shkova në mulli.

–Jo bre- ju thosha- thuaj edhe në- vodenicë (skr. mullirit) dhe u krye puna!

Kurse malokët e zgjasin dhe e varisin zërin… pastaj zanorën-u, dhe-o e shqiptojnë disi si-ë:

-Pëla e bani vënë!

Kështu që, dëgjuesi e ka si zor ta marrë vesh në se vezën e ka bërë pula apo pela!?

Po më thoshte një katundare imja e martuar në Marec:

-Ti njëherë gabëve, dyherë gabëve… ti shumëherë gabëve!! Tito është për të gjithë…

2. Cila është vepra juaj letrare që e shikoni më me dashuri, dhe pse?

Përgjgije: – Dy kurorat sonetike: “SHQIPJA E LARTËSIVE”, kushtuar gruas time dhe:”NËNË TEREZA E SHQIPËRISË”, kushtuar nënës tonë Tereze që njëherit u bë edhe nënë e botës! Po citohet që Klintoni të ketë shkuar në Kalkuta te përmendorja e Nënës Terze e t’ia ketë puthur sandalët:

-Nëna Terezë, prehu e qetë, ta çova amnetin në vend, populli yt kosovar është i lirë!

Por, ajme, enveristë-stalinistët Nënën Tereze e quajnë shtrigë, kurvë!! Elemendët si Hydajet Hyseni, Qerim Pllana…

3. Cilin veçoni nga shkrimtarët shqiptarë, sot?

Përgjigje: – Pamëdyshje (jo-paekuivoke!), që veçoj Ismail Kadarenë, me kusht që kurrë më të mos e përmend politikën! Proçkën më të re e ka: Aleancën Kuq e Zi të Shkodrës, e quajti studentët e Shkodrës kërkojnë! E pra, studentët janë përparimtarë, kurse Aleanca Kuq e Zi është enveriste-staliniste!!

Prandaj habitëm se si Faik Krasniqi mund të jetë aq naiv e ta theksojnë vijimisht se është anëtar i Alencës Kuq e Zi!?- apo nuk e di?

4. Megjithëse ju na bëni përditë vërejtje drejtshkrimore, a e shihni se shqipja po shkruhet edhe më keq?

Përgjigje: – Bamir (bakeq) Topi thotë: mënd, vënd, kuvën, zëmër… gjë që është shkelja më drastike e standardit; duhet: mend, vend, kuven, zemër…

Komi(k)sioni separatist për përpilimin e fjalorëve, i stërvjetruar, duhet të shporret. Ata s’kanë turp që Fjalori i Mehmet Elezit e Bajram Qerimit… janë më voluminozë se ai i Akademisë!?!

5. Edhe sa libra ke në dorëshkrim dhe kur mendoni për t’i botuar?

Pergjigje: – Kam mbi 10 libra dhe tash që u bëra “bos” mund t’i botoj!

IV. Pesë pyetje, si politikan:

1. Shumë ish të burgosur e urrejnë politikën, se ajo i futi në burg. Po Kadri Mani, ç’thotë?

Përgjigje: – Politika është një terren i rrëshqitshëm, rrëxohesh e çohesh, përgjakesh… por idealet e larta për liri, ta forcojnë zemrën-çelik! Por vetë fakti se dikush ka qenë në burg, s’ka asnjë kuptim: burgu është stallë e stalla është burg: kush jua ka përshkruar lopëve për atdhetarizëm që një jetë kanë qëndruar në stallën-burg?

Ata që bijen në burg rastësisht, e përjetojnë burgun sikur edhe ordinerët, katastrofë! Kurse politikanët janë të parapërgatitur, edhe për burg edhe për varr! Ja liri-ja vdekje! Politikani jeton ndryshe nga ordineri: çon jetë të dinjitetshme, lexon, nuk shoqërohet me këdo… po u përzieve me krunde, të hanë pulat!

2. Pse shumë politikanë ju lënë amanet fëmijëve të tyre: -Mos u merrni me politikë?

Përgjigje: – Ngase janë budallenj! Njerëzit janë kafshë politike, ata që nuk janë-politike, janë thjeshtë-kafshë! Politika është ajka e kulturës dhe e qytetërimit.

3. Më shumë gabime ka bërë politika me Kadri Manin, apo Kadri Mani në politikë?

Përgjigje: – Koleg! Thonë se tregtarët janë mashtrues, ama nuk janë që të gjithë mashtrues: shefi i furnizimit njofton për ardhjen e një artikulli sot një javë, dhe atë, shefin, e mashtrojnë, e dalin, padashje,- mashtrues! Në rastin tonë jopolitikanët e mashtruesit ishin Adem Demaçi e Hydajet Hyseni, dhe neve na shembën xhambazët e politikës!!

Mehmet Hajrizi dhe unë i kemi pas politikanë edhe vëllezërit para nesh, dhe ne nuk mund të gabonim, kur kishim përvojën e tyre.

4. Përveç Ibrahim Rugovës që e vlerësoni shumë, cilin tjetër mund ta përkufizoni si “ideal politik”?

Përgjigje: – Dr. Sali Berishën: ta udhëheqish Shqipërinë, mbase është ca më zor sesa ta udhëheqish Amerikën!? Pavarësisht që ka edhe gabime: gabimi e kobi i një partie fillon me nënçmimin e kuadrove të veta! Nuk është e ndershme që kuadri numër një, Idriz Zeqiraj, të punojnë në ndërtimtari në Gjermani!! Në kohën kur mund të jetë, të paktën, Drejtor i Radio-televizionit, e të ndërpritet njëherë e mirë ajo: retherotull! (rretherrotull).

Presidentin e nderuar e tradhtoi edhe vetë Kryetari Bemir (bakeq) Topi!

5. -Je themelues i revistës Shqipëri Etnike. A mendon se, nipat e mbesat tona do ta arrijnë at’ Shqipëri?

Përgjigje: – Po, absolutisht PO! Shqipëria Etnike ekziston ndaj do të ribëhet.

V. Pesë pyetje, të përziera, “miks”:

1. Kadri, është njëri nga 12 sektet e tarikateve alivjane, e sa për Osman, dihet se kush është. A e pate të veshtirë të kapërcesh mbi të dyja e të shkosh të bekohesh në kishë?

Përgjigje: – Vetë bredhritja e gjatë mbi gjysmëshekullore flet vetë; por, më në fund, gjakimi i gjatë për bashkim kombëtar, dha rezultet e veta: unë në Prishtinë rashë në një shoqëri të shëndoshë, në elitën e Kryeqytetit: Dr. Femi Cakolli, mësuesi im i besimit, Abdurrahman Kelmendi-Duri, Hasan Dërmaku, Anton Nikë Berisha, Hajdar Fejzullahu… e kemi Shoqatën RENESANCA SHPIRTËRORE: Ishim në një mbledhje të NDSH-së me kryetar zotin Pashk Staka, një arsimtar veteran drenicak, Beqiri, tha:

-A pajtohemi ne sëpari me Pashk Stakën?

Ne të habitur i zgurdulluam sytë dhe po presim se ku do të dalë ky: si të “bashkohemi” kur jemi të bashkuar dhe vetë ne e kemi zgjerur Kryetar!?

-E!- Këtu qëndron dyfytyrësia shqiptare: a i kemi martesat e përbashkëta, a i kemi varrezat e përbashkëta…!?- andaj për bashkim sot flasin kodoshët!

2. Në Kosovë, jo pak njerëz të quajnë Demaçi nr 2. Pse e sulmon kaq shumë Një-shin?

Përgjigje: – Kam ngurruar gjatë që ta sulmoja: pikërisht pse më quanin “Demaçi-2”- po mendoja: sapo ta kritikoj, do të thonë, ja bajraktari, nuk po i mjafton vendi 2, por do të dalë i pari!

Kisha parasysh edhe Romanin “Afërdita”: zoti Remko merrte ryshfet, Afërdita nuk merrte. Kur nxënësit i kthenin vezët e shpjegonin se mësuesja Afërditë nuk i do vezët?- popullata e prishur, po thoshin:

-Shihe njëherë, zuska, nuk dashka vezë, dashka pula!

Jam duke shkruar libër kundër Adem Demaçit:

Adem Demaçi i ka spiunu shokët e vet në hetuesi dhe i ka shpërfillur në liri!!

Përgjigje me libër në libër të Prof. Dr. Hakif Bajramit: “EPOKA E ADEM DEMAÇIT”, Prishtinë, 2009, f. 67; si dhe: Prof. Dr. Hakif Bajrami: “ME RASTIN E 50-VJETRORIT TË DËNIMIT TË PARË TË ADEM DEMAÇIT, MË 1959 (“KOSOVA SOT”, 1-14 shtator 2009

Kur Jugosllavia ishte forcë e madhe në Ballkan, Adem Demaçi bëri Programin revolucionar për shkatërrimin e Jugosllavisë: ne veprimtarët ramë nëpër burgje, lamë nuset e reja, familjet… Kur filloi të prishej Jugosllavia, e ftuam Ademin dhe i thamë: tash është koha që ta realizojmë atë Programin tënd revolucionar?

-Jo, se unë kam zemër poeti!!! (Sabri Novosella)

Adem Demaçi karrierist, edhe sot nëpër autobusët urbanë llomotitë kundër Dr. Rugovës! Adem Damaçi e pati propozuar për Kryetare të Kosovës Rada Trajkoviqin!

3. Si do të reagonit nëse, Ditën e Festës suaj, në mes të pjesmarrësve, të shfaqej krejt papritur akademik Rexhep Qosja me një buqetë të madhe me lule në dorë?

Përgjigje: – Koleg! E ke fantazinë e zhvilluar! Qosja gjakatar me thënien e vet: Revolucioni i Vonuar Demokratik, e gjakosi Shqipërinë dhe Kosovën! Tash po ta jap një lajm të mirë: paska shkruar në pension akademiku Besim Bokshi, heshtak! Dhe në vend të tij qenka zgjedhur për Kryetar i Akademisë së Shkencave e të Arteve të Kosovës, akademik Hivzi Islami, demograf, i cili e ka filluar punën me kritika ndaj Qosjes!! Andaj unë ia urova detyrën dhe fillova bashkëpunimin me Akademinë, që deri më tash e ktheja kokën anash të mos e shoh as ndërtesën!

Tirana ia pati mpreh brirët Qosjes: po e quanin rilindas! Disa vajzusha po doktoronin me veprat e Qosjes pornografike-banditeske!

Po ju njoftoj për opinion, se ti e di, revista jonë “ShqipëriEtnike” për një dekadë Qosjen e ka pas në shënjestër të kritikave me mbititull: Mbi 100 intelektualë shqiptarë kanë shkruar për sjelljet antikombëtare të Qosjes!

Artikujt e parë kundër tij i kanë shkruar: Fadil Bujari, Kryeredaktor i “Rilindjes”, Akademik Fehmi Agani, unë… Me libra kanë dalë: Sylejman Aliu: FILOZOFIA E KRROKAMËS (Qosja para pasqyrës), Sami Krosi: “Mëkatet filozofike dhe shkencore, të Rexhep Qosjes së ri”, Shkup, 2001….

Kurse kusht për pajtim, unë e kam formuluar tekstin: kemi qenë llapaqena, betohemi e përbetohemi se nga sot (data) do ta bëjmë KTHESËN.

4. Përveç operacionit të suksesshëm në zemër, çfarë tjetër i kujton Zvicrës?

Përgjigje: – Zvicra është një shtet reklamash! Reklamash gënjeshtare: kursi për gjuhën është gratis! Ndërsa kursin duhet ta pagush 40.000 franga!!!!

Shef për punë të brendshme ka qenë Aflred Këller, i cili e ftonte tinëzish në bisedë Sokolloviqin! Pastaj Karla del Ponte, proserbe, Dik Marty… Zvicra tradicionalisht, sikur edhe Franca, kanë qenë proserbe: madje ka qarkulluar një informatë se ushtria zvicrane ka marrë pjesë tok me ushtrinë serbe në rrethimin e Shkodrës!?! Kurse Franca që qe kthyer me ne, është meritë e Dr. Murat Bejtës!

5. A mendoni se, fakti që sot je një “milioner i ri- kapitalist”, do sjelli shumë ndryshime në Kadriun e derisotëm?

Përgjigje: – Unë nuk jam milioner! Kam një banesë komode dydhomëshe dhe kabinetin e punës, dhe meqë më ka kaluar mosha për veturë, do ta shes garazhdën që t’i botoj librat… kam tre fëmijë e 11 nipa e mbesa…,- i dashur koleg.

————–

Të falenderoj miku im i vjetër, që pranuat të më jepni këtë intervistë. I lutëm Zotit që këtë mirësi të ma japin edhe në 80-vjetorin tuaj, veçse atëherë, aty, këmbëkryq në Prishtinë e jo nga përtej oqeanit…!

Zoti të nderoftë, Kadri Man Prishtina.

Zoti e nderofë revisten ZemraShqiptare, që të don e të respekton kaq shumë.

Mirë u pafshim, në përvjetorë të tjerë, më i moshur, por, edhe më i rinuar.

Të fala Shukrijes, krejt familjes Mani e shumë shokëve e miqëve asaj Prishtine e përrreth.

Për Zemra Shqiptare dhe Shqipëri Etnike, nga Zeqir Lushaj , NJ, USA, Qershor 2012-

Publikuar më 10.06.2012

 

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top