Elektra Haxhia Çapaliku, nxjerrë nga libri Ex libris Scodrae
Kishte me qenë e natyrshme të mendosh se veçanarisht në kohën kur Shkodra gjendej nën sundimin e Balshajve e më vonë kur ishte njëri prej domeneve veneciane më të rëndësishme të Adriatikut, të kishte koleksione dorëshkrimesh dhe kopje të tyre që duhej të ishin në qarkullim së paku për arsye të administrimit të jetës publike.
Këtë hipotezë njeriu e formon lehtësisht mbasiqë njihet me Statutet e Shkodrës të fillimeve të shekullit XIV deri më 1469, përgjatë leximit të të cilave mahnitesh kollaj prej përftyrimit që të krijohet për një qytet të famshëm europian, piktoresk e që s’i lë asgjë mangut qyteteve të famshëm të asaj kohe. E s’do mend që në këtë vend duhet të ketë pasur skriptoriume laike e prej këndej edhe koleksionistë të këtyre skriptëve.
Përsa po themi ma sipër na vinë në ndihmë edhe konstatimet e profesor Injac Zamputit, rreth relacionit të 1332 të Brokardit që: “ i shikonte librat si pjesë përbërëse e veprimtarisë qytetare” si dhe rreth thënies së Barletit te “Rrethimi i Shkodrës”, për ekzistencën e analeve të shkruara në gjuhën e popullit. Po kështu edhe kemi vërejtjet e Viçenc Malajt në veprën e tij “Të dhana albanologjike” për ruajtjen në bibliotekën e Dubrovnikut të librave koralë të shekullit XV-të të shkruara në pergamenë dhe të disa inkunabulave të domenikanëve shqiptarë, të sjella prej Kuvendit të Durrësit, të lënë të kuptosh ekzistencën më herët, ndonëse jo virtuale të bibliotekave.
Dokumente të tjera tregojnë se që në vitet ’40 të shekullit të 19-të, në qytet kishte filluar mësimi i gjuhës amtare, po kështu edhe letërkëmbimi i firmave tregtare ishte në shqip. Në këto rrethana kemi dhe hapjen e kolegjeve jezuite dhe françeskane, ku u selitën edhe mendjet më të larta e të ndritura, jo vetëm të Shkodrës. Por presioni kundër sendërtimit të identitetit kulturor shqiptar nga ana e administratës ushtarake turke vazhdonte të ishte i rreptë.
E veçanërisht libri shpesh ka patur ashtu si edhe njerëzit që e krijuan fatin e keq të persekutimit. Kështu përshembull në kohën që po flasim, në Shkodër, administrata osmane dënon me burg shpërndarësit e revistës “Albania” Shan Shantojën dhe Kolë Trashanin, po kështu kujtojmë helmatisjen, nga ana e komandantit të gjendarmërisë turke, Kurt bej Mati, nji renegat shqiptar, të shkodranit Lush Guga, i cili tinëz kishte sjellë në qytet libra në gjuhën shqipe.
Por dëshira dhe dashuria për librin nuk mbeti një përrallë. Fryma e Rilindjes që kërkonte të risendërtonte te shqiptarët identitetin e humbur në errësirën e natës së gjatë osmane, shpërndante ngado kurajë dhe idealizëm. Kështuqë, pavarësisht vështirësive të mëdha, kishte njerëz që investonin të hollat e tyre në fushë të librit. Për të mbështetur këtë pohimin po përmendim shembullin e familjes Shiroka, e cila, në gjysmën e dytë të shek. XIX, kishte nji bibliotekë të pasur. Dëshminë e kemi prej Willy Kamsit i cili pat intervistuar zonjën Nine Shiroka Daragjati të ditëlindjes 1870, bijë e kësaj familje, e cila tregonte se në familjen e vet, “sidomos në ditë të diele e festash, ditë pushimi prej punëve të përditshme shtëpiake, vajzat e gratë e shtëpisë merreshin me shfletimin e leximin e librave të bibliotekës familjare, ndër të cilët përfshihej edhe një enciklopedi në gjuhën italiane që për kohën ishte nji luks, libra të blera kryesisht në Venedik, gjatë udhëtimeve tregtare që bënin pjestarët e tjerë të familjes.
”Por si kjo familje kishte edhe shumë të tjera që, të dëshiruara të dinin sa më shumë për historinë e kulturën shqiptare ndër shekuj, si dhe për kulturën në përgjithësi, blinin libra e botime të kësaj natyre, duke hedhur kështu bazat dokumentare për studimet e mëvonshme albanologjike. Nga kjo klimë kulturdashëse patën mbirë edhe mecenatët e parë. At Gjergj Fishta na tregon sesi në fundin e shekullit të XIX një zotëri në Shkodër me mbiemrin Dodmasej pat financuar botimin e një libri të Ndoc Nikajt, të parit romancier shqiptar.
Por duhet thënë se vështirësitë e bibliofilëve dhe koleksionistëve të librit në Shkodër nuk mbaruan as me shpalljen e pavarësisë. Nuk duhet lënë pa përmendur se në kuadër të fushatës që ndërmorri Ahmet Zogu kundër shkollave private edhe në Shkodër, libri nuk i
shpëtoi persekutimit edhe pse gjendej i mbyllur ndër kuvende. Kështu në vitin 1926, trupat ushtarake të Zogut, sipas dorëshkrimeve të atë Donat Kurtit, ‘…pas shtypjes së kryengritjes së Dukagjinit, damtuan randë gjimnazin “Illyricum”, rrënojnë bibliotekën dhe arkivin e shkollës”.
Gjithsesi është tashmë e sigurtë që deri në vitin 1944 në qytet numëroheshin 28 biblioteka të rëndësishme me karakter albanologjik. Kurse në pikëpamje editoriale në Shkodër deri në vitin 1944 u botuan rreth 60 revista, gazeta e kalendarë.
Me ardhjen në pushtet të qeverisë komuniste, Shkodrës iu desh të lante “haraçe” të mëdha që vinin pikërisht prej përpjekjeve të vazhdueshme të qytetarëve të saj për përqafimin e kulturës perëndimore. Ajo u pa nga pushtetarët e atëhershëm si një strukturë që kishte qenë mbartëse e një kulture tjetër e tjetër e që dilte jashtë skemës së “re’’ kulturore. Në këtë mënyrë Shkodra do përbënte shënjestrën më të përsosur për të rrëfyer precizion të lartë në qitje.
Dhe kështu ndodhi në të vërtetë. Bibliotekat e deriatëhershme u konsideruan si vatra të infektuara që duheshin mbajtur ndën kontroll, duheshin seleksionuar, duheshin krijuar fondet e rezervuara. Nisi epoka e gjyqeve inelektuale. Filloi të qytetarizohej termi “libra të ndaluar’’.
Shpesh librat e ndaluar të gjendur mbas kontrolleve të befta nëpër shtëpi u bënë shkak për burgosjen e të zotit. Frika se mos përfundonin keq për shkak të librave i bëri shumë njerëz që t’i digjnin ato. U dogjën posaqërisht koleksione të revistave klerikale, të çmuara për përmbajtjen e tyre albanologjike.
At Zef Pllumbi në librin e tij të famshëm “Rrno vetëm për me tregue” na bën një përshkrim piktoresk të kësaj situate:”…me At Pal Dodajn fillova punën për mshehjen e Arkivit Françeskan. Kërkohej nji punë shumë e randë, seleksionuese e në kushte sekrete,
vetëm natën… Shkrimet ishin nga më të vjetrat, të shekujve të kaluem, me stile të ndryshme: lypej eksperiencë për leximin e kuptimin e tyre. Nji natë pruni nji valixhe plot me letërkëmbimin e tij personal, që kishin dhanë ndihmesën e vet, pozitive ose negative, për çashtjen e pamvarësisë ngjalleshin aty. Më kanë mbetë të nguluna në tru dhe shpesh i kujtoj e pyes gjithnji për disa dokumenta tepër të randsishëm për kulturën e historisë tonë. P.sh. nji libër i Akademisë së Voskopojës; inicialet e kapitujve ishin të lulzueme me miniature dhe në fund të librit gjindej nji fjalor disa faqesh greqisht-shqip. …Gjatë atyne netve arkivin e ndamë në tri pjesë: 1.ajo ma e parandsishmja, që do të rrinte sa do të rrinte sa për duke në raftet e arkivit; 2. ajo që përfshinte çashtje të Urdhnit të
Kishës 3. ata dokumenta që kishin të bajnë me historinë, ekonominë, marrëdhaniet, kronikat o ditarët, regjistrat demografikë e tregtarë, si dhe të gjitha dorëshkrimet e veprave të shkrueme prej auktorëve të ndryshëm…Dorëshkrimet përgjithësisht i sistemuam ndër valixhe metalike ose arka municioni, që ishin shumë të përshtatshme kundër lagshtinës. Kështu vendosëm dorëshkrimet e Dom Pjetër Zarishit, At Shtjefën Gjeçovit, At Ambroz Marlaskajt etj, të cilat i msheha ndër nji nga trapazanat e kuvendit të Gjuhadolit. Ndër dy koshuj druni të mëdhaj vendosëm dokumentat e Urdhnit të Kishës dhe ato që ishin të randsishëm për historinë tonë kombtare. Po të njajtat përpjekje bante edhe drejtori i “Hyllit të Dritës” At Gjon Shllaku me arkivin historik të revistës. Këtu kishte nji pasuni të pamasë dokumentash të Rilindjes Kombëtare bashkë me shkrimet, letrat, kujtimet e dorëshkrimet e Luigj Gurakuqit, Hasan Prishtinës, Imzot Doçit, Luigj Bumçit e shumë burrave të tjerë t`atdheut si dhe disa mija e mija xhama mikrofilmash… Të gjitha këto së bashku me dy koshujt e mëdhaj plot me dokumentat e arkivit i murosëm në pjesën e nji dhome.ˮ
Kurse një tjertër dëshmitar dhe i interesuar direkt për botën e librit në qytet, Willy Kamsi kujton: “ Mbyllja e institucioneve të ndryshme kulturore që gjindeshin në Shkodër, bëri që element fanatikë e të papërgjegjshëm, element të zhytun në nji utopi, në nji turr çmendunie antikombëtare të lëshoheshin si të tërbuem për me shkatrrue me themel gjithçka kishte qenë ndërtue, mbledhë e ruejtë mbas shekujsh pune të zjarrtë, pavarësisht prej rreziqeve që sillte ky veprim. Sidoqoftë po i jepej fund asaj për të cilën ishin përpjekë në shekuj pushtuesit turq.Kështu që, jo vetëm në bibliotekën e Jezuitëvë por edhe në atë të Françeskanëve, me nji barbarizëm të patregueshëm qenë shembë raftat me libra. Ndërsa raftet hiqeshin, librat liheshin grumbull në mesin e sallave në mëshirën e kujtdo. Njerëz të besuar të regjimit patën liri të plaçkitnin sa të mujshin çka u interesonte, kurse te Ura e Bunës, limani lumor i Shkodrës, denga librash e koleksionesh qenë dërgue në Jugosllavi, me pretekstin për t`u ba karton. Në të vërtetë ato nuk shkuan për karton por mbas nji përzgjedhje të kujdesshme, pasunuen bibliotekat e Jugosllavisë, tue çveshë Shkodrën e Shqipninë prej tyne. Madje nji provë të kësaj, simbas, njoftimeve, kemi praninë e dorëshkrimit të “Lahutës së Malcis” s’At Gjergj Fishtës në njenin ndër institucionet e Zagrebit.
Me 1946 qe shpërnda nji listë e pare me titull e librave “të ndaluem” që duhej të dorëzoheshin, lista që u shumuen, vijuen gjatë gjithë kohës në të cilën qëndroi regjimi komunist. Ajo që bani edhe ma dam qenë ashtuquejtunat grupe kontrolli që vershuen në qytet, me kompetenca të plota, e nisën kontrollet e imta, shtëpi për shtëpi në gjueti të librave, tue sekuestrue, jo vetëm librat simbas listës së shpallun, por edhe gjithçka ua merrte mendja se duhej zhdukë e që përndiqnin këdo gjindje që kishte libra jo të pelqyem të cilët, me nji shprehje të dyshimtë quheshin “libra të verdhë”. Tue qenë se rrjedhimet për pronarët e këtyne librave “të ndaluem” ishin tepër të randa, tue shkue nga arrestimi e burgosja, deri te internimi me krejt familjen, kjo i detyroi shumë familje, që, për me shpëtue e mos me iu nënshtrue këtyne përndjekjeve mizore, të djegin vetë nji pasuni të përfaqësueme prej botimesh e arkivash të çmueshmëm, dishmues të histories së Shkodrës e të Shqipnisë në kohën që shkonte nga Rilindja deri te Pavarësia e mbas saj. Nji shembull mjafton, për të gjithë të tjerët: arkivi vetjak i Dom Ndoc Nikaj, i pari romancier shqiptar, arkiv i pasun me letërkëbimin e tij me atdhetarë shqiptarë e me personalitet të huaj, qe djegë prej nipave, në kohën kur ungji i tyne gjindej në burg, i paditun për fshehje armësh, me të cilat, mbasi “ia gjetën”, ia paten vu në qafë dhe shetitë me to nëpër rrugët e Shkodrës”.
Por dhunë e madhe ndaj bibliotekave të institucioneve fetare u ushtrua kryesisht gjatë vitit 1967, kur dhe u shpall zyrtarisht ateizmi
shtetëror. Në çastin e sekuestrimeve, një pjesë e librave u dogj, një pjesë u vodh dhe një pjesë tjetër shkoi në fondin e bibliotekës shtetrore, e gjitha kjo varësisht shijes, formimit dhe vullnetit të kryesekuestruesit.
Nga ana tjetër kishte filluar një rrjet i tërë bibliotekash shkollore dhe të vatrave të kulturës nëpër fshatra duke dërguar “librin e pandalur”, pra kryesisht politik, letërsi të realizmit socialist apo ndopak autorë klasikë. Industria e centralizuar botuese dhe shpërndarëse e librit merrte të gjitha masat të mbulohej i gjithë territori i Republikës me këtë madh ideologjik. Veçanërisht ushtrohej presion në blerjen e veprave të Enver Hoxhës, duke i detyruar punëtorët dhe fshatarët të skuqnin fasadat e mureve të shtëpive.
Pas viteve ’90 industria e botimeve u privatizua, tregu i librit u liberalizua, sistemi i konservimit të kulturës së shkruar për rrjedhojë u dëmtua rëndë.
Në Shkodër pati një bastisje të re të bibliotekës publike më 1992 me rastin e trazirave politike të 2 prillit si dhe u ushtrua një presion i
madh në emër të lirisë së besimit për rimarrjen nga fondet të librave të sekuestruar edhe pse institucionet presionbërëse nuk ishin ende të gatshme për t’i strehuar në mënyrë dinjitoze ato fonde. Për rrjedhojë vëmendja publike ndaj bibliotekave ra.
Vetëm pas viteve 2000 mund të themi se sistemi i bibliotekave nisi të rimarrë veten duke vazhduar të ketë si pikë referimi të kaluarën e lavdishme të viteve ’30 të shekullit që shkoi.
Por megjithë këto përpjekje sistemi i bibliotekave të Shkodrës, si dhe i të gjithë Shqipërisë, ende është larg rolit të vet informues dhe formues, si qendër dije, demokratizimi mendor dhe shërbese komunitare.