IMZOT FRANO GJINI TORTUROHET DHE PUSHKATOHET

SHKRUAR NGA LEONORA LAÇI

Imzot Frano Gjini ishte në radhën e atyre priftërinjve “rebelë” që nuk ju nënshtrua regjimit komunist, por qëndroi stoik dhe para togave të pushkatimit, përpos mos nënshtrimit përpara Enver Hoxhës duke mos pranuar ta bënte kishën vegël në dorë të pushtetit.

Momentet kur Imzot Frano Gjini ra në sy të pushtetit dhe kishte dy zgjidhje, ose duhej nënshtruar ose eliminuar me çdo kusht.

Këtu fillon drama e Imzot Gjinit.

Imzot Gjini do jetë në qendër të vëmendjes së regjimit të sapo instaluar në Shqipëri. Kjo vëmendje do të fillojë që në fund të 1945, ku:“në zgjedhjet e 2 dhjetorit 1945 Frano Gjni , Abati, mori guximin dhe i tha prerë komisionit të votimit në Orosh se unë nuk votoj për një pushtet që në strategjinë e tij, në plan të parë, ka zhdukjen e çdo feje… Jam klerik në shërbim të popullit dhe të fesë së krishterë, për të cilën nuk më dhimbset jeta, ashtu si dhe për Atdheun”- shkruan në gazetën “Koha Jonë” historiani Ndue Dedaj me 15 shtator 1994.

Qëndrimi kundërshtues i Mons. Frano Gjinit u vu re dhe në rastin kur  Delegati Apostolik Leone Nigris që ishte i detyruar të largohej nga Shqipëria (1945), i transferon funksionin e tij Imzot Gjinit si Zëvendës i Delegatit Apostolik. Gjini do thirret në Tiranë nga Enver Hoxha dhe i kërkohet të ndërpresë kontaktet me Vatikanin dhe ndikimin e tij ta verë në shërbim të Enver Hoxhës. Frano Gjini, e refuzon. Për këtë është shkruar në veprën e Markus Piters “Përballja e historisë së Kishës Katolike në Shqipëri 1919-1996”, si dhe veprat e Pjetër Pepës kushtuar Klerit Katolik në dy vëllime, “Dosjet e Diktaturës”.

Dëshmi e Padër Konrad Gjolaj për Frano Gjinin: “Kur Nigras u largue prej këndej, ai u takue me Arqipeshkvin e Shkodrës, Imzot Gaspër Thaçin dhe sekretarin e tij, Dom Mark Hasin. Nigris, para se të shkonte, la porosi qe në kjoftë se nuk kthehet ma, kompetencat t’i jepen Imzot Frano Gjinit, abatit të Mirditës, me cilësinë e zv\ Delegatit Apostolik të Vatikanit në Shqipni. Njeri i heshtun dhe modest. Nuk rrinte në krye të vendit, as kur i takonte. Ishte burr’i qetë, natyrë të cilën e pëlqejshin edhe mirditasit, mbasi kombinohej edhe me nji squetësi që kuptohej vetëm mbas njoftjes afër me të. I premë në fjalë dhe i ngadaltë, gja që e bante të domosdoshëm në kuvendin e krahinës. Ishte i provuem si antikomunist me prova trimnije. Kur mirditasit i kishin propozue me e përcjellë jashtë Atdheut, për mos me ra në dorë të komunisave, Imzot Gjini ishte përgjegjë: “Jo, se nuk kam si me e lanë popullin e Sh’Lleshdrit në dorë të komunistave”. Ai qëndroi këtu dhe kreu detyrën e ngarkueme deri ditën e fundit, ashtu si punoi me korrektësi gjithë jetën. Ma vonë u provue edhe në trimni”. Kjo dëshmi është shkëputur tekstualisht nga vepra Pjetër Pepës “Tragjedia dhe lavdia e Klerit Katolik në Shqipëri”-Vol. II, 55, Tiranë, 2007. Gazeta “Koha e Re” – Organ i Frontit Demokratik të Prefekturës së Shkodrës, me 19 nentor 1946, me kryetitull: “Zbulime sensacionale në Kuvendin Françeskan”, ndër të tjera shkruan;” Pak ditë më parë në Kuvendin Françeskan dhe në Kishën e Fretërve u zbuluan disa sende me shumë randësi për skjarimin e popullit dhe për demaskimin e atyre që punojnë kundër popullit. Mu në mes të Kishës nën rasar dhe nën altarin, të fshehura me mjeshtëri reaksionari, gjetën dokumenta të Gjonmarkajve(….) Në dhomën e Kuvendit u gjetën dokumenta të kuislingëve me damkë si Pader Anton Harapi(…) Në dhomë të poshtme të Kuvendit në depon e ushqimeve dhe në stallën e derrave, të futura në mur, në dhe ase në tavan, u gjetën mitraloz, municion, bombe dore, pushkë e të tjera.

11 dhjetor 1946: Goditja e dytë e madhe

“Zbulohen” armë në kishë-Sekuestrohet kuvendi Françeskan

Arrestohen e torturohen: Imzot Frano Gjini, Imzot Nikollë Deda, Padër Mati Prennushi

Padër Ciprian Nikaj, Padër Pal Dodaj, Dom Tomë Laca, Dom Ndoc Sahatçija, Padër Gjon Karma, Dom Nikollë Shelqeti, Padër Mëhill Miraj, Fra Zef Pllumi, etj(…)

E njëjta ftesë për shpëtim iu bë Imzot Frano Gjinit nga mirditorët e arratisur që e donin dhe e nderonin aq shumë, e mundësitë ishin fare të lehta. Por jo! “S’kam kujt t’ia la besimtarët e kishën e Shën Lleshdrit”, ishte përgjigja e vetme- shkruhet në vepren e Pjetër Pepës kushtuar Klerit.

Si u arrestua Frano Gjini?! Që nga ajo që quhet si Lëvizja e Postrribës, me 9 shtator 1946, u arrestuan dhe një grup meshtarësh, pa marrë pjesë fare në këtë lëvizje, asnjëri prej tyre. U arrestuan Frano Gjini, Imzot Gjergj Volaj, Imzot Nikollë Deda, Dom Tomë Lacaj. Letrat e arrestimit nuk kanë cilësime konkrete veç gjera të përgjithshme dhe të papërcaktuara saktë.

Prokurorija Publike e Prefekturës (Seksioni i Sigurimit).

Letër Ndalimi përmban: Neve Hys Zaja Prokuror Publik i Pref. të Shkodrës. Tue qënë se Monsinjor Frano Gjinaj biri i … dhe i …, vjeç 1886 nga… me mjeshtëri… me shenjat trupore të veçanta që pasojnë…. pandehet për deliktin e dobësimit të Mbrojtjes së kryer më … dhe të parashikuar prej nën …. Urdhëron ndalimin e tij për nji kohë të pa caktueme dhe mbylljen e tij në burgun e Shkodrës. Cdo fuqi e armatosun ngarkohet me ekzekutimin e këtij urdhëni.

Shkodër më 18, të muajit XI të vjetit 1946.

Prokurori Publik

Hys Zaja

Ajo çfarë bie në sy në këtë fletë arresti e shkruar keqas, thuhet se motivi i arrestimit është për krimin “dobësimi i Mbrojtjes”, çfarë nënkuptohet më këtë?! Ndërsa mesa duket nga dita e arrestimit deri ditën e akt –akuzës në fillim të vitit 1948, duket qartë se për dy vjet “është punuar” nga sigurimi për të përpiluar një dosje sa më bindëse për “krimet” e Mons. Gjinit dhe të tjerëve që u arrestuan më të. Me mjaft zell u përpiluan proces-verbale nga “prokuror”, “sigurims”, e njerëz të që s’hezituan të gënjejnë gjoja si dëshmitarë. Pse të gënjejnë? Kjo vihet re në deklaratën e Pjerin Kçirës pak muaj pas pushkatimit të Mons.Frano Gjinit, P.Mati Prenushit, e D.Nikollë Dedës. Ku punonjësi i Sigurimit Pjerin Kçira ndërron pllakë dhe nga anëtar partie bëhet armik i partisë dhe armik i popullit, duke treguar të vërtetën për armët në Kishën Françeskane, ku gjatë seancave gjyqësore do të pohoj i penduar për atë që e rendonte mbi supe, duke u shprehur para gjykatësit me këto fjalë: “Mos mendo se bën me mua siç kemi bërë me klerikët katolikë duke ia futur armët në kishë e duke i detyruar përmes torturave çnjerëzore të pranojnë se janë të tyret… Për të mbuluar poshtërsitë tuaja e të E.Hoxhës ju doni të dënoni njerëzit e pafajshëm!” Kjo deklaratë e tij nxori në pah të vërtetën e armëve në kishë. Por ishte vonë sepse tashmë martirët e fesë s’gjendeshin më në dhomat e ftohta të burgut, por në parriz.

“Gjygji në Redaksinë e ”Hyllit të Dritës”. Në Dhetor e mueren edhe atë e un mbeta përseri vetëm. Burgu tash dukej se kishte pak të burgosun. Aty më zuni fillimi i 1948 me nji të ftohtë aq të madh sa edhe mijtë vijshin e më hyjshin nën batanije e, disa herë, më ka ndodhë me i gjetë në nadje të ngordhun në dyshek; përse un i kishem shtypë pa dashje, ndërsa ishem në gjumë. Me dt.13 Janar me prunë akt-akuzën. Kjo ishte e formulueme e njajta për 10 persona.

Imzot Frano Gjini, At Mari Prendushi-Provincial i françeskanëve, Imzot Nikollë Deda, Dom Tom Laca-sekretar i Arqipeshkvit, Dom Ndoc Sahatçija, At Mëhill Miraj, D.Nikollë Shelqeti

Dom. Mark Hasi, Fr. Zef Pllumi, Zef Haxhia.

Akt-akuza përbahej prej 14 pikash, të cilat pak a shumë kishin këtë përmbajtje:

Të gjithë këta janë klerikë të Kishës Katolike, qendër e obskurantizmit botnor gjatë gjithë historisë. Se i kanë shërbye skllavopronarve e të gjithë monarkve gjatë shekujve. Se kanë shkaktue shumë luftra fetare, Kryqëzatat anti islamike, por kanë përgatitë edhe Natën e Shen Bartolomeut në Francë. Se kanë pengue shkencën e përsekutue shkenctarët tue djegë për së gjalli Galileo Galilein e Xhordano Brunon. Se kanë bashkpunue aktivisht me të gjithë perandoritë për shtypjen e popujve. Se kanë bashkpunue me Perandorinë Turke në dam të popullit shqiptar. Se kanë bashkëpunue me Perandorinë Austro –Hungareze dhe kanë përgatitë ardhjen e sajë. Se kanë përgatitë ardhjen e fashizmit. Se kanë bashkëpunue me mbretin Zog për shtypjen e popullit shqiptar. Se kanë përgatit okupacjonin Italian me 7 prill 1939 dhe atë të fashzimit gjerman. Se kanë luftue Lëvizje N.C. Se kanë dashtë me përmbysë Pushtetin Popullor, etj, etj.

(…) Mbas tri ditësh erdhën e më mueren. Në odën e Redaksisë të “Hyllit të Dritës” u zhvillua séance e parë gjygjsore. Erdh Trupi Gjykues Ushtarak, në mos u gabofsha, me këta persona: Mustafa Iljazi-kryetar, Anastasi dhe nji tjetër oficer dorëcung si antarë, Namik Xhemali- prokuror( …)”- kujton At Zef Pllumi.

Torturat dhe ekzekutimi!

U lexue prej Kryetarit vendimi i formuluem gjatë e stërgjatë me ato provat bindse, që zakonisht bien të gjith xhelatët e botës: Imzot Frano Gjini, me vdekje pushkatim, At Mati Prendushi me vdekje pushkatim, Imzot Nikollë Deda me vdekje pushkatim, Dom Tom Laca me burgim të përjetshëm, At Donat Kurti me burgim të përjetshëm, D.Ndoc Sahatçija me 15 vjet burg, At Mëhill Miraj me 10 vjet burg, Dom Mark Hasi me 7 vjet burg, Zef Haxhia me 5 vjet burg, Dom Nikoll Shelqeti me 3 vjet burg, Fr. Zef Pllumi me 3 vjet burg, D. Anton Muzaj me lirim kondicional.

Ndërkohë që priste ekzekutimin, sipas dëshmive thuhet që: (…)Koha e martirizimit të tij (Imzot Frano Gjinit) arriti shumë shpejt. Regjimi i ri e arrestoi Gjinin pas publikimit të letrës së tij, në të cilën denonconte fushatën shpifëse dhe persekutimin e Kishës Katolike. Policët që e merrnin në pyetje, ia lidhnin gojën dhe kokën me tela elektriku. Ato e torturonin me goditje elektrike, pastaj ia çanin e ia kriposnin trupin, madje i hidhnin edhe ashkla druri në thonj duarve dhe të këmbëve. Më në fund, skuadra e ekzekutimit i dha fund jetës së ipeshkvit, në një pellg me baltë në parcelat e vreshtave të Bardhajt (afër Shkodrës). Ai u ekzekutua me 18 klerikë dhe laikë, mëngjesin e 8 marsit 1948.

Por kush ishte Frano Gjini? I lindur me 20 shkurt 1886 në qytetin e Shkodrës, që heret shfaqi dëshirën për ti hyrë rrugës për tu bërë prift. Në 1903 përfundon maturën në Kolegjin Saverian, ndërsa studimet e larta për teologji i kryen në seminarin e Kongregacionit për përhapjen e fesë në Romë. Më 28 qershor 1908 shugurohet meshtar duke shërbyer si famullitar në Krujë, Vlorë e Durrës. Më 29 qershor 1930 zgjidhet Ipeshkëv i Abacisë së Mirditës në Orosh, ku Abati kishte një rendësi të madhe për mirditorët, më 3 korrik 1930 emërohet ipeshkëv titullar i Semta. Me 28 tetor 1930 shugërohet ipeshkëv. Për merita të veçanta në favor të Shqipërisë me 11 qershor 1942, Guvernatori Mbretëror në Tiranë i akordon Urdhërin “Skanderbeg”. Kështu në mars 1948 pushkatohet së bashku me klerikë të tjerë, të cilët ishin dënuar me akuzën e rreme për fshehjen e armëve në Kishën Françeskane. Më 14 nëntor 1993 atij iu akordua titulli (postmortum) “Martir i demokracisë” nga Presidentit i Shqipërisë i asaj kohe. Madje themeluesi i Kishës së Parë Katolike në SHBA, Mons. Zef Oroshi, dikur sekretar i Mons. Gjinit, në shenjë nderimi dhe respekti në hollin e kishës dhe në bibliotekën e tij mbante fotot e ipeshkvit Gjini- shkruhet në vepren e publicistit e studiuesit Tomë Mrijaj, “Një jetë e shkrirë për fe e atdhe –Mons. Zef Oroshi”

Gjini i cili ishte vet Doktor i Teologjisë i dha një rendësi të veçantë nxitjes dhe mbështetjes së shkencës si dhe dhënies së bursave kishtare për teologët e rinj shqiptar të talentuar.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top