Ilir Demalia polemizon me Xhufin, Milon dhe Zeqon për Mid’hat Frashërin dhe Luftën

SHKRUAR NGA ILIR DEMALIA

Kthimi i eshtrave të Mid’had Frashërit, kryetarit të Kongresit Manastirit, nënshkruesit dhe kontribuuesit të Pavarësisë, anëtarit të kabinetit të parë të qeverisë së Ismail Qemalit, diplomatit, shkrimtarit, kryetarit të parë të “Komitetit Shqipëria e lirë” në mërgim, njeriut që në vitet ‘30 zotëronte në Shqipërinë analfabete një nga bibliotekat më të mira në Ballkan, nervozoi dhe revoltoi keqas “çlirimtarët” me kthimin e eshtrave të tij në atdhe tërboi keq veteranë dhe historianë, akademikë, intelektualë të “çlirimtares”, për të vetmin fakt se Mid’had Frashëri kishte qenë themelues dhe kryetar i Ballit Kombëtar dhe si rrjedhim edhe kolaboracionist se kishte bashkëpunuar me pushtuesin gjerman.

E gjithë kjo furi u ngrit në këtë nëntor që përkoi me festën e çlirimit të Tiranës dhe me festat e Pavarësisë dhe Çlirimit të Shqipërisë.

Ajo çka duhet përmbysur me themel në shtetin dhe shoqërinë shqiptare është pikërisht historia. E cila është e ngritur dhe e manipuluar, e falsifikuar dhe e hiperbolizuar për 50 vjet të regjimit komunist dhe në postkomunizëm, ku edhe historitë e “antikomunistëve” të postkomunizmit-antikomunist, po falsifikohen, manipulohen e hiperbolizohen njësoj si historia e luftës së çlirimtarëve dhe ajo e postluftës.

Ky formim i historianëve të Institutit Marksizëm-Leninizmit, i hedhur nëpër librat dhe tekstet shkollore si mësim historie, duke ndërruar edhe vetë historinë e tyre me njerëzit që kishin kontribuar në krimet e përbashkëta si gjatë luftës dhe në terrorin postçlirimtar me në krye komandantin, duke ndërruar tekstet e historisë sipas grupeve armiqësore që i dilnin gjatë rrugës Enver Hoxhës, herë si heronj, herë si tradhtarë, tregon se çfarë mish-mashi është historia e shkruar shqiptare dhe çfarë historianësh ka Shqipëria.

Historia nuk është dashuri. Historia nuk është as pema e Krishtlindjeve që e zbukurojmë si të duam dhe sa herë të duam. Historia nuk është as plaku i Vitit Ri që vjen me thes dekoratash, varur në gjokset e fryra si gjela deti siç ka ndodhur dhe po ndodh me dekorimet e Presidencës gjatë postkomunizmit shqiptar. Jo! Historia është shkencë e bazuar në dokumente, ngjarje publike, njerëz, zhvillime e personazhe historike me dritë-hijet apo hije-dritat e tyre.

Ajo shoshitet nëpërmjet dokumenteve, fakteve, studiohet dhe nxirret si një produkt i dakordësuar nga e vërteta historike, që i shërben kombit dhe jo ideologjive, partive apo edhe më keq individëve për pushtetin e tyre. Historia është gjithmonë në zhvillim-ushtrimi me dokumente të reja. Kështu ndodh në historitë e vendeve serioze me demokraci dhe shtete të konsoliduara si raport me të vërtetën historike. Jo siç ndodh në Shqipëri, që historinë personale e bëjmë historinë e partisë dhe historinë e partisë, historinë e Shqipërisë. Historinë e katundit, histori kombëtare dhe historinë kombëtare e bëjmë histori katundi.

Ajo çka është tragjike sot, është se shqiptarët, ende pas 30 vjetësh të rënies së regjimit komunist si sistem politikoekonomik, janë të vendosur në llogoret e luftës së klasave, si luftë masash absurde në përdorim të sunduesve politik të radhës që vijnë nga shërbimet në diktaturë dhe lidhjet klanore-fisnore me diktaturën.

I gjithë ky teatër absurd në “komunistëantikomunistë” i dalë tashmë boje si injorancë e nivelit shoqëror që ka lidhur ngërç Shqipërinë dhe zhvillimin e saj në një konsumim energjish pa vlerë, por i nevojshëm si triumf llogoresh arkaike dhe folklorike, e ka lënë Shqipërinë në një rreth vicioz moszhvillimi politik, demokratik, ekonomik, social.

Në këtë situate janë fatkeqësisht ata që quhen elita intelektuale-politike e vendit nga të gjitha krahët dhe ngjyrat.

Si ka mundësi që pas 30 vjetësh të rënies së komunizmit, ata që quhen historianë dhe akademike, politikanë, si Xhufi, Milo, Koçi, apo Moikom Zeqo të jenë kaq qesharakë?! Këtu nuk po llogarisim shokun Sevo Tarifa ish-sekretarin e Nexhmije Hoxhës, i cili u mërzit jashtë mase pse u kthyen eshtrat e Mid’had Frashërit.

Por le të vijmë në atë që është më e rëndësishme në mënyrë të përmbledhur se nuk mund të bëjmë historinë në një artikull!

-Ajo për të cilën nuk pushojnë “çlirimtarët” është LNNÇ.

-A ishin çlirimtarët ata që larguan pushtuesin nazifashistë nga Shqipëria apo ishte kapitullimi i tyre?

-A kishte vëllavrasje nga komunistët gjatë luftës kundër forcave nacionaliste, Legalitetit dhe Ballit Kombëtar dhe a ishin këto vrasje për pushtetin që do të vinte pas luftës apo pse këta të nacionalistëve ishin “kolaboracionistë”?

-A ishin misionarët e Beogradit, ata të cilët merrnin pjesë në krijimin e Partisë Komuniste kur Partia e Ballit Kombëtar të Mid’had Frashërit u kishte vënë pushkën fashistëve kur ende PK Shqiptare ishte duke u gatuar në Beograd?

-A ishin komunistët që tradhtuan Konferencën e Mukjes, ku nacionalistët shkuan dhe i shtrinë dorën për të bërë një front të përbashkët kundër pushtuesit?

-A ishin këta “çlirimtarë” që me të hyrë në Tiranë, më 17 nëntor 1944, grabitën, konfiskuan shtëpi e mall tregtarësh, vranë pa gjyq në tortura njerëz të pafajshëm, duke krijuar terror?

-A vazhduan këta “çlirimtarë” duke eliminuar njerëzit më të ditur të Shqipërisë, duke filluar me klerin katolik që ishte tharmi dhe boshti i krijimit të gjuhës shqipe, kulturës, rilindjes, iluminizmit shqiptar, një-asaj rreze dielli që u shfaq në qiellin shqiptar për një kohë të shkurtër dhe u pre nga reja e zezë dhe më e gjatë e më kriminale në historinë e Shqipërisë, nga “çlirimtarët” e Enver Hoxhës, i cili akoma gëzon dekoratën dy herë “Hero i Popullit” për turpin e gjithë klasës politike shqiptare të postkomunizmit?

A ishte politika e “çlirimtarëve” ajo që Shqipëria në vitin 1990 ishte si një sarkofag i hapur i një kufome të dekompozuar, si ekonomikisht edhe fizikisht?

A nuk do ishte më mirë që këta historianë dhe të gjithë ata që krenohen me “çlirimtarët” t’u përgjigjeshin këtyre pyetjeve përpara së të revoltohen për kthimin e eshtrave të Mid’had Frashërit, njeriut që i ka dhënë aq shumë Shqipërisë, si në independencën e Shqipërisë, si në politikë, diplomaci, kulturë, gjuhë etj.?

Po këta historianë dhe shpura që i shkon mbrapa, a kanë vënë ndonjëherë në balancë “krimet” e këtyre “kolaboracionistëve” dhe shërbimet e tyre ndaj atdheut, kulturës dhe iluminimit të shoqërisë shqiptare, duke e nxjerrë nga humnerat e pushtimit 500-vjeçar otoman për ta drejtuar nga Perëndimi?

A ka mundësi të dimë se kë vrau, preu, kujt i grabiti pasurinë, kë internoi, kë torturoi, kë detyroi të largohet nga vendi, Mid’hat Frashëri?

E kështu të gjithë ata krena të shqiptarisë, si At Fishta, Mustafa Kruja, Fuat Dibra, Mehdi Frashëri, Lef Nosi, e gjithë kleri katolik shqiptar që u zhvarros e u dogj, barbari që s’e ka bërë asnjë pushtues në historinë e Shqipërisë?

PATËR ANTON HARAPI

E lashë për në fund këtë figurë kombëtare si njeri i majës më të lartë të mendimit filozofik dhe politik. Si atdhetar dhe iluminar i edukimit të rinisë nga dija e dashuria për atdhe e komb, devizë kjo e françeskanëve të Shqipërisë.

E lashë për në fund, se këtë e arrestuan, e torturuan për 6 muaj dhe e pushkatuan si kryekolaboracionist. Ai që i dha plumbin e fundit, sot është i dekoruar në demo(n)kraci me dekoratën “Nderi Kombit”. Ai është Misto Treska, prokurori që kur po e dërgonte për ta pushkatuar ne kodrat e Tiranës rrëzë Malit të Dajtit, kur zbritën nga makinë dhe po shoqëronin Padren e vogël në trup, por një gjigand në shpirt e zemër, me skuadrën e pushkatimit drejt gropës së hapur, binte shi dhe ishte baltë. Padre ngrinte veladonin me mos u stërkalë me baltë.

Prokurori Misto Treska i drejtohet: – Pse po ruhesh për të mos u bërë pis Padre? Për pak minuta në baltë do të shkosh!

Padre, duke ngrejtë përsëri veladonin i përgjigjet: – Atje ku të shkoj, biri jem, due me shkue i papërlyem si kam qenë tan jetën. Zoti ju mshiroftë!

E prura Padër Anton Harapin, sepse, Pëllumb Xhufi qenka shqetësuar se mos një ditë do të ngrehet dhe busti i Padër Anton Harapit! Po! Po të garantoj së do të ngrihet shumë shpejt. Do të ngrihet ashtu siç u ngrit Mid’had Frashëri, ashtu siç u kthye At Gjergj Fishta që e zhvarrosën dhe ia hodhën eshtrat në lumë, duke ia zhdukur veprën. Xhufi, si historian e njeri që ka rrëmuar arkivat, duhet ta dijë mirë pse u ndalua dhe u zhduk Fishta!

Enver Hoxha, pas kthimit nga Beogradi në 1947-n në bisedimet me Titon për krijimin e Konfederatës Ballkanike i tha Enver Hoxhës, ndërmjet të tjerave: “Nuk mund të kemi një politikë bashkim vllaznimi në Konfederatë, kur ju mbani akoma poetin shoven Gjergj Fishta”.

Enver Hoxha, sapo mbërriti në Tiranë, tha: – Të zhduket poeti shoven Gjergj Fishta.

Le të vijmë në fjalën e Padër Anton Harapit kur mori regjencën më 13 janar 1944, që shpjegon fare mirë “kolaboracionizmin” e tij dhe gjithë “kolaboracionistëve” se si kanë sakrifikuar veten për të shpëtuar Shqipërinë.

“Tash sa kohë publiku shqiptar ka pritë me ndie nji fjalë prej meje. Megjithëse parashoh se do të kuptohem keq dhe do të komentohem ndoshta edhe mâ keq, due t’i a çoj në vend dishirin: due t’a thom fjalën t’eme. Por, vall, shka të thom, kurse me fjalë jemi ngi? A kemi kund ndonji punë të mbarë, pse sa per fjalë të bukura nuk jemi ngusht aspak?

1 – Ja, pra, se nji punë e mirë u ba: mbas sa muejsh anarkije, sa të frikëshme aq edhe të rrezikëshme, sot – mirë a keq – kemi nji Këshillë të naltë, kemi nji Parlament, kemi nji Qeverí, kemi nji auktoritet shqiptár. Ketë vepër dikush e shikon me sy të mirë e dikush me sy të keq, aq sa edhe miqë e dashamirë të mij mrrijtën: Shka iu desht Patër Antonit me ia hy kësaj pune? Këtyne due t’iu përgjegji, jo si zyrtár, por si mik, jo për të përligjë vehten, por për të ndritun mendimin tem dhe të tyne.

Më rrenë mendja se nuk ka zog shqipari, qi të mendojë se unë e mora ketë barrë për kulltuk, për interesë a për ndonji intrigë. Mundet veç me dashtë ndokush mos qe ndonji maní e emja qi më shtyni deri këtu. Edhe unë po ua vërtetoj fjalën dhe po u thom se po: manija e Shqipnís, po, qe ajo qi më vuni dilemën: a me anarkista për të ba gjak, ase me hjekun dorë prej çashtjes kombtare. Dhe mbasi shpirti nuk ma tha të baj as njenën, as tjetrën, qeshë i shtrënguem të zgjedhi njenën dysh: a të baj nji marrí tue e pranue ketë zyrë; ase të tregoj nji dobsí tue u largue. Vendova ma mire të baj nji marrí: ase – sikurse thonë ata shqiptarë qi duen të ruhen të pastër – desha të kompromentohem.

2 – Ja arsyeja për të cilën pranova të marr pjesë n’auktoritetin shqiptár: pse nuk mujta t’a shoh Shqipnín n’anarki. Në këtë kohë dhe ndër këto rrethana, për né Shqiptarët anarkija asht nji turp dhe nji delikt: po, turp asht të ngatrrohemi shoq me shoq dhe vetë të krijojmë Babylonín shqiptare, pa qenë të zotët t’ia gjejmë fijen lamshit; delikt asht në ketë moment kaq kritik për botën mbarë të vejmë për ideal vllavrasjen, përmbysjen e katundevet, humbjen e gjas dhe shkatrrimin e familjevet. Kësaj i thonë rrokoll më rrokoll! Pra, m’u dhimbt populli e m’u dhimbt Shqipnija.

3 – Maní… E po, si kujton Pater Anton Harapi se ai po e shpëton Shqipnín?! … Jo, zotní! Asnjeni nesh, qi kemi marrë zyrën e Këshillit të Naltë, nuk e kemi pretenzjonin të mbahemi shpëtimtarët e popullit. Dhe atëherë, pra?… Shqipnín do ta shpëtojë Zoti, kurse na i kemi vu vehtes nji misjon: të përpiqemi me të gjitha fuqit për ta pakësue mjerimin dhe shemtimin shqiptar. Na e kemi ndërgjegjën të kjartë se jemi njerëz nevoje, d. m. th. se vetëm nevoja e kohës na ngrehi në ketë shkamb; as nuk kemi fjalë të mdhaja dhe premtime të bukura, por, po mujtëm t’i a lehtësojmë popullit sado pak ata shka vuen, dhe po mujtëm të vejmë nji gur të vogel për konsolidimin e çashtjes shqiptare, do të jemi të lumtun.

4 – Përveç këtij misjoni, nji tjetër arsye e fortë më shtyni t’a baj ketë hap: Qaje, Zot, të keqen – thashë me vehte – si mos me u gjetun në Shqipní burra të zotët, qi të marrin pergjegjësi publike dhe të mos flijojnë vehten për kolektivitetin?! Mospranimi i bashkëpunimit në ketë rasë – me e shikue hollë- për mue do të kishte qenë nji spekulacion: unë, i grishun botnísht të jap kontributin t’em për çashtjen e kombit dhe për ndihmën e popullit, ma parë do t’anojshem të ruej kryet dhe prestigjin t’em personal, se sa me rrezigue vehten për çashtjen e përbashkët. Anishka – thashë – rroftë populli edhe pa mue, rroftë Shqipnija!

5 – Edhe komunistavet due t’u a tham nji fjalë, por kjartë e shkurt. Unë jam i bindun se pak janë ata Shqiptarë, të cillët vërtè e kuptojnë doktrinën komuniste, por, tashmâ të gjithë po e shohin dhe po e njohin organizatën dhe vepren komuniste në Shqipní. Kjo âsht e vertetë, e kjo don me thanë se gadi të gjithë komunistat shqiptarë veprojnë me krye në thes pa dijtë shka bajnë dhe për shka veprojnë. Por, po thonë se e kanë per Shqipní, e vetëm per Shqipní. Unë due t’u besoj, por ky dallim midis doktrinës komuniste dhe veprës komuniste me formën kombtare – sikurse i kam ndigjue unë dhe vetë tue dishmue organizatorët komunista – mue më ban me dyshue për sinqeritetin e kësaj rrymë Shqiptare: Pse, vall, komunistat veshen e ngjeshen me zellin atdhetar, kurse atyne mbi të gjitha u intereson doktrina e jo atdheu?

Masat terroristike, mandej, vllavrasja, lidhnija e ngushtë deri në dependencë të plotë prej dorës së huej, dhe përdorimi i çdo mjeti për qellim nuk i lanë vend dyshimit. More, me kubure në gjoks nuk bahet kush as vllá, as shoq, por ja skllav, ja mizuer apo hypokrit… Gjithëmonë tue rrënue, nuk ndërtohet”. Mbas kësaj nuk mendoj se ka ngelë gjë për të thënë për t’i mbushur mendjen atyre, që u bien daulleve të “çlirimtarëve” veç me iu drejtue me fjalët e Padres, ashtu siç iu drejtua prokurorit Misto Treska “Nderi Kombit”: Zoti ju mshiroftë!

 

1 thought on “Ilir Demalia polemizon me Xhufin, Milon dhe Zeqon për Mid’hat Frashërin dhe Luftën”

  1. Malko Durmishi

    Shkrim shume i drejte.Sigurisht une nuk jam kurre per tone te ashpera dhe fyese,por me gjithe shpirt e sinqeritet ju drejtohem gjithe ish komunisteve ,shume e shume shoke e miq bile dhe shume te afert te mi,me frymen e ketij shkrimi ta gjykojne vehte.Jo kush e di c te bejne,por ne fgjalet ,bisedat diskutimet ta pranojne komunizmin si nje e keqe per Shqiperine,ta heqin nostalgjine per te.Komunizmi nuk ishte krenari,por turp e krim i importuar nga jugosllavet,i cili me shume kujdes,me genjeshtra e mburje te shumta ne njeren ane dhe me terror e spiunlleqe e gjyqe te rreme ne krahun tjeter e nxorri kete vend nga orbita e e cjes ne shteteve e popujve dhe e futi ne orbiten e gabuar komuniste.Sigurisht,komunistet nuk kane qene te ligj,bile njoh shume shumica kane qene te mire e te sjellshem ,por me bindje te gabuara mendonin se benin me te miren per Shqiperine.Komunistet nuk kane qene kriminel,nje pakice e vogel po.Komunistet tani po gabojne renede qe nuk e kuptojne se komunizmi i tyre ishte i gabuar dhe kete ta thone me plot gojen.komunistet te mos futen ne rresht me ata qe duan pushtetin per interesat e tyre,me me dinakeri genjejne popullin dhe ish komunistet se gja jane ne anen e tyre. E zgjata.Shkrim shume i bukujr dhe i drejte,nga nje autor, qe s e kam dashur,kryesisht per tonin mjaft agresiv neper debate.Qe sot do ta ndjek me me simpati dhe respekt

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top