SHKRUAN EDISON YPI
Po mendoja për diktaturën, demokracinë, qesharakizmin demokratik, dramaticitetin diktatorial, zinxhirat, torturat, burgjet, kur dëgjova nga televizori emrin e një vajze;
Keda Kaceli.
Mbajta frymën. Nuk bëhej fjalë për vanitetet e zakonshme televizive që flasin për vajza; modë, pasarela, diva, dieta, kirurgji plastike, fryrjen e buzës me mishin e bythës, dhe as për pislliqe moralistike, por për diçka tjetër, krejt tjetër.
Pasi dëgjova çfarë kishte bërë Keda Kaceli, dola për një kafe.
I thashë kafexhiut,
-Ke dëgjuar gjë ti për vajza serioze që interesohen për burgje të diktaturës, biruca, rrahje, pushkatime priftërinjsh ?
-Jo, tha kafexhiu. Nuk kam dëgjuar për vajza të tilla. Kam dëgjuar vetëm për kurva dhe karaputana të cilat në emër të vuajtjeve të diktaturës vjedhin miliona me turlilloj mënyra që i shpenzojnë për të blerë apartamente të mëdha në qëndër të Tiranës, makina të reja, vila në bregdet, hotele dhe restorante me çmime astronomike, pushime nëpër ishuj ekzotikë.
-Po për ndonjë libër që flet për priftërinj dhe burgje, ke dëgjuar gjë ?
Kafexhiu ngriti supet.
U hodh një thatuq me kasketë dhe shall rrotull qafës;
-Kam lexuar unë, tha thatuqi, një libër madhështor me burgje dhe pushkatime. E ka shkruar me kujtesë fenomenale, ndjeshmëri drithëruese dhe stil të lartë, një prift i burgosur me dhjetra vite në burgjet më të tmerrëshme. Jashtëzakonisht inteligjent dhe i përunjur prifti At Zef Pllumi. Libri titullohet “Rrno për me tregue”. Këtë libër e ka përkthyer italisht në mënyrë gjeniale me titullin “Il sangue di Abele” një gocë e re që quhet Keda Kaceli.
Kaq tha skilipeci, dhe u kthye për të rrufitur kafenë e lënë përgjysëm.
Dola nga kafeneja.
Rrugës takova një të përndjekur.
-Di gjë ti, i thashë të përndjekurit, di gjë ti për përkthimin madhështor që Keda Kaceli i ka bërë librit të At Zef Pllumit ?
-E ke në terezi ti, tha i përndjekuri. Vuaj nga një sëmundje e pashërueshme. Sot jam, nesër s’jam. I kam ditët e numuruara. Mua më duhet kësti. A më ndihmon dot ta marr këstin jashtë rradhe meqë vuaj nga sëmundja e pashërueshme ? Boll kam vuajtur. Nuk dua të dëgjoj më për internime, pushkatime, priftërinj, burgje. Aq më pak për libra dhe përkthime. Dua këstin.
Vazhdova rrugën.
Ik e ik takova doktorin erudit, Leonardo.
E pyeta Leonardon për Priftin, librin, Keda Kacelin.
Doktori, që mes tjerash, është edhe psikolog, shpërtheu në një ortek me superlativa për librin, autorin, përkthyesen.
-Nga i di këto ti Leonardo, i thashë ?
-Prit se s’të kam thënë kryesoren; Është çështje gjaku.
I pari gjak është gjaku i të parës viktimë njerëzore vllavrasëse, gjaku i Abelit.
Pas gjakut të Abelit vjen gjaku i At Zef Pllumit, Menjëherë pas gjakut të At Zef Pllumit, për nga cilësia dhe rëndësia, qëndron gjaku i Keda Kacelit. Pa këta dy gjakra, pra gjakrat e At Zef Pllumit dhe të Keda Kacelit, gjakrat e shqiptarëve të tjerë nuk do ishin gjakra, do ishin urina.
Gjaku i Abelit, gjaku i Keda Kacelit, gjaku i At Zef Pllumit, janë super-gjakra që kurrë nuk shterrin, vetëm rrjedhin.
Ti me gjak Kede Kaceli. Keda Kaceli me gjak At Zef Pllumi. At Zef Pllumi me gjak Abeli. Ju lutem mos u kuroni. Nuk na vleni të kuruar. Na duheni pak të sëmurë.