IDEJA E THAÇIT PËR PAJTIM ME SERBINË, VEPRIM SKANDALOZ POLITIK!

SHKRUAN: FLORIM ZEQA

Është hera e parë në historinë e njerëzimit, kur një president i një populli të gjakosur del haptas t’i kërkoj falje dhe pajtim një pushtuesi shekullor. Është hera e parë në histori të dëgjosh viktimën duke i kërkuar pajtim xhelatit apo agresorit barbar serb i cili përveq krimeve gjenocidiale ndaj popullatës civile, dogji dhe shkatërroi çdo pasuri shqiptare mbi faqen e dheut, siq e thotë populli; na i shkrumboi edhe gurët e thëmeleve të shtëpive tona.

Nuk është vetëm lufta e fundit, me Serbinë pushtuese e kemi një histori të gjatë dhe tepër të dhimbshme shekullore. Vrasjet dhe gjenocidi serb ndaj shqiptërëve nuk ka ndodhur vetëm në luftën e fundit çlirimtare të viteve 1998/99.

Pothuajse nuk është rritur dhe mplakur asnjë gjeneratë në Kosovë, pa e provuar mbi kurrizin e saj dhunën dhe kërrbaçin, helmimet dhe dhunimet, vrasjet dhe masakrat e përmasave gjenocidiale të barbarisë serbe.

I ashtuquajturi “president” i vendit, zoti Hashim Thaçi, pas përuljes pushtëruese pranë lapidareve të varrezave serbe me mbishkrimin “viktima të terrorit shiptar”, pasoi me hapa tjerë edhe më skandaloz, të kërkesës për pajtim me Serbinë gjakatare,…pa u konsultuar fare me spektrin e gjërë politik vendor, familjet e dëshmorëve, invalidvëve dhe viktimave të luftës, e para së gjithash me familjarët e rreth 1700 personave të zhdukur dhe rreth 20 mijë nënave e motrave shqiptare të dhunuara nga policët, ushtarët dhe paramilitarët serb në luftën e fundit.

Andaj, “presidenti” nuk e ka të drejtën morale dhe politike të kërkojë pajtim me Serbinë, dhe atë së paku për dy arsye;
E para, Hashim Thaçi nuk është president i zgjedhur me votën e lirë të qytetarëve të vendit, por është produkt i pazareve të pista politike mes klanit “Pronto” dhe nëntokës politike të LDK-së, pra është produkt i kontrabandimit të vullnetit të rreth 70 % të qytetarëve të Kosovës, të cilët në zgjedhjet nacionale të vitit 2014 kishin votuar kundër keqqeverisjes së tij 7 vjeqare, gjegjësisht kishin votuar për ndryshimin e kursit politik në vend.

E dyta, është aspekti moral që nuk e lejon “presidentin” t’i kërkoj falje dhe as pajtim Serbisë, ngase gjatë luftës së fundit çlirimtare, ai dhe familja e tij nuk kanë pësuar dhe as dëmtuar Serbinë.

Këtë e ka vërtetuar disa herë njeriu më kontravers i kohë s sonë, i vetëzgjedhuri “president”, i ngritur në karrierën politike si udhëheqës politik i luftës çlirimtare,…duke u deklaruar para mediave dhe zyrtarëve ndërkombëtar; “Nuk kam qenë pjesë e luftës çlirimtare”.

Degradimin e tij nga një lider i krahut të luftës për çlirim, e dëshmoi edhe në Seancën Solemne të Kuvendit të Republikës së Kosovës për nderë të 9 vjetorit të rishpalljes së Pavarësisë së Republikës së Kosovës, ku në asnjë rast nuk ia nxuri goja tri shkronjat e arta-UÇK, familjen legjendare Jashari dhe asnjë nga masakrat gjenocidiale të Serbisë në Kosovë. Vërtetë, fjalimi i tij patetik, i pashije dhe antikombëtar, më bëri të ndjejë dhembshuri për pozicionin e tij, sa turpërues aq edhe qyqarë,…duke i humbur në masë të madhe karakterin festiv të seancës solemne të kuvendit.

Gjithnjë, kur është në pyetje konsumi i brendshëm politik, del i pari në marrjen e primatit të meritave, duke u thirruar në vlerat e luftës, ndërsa sa herë që i ngushtohet rrethi nga ndërkombëtarët për llogaridhënje rreth përgjegjësisë, si udhëheqës politik i luftës çlirimtare, atyre ua thotë të kundërtën; “Nuk kam qenë në vijat e frontit…”!

“Presidentit” i ka humbur busolla orientuese, rrëshqitja dhe katandisja e tij politike nuk kanë të ndalur, i ka humbur guximi nga kërcënimet e ndërkombëtarëve, kur këta të fundit, deri dje e përdorën si figurë shahu në tabelën politike kosovare, ndërsa tani po e përdorin edhe si lodër nëpër varrezat serbe gjithandej Kosovës.

Nuk jemi në shekullin e 18-19, kur përhapja e lajmit dhe së vërtetës ka kërkuar kohë të gjatë dhe sfida të panumërta. Tani jemi në shekullin 21, ku shpejtësia e përhapjes së lajmit krahasohet me shpejtësinë e dritës, dhe falë zhvillimit të hovshëm teknologjik është e pamundur të shtrëmbërohen faktet dhe fshihet e vërteta.

Prandaj, ideja e Thaçit për pajtim me Serbinë, përveqse e pamoralshme, politikisht është veprim i gabuar dhe devijim i skajshëm kombëtar, përderisa Serbia të mos e njohë Republikën e Kosovës shtet të pavarur dhe sovran, t’i kthejë Kosovës rreth 1700 të zhdukur, të bëjë dëmshpërblimin e pasurive shqiptare të shkatërruara dhe plaçkitura gjatë luftës, të pasuar me kërkimfaljen publike për gjenocidin shekullor ndaj shqiptarëve.

I ashtuquajturi dhe vetëzgjedhuri “president”, llogaritë e tija personale nuk guxon t’i ndërlidhë me fatin dhe ndjenjat e popullatës së përgjakur nga terrori serb.

Mallkimi i popullit, do të jetë i ashpër dhe i pamëshirshëm ndaj gjithë atyre që shkelin gjakun e derdhur për lirinë e atdheut.
Gjaku nuk bëhet ujë zoti “president”, viktimat kërkojnë drejtësi dhe ndëshkim për kriminelët e jo pajtim siq jeni duke e kërkuar ju!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top