I pari i nacionalistëve të Dukagjinit

SHKRUAR NGA IDRIZ ZEQIRAJ

Demë Ali Pozhari u lind më 1905, në fshatin Pozhar të Deçanit. Arsimin fillestar e bëri në Kosovë, ndërsa Gjimnazin Jezuit e vazhdoi në Shkodër. Historia e Familjes Pozhari daton që prej tre shekujsh. Stërgjyshi, Ali Rexha, me të vëllanë Bekën, vritet tek Kalaja e Nishit, më 1876. Gjyshi, Mehmet Ali Pozhari, vritet në rrethimin e Sarajave të Avdullah Pashë Drenit, më 6 shtator 1878, në Gjakovë, ku u vra Mehmet Ali Pashë Maxharri, me origjinë gjermane nga Magdeburgu i Gjermanisë. Babai, Ali Mehmeti, arsimdashës, në shtëpinë e tij u hap shkolla e parë shqipe në Pozhar 1915-18, me mësues Ibrahim Fehmiu, babai i artistit të mirënjohur, Bekim Fehmiu.

DEMË ALI POZHARI
DEMË ALI POZHARI

Demë Ali Pozhari u shqua nga brezi i tij, qysh në rininë e hershme. Ai ishte pjesë e Lidhjes së Dytë të Prizrenit. Kontaktet të përhershme mbante me Profesor Ymer Berishën, Gjon Sereçin, Avdi Smajlin, nga Martinaj, Guci, Sadri Çakën, Mehmet Agë Rashkocin, Ukë Sadikun dhe atdhetarë të tjerë.

Në ballë të nacionalistëve nga Dukagjini, Rugova, Podguri, Drenica e deri në Mitrovicë, u vunë Demë Ali Pozhari e Kurt Abazi, Sak Fazlia e Sali Rama, Mulla Zekë Bërdynaj i Radavcit e Adem Bajraktari i Vranovcit, Ramë Alia e Bajram Gashi i Uçës të Istogut, Miftar e Cen Bajraktari i Llaushës, Shaban Polluzha e Mehmet Gradica të Drenicës.

Më 4 nëntor 1941, forcat çetnike sulmuan Pazarin e Ri (Novi Pazar-in). Për mbrojtjen e Pazarit të Ri dhe të Sanxhakut në tërësi, i cili dikur ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës, u mobilizuan 3.200 luftëtarë nga Kosova, me angazhimin udhëheqës edhe të Haqif Blutës, Xhafer Devës, Pajazit Boletinit dhe të tjerë. Në luftën e Pazarit të Ri ranë 144 dëshmorë nga Kosova, në mesin e tyre ishte edhe Bardhosh Dina Gërvalla, gjyshi i Jusuf dhe Bardhosh Gërvallës.

Nacionalistët, kombëtarët mbajtën 11 Kuvende. Të parin në Gjakovë, më 1942 e, deri tek i fundit në Mirëditë, më 1945. Plava, Gucia, Rugova, Rozhaja, Tutini, Pazari i Ri, në rrezik pushtimi nga forcat çetnike serbo-malazeze.

Gjatë luftës ka udhëhequr çetat e Ballit Kombëtar, bashkë me Ramë Binakun e Dashinocit.

Enver Hoxha i ktheu në Kosovë djemtë komunistë të shkolluar në Shqipëri, për ta organizuar, kinse, luftën çlirimtare. Epërsia e forcave komuniste vinte në rritje, në raport me forcat nacionaliste.

Demë Ali Pozhari në vitin 1941 operonte në Plavë e Guci. Ai u vu në ballë të rezistencës, për mbrojtjen e Rrafshit të Dukagjinit, kundër forcave çetnike serbo-malazeze, të cilat, bartnin uniformën partizane jugosllave, tashmë, të inkuadruara në Brigada Partizane. Në aleancë me këto formacione kundra-shqiptare ishte edhe Partia Komuniste e Shqipërisë.

Nga viti 1942 deri më 1944, ishte kryetar i Komunës të Rozhajës. Por, kjo nuk e pengoi, për të drejtuar çetat nacionaliste, në mbrojtje të Dukagjinit, Plavës dhe Gucisë, si dhe në Sanxhakun shqiptar, që ishte pjesë e Vilajetit të Kosovës.

Në korrik 1943, vullnetarët nacionalistë të Demë Ali Pozharit dhe të Mehmet Agë Rashkocit, bënë një operacion të suksesshëm, duke vrarë 60 ushtarë në Luftën e Shekullarit. Në muajin tetor 1944, Demë Ali Pozhari me Ali Bajraktarin, u bënë pengesë forcave partizane jugosllavo-shqiptare, duke mbrojtur Junikun.

Nga viti 1944 deri 1948, udhëheqësit ushtarakë të Lëvizjes nacionaliste, kaluan në ilegalitet Numri i luftëtarëve nën armë, ishte zvogëluar dukshëm. Numëroheshin rreth 40 vetë, të cilët përfaqësoheshin nga: Demë Ali Pozhari, Aziz Zhilivoda, (xhaxhai i Kolonel Ahmet Krasniqit), Ndue Përlleshi, Hasan Remniku, Metë Hasani e të tjerë.

Jeta ilegale e Demë Ali Pozharit ishte tejet e vështirë, duke pasur parasysh organizimin e përgjimit dhe përndjekjes komuniste. Konaku i Qelë Shabanit të Becit, ishte strehë bazë. Lëvizja ndër konaqe, ka qenë me rrezikshmëri të lartë. Intuita, nuhatja, zgjuarësia e Demë Ali Pozharit ka qenë proverbiale.

Goditja e Familjes të Demë Ali Pozharit, ka filluar para Lidhjes Shqiptare të Prizrenit 1878; ka vazhduar në vitet `30-a të shekullit të kaluar; në vitet `40-a e `50-a, e deri në luftën e fundit në Kosovë. Saga e Familjes Pozhari, do të vazhdonte me përgjakjen e brezave Pozhari. U vranë radhazi vëllezërit e Demës: Meta dhe Rexha. Djali i madh, Miftari, u ekzekutua në vitin 1946, nga rinia e OZNA-s, kur u kthye nga Hasi në Pozhar. Dy djemtë më të vegjël: Brahimi dhe Afrimi u helmuan nga pushtuesi në vitin 1950. Familja Pozhari u burgos, për tre vjet radhazi, nga viti 1946 deri 1948, në burgun e Gjakovës, kohë kjo e ilegalitetit të Demë Ali Pozharit. Vajza e vetme e Demës, Zylyhaja, edhepse e sëmurë, vazhdonte të vuante burgun, pa qenë e dënuar ligjërisht.

Kulla e Demë Ali Pozharit u dogj katër herë: E dogji turku, Serbia e Kralit, Jugosllavija komuniste e Titos dhe Serbia e Millosheviçit. Dhe, përsëri Kulla është ngritur nga hiri i saj. Në mesin e kullave të Dukagjinit, shquheshin Kulla-Oda e Junikut, Kulla e Pozharajve, Kulla e Osdautajve.

Vajza e Demës, që mbijetoi, ishte Zylyhaja, e lindur nga Nifa, bija e Haxhi Bajraktarit të Vranovcit. Zylyhaja u martua për Avdyl Shalën, në familjen e Rrustem Llukës, të shpëngulur në Lugun e Baranit. Zylyhaja simbolizon, veç nënës, edhe figurën tragjike të gruas familjare. Ditë gëzimesh, dasma, festa familjare apo fetare, i ka përlotur, sepse nuk arriti të martojë as vëlla, as motër. Por, përjetoi vrasjen e tre vëllezërve tadhazi, brenda katër vitësh. Fatmirësisht, vajza e vetme e Demë Ali Pozharit, Zylyhaja, pati një martesë fatlume. Ajo u bë nusja e Avdyl Shalës, nip i Rrustem Llukës, shtëpi konak dhe më zë në Dukagjin. Lindi, rriti, edukoi dhe shkolloi 8 (tetë) fëmijë. Në mes tyre edhe Shpend Shalën, kuadër i luftës për lirinë e Kosovës.

Më 1948, Demë Ali Pozhari, me disa bashkëluftëtarë, arritën të ikin në Greqi. Grekërit i ngujuan në një kamp izolimi dhe donin t`i shfrytëzonin për interesa të veta. Por, Demë Ali Pozhari ishte i pari i nacionalistëve të Dukagjinit, ishte udhëheqës i forcave të armatosura, që shtrihej në hapësirat, që nga Dukagjini, Plavë e Gucia, Rugova e Rozhaja, Tutini e Pazari i Ri dhe nuk pranoi të vihet në shërbim të askujt, përveç Atdheut të tij, Kosovës.

Pas tre vitesh qëndrimi në Greqi, Demë Ali Pozhari, me shokë, arritën të vendosën në Turqi. Në Stanboll u martua me Sabahate Shalën, familje e shpërngulur nga Peja në Stanboll, me të cilën lindën djalin Ibrahimin, më 1954. Sabahatja u sëmurë dhe vdiq. Dhe, Dema do të martohej me turkeshën Vasfije, një bukuroshe dinjitoze e krenare, motër e dy gjeneralëve turk.

Demë Ali Pozharit në Stanboll iu besua detyra e shefit përgjegjës për emigracionin. Ai ndihmoi dhe strehoi me qindra veprimtarë e luftëtarë kombëtarë, të përndjekur dhe të dënuar, në mungesë, nga regjimet komuniste, si nga Kosova, Shqipëria, trevat tjera shqiptare, jashtë Shqipërisë londineze, si dhe Çamëria, e pushtuar nga Greqia armike, kundra shqipatre.

Takimi me Demë Ali Pozharin

Hotel “Dajti”, Tiranë, nëntor 1969, e takova Demë Ali Pozharin. Edhe pse i moshuar, shtatë-lartë, me tipare të krenarisë dhe të bukurisë burrërore, rrezatonte kthjelltësi mendore dhe energji trupore. Me rastin e 25 vjetorit të çlirimit të Shqipërisë, ishin ftuar bashkatdhetarë nga Mërgata, kryesisht, të moshuar, pjesa më e madhe mërgimtarë ekonomikë, të larguar para Luftës së Dytë Botërore, por, edhe ndoca politikë, nga trojet shqiptare jashtë Shqipërisë londineze. Në mesin e tyre ishte edhe Demë Ali Pozhari, që llogaritet si krynacioalisti i Rrafshit të Dukagjinit, udhëheqës i rezistencës, në mbrojtje të territorit tokësor, në Rrafshin e Dukagjinit dhe të Sanxhakut, përfshi edhe Plavë e Guci.

Emrin e udhëheqësit luftarak, Demë Ali Pozharit, për herë të parë e kam dëgjuar nga babai im, Sadri Smajli Zeqiraj. Ai ka qenë punonjës policie përgjatë viteve të Shqipërisë së Bashkuar, në Skënderaj. Dhe, prej andej shoqërues i udhëheqësit nacionalistit drenicar, Mehmet Gradica. Në vitin 1942, në Kuvendin e parë Kombëtar, të mbajtur në Gjakovë, me pjesëmarrjen e krerëve nacionalistë dhe komunistë, babai im Sadri Zeqiraj, shoqëronte krerët e Drenicës. Bënë përshtypje se në Kuvend marrin pjesë dy vëllezërit, Demush dhe Haki Taha, i pari me krahun nacionalist, i dyti me atë komunist. Demush Taha – Gjakova, është babai i poetit dhe shkrimtarit të njohur Agim Gjakova. Im at kishte takuar Demë Ali Pozharin, i cili, dy vite më vnë, do të bëhej edhe luftëtar i tij.

E ftuar e festës shqiptare ishte edhe Bije (Sabrije) Vokshi, kuadër e luftës, përkrah komunistëve. Familja Vokshi kishte jetuar në Shqipëri në kohën e Mbretërisë. Nipat e Bijës, Asim dhe Xhafër Vokshi ishin shkolluar atje. Në shtëpinë e tyre u themelua Rinia Komuniste Shqiptare. Aty u njohen edhe çifti i ardhshëm Nexhmije dhe Enver Hoxha. Gjatë luftës Partia Komuniste Shqiptare, vajzat dhe djemtë e Kosovës, të shkolluar në Shqipëri, i nisi, me mision, për organizimin e lëvizjes komuniste në Kosovë. Asimi ishte vrarë në Luftën Civile të Spanjës, “për mustaqet e Stalinit”, ndërsa Bija me Xhaferin u kthyen në Kosovë.

Për festën e çlirimit, Bije Vokshi arriti më parë në Tiraë dhe u vendos në Hotel “Dajti”. Ishim kurreshtarë pët takimin e parë, që do të kishin, pas një çerek shekulli, me Demë Ali Pozharin, si kundërshtar politik me armë. Ja, biseda e parë, në mes kundërshtarëve politikë të dikurshëm:

– Bije Vokshi: “Demë Ali Pozhari, po të kisha nxënë para 25 vjetëve, do ta zgjidhja lisin më të gjatë për me të varë”.
I menjëhershëm ishte reagimi i Demë Ali Pozharit:
– “Bije Vokshi, edhe unë po të kisha takuar në atë kohë, do të zgjidhja dy lisa të gjatë, në afërsi, sa të arrijnë këmbët tuaja, për t`i varë në ata, me kokë poshtë!”
Dhe, me kaq u bë pajtimi i dy kundërshtarëve politikë të luftës, që, dikur, përfaqësonin dy rryma armike me njëra-tjetrën.

Një armiqësi e hershme në mes familjes Vokshi dhe Pozhari zë fill kur vëllai i Demës, Metë Ali Pozhari, vritet nga një vokshian, fisi Thaç. Dhe, vrasja e Beqir Vokshit, më 22 janar 1923, i faturohet Familjes Pozhari, si hakmarrje. Por, e vërteta është se ekzekutimi i Beqir Vokshit është bërë ne urdhër të Hasan Prishtinës, dhënë Çetës të Azem Galicës. Dhe, intriga vazhdon, kur vritet vëllai tjetër i Demës, Rexhë Ali Pozhari, i faturohet Familjes Vokshi, por, në fakt, ai është vrarë nga xhandari sanxhakli Sheh Boshnjaku. Autorësia e vrasjes të Rexhë Alisë, është dëshmuar me “çystek-sahatin” e gjetur, ne rastin e vrasjes të Sheh Boshnjakut.

Për kurbanizimin e nusërisë të Bije Vokshit, përkushtimin për të rritur, shkolluar nipërit jetimër, përjetoi një dramë të veçantë jetësore familjare, me burgje, persekutime, internime nga të dy shtetet komuniste, jugosllav e shqiptar, do të shkruajmë një herë tjetër.

Ndonëse të moshuar, Bije Vokshi dhe Demë Ali Pozhari, patën një trajtim mjekësor të zgjatur, gjë që mundësoi ndejen dhe bisedën tonë, aq të dëshiruar. Bacës Demë i rrëfeva për tim atë dhe takimin në Kuvendin Konbëtar të Gjakovës, më 1942, në cilësinë e shoqëruesit të krerëve delegatë të Drenicës. Ai filloi të rrëfente për luftën, për betejat e fituara, por, edhe për luftën e humbur të forcave naconaliste, sepse u ndodhën në mes zjarrit të komunistëve jugosllavë dhe shqiptarë, “të cilët, njësoj, na trajtuan si armiq dhe na luftuan, bashkarisht, pa mëshirë!”

Është interesante përputhja e ngjarjeve historike në rrëfimet gojore, personale të Demë Ali Pozharit, me trajtimin që u ka bërë ngjarjeve të asaj kohe autori i librit, Shefqet Dibrani “Rrëfime për jetën e Demë Ali Pozharit”.

Është përfolur shumë pajtimi i nacionalistit të parë të Dukagjinit, Demë Ali Pozhari, me komunistin e egër shqiptar Enver Hoxhën. Aq më tepër, kur ishte, pikërisht, Demë Ali Pozhari, ai që u priu të 60 bashkatdhetarëve në takimin me diktatorin Hoxha, i fotografuar duke i cikërruar gotat. Jugosllavia do të reagonte se “Enver Hoxha u pajtua me nacionalistin, armikun e komunistëve jugosllavë e shqiptarë, gjatë luftës”. Këtë pajtim Demë Ali Pozhari e shpjegon me vullnetin e mirë dhe nevojen për t`u pajtuar e bashkuar shqiptarët, para sfidave të kohës dhe, në veçanti, në rrthanat pushtuese, që ndodhet Kosova. Dhe, këtë e shprehu botërisht.

Por, diktatorit Hoxhë nuk i pëlqeu, sepse, një vit më vonë, në vizitën e bërë, për herë parë në Tropojë, pas tej 60 viteve jetë, do të deklaronte se “popujt jugosllavë e shqiptarë, kanë derdhur gjakun, së bashku, në të njëjtat fushë-beteja”. Pra, kishte filluar flirti, po përtëritej miqësia shqiptaro-jugosllave. Mesazhi ishte i qartë: Kosova duhej të vazhdonte stutusquonë, të mos përmendej, për t`u bërë “mollë sherri”.

Demë Ali Pozhari kishte lënë vajzën Zylyhanë, në Kosovë dhe djalin e pleqërisë, Ibrahimin, të lindur në Istanbul. Pleqëria dhe diagnostikimi me një sëmundje të rëndë, bëri që ai të mendojë seriozisht për djalin e vetëm. Dhe, mori vendimin e vështirë, për ta dërguar për shkollim në Shqipëri, me qëllim të shpëtimit nga asimilimi. Edhe kjo mund të jetë një shtysë e pajtimit me Hoxhën e Tiranës. Për këtë nismë ndërmjetësoi Profesor Bujar Hoxha, ministër fuqiplotë në Konsullatën Shqiptare në Stanboll, i biri i Hoxha Kadri Prishtinës, kryetar i Komitetit për Mbrojtjen e Kosovës, me qendër në Shkodër.

Baca Demë dhe sidomos, zonja e tij, teta Vasfije, siç e quaja unë, me shkruanin letra, me porosinë për t´u përkujdesur për Ibrahimin e tyre të shumëdashur. Unë mbaja kontakte, fillimisht, me drejtoreshën e Gjimnazit “Ismail Qemali” dhe, më vonë, me atë të Shkollës Pedagogjike “17 Nëntori”, e cila vazhdonte traditën e Shkollës Normale “Nëna Mbretëreshë”, të kohës së Mbretërisë Shqiptare, vetëm për femra. Transferi i Ibrahimit në këtë shkollë, i vetmi mashkull, ishte për efekt të mësimit më të mirë të gjuhës shqipe.

Në një letër baca Demë me porosiste: Çoi fjalë vajzës time Zylyhasë në Gjakovë, që mos t`i dërgojë pako me rroba Ibrahimit, se lazdrohet e nuk mëson. Unë e kryeva porosinë. Por, dada Zyliha përgjigjet: Ah, more vëlla, baba Demë duhet të më kuptojë, se unë kam vetëm një vëlla! Ibrahimi ishte shtatëlartë e bukurosh, sikur i ati. “Më bëjë baba të të ngjajë!”

Në njërën nga letrat, teta Vasfije Pozhari, më porosiste që Ibrahimi, pas maturës, të vazhdojë studimet në Fakultetin e Mjekësisë, Dega Stomatologji (Dentari), sepse turkesha Vasfije ëndërronte Klinikë Dentare private, për djalin Ibrahim Pozhari. Dhe, unë i premtova. Por, premtimi mbeti pengu im, sepse humba lirinë dhe komunikimin, njëkohësisht. Ibrahimi mbaroi Mjekësinë e Përgjithshme dhe u punësua në Institutin e Mjekësisë Popullore.

Demë Ali Pozhari, edhe pse jetoi edhe 6 vjetë, pasi e përcolli djalin, ai vdiq me pengun e madh, për ta parë Ibrahimin e tij. Qeveria Shqiptare as nuk i dha vizë-hyrëse atij dhe as nuk lejoi kthimin e Ibrahimit në Turqi, edhe pse një anije tregtare, me 12 dhoma për pasagjerë, lundronte, të paktën, tre herë në muaj për në Stanboll! Për çudë, edhe familjet, me lidhje gjaku, ku çmallej e ngushëllohej djali Ibrahim, u goditën u burgosën.

Pas 20 vjetësh, në vitin 1993, në shoqërim të Ministrit të Informacionit të Republikës të Kosovës, Xhafer Shatrit, trokita në derën e banesës të Ibrahim Pozharit, ke 9-të Katshet e Tiranës, tashmë, me nuse dhe dy djemtë: Demën dhe Ermalin.

Demë Ali Pozhari është vlerësuar nga Presidenti i Shqipërisë, me titullin e lartë – Nderi i Kombit – dhe nga Presidentja e Kosovës me – Urdhëri i Lirisë -, për veprimtari atdhetare e luftarake, për mbrojtjen dhe lirinë e Kosovës.

4 thoughts on “I pari i nacionalistëve të Dukagjinit”

  1. Lexova me kujdes të gjitha ,kishte pro et kontra por nja mbi të gjitha si ban te harroni emrin e Ali Ibër Nezës ,ku dihet mirëfilli se ishte burr i gjitha këtyre Organizimeve që nga Lidhja e Prizerenit e gjer në fund ,pra kur flitet për gjith këto të bëma ,mund të them rrespekt për të gjitha ama Ali Ibra ishte edhe vet themeluesi i Gjakovës së ditës së sotit kte e deshmon vet Historia,me rrespekt Sejdi Smajli

  2. Lexova me kujdes të gjitha ,kishte pro et kontra por nja mbi të gjitha si ban te harroni emrin e Ali Ibër Nezës ,ku diget mirëfilli se ishte burr i gjitha këtyre Organizimeve që nga Lidhja e Prizerenit e gjer në fund ,pra kur flitet për gjith këto të bëma ,mund të them rrespekt për të gjitha ama Ali Ibra ishte edhe vet themeluesi i Gjakovës së ditës së sotit kte e deshmon vet Historia,me rrespekt Sejdi Smajli

  3. POZHARI QË NGA ALI MEHMETI (1878) FITOI PRIMAT MBI PAK FSHATRA TË LLUGASH E GLUGASH,dhe PO KËRKON PRIMAT HISTORIK ME FALSIFIKIME DHE TRILLIME;DUKE HARRUAR PRIMATIN E JUNIKUT NË DUKAGJIN ;KOSOVË DHE MË GJERË ! DEMË ALIU GJATË LUFTËS DYTË BOTËRORE ISHTE TRI VITE KRYETAR BASHKIE NË ROZHAJË,ANDAJ NË FRONTIN E PLAVË GUCISË
    KU KOMANDANT I SHTABIT VULLNETARËVE ISHTE ALI BAJRAKTARI I JUNIKUT,NUK MORI PJESË FARE:ATY SI KAPABAND- PËRFAQËSUES TË LLUKAVE;PAZHARIT,NUK ISHTE DEMË ALIA POR LAN SELIMI I LLUKËS DHE RAMË BINAKU I DASHINOCIT ! KËTO JANË FAKTE TË SAKTA E JO FALSIFIKATE ! HISTORIA KËRKON ARGUMENTE DHE FAKTE ANDAJ NUK TOLËRON LETRARIZËM FOLKLORIK! NJË NUMËR AUTORËSH PO NA NDYEJNË HISTORINË ME GËNJESHTRA DHE FALSIFIKIME,DUKE HARRUAR SE KËSHTU I BËJNË DEME TË RËNDA IMORALE KOMBIT DHE ATDHEUT ,VETËM E VERTETA ESHTË EDUKATORE E MIRËFILLËT DHE SHERUESE E LËNGATAVE TË MUNDËSHME TË NDËRGJEGJES KOMBËTARE DHE HISTORIKE ! RESPEKT OPINIONIT TË SINQERTË !

  4. SHËNIME FOLKLORIKE TË AUTORIT IDRIZ ZEÇIRAJ ! PËRKUNDËR RESPEKTIT NDAJ VOTRES ALI MEHMETIT TË PAZHARIT,PËRPJEKJA IREALE PËR TI DHËNË PRIMAT KËSAJ VOTRE TË EVIDENTUAR VONË NË HISTORI,NDAJ VOTRËS SHUMË SHEKULLORE TË BAJRAKTARIT JUNIKUT,JO VETËM QË ËSHTË NJË GËNJESHTËR BASTARDHE POR EDHE KOMEDI ACIDALE !ARTIKULLI ËSHTË THURË FILL E FUND ME TRILLIME DHE GËNJESHTRA,ANDAJ S KA ASNJË VLERË HISTORIKE.KUSH MUND TË BESOJË SE PAZHARI QENKA MË AUTORATIV SE JUNIKU?APO KUSH MUND TË BESOJË SE DEM ALIA PASKA QENË I PARI,KUR RAPSODIA E VITIT 1943 PËR SHEMSO FERIN E TREGON SE I PARI ATDHETAR I DUKAGJINIT ISHTE ALI BAJRAKTARI.KUSH MUND TA MOHOJË SE DEM ALIA ISHTE ME QËNDRIME BIPOLARE POLITIKE,PARA DHE PAS VITIT 1945?!SE ISHTE BIPOLAR E DESHMOI AI VET KURË U TAKUA VULLNETARISHT ME ENVER HOXHËN NË VITIN 1968 DHE U BË MERCENAR I TIJË PËR ZHDUKJEN E FESË. KUSH MUND TA MOHOJË KËTË LIDHJE KURË PËR HIR TË KËSAJ MIQËSIE ENVER HOXHA IA SHKOLLOI TË BIRIN DEM ALISË !?SIREALISHT DEMALIA JO VETËM QË S ISHTE I PARI NACIONALISTË POR DOLI PREJ RRESHTIT TË BURRAVE HEROIK PAS KOLABRACIONIZMIT ME ENVER HOXHËN !NE MUND TË BËJMË HARTIME IREALE ME PLOT RRENA,ILUSTRIME DHE TRILLIME,POR OPINIONI E DO TË VERTETËN E SAKTË HISTORIKE!GËNJESHTRA NUK E NDËRON AS PROTAGONISTIN AS AUTORIN Zt IDRIZ ZEÇIRAJ !RESPEKT VETËM TË VERTETËS,OPINIONIT TË SINQERTË DHE ATYRE QE U FLIJUAN NË ALTAR TË NDERIT LIRISË ATDHEUT E NUK IKËN SI DEM ALIA,SADIK ELEZ -ALAJ DHE DISA DHJETRA QË NË VITËT E GJASHTËDHETA QENË BËRË MERCENARË TË BINDUR TË ENVER HOXHËS !

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top