I dërguari i posaçëm për “Zajednicën”

Gjatë një bashkëbisedimi me gazetarët, i dërguari i posaçëm i SHBA-ve për “Zajednicën”, Gabriel Escobar, pohoi se qëndrimi i SHBA-ve është që duhet të zbatohen të gjitha marrëveshjet e arritura në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi, por se, duhet të ketë edhe një diskutim më përmbajtësor për çështjen e “Zajednicës”, që të mos bie ndesh me ligjet e vendit.

“Ne kemi qenë të qartë se palët janë pajtuar më herët për “Zajednicën”, prandaj edhe duhet të diskutohet hapur për këtë çështje. Megjithatë, “Zajednica” nuk duhet të ndërhyjë dhe nuk duhet të bie në kundërshtim me Kushtetutën e Kosovës, nuk duhet të krijojë probleme në funksionalitetin e Kosovës dhe nuk duhet të jetë shtet brenda një shteti”, deklaroi ai.

Escobar tha se ka modele të shumta evropiane, ku minoritetet mund të mbrojnë trashëgiminë e tyre kulturore dhe gjuhën amtare, por pa shkelur kornizën kushtetuese të vendit ku jetojnë.

“Ne duam të gjejmë disa prej këtyre shembujve dhe ndoshta edhe t’i përdorim si udhëzues për të funkcionalizuar “Zajednicën”. Prandaj, unë kam shpresë se këto dot të mund t’i diskutojmë gjatë këtij muaji në Bruksel”, shtoi ai.

Escobar tha se për Shtetet e Bashkuara, çështja e Kosovës “nuk është çështje e hapur”, pasi Uashingtoni dëshiron që Kosova të njihet prej të gjitha shteteve të BE-së dhe të anëtarësohet në organizata ndërkombëtare.

Ai tha se SHBA-ja mbështet “plotësisht dialogun e lehtësuar nga BE-ja”.

“Ne besojmë se ka një zgjidhje të përhershme për çështjen e targave të makinave. Besoj se jemi afër zbatimit e udhërrëfyesit për energjinë në veri, jemi afër nënshkrimit të marrëveshjes për të pagjeturit dhe shpresoj që palët do ta nënshkruajnë këtë marrëveshje shumë shpejt. Dhe sikurse sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, u tha presidentes dhe kryeministrit të Kosovës kur ishin në SHBA, ne duhet tani të nisim diskutimin për funkcionalizimin e “Zajednicës”, tha ai.

Kosova dhe Serbia kanë arritur më 2013 Marrëveshjen për “Zajednicën” në kuadër të dialgout të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Dy vjet më vonë, palët e kanë nënshkruar Marrëveshjen mbi parimet e themelimit të “Zajednicës”. Por, po atë vit, Gjykata Kushtetuese e Kosovës nënvizoi se disa pika të marrëveshjes nuk ishin në harmoni me aktin më të lartë juridik dhe se ato duhet të harmonizohen me akte nënligjore të Qeverisë.

Më 18 gusht, kryeministri Kurti dhe presidenti Vuçiq do të takohen në Bruksel për të vazhduar dialogun.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top