Humbje fitimtare

Shkruan: Edison YPI

I pashë në Marsejë veshur me fanelën e ekipit kombëtar dhe me fytyrën e pikturuar kuq e zi. Mbanin në duar flamuj dhe përsërisnin: O sa mirë me qenë shqiptar. Qanin dhe pyesnin prindërit pse nuk kemi fat, pse gjithmonë humbim.

Kur isha fëmijë ekipi ynë kombëtar luante rrallë, fort rrallë. Nja 10 vjet rresht nuk bëri asnjë ndeshje ndërkombëtare. Qeveria vendosi të mos merrte pjesë në aktivitete ndërkombëtar se rrihej me shumë gola. Në vitet e shkollës pati një ndeshje në vit. Në pesë vjet nuk fituam asnjë ndeshje. U mundëm 8 me 0 me Gjermaninë; 5 me 0 me Austrinë, u mundëm me Finlandën e Bullgarinë. Kur luanim këtu, shpresa e vetme ishte të mos pësonim shumë gola. Humbja 1 apo 2 me 0 ishte lumturi për ne. Jetonim nga humbja në humbje.

Kur luanin jashtë rezultati na vinte pas disa ditësh. Kur Gjermania na mundi 8 me 0, për ditë me rradhe nuk u dha asnjë njoftim. Nuk gjeje dot biletë. Nuk kishte fanela kuq e zi. Nuk kishte flamuj. Nuk kishte fytyra të vizatuara. Konsideroheshin “shfaqje të huaja”. Biletat e humbjeve të futbollit u jepeshin fitimtarëve të luftës së klasave, uluritësave të mbledhjeve të kolektivit, tejkaluesve të planit, atyre që gjoja ishin të zot në punë, entuziastëve të partisë që nuk kishin parë një ndeshje në jetë.

E para ndeshje nga jashtë që u dha në Televizor më 1983 ishte me Gjermaninë. U ndjeva krenar që humbëm pak, vetëm 2 me 1.
Futbollistët që dilnin ndonjëherë jashtë ktheheshin me histori të pështira dhe të frikshme për blerje çikërrimash. Lodheshin shumë të blinin diçka se nuk i dihej nëse do dilnin përsëri.

As që e mendonim se në mes të Marsejës, kundër njërit prej ekipeve më të rëndësishme të botës dhe në prani të tifozëve të tij, do luanim më shumë se sa të barabartë, madje dukshëm superiorë. Mediat botërore të duartrokisnin në unison ekipin kuq e zi, ishte e papërfytyrueshme.
Femrat nuk shkelnin në stadium. Në Marsejë shqiptaret zunë faqet e para të shtypit. Të bukura, të edukuara, ato ndryshuan imazhin e Shqipërisë para botës.

Ishte humbje fitimtare.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top