SHKRUAN: EDISON YPI
Shqipëria është përplot me makabritete soc-realiste. Në mes të Lushnjes, për shembull, qëndron ende një tmerr skulpturor monumental; Një Myzeqare që mban përpjetë me duart lart një tufë gruri prej guri.
Shtatorja e Skënderbeut të Prizrenit inauguruar këto ditë në Prizren është aq e devijuar artistikisht dhe logjikisht sa thyen çdo rekord. Llaftaria skulpturore prizrenalie tejkalon edhe turpin e grurit prej guri të korrëses myzeqare në mes të Lushnjes, të cilën, meqë ra fjala, e pëlqejnë dhe aprovojnë vetëm ata me ndjeshmëri artistike inekzistente sepse e kanë kyçur brenda bodrumeve të soc-realizmit, dhe çelsin e kanë hedhur në det.
Skënderbeu i Prizrenit nuk i pëlqen askujt, nuk ja ngref kurrkujt, nuk i duhet as dreqit as të birit të dreqit, madje as atyre me ndjeshmëri estetike të vrara dhe të varrosura nga flirtet e pavetdijshme dhe të pavullnetëshme me soc-realizmin. Ska trushkulur që ta pëlqejë atë pocaqi. S’ka idiot ta adhurojë atë horror estetik. S’ka shqiptar aq budalla sa ta pranojë atë turp kombëtar të pa përfytyrueshëm.
‘“Zambaku i Prizrenit“ është një muzikë që meriton të dëgjohet nga një orkestër me 1 mijë daulle dhe 3 mijë violina.
Vetë Prizreni është nga qytetet më të magjishëm dhe më marramendës të rruzullit.
Në këto kushte, shtatorja në fjalë ndoshta nuk do ishte kryevepër dhe autori i saj jo domosdoshmërisht Mikelanxhelo, por do duhej të paktën të ishte gjithsesi e pranueshme, jo kaq plehër.
Por shfytyrimi që i është bërë Heroit tonë Kombëtar në Prizren, nuk plotëson asnjë kusht, nuk kënaq asnjë tolerancë, është thjesht i pashembëllt, pa asnjë precedent në asnjë vend të botës.
Nuk është e vetmja shëmbëlltyrë, fatkeqësisht.
Në Dibër të Madhe, mu në mes të qytetit, ndodhet një mullar balte që pretendon të jetë hiç më pak se Skënderbe.
Anembanë Kosovës dhe Maqedonisë së shqiptarëve gjen shtatore të dëshmorëve të UÇK-së me deformime antropometrike llaftarisëse që duken si thasë kashte ose gorilla xhungle.
Janë aq të tmerrëshme këto deformime, sa duket sikur janë bërë nga të çmendur, jo me çekiç e daltë, por me kazëm e lopatë.
Shpërfytyrimi vizual nuk është fenomen ekskluziv shqiptaresk. Dukuria është e njohur. Letërsia dhe Kinemaja e kanë stigmatizuar produktin katastrofik gjoja artistik nga autorë sharlatanë që janë vështirësisht të kundërshtueshëm kur objekti i “veprës” së tyre është, ta zemë, Krishti, Muhameti, Papa, një mbret, një Kryeministër, një President, një Diktator, etj.
Turpi në fjalë nuk është pra i panjohur. Ndodh. Por tepër rrallë. Dhe kurrë dhe kurrkund në përmasat e Skënderbeut të Prizrenit. As në zgëqet më të largëta të botës. As te kanibalët. As te piktorët e shpellave. As te piktorët apo skulptorët modernistë të cilët në një farë mase dhe në një farë mënyre deformimin e kanë të përligjur me stilin që përdorin.
Nëse dikush është i gjallë, të ndihmon përfytyrimi si mund ta ketë shtatoren pasi të ketë vdekur.
Nëse dikush ka vdekur, ta sugjeron shtatorja si ka qënë i gjallë.
Skënderbeu i Prizrenit nuk i respekton këto të vërteta faktuale kaq evidente. Si shtatore e dikujt që ka qënë dikur i gjallë, të sjell në përfytyrim një Skënderbe që mund të ketë qënë gjithçka, por kurrsesi Njeri.
“Skulptori” i Prizrenit është aq i papëgjegjshëm, aq i trashë, aq joprofesional, sa, po ja mundësove, e bën shtatoren e Ismail Qemalit buall, Fan Nolit dem, Ahmet Zogun çakall, Migjenin iriq, Lasgushin patë, Sali Berishën gjel, Edi Ramën mushkë.
Sa kohë ka rrugaçë që mbahen për skulptorë si ky i Prizrenit dhe gdhendin çfarë u thotë truri i çkurdisur, nuk është çudi pse ndodh që çdo halabak, çdo injorant, çdo edepsëz, përgojën Ismail Qemalin, Shën Terezën, Kadarenë, dhe gjithkënd tjetër që i vjen për mbarë nga shqiptarët e shquar.
Ta shohi Skënderbeun e Prizrenit me surratin si mi haleje dhe trupin si lakuriq nate një turist që kalon nëpër Prizren, me të drejtë pyet veten; Ku ndodhem ?! Paskam ardhur gabimisht në vendin e vampirave mbi piedestale.
E nëse turisti ka lexuar diçka për Kosovën, UÇK-në, bombardimin e NATO-s, relacionin e Dick Marty, me të parë shtatoren e turpit, bindet përfundimisht se shqiptarët nuk janë asgjë tjetër përpos ca përbindësha që nuk trafikojnë vetëm organet e serbëve, por shesin e blejnë edhe zemrat, mëlçitë e mushkritë e kalamajve të tyre.
Një shqiptar normal që e sheh këtë mënxyrë estetike mund të hamendësojë se skulptor mavrija do ketë qënë ndonjë serb që ka bërë një kryevepër negative për interesin e vet, ose e ka bërë një turk nostalgjik i revoltuar pse Skënderbeu vrau mijëra pushtues turq.
Nuk është i vërtetë asnjë nga këto supozime. Mënxyrën skulpturore në Prizren e ka bërë Djalli me dorën e vet.