Homazh për të dënuarin politik, Kujtim Isuf Luzaj

SHKRUAN: URAN BUTKA

Kujtim Luzaj u lind më 18.06.1940 në Vlorë.
Rrjedh nga një familje atdhetare dhe intelektuale nga Kanina. Ati i tij, professor Isuf Luzaj, , i shkolluar në Francë e mandej në Amerikë, intelektual me përmasa kombëtare e ndërkombëtare, nacionalist dhe antifashist i orëve të para, bashkëpunëtor i ngushte i Mid’hat Frasherit, që bashkë me Hysni Lepenicën dhe Skënder Muçon, themeluan Ballin Kombëtar të trevës së Vlorës në vitin 1939 dhe luftuan kundër pushtimit Italian të Shqipërisë. I internuar në ishullin Ventotene, bashkë më 14 vlonjatë antifashistë, rezistoi atje kombëtarisht dhe nuk pranoi të nderonte alla-fashiste, së bashku me Safet Butkën, Abaz Ermenjin, Selman Rizën, Llazar Fundon, Bego Gjonzenelin, Abduraman Kreshpanin e të tjerë. Madje, në Ventotene ai ndihmësoi ne hatimin e Manifestit të Ventotenes, program politik i Evropës së ardhshme te Bashkuar e demokratike.

Përfaqësues i Ballit Kombëtar të Vlorës në Kuvendin kombëtar të Mukjes për një Shqipëri të lirë, demokratike dhe etnike, ai u përrpoq për bashkimin e forcave politike shqiptare, të djathta e të majta, për një luftë të përbashket kundër pushtuesve nazifashistë, por kur u prish marrëveshja e Mukjes nga komunistët dhe nisi lufta civile, Isuf Luzaj iku përfundimisht nga Shqipëria në emigracion politik, për ta vazhduar atje përpjekjen kombëtare, duke lënë në Kaninë nënën e gjorë dhe gruan me pesë fëmijë të mitur, më e vogla vajza një vjeç që vdiq në Qishë-Bardhë, ku i kishte internuar familjarisht regjimi komunist.

Në emigracion Luzaj arriti të bëhej një personalitet i shquar i kulturës dhe shkencës me përmasa kombëtare dhe ndërkombëtare, profesor i merituar i Amerikës, me rreth 150 vepra në fushë të filozofisë, letërsisë, historisë dhe artit, të vlerësuara ndërkombtarisht.

Regjimi komunist i Enver Hoxhës e mohoi Isuf Luzajn dhe veprën e tij madhore, ndërsa persekutoi pa mëshirë familjen e tij në Vlorë. E shoqja, Drita Refat Mezini nga familja atdhetare e persekutuar Mezini e Vlorës vuajti në internim bashkë me fëmijët jetimë, duke bërë punët më të rënda, ndërsa e motra e Isufit, Rahileja, u dënua 10 vjet me burgim për motive politike. E kështu me rradhe tërë rrethi familjar dhe miqësor.

Kujtim Luzi u rrit në varfëri, por genet dhe edukata e familjes e shtynë të mësonte dhe të kryente me sukses shkollen tetëvjecare dhe te mesme ne Vlore. Jo më tutje.

I pakënaqur nga regjimi dictatorial, në vitin 1960 ai tentoi te arratisej në grup, por u arrestua nga forcat e Sigurimit të Shtetit në Starovë të Pogradecit . Gjyakata e Lartë Ushtarake e përbërë nga n/kolonel Hydai Bejo, n/kolonel Xheladin Muharremi dhe major Haki Keta, me pjesëmarrjen e prokurorit ushtarak Gazmen Jusifati, e dënoi me 10 vjet burg, me akuzën e tradhëtisë ndaj atdheut, për tentativë arratisjeje jashtë vendit dhe me konfiskimin e pasurisë si dhe heqjen e të drejtës elektotrale. E mbyllën në burgun efamëkeq të Burrelit, ku hoqi tmerret e këtij burgimi kriminal.

Në fund të kryerjes së denimit 10 vjecar, ridënohet përsëri më 3.06.1968 me 4 vjet e 6 muaj te tjera heqje lirie nga Gjykata e Lartë ushtarake e përbërë nga Syhbi Dedej, Hajri Shehu dhe Petrika Mushi, me akuzën për agjitacion e propagandë kundëer pushtetit popullor në burgun e Burrelit, sepse kishte ruajtur në xhepin e brendshëm një poezi të shokut të tij të burgosur, Mid’hat Ahmetit, të cilin e vranë rojet e burgut, kur tentoi te arratisej nga burgu i Burelit!

Letrën me poezinë e ruante në gji si një kujtim të shokut të pushkatuar, dhe siç del edhe nga gjyqi, as ia kishte treguar apo lexuar njeriu., pra letra nuk ishte përdorur për propagandë apo agjitacion. Sic thuhet edhe në dokumentin e gjyqit, “në këtë letër veprimtaria armiqësore kundër pushtetit si edhe thurrja e lavdisë ndaj elementit armik të dënuar, shprehet me figura letrare, dhe kuptimi i këtyre frazave është krejt i qartë”.(Dokumenti i Gjykatës , dt.3.06.1968)

Pra, u dënua çnjerëzisht me heqje lirie jo vetëm fizikisht, por u dënua me burg edhe shpirtërisht, edhe ndjenja e brendshme, edhe ruajtja e shenjtë e kujtimit për shokun martir të lirisë, edhe liria e privatësia njerëzore, por edhe ndjesia artistike, vokacioni për poezinë e bukur, që e mbante në gji!

Për këtë “krim” të bukur, u ridënua edhe me katër vjet e gjysmë burg pa asnjë faj e pa anjë fakt ligjor, si qindra të burgosur të tjerë që dënoheshin e ridënoheshin, që të mos delnin të gjallë nga burgu.

Mirëpo, Kujtimi ia doli. Madje me faqe të bardhë, sepse qëndroi denjësisht, duke e nderuar veten dhe familjen Luzaj.
U lirua nga Reparti nr.321 Burrel më 7.9.1972, duke e kryer të plotë dënimin.

Pas mbarimit të burgimit, u internua në Sherisht të Vlorës. Vitet e internimit, ndoshta ishin më të rënda se të burgimit, sepse vuatja dhe poshtërimi ishin tashmë për gjithë familjen Luzaj. Në internim krijoi familjen duke u më mrekullueshem, vajzën Hyrien dhe dy djem Ndriçimin dhe Drisantin.

Ne vitin 1992 , me përmbysjen e sistemit komunist, Kujtimi me gjithë familjen e tij, si edhe me vëllezerit Muhametin, Dalanin dhe motrën Elisabete, emigojnë në SHBA, në Çikago ku rronte ende babai i tyre Isuf Luzaj dhe jetuan bashkë me të deri sa ai mbylli sytë në vitin 2000 . Më pas Kujtimi shpërngulet me familjen e tij në Kaliforni së bashku me Xhaxhain e tij Ifraimin, I cili u kthye nga Argjentina, ku kishte emigruar. Jetuan se bashku deri në vitin 2005, kur xhaxhai ndërroi jetë. Eshtrat e tij dhe të Isuf Luzajt u kthyen në Shqipëri nga familja dhe u varrosën me nderime në Kaninë.

Kujtimi, ndonëse e larg atdheut, mallin për vatanin e ruajti deri sa mbylli sytë më 1 dhjetor 2020 në Sandiego të Kalifornisë, me dëshirën e fundit që të prehet në dheun e të parëve, pranë prindërve të tij, në Kaninë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top