You are currently viewing Hitleri i shekullit XXI e ka emrin Vladimir Putin

Hitleri i shekullit XXI e ka emrin Vladimir Putin

SHKRUAN: ENVER BYTYÇI

Sot Rusia filloi ofensivën ushtarake kundër Ukrainës. Tanke, avionë, autoblinda me dhjetëra mijë ushtarë dhe oficerë garantuan qytete e fshatra të shumtë të Ukrainës, duke shkelur në mënyrë flagrante të drejtën ndërkombëtare dhe Kartën e OKB-së të sovranitetit të shteteve.

Vladimir Putin dëshmoi se nuk ka asgjë ndryshe nga Adolf Hitler. Ai duket se është ndjekësi më besnik i udhëheqësit të nacional-socialistëve gjermanë të viteve ’30 të shekullit të kaluar.

Ngjashmëritë dhe madje identitetet janë të njëjta. Sidomos në filozofinë e luftës. I vetmi dallim është se Putin i ka dhënë kohë vetes më shumë sesa Hitleri. Nuk është nxituar aq shumë deri tani. Por tash po vepron me kryeneçësi dhe kokëfortësinë e Hitlerit.

Adolf Hitleri erdhi në pushtet duke shfrytëzuar padrejtësitë e Konferencës së Parisit ndaj Gjermanisë si fuqi humbëse e Luftës së Parë Botërore, më saktë ndaj Francës, e cila kishte insistuar në cenimin e integritetit territorial të Gjermanisë. Vladimir Putin erdhi në pushtet me kritikat e ashpra ndaj Perëndimit, të cilin e bën përgjegjës për shpërbërjen e ish Bashkimi Sovjetik. Shpërbërjen e BS Putin e konsideroi që në ditën e parë si president “tragjedinë më të madhe” për vendin e tij. Dhe prej këtu nisi e gjitha çfarë ka ndodhur më vonë Gjeorgjinë dhe çfarë po ndodh sot me Ukrainën në dy faza.

Hitleri erdhi në pushtet me premtimin e “bashkimit të botës gjermane” dhe rivendosjes së drejtësisë. Putin vijoi në shekullin XXI me të njëjtin premtim për “bashkimin e botës ruse”, përfshirë dhe ato popuj e kombe që flasin sllavisht ose i përkasin besimit ortodoks. Ai elaboroi teza të frikshme para se të hidhej në veprim për shkëputjen e rajoneve të Gjeorgjisë, përkatësisht Abkazinë dhe Osetinë e Jugut (2008), ose të Krimesë në vitin 2014. Derisa erdhi te agresioni për aneksimin e Ukrainës.

Krimea u aneksua në mars të vitit 2014 me pretendimin se në gadishull po kryhej dhunë kundër rusëve. Ndërkohë që asgjë e tillë nuk kishte ndodhur. Putin fabrikoi asokohe gënjeshtrën se “Në Kiev dhe zonat ku banojnë rusët ishin formuar formacione nacional-socialiste (naziste) të cilat kërcënonin rusët e Ukrainës”. Por as kjo nuk ishte e vërtetë. Asnjë lloj krimi nuk kishin bërë ukrainasit kundër rusëve dhe minoriteteve të tjera në vendin e tyre. Thjesht ata anuluan një ligj të Viktor Janukoviçit ku refuzohej Marrëveshja e Stabilizim-Asocimit me BE-në. D.m.th shprehën vullnetin për t’u integruar në BE.

Ky vullnet i lirë i ukrainasve dhe përfaqësuesve politikë të tyre nuk i pëlqeu presidentit të Rusisë. Ai e donte Ukrainën zonë të vetën të ndikimit dhe imponimit. Ashtu siç ka sot Bjellorusinë dhe shumicën e republikave të Kaukazit. Në të kundërtën do të përdorte forcën, siç nisi ta dëshmojë që prej të hënës së shkuar, veçmas ditën e sotme. Edhe Hitleri me të tilla formula e filloi luftën. Fillimisht “mori në mbrojtje sudetët” dhe pushtoi Çekinë. Më pas nisi Luftën e Dytë Botërore me pushtimin e Polonisë.

Putin, njësoj si Hitleri, ka si tipar të tijin kërcënimin. Ndërsa Evropa e kohës së Hitlerit iu nënshtrua kërcënimeve të kancelarit gjerman, Evropa e sotme është e trembur dhe e përçarë. Polonia, Hungaria, presidenti çek dhe ai kroat, kryeministri slloven, politikanë në Sllovaki e Bullgari, shumica e politikanëve dhe e opinionit publik në Serbi, madje dhe fraksione parlamentare në Francë, në Austri, Itali e gjetkë bëjnë Kollonën e Pestë në Bashkimin Evropian dhe i japin fuqi Moskës. Këto segmente evropiane ende nuk po shohin se armët që vringëllojnë në Ukrainë do të stacionohen në vendet baltike e Detin e Veriut, në brigjet perëndimore të Detit të Zi dhe madje në brigjet lindore të Adriatikut. Atëherë bashkëpunëtorët e sotëm të Putinit do të ndjejnë dridhma përpara tij! Ish-ministrja e Jashtme e Austrisë, Karin Kneissl, e cila e ftoi para disa vitesh Putin në dasmën e saj, nuk do t’i përulet më Carit rus për ta ftuar në vallëzim, por do të zvarritet para tij!

Prandaj bota duhet të bëhet bashkë. Madje jo vetëm Evropa dhe SHBA-të, NATO dhe BE. Këto lokomotiva të politikës botërore duhet të tërheqin me vete të gjitha vendet paqedashës. Duhet vënë kriteri i qëndrimeve: – Nëse je me paqen e rendin botëror, reago, protesto dhe izoloje politikën hitleriane të Vladimir Putin. Në të kundërtën nuk mund të jetë asnjë shtet dhe vend sovran i sigurt.

Vetëm unifikimi evropian mund ta ndalë Vladimir Putin. Ndërkohë ka ardhur momenti që Gjermania të rifitojë të drejtat e plota për t’u përgatitur për mbrojtje, përfshirë dhe të drejtën e zhvillimit të arsenalit bërthamor. Nëse Britania e Madhe, Gjermania, Franca dhe të gjitha vendet e tjera evropiane bashkohen, atëherë Putin do të detyrohet të rikthehet në kufijtë e Rusisë dhe të respektojë të drejtën sovrane të shteteve sipas Kartës së OKB-së. Ndryshe rendi botëror do të shkatërrohet dhe bota do të ketë një fat shumë më të trishtë se ai i Luftës së Dytë Botërore!

Lini një Përgjigje