Historik i shkurtër i Ipeshkvisë së re Prizren – Prishtinë

SHKRUAN: DON LUSH GJERGJI

Krishterimi ndër ilirët

Krishtërimi ndër ilirët i ka rrënjët e lashta apostolike, që nga zanafilla, me Shën Palin dhe nxënësit e tij, të cilët e sollën Ungjillin ndër të parët tanë. Për këtë kemi dëshmi biblike, historike dhe arkeologjike, që bindshëm tregojnë se të parët tanë, Ilirët, ishin populli i parë në Mesdhe dhe në Europë, që ishte ungjillëzuar dhe kishte pranuar Jezu Krishtin, shpëtimtarin e mbarë njerëzimit.

Për Kosovën tonë, Dardaninë e dikurshme, dëshmojnë martirët Shën Flori dhe Lauri, ndërtuesit e tempullit pagan në Ulpianë, sipas kërkesës së perandorit romak Hadrianit (117-138). Pastaj në Koncilin e Nicesë (325), që e kishte ftuar dhe organizuar perandori romak Konstantini i Madh, ilir, dardan, i cili e kishte dhënë edhe Ediktin e Milanos (313), lirinë fetare për të krishterë, në të cilin kishte marrë pjesë edhe ipeshkvi Dacus Dardaniae – Daku Dardanas.

Pas dhënies së lirisë fetare, krishterimi kishte lulëzuar dhe përparuar shpejt pothuaj në të gjitha trojet e “Illiricum sacrum”, dhe “Dardania sacra”, ku jetonin paraardhësit tanë.

Populli ynë shqiptar, si pasardhës të Ilirëve, është autokton nga lashtësia që tejkalon çdo kujtim apo njohuri historike. Qysh Shën Pali e përmend Ilirikun, Epirin, Dalmacinë dhe Maqedoninë. Ai shkruan kështu: “Kështu, qysh prej Jerusalemit e përqark në Iliri e kam përhapur Ungjillin e Krishtit” (Rom 15, 19). Në një vend tjetër ai i shkruante Titit kështu: “Kur ta dërgoj te ti Artemin ose Tihikun, hiq e eja te unë në Nikopol, sepse atje vendosa ta kaloj dimrin” (Tit 3, 12; khs. Tit 3, 7; 2 Tim 4, 10). Nikopoli ishte aso kohe qyteti më i njohur i Epirit, në afërsi të Ilirikut. Pjesët ku kryesisht jetonin Ilirët ishin: Prevalitana, Epiri, Dardania dhe Maqedonia,

Gjatë sundimit të perandorit Hadrianit (117-138), pati disa përndjekje kundër të krishterëve në Ulpianë, kryeqyteti i Dardanisë, Kosovës së sotme, ku spikasin dy martirë të shquar: Shën Flori dhe Shën Lauri, që paraqesin zanafillën, “djepin” dhe rrënjët e krishtera. Rrënjët e mirëfillta të bamirësisë dhe të bujarisë, të mikpritjes ilire, arbërore dhe shqiptare, janë të pranishëm qysh me Shën Florin dhe Laurit, të cilët i kishin pagëzuar në pjesë të mirë të bashkëndërtuesve të “Tempullit romak”, si dhe bashkëqytetarëve të Ulpianës, pikërisht duke u mbështetur në dashurinë e krishterë, që shprehej, dhurohej dhe dëshmohej nëpërmjet bamirësisë dhe vëllazërisë së krishterë.

Pas shekujve të përndjekjeve ndaj të krishterëve, së fundi erdhi Edikti i Milanos (313) i Konstantinit të Madh, me prejardhje ilire dhe dardane, që ua mundësonte lirinë fetare edhe të krishterëve, dhe së fundi edhe ai u bë i krishterë. Kjo ngjarje bëri që krishterimi të lulëzonte në Mesdhe si dhe në pjesë të ndryshme të Europës dhe të botës, sidomos në trojet ilire, ku me shekuj ishte ujitur me gjak fara e Jezu Krishtit dhe besnikëria ndaj Kishës katolike. Qysh në Koncilin e Nicesë (325), ku janë definuar të vërtetat themelore të fesë së krishterë, Besojma, ishin të pranishëm dy ipeshkvij të pjesëve tona: Daccus Dardaniae, dhe ipeshkvi i Stobit, Budi Stobiensi, që dëshmon bindshëm që krishterimi në këto hapësira ishte tashmë i organizuar mirë dhe në lulëzim.

Kisha vuan dhe qëndron

Periudha e sundimit turko-otoman (1468-1912), ishte e vështirë dhe tejet e errët. Pas qëndresës heroike 25 vjeçare të heroit kombëtar Gjegji Kastrioti – Skënderbeut (1405-1468), tokat ilire-arbërore kishin rënë nën sundimin turko-otoman. Një pjesë e shqiptarëve kishte mërguar në Venedik, të tjerë, për t’iu shmangur dhunës dhe hakmarrës, në Italinë Jugore, Arbëreshët e sotshëm, në Kalabri dhe në Sicili, si dhe gjetiu. Sundimi turko-otoman ka shkaktuar islamizimin e pjesës së madhe të popullit tonë.

Nga krishterimi në popullin shqiptar jo rastësisht gjatë shekujve të sundimit turko – ottoman, kemi figura të ndritura të fesë dhe të kombit, siç është Imzot Pal Engjëlli, Don Marin Barleti, Imzot Pjetër Budi, Imzot Pjetër Bogdani, Papa Klementi XI – Albani, deri te Atë Gjergj Fishta, Atë Shtjefën Gjeçovi e shumë e shumë tjerë. Pa veprimtarinë dhe kontributin e tyre, nuk do të ruhej në Popullin tonë feja e krishterë, por as vetëdija kombëtare ilire, arbërore dhe shqiptare, gjuha, tradita dhe kultura jonë e lashtë dhe shumë e lavdishme.

Sfidat dhe sprovat në shekullin XX

Në vazhdimësinë e kësaj tradite, lashtësie, autoktonie, martirizimi, nga rrënjët tona të vjetra, por gjithnjë edhe të gjalla, nëntokësore, kanë lindur dhe janë rritur dy protagonistë fetar dhe shpirtëror të shekullit XX, Atenagora I (1886-1972), dhe Shën Nëna Tereze (1910-1997), që i kanë dhënë një“frymëmarrje të re” Kishës dhe botës. I Pari, me dialog ekumenik dhe ndërfetar, e Dyta, me fuqinë e fesë dhe frymëzimin e dashurisë për të gjithë.

Pas stuhive të ndryshme që kishin goditur fenë e krishterë gati gjatë shumë shekujve, dukej se shekulli XX do të jetë sadopak më i mirë dhe më i përshtatshëm për ne dhe për Kishën tonë ndër shqiptarë. Mirëpo vetëm pjesërisht ishte kështu. Me rrënimin e perandorisë turko-otomane dhe formimin e Shqipërisë, tokat dhe populli ynë ishte në një lloj “tregtie apo pazari” të pandershëm nga orekset e fuqive të mëdha dhe fqinjëve të pangopur. Formimi i shtetit shqiptar ishte një sukses i vogël për ne, pasi një pjesë e madhe e trojeve dhe popullit tonë mbetën jashtë, të copëtuar dhe rishtas të robëruar nga sundimtarët e ri.

Nëse analizohet dhe shqyrtohet historia jonë mijëvjeçare, atëherë mund të konstatojmë vërtet dy mrekulli: a) mbijetesën tonë kombëtare, si ilirë, arbërorë dhe shqiptarë, dhe b) mrekullinë e mrekullive, mbijetesën e fesë së krishterë në Popullin tonë. Këto dy dhurata tejet të mëdha dhe shumë të rëndësishme, për shumëçka edhe vendimtare, janë pa dyshim fryt i Provanisë Hyjnore dhe i historisë tonë shumë të vështirë, të përgjakshme dhe tejet të lavdishme.

Në aspektin kishtar, besimtarët tanë në shekullin e XX patën ende shumë batica dhe zbatica. Ja vetëm disa prej tyre: Më 24 gusht 1914 është lidhur konkordati mes Selisë së Shenjtë – Vatikanit dhe Serbisë, me të cilin Ipeshkvisë sonë me Seli në Shkup i merret titulli i argjipeshkvisë, për ta kaluar të njëjtin Ipeshkvisë së Beogradit.

Dhe nuk përfundon me kaq. Shteti i Jugosllavisë së vjetër, mbretërore, për shumëçka është i ngjashëm me atë turko-otoman, për ne s’nuk ka kurrfarë drejtësie dhe lirie. Mungesa e shkollave shqipe, atë pak që kishin mbijetuar nga koha e Turqisë, mbyllën dhe përndjeken. Me këtë shkaktohej mungesa e klerit tonë vendor, që zëvendësohej me kler të huaj. Argjipeshkvi Imzot Lazër Mjeda detyrohet të largohet nga selia ipeshkvore, më 19 tetor transferohet zyrtarisht në Shkodër, kuptohet nën ndikimin dhe trysninë e politikës sllave. Ai, vërtet edhe më parë e kishte lëshuar Shkupin dhe selinë, duke mbetur kleri dhe populli pa Bari, dhe gjatë kohës së selisë së zbrazët “sede vacante”, administrator ishte Don Tomë Gllasnoviqi.

Politika kishte ndikuar, deri diku edhe kishte kushtëzuar, emërimet e tri gjeneratave të ipeshkvijve jo shqiptar: Imzot Ivan Gnidovev (1924 – 1939); Imzot Smiljan Franjo Čekada (1940 – 1967) dhe Imzot Joakim Herbut (1969 – 1992), ndërsa ipeshkëv ndihmës “sedi datus“ për shqiptarë ishte Imzot Nikë Prela (1969 – 1996).

Selia e Shenjtë, në krye me Papën Shën Pali VI, mundohet në një mënyrë t’i përmirësoi këto pamundësi dhe pengesa, me një kujdes të veçantë për grigjën tonë të vogël dhe të mbijetuar nga stuhitë shekullore. Kështu, më 20 tetor 1969, pas emërimit të dy ipeshkvijve të ri, ripërtërihet selia e dikurshme ipeshkvore e Prizrenit, duke e lidhur menjëherë atë me Shkupin, pra, formohet Ipeshkvia Shkup-Prizren.

Rilindja shpirtërore dhe kishtare

Me ardhjen e ipeshkvit shqiptar Imzot Nikë Prelës, shumëçka ndryshon dhe përmirësohet. Rritet gjithnjë numri i thirrjeve meshtarake dhe rregulltare, ndërtohet kisha të reja, si dhe meremetohen kishat dhe shtëpitë e vjetra famullitare; fillon katekizmi i rregullte për fëmijë, pjesërisht edhe për rini. Në kuadër të kësaj gjallërie të gjithanshme, fillon shtypi katolik shqiptar me revistën fetare dhe kulturore “DRITA”, që pastaj rritet dhe zhvillohet edhe në shtëpi botuese, e vetmja si e tillë, katolike, në kohën e atëhershme.

Me pak fjalë, Kisha jonë del prej “sakristisë” dhe oborrit të kishës, është gjithnjë e më tepër e pranishme në skenën e jetës së popullit, me pjesëmarrje në ngjarjet shoqërore dhe kulturore shqiptare në Kosovë dhe më gjerë, siç janë Pajtimet e Gjaqeve, Shoqata Humanitare Bamirëse e Kosovës “Nëna Tereze”, Caritasi i Kosovës, përkrahja e sistemit paralel shkollor dhe shëndetësor, mbrojtja e popullit tonë padrejtësisht të shkelur dhe të përndjekur ndër ne, në ish-Jugosllavi dhe në botë. Zëri ynë tashmë bëhet i fuqishëm, prania jonë shumë e gjallë dhe e fortë, qëndrimet tona profetike dhe providenciale, jo vetëm për shqiptarët katolikë, por për mbarë Kombin tonë.

Nga kjo përvojë e vështirë dhe sfiduesi për Popullin dhe Kosovën tonë, erdhi në pah Dr. Ibrahim Rugova, figurë studiuese e Imzot Pjetër Bogdanit, karizmatike dhe vizionare, më vonë krijues dhe përkrahës i strategjisë paqësore jodhunore, Presidenti ynë historik, të cilin e ka përkrahur vazhdimisht Kisha jonë.

Dhuna e paparë serbe ndaj popullatës së pafajshme dhe të pambrojtur shqiptare, detyroi që disi ta mbrojmë jetën, shtëpitë dhe vatrat tona, sidomos fëmijët, pleqtë dhe botën femërore edhe me armë nëpërmjet UÇK-së, si dëshmi botore që çdo gjë ka ndonjë kufi.

Në periudhën para, gjatë dhe pas Luftës, në krye të Ipeshkvisë ishte Bariu ynë Imzot Mark Sopi (1996 – 2006), i cili guximshëm dhe urtisht ka vazhduar në vijën e Imzot Nikë Prelës dhe prelatëve tanë gjatë shekujve, për Zotin dhe për Popullin, me orvatje dhe veprimtari në dobi dhe të mirë të besimtarëve tanë, por edhe të mbarë Kosovës, me paraqitje të dinjitetshme dhe argumentuese në forume euro-amerikane, me ndihma humanitare, me përkrahje të plotë të paqes dhe pajtimit ndër ne.

Selia e Shenjtë, pas ndarjes “ad interim” nga Shkupit (1992), mori një vendim dhe gjeti një lloj zgjidhjeje të përkohshme (2000), fill pas Luftës dhe ndërhyrjes së NATO-s në Kosovë, duke e shpall ipeshkvin tonë Shkup – Prizren, Administraturë Apostolike të Prizrenit (për pjesën e Kosovës), dhe duke e ndarë përfundimisht nga Ipeshkvia e Shkupit, paralelisht me administrimin ndërkombëtar të Kosovës nëpërmjet UNMIK-ut.

Pas vdekjes së papritur të Imzot Mark Sopit (11 janar 2006), Administraturën Apostolike të Prizrenit e ka udhëhequr Imzot Zef Gashi, si administrator apostolik, deri te emërimi i Imzot Dodë Gjergjit (2006 – ), ipeshkvi ynë aktual.

Imzot Dodë Gjergji ndërmori shumë iniciativa, ndër të cilat dallohen: rifillimi i revistës “DRITA” dhe botimet e saja, e cila nuk dilte që nga vitet e ’90, për shkaqe të njohura; ristrukturimi i famullitarëve nëpër famulli dhe Misione Katolike Shqiptare në Europë; ndërtimi i Rezidencës Ipeshkvore, Katedrales dhe Shenjtërores Shën Nëna Tereze në Prishtinë; përpilimi dhe botimi i planit baritor për Administraturën Apostolike të Prizrenit, me titull “Shërbejmë me përvujtëri e kumtojmë me hare” 2015-2020; themelimi i Shkollës Katekistike Dioqezane në Prishtinë (2014), festimi i 100 vjetorit të lindjes së Nënës Tereze (2010); shugurimi i Katedrales dhe Shenjtërores “Nëna Tereze” në Prishtinë në vitin 2017.

Shugurimi ishte vepër madhore e Zotit, kujdes atëror i Papës Françeskut ndaj Administraturës Apostolike të Prizrenit, Kosovës, me domethënie historike dhe aktuale. Prijës në Meshë të madhërishme ishte kardinali ynë Ernest Simoni, i deleguari i posaçëm dhe personal i Papës Françeskut, Imzot Dodë Gjergjin, shumë ipeshkvijve, meshtarëve dhe besimtarëve nga vendet e ndryshme të botës.

Papa Françesku kishte shkruar dhe dekretuar kështu: “Për ta kryer këtë rit në mënyrë sa më të lavdishme, vendosëm të dërgojmë përfaqësuesin tonë.

Ty, i nderuari Vëllai ynë, Bir i këtij Populli, po të emërojmë dhe po të shpallim të Dërguarin tonë të jashtëzakonshëm.

Prandaj, do të kryesoni liturgjinë e shenjtë, ndërsa Vëllai i Nderuar Dodë Gjergji, Administrator Apostolik i Prizrenit, do ta shugurojë, më 5 shtator, me rit solemn këtë Tempull të shenjtë kushtuar Shën Nënë Terezës së Kalkutës.

Theksoj se kjo Shenjtërore e bukur duhet të ndihmojë për përforcimin e fesë së vërtetë të besimtarëve. Me kënaqësi e shtrijmë Bekimin Apostolik, së pari mbi Ty, e përmes Teje, në emrin tonë, mbi gjithë të pranishmit, që ky bekim, me ndërmjetësimin e së Lumes Virgjër Mari e të Shën Terezës, të jetë gurrë hiresh të larta për përtëritjen e shpirtrave, ndërsa ne, me pushtetin e Shën Pjetrit, i bashkuar në lutje, urojmë që ky bekim të jetë sa më i frytshëm”.

Prej Selisë së Vatikanit, 1 gusht 2017, viti i pestë i Papnisë sonë. Françesku

Shenjtërorja Shën Nëna Tereze në kryeqytetin e Kosovës, Prishtinë, ka dy qëllime dhe synime thelbore: “kthimin” apo mishërimin e saj në mendjet dhe zemrat tona, si dhe ndërmjetësimin e saj për Kishën dhe Popullin tonë. Kështu, në këtë “shkollë” të dashurisë, ne do ta mësojmë dhe zbatojmë kulturën e jetës dhe qytetërimin e dashurisë, virtyte këto që Nëna Tereze i mori ndër ne dhe i dëshmoi dhe i barti në mbarë botën.

Një vit më vonë, më 5 shtator 2018, nga Zoti, nëpërmjet Papës Françeskut, na erdhi edhe një lajm dhe dhuratë e madhe, lartësimi i Administraturës Apostolike të Prizrenit, në Ipeshkvi të re Prizren – Prishtinë, në dyvjetorin e shenjtërimit të Nënës Tereze dhe një vjetorin e shugurimit të katedrales kushtuar asaj.

Nunci Apostolik për Kosovën, Mons. Juliusz Janusz, gjatë meshës kremtore me Imzot Dodë Gjergjin, Imzot Rrok Gjonlleshaj, në prani te shume besimtareve e qytetareve te ardhur edhe nga vende tjera te Kosovës e me gjerë, përfaqësues të bashkësive të ndryshme fetare, deputetë te Kuvendit te Kosovës, miq dhe personalitete të kulturës e të artit, ndër të tjera tha:

“Kam ndjenje te veçantë që jemi përsëri bashkë në Prishtinë, ne këtë Shenjtërore të mrekullueshme kushtuar Nënës tonë, Shën Nënë Terezës, qe e keni ndërtuar me bujaritë tuaja, zemrat tuaja. Mbase nuk mund të ishte ndryshe pasi Shën Nënë Tereza ka qenë themeluese e Kongregatës “Misionaret e Dashurisë” në Kalkute në vitin 1950. Pesë shtatori mbetet jo vetëm në historinë e Kosovës, por të mbarë botës, është Dita e Shenjtërimit të Nënë Terezës.

Nëna Tereze ka dëshmuar se Dashuria është e vështirë, sikurse martirizimi, sepse ndërtimi i dashurisë pa dallime race, feje e ngjyre, janë vepra të saj të krahasueshme me martirizimin” përfundoi Nunci.

Me pas shkëlqesia e tij, Imzot Dodë Gjergji, pasi falënderoi Nuncin Apostolik për pjesëmarrjen dhe predikimin e tij, vazhdoi kështu: “Jemi shumë të gëzuar për këtë dhuratë të Zotit e të Papës, për lajmin se tash jemi Dioqeza Prizren – Prishtinë. Populli i Kosovës është falënderues dhe mirënjohës Shën Palit, që e ka përhap lajmin e gëzueshëm për krishterimin deri në Ilirik, pastaj vuajtjeve shekullore të popullit tonë, imzot Pjetër Bogdanit, Nënës Terezë, e kështu me radhë, që mbajtëm gjallë fenë e të parëve tanë, brez pas brezi, deri në ditët tona, që Kisha Katolike po lulëzon ditë për ditë në vendin tonë, në Kosovën e sotme, Dardaninë e dikurshme”, përfundoi Imzot Dodë Gjergji.

Bula e ngritjes së Administraturës Apostolike në dioqezë Prizren – Prishtinë

Administratura Apostolike e Prizrenit ngritët në shkallën dhe dinjitetin e dioqezës, që do të quhet Prizren – Prishtinë, dhe kjo njësi e re kishtare ka ipeshkvin e saj.

Françesku Ipeshkëv, Shërbëtori i shërbëtorëve të Zotit, në kujtim të përjetshëm.

Na është besuar Neve, nga vetë Zotëria i mbarë Kishës së përgjithshme, shërbimi i tërë i kujdesit për zhvillimin e shpejtë, që ato të mira shëlbuese dhe mësime, të mbërrijnë pa vonesë dhe me sukses në çdo vend. Prandaj Ne kemi vendosur të përshpejtojmë dhe rregullojmë këtë çështje sa më parë dhe sa më lehtë. Për këtë arsye me të nderuarin Vëlla Dominik (Dodë) Gjergji, ish-ipeshkëv në Sapë, Administrator Apostolik në Prizren, i cili ka kërkuar që rrethi kishtar i tij të ngritët në shkallën dhe dinjitetin e ipeshkvisë, i përkrahur nga Vëllai i nderuar Juliusz Janusz, argjipeshkëv titullar i Caprulanos dhe Delegat Apostolik i vendit, që quhet Kosova, nga këshilli i Sekretarisë së Shtetit dhe Kongregatës për Ipeshkvij, me Pushtetin tonë Apostolik kemi vendosur. Administratura Apostolike e Prizrenit të ngritët në dinjitetin e dioqezës, që tash e tutje duhet të quhet Prizren – Prishtina, dhe të jetë menjëherë nën Selinë Shenjte, si e tillë duke ruajtur kufijtë që janë caktuar dioqezave të Konferencave Ipeshkvore ndërkombëtare Shën Çirili dhe Metodi, anëtare e së cilës është. Prandaj në qytetin e Prizrenit, gjendet kisha me emërtim të Shën Marisë Virgjër Ndihmës së Krishterëve, ngrihet në dinjitetin e Kishës Katedrale, njëkohësisht kisha e Prishtinës, e shuguruar në Vitin e Zotit më parë, në nder të Shën Terezës së Kalkutës, kishë kon-katedrale, që të dyjave të dalluara, ju jepen privilegje dhe nderi njëjtë. Gjërat tjera rregullohen me norma kanonike. Për më tepër Vëllain e Nderuar Dodë Gjergjin, me këtë komunikim kishtar e shpallim Ipeshkëv dhe Bari dhe lirohet nga kufizimet e mëparshme. Të gjitha këto ia besojmë që të përcjellën nëpërmjet delegatit Apostolik në Kosovë, natyrisht me autoritet të ndonjë njeriu tjetër me dinjitet kishtar dhe të caktuar për delegim. Për të ardhur deri te zgjedhja përfundimtare, me dokumente të plotësuar, natyrisht le t’i dërgohen Kongregatës për Ipeshkvij. Kjo ka fuqi, pavarësisht rezistimeve më të vogla të ndokujt.

Romë, te Shën Pjetri, dita e pestë e muajit shtator 2018, të Pontifikatit tonë të gjashtë.

Papa Françesku

Pietro Card. Parolin, Sekretari i Shtetit

Marco Card. Quellet, Prefekt i Kongregatës për Ipeshkvij

Shpallja zyrtare e Bullës dhe intronizimi i Imzot Dodë Gjergjit për ipeshkëv të Dioqezës së re Prizren-Prishtinë u bë në Festën e Zojës Ndihmëtare, më 24. 05. 2019, në Katedralen Zoja Ndihmëtare në Prizren, nga Nunci Apostolik në Slloveni dhe Delegati Apostolik për Kosovë, Imzot Jean-Marie Speich, në prani të klerit dioqezan, rregulltarëve e rregulltareve dhe popullit të Zotit.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top