Historiani i oborrit familjar të Enverit, bën avokaturën e krimit komunist

SHKRUAN: TOMOR ALIZOTI

Në një studio televizive një historian i oborrit familjar të Enver Hoxhës, paska mohuar vuajtjet në kampin famëkeq të Tepelenës duke thënë se aty nuk ka pasur kushte të këqija, se nuk paskan vdekur fëmijë dhe se të burgosurit paskan qenë familje armiqsh të vendit, të arratisur në Jugosllavi, të cilët ktheheshin dhe në Shqipëri fshehtas për të bërë atentate ndaj njerëzve të shtetit.

Unë i përkas një familjeje që ka vuajtur në atë kamp. Babai im ka qenë një prej fëmijëve të burgosur aty, bashkë me gjyshërit. Në familjen time nuk kemi pasur të arratisur, siç shprehet historiani në fjalë. Ai ka qenë një kamp ku grumbulloheshin kryesisht pleqtë dhe fëmijët, ndërsa të rriturit e aftë për punë i dërgonin në fabrikën e Nish Tullës duke i ndarë nga familja. Nëse regjimi do ta kish ngritur këtë kamp si një masë mbrojtëse nga të arratisurit, nuk do burgoste aty fëmijë e pleq. Është e turpshme që ka njerëz që kërkojnë të mohojnë vuajtjet dhe tmerret e atij regjimi, duke synuar të mbrojnë kriminelët që vranë e prenë elitën e këtij vendi. Dëshmitë e njerëzve që janë ngujuar aty janë nga më tronditëset. Unë ruaj dëshmitë e të afërmve të mij që më tregonin sesi im atë, fëmijë i vogël, kërkonte bukë, i dërrmuar nga uria, dhe gjyshërit e mi nuk kishin ç’ti jepnin. Im atë mbijetoi, por shumë fëmijë të tjerë, si dhe të rritur, nuk ia dolën. Të dëgjosh sot përralla të tilla që mohojnë kalvarin e vuajtjeve dhe tmerreve që kanë pësuar ata njerëz është një dënim për së dyti.

Është e trishtë të dëgjosh se, akoma pas 27 vjetësh, ka historianë që mbrojnë atë regjim. Akoma ka njerëz që duan të bëjnë avokaturën e krimit duke mohuar gjakun dhe vuajtjen e viktimave! Dhe më e ndyra është kur shikon që këtë e bëjnë njerëz të lidhur me atë regjim e bij hetuesish të makinerisë së krimit, të cilët nuk u penduan e nuk shfaqën kurrë keqardhje për atë që kanë bërë ata dhe etërit e tyre. Një vend normal nuk mund të lejojë që të artikulohen pikëpamje të tilla që mbrojnë krimin dhe dënojnë viktimat. Nëse kjo do të ndodhte në një vend si Gjermania apo Anglia ata sot do të ishin ishin përpara gjykatës. Por në një vend ku e vërteta nuk u zbardh kurrë e ku përgjegjësit nuk u vunë përballë përgjegjësisë, është e kuptueshme që poshtërsia të mos ketë kufinj, dhe natyrisht ajo do të mbajë peng vendin në çdo aspekt. Mos prisni që ky vend të ecë përpara kur fle dhe ushqehet mbi një të kaluar kriminale të panjohur e dënuar në asnjë moment! E kaluara nuk mund të shlyhet me harresë, e as me apologjetët e krimit!

 

 

 

1 thought on “Historiani i oborrit familjar të Enverit, bën avokaturën e krimit komunist”

  1. Musledin Glina

    Keta qe e perjetuan Sketeren e asaj kohe, kohes Komuniste/Enversiste te jetojne per jete te tregojne, Te verteten, te “pa besushme” me teper per ata, qe nuk e pane, qe me von erdhen ne jete???!!!

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top