HISTORIANI HAKIF BAJRAMI SHTREMBËRUES I SË VËRTETËS

Nga Xhafer Leci

Pse H.Bajrami lavdëron Fadil Hoxhën, Enver Hoxhën, Milladin Popoviqin, Stalinin e komunistë të tjerë?

Me datën 8 prill 2014, pas mbarimit të lajmeve kryesore të orës 19.30, në emisionin e RTK-së, për mysafirë kishin ftuar historianin profesor dr.Hakif Bajrami, nuk më kujtohët emri i gazetarit të RTK-së, i cili i shtronte pyetjet.

Nuk mund të heshtësh kur dëgjon se si një historian, plotësisht i njëanshëm dhe, si i tillë, shpeshherë përpiqet të na mjegullojë historinë tonë, që psikologjia, e as logjika e shëndoshë nuk i duron. Hakif Bajrami, në stilin e njohur, duke dashur t’i ngjisë vetulla, ia nxjerr sytë!”

Po fillojmë me Adem Demaçin, për ta vazhduar me Haki Tahen, vrasësin e Milladin Popoviqit dhe Stalinin, i cili sipas historianit Bajrami, paska dashur ta “bashkojë Kosovën me Shqipërinë!”

Prof.Dr.Hakif Bajrami: Në vitin 1971, pas trazirave pranëverore të demonstratave studentore në Kroaci, Tito burgosi, shkarkoi nga puna: si Kryetaren e KQ të LK Kroacisë, Savka Dapçeviç – Kuçar dhe disa funksionarë të lartë si M.Tripallo etj., të cilët Tito i shkarkoi nga nga pozitat që mbanin, por nuk i burgosi, për të mos i bërë të mëdhenj. Ashtu veproi edhe me funksionarët e lartë serbë, më 1966. siç është rasti i ministrit të mbrendshëm, famëkeq, A. Rankoviq, S. Peneziq e tjerë.

Xh.Leci: Tito nuk punonte krejt kokë në vete, për atë edhe i arrinte synimet e veta politike dhe diplomatike, që ta mbajë Jugosllavinë qoftë edhe në mënyrë artificiale, por të bashkuar, sepse ai kishte këshilltarë, intelektualë, politikanë e diplomatë të fort, të cilët e mësonin-këshillonin si: slloveni Eduard Kardel, izraeliti Moshe Pijade etj.

Prof.Dr.Hakif Bajrami: Pas trazirave në Kroaci, Adem Demaçi, në vitin 1974 pasi ishte liruar nga burgu, nuk ishte duke u marr më me politikë, nuk ishte më duke bërë asgjë, ama bash asgjë, por Demaçin e dënoi politika e udhëheqëse e Kosovës, pikërisht Mahmut Bakalli, i cili atëherë pretendonte të bëhej ministër i jashtëm i Jugosllavisë..!

Xh.Leci: Të gjithë e dimë se Mahmut Bakalli ka qenë kuadër i përgaditur, politikan dhe diplomat i njohur jo vetëm në Kosovë, por edhe më gjerë. Kosova në kohën kur ai udhëhiqte, është zhvilluar më shumë se kurdoherë në historinë e saj.

Në vendet komuniste politka ka vendosur shumëherë edhe për drejtësinë, por në këtë rast pak e besueshme sepse, me burgosjen e Adem Demaçit, e pabesueshme se Bakalli do arrinte të realizojë qëllimet e veta politike për marrjen e postit të ministrit të jashtëm Jugosllav!

A thua duhej pritur 15 vjet Mahmut Bakalli, që të gradohej me postin e ministrit të jashtëm të Jugosllavisë, si shpërblim për burgun që po vuante Demaçi?! Demaçi u dënue më 1958–1961, 1964–1974 dhe 1975–1990.

D.m.th. Demaçi 13 vjet i paska vuajt burg për veprimtari politke, ndërsa 15 vjet tjera për M.Bakallin..! Kjo nuk ka ndodhur me asnjë të burgosur politik në ish Jugosllavi, që të dergjet 15 vjet nëpër burgjet jugosllave si A.Demaçi, pa bërë asgjë?!

Prof.Dr.Hakif Bajrami: Ideolog kryesor për organizimin e demonstratave të vitit 1968 dhe 1981, nga dokumentet, del se ishte Adem Demaçi…

Xh.Leci:Organizator të demonstratave të vitit 1968 e dimë të gjithë se kanë qenë shumë, por si organizatorë kryesorë po përmendi vetëm 2 persona: Osman Dumoshi e Adil Pireva, ndërsa më 1981 si organizator kryesor konsiderohen se kanë qenë: Hydajet Hyseni, Bajram Kosumi e Ali Lajçi, së paku kështu kemi mësuar. Askush nuk e konteston kontributin e madh të dhënë për çështjen tonë kombëtare të z.A.Demaçit. Por H.Bajrami, si studiues e historian i profilizuar, duhet të flasë e shkruajë mbi faktet e pakundërshtueshme shkencore dhe historike, për ta eliminuar mjegullnajën historike! Hakif Bajrami duhet të flasë haptas, pa anime politike se kishte ideologë të tjerë para A.Demaçit, që nga historia e lashtë, të cilët kanë punuar e organizuar për çështjen kombëtare, por ne në këtë rast po flasim për periudhen e pas LDB-re.

Metush Krasniqi ka qenë më i hershëm se sa Adem Demaçi, me veprimtarinë e tij kombëtare dhe politike. Siç e dimë të gjithë se M.Krasniqi për herë të parë është dënuar para A.Demaçit, pra më 1956, dihet se viti 1956 ka qenë viti dhe koha më e vështirë për shqiptarët, aksioni për mbledhjen e armëve, shpërngulja e shqiptarëve, në mungesë të fakteve Metushi dënohet më dy muaj burg.

Më 1958 Metush Krasniqi përsëri dënohet, por kësaj radhe me 18 vjet burg dhe lirohet pas 8 vitesh, më 1966, vit ky kur Tito shkarkoi nga funksioni kriminelin Aleksandër Rankoviqin dhe me këtë rast amnistoi shumë të burgosur politikë dhe nga kjo amnisti përfitoi edhe Metush Krasniqi.
Po në këtë vit, pra, më 1958, për herë të parë dënohet me 5 vjet burg edhe Adem Demaçi, i cili lirohet nga burgu më 1961.

Nga burgosja e dy atdhetarëve dhe organizatorëve më të njohur të çështjes kombëtare, të cilët u dënuan në të njëtin vit, më 1958, A.Demaçi dhe M. Krasniqi, del se M.Krasniqi ishte për pushtuesin serb më i rrezikshëm se sa A.Demaçi, sepse Metush Krasniqi dënohet më 18 vjet burg, ndërsa A.Demaçi me 5 vjet burg.

Jo vetëm kaq, por Metush Krasniqi ishte shumë qendresëtar dhe besnik i fortë, për asnjë rast për aktivitetet e veta ilegale dhe të shokëve të tij, Metushi nuk tregoi dhe nuk i zbuloi shokët, sa që nga torturat më çnjerëzore fizike dhe psiqike që ushtronte UDB-a jugosllave ndaj tij, Metush Krasniqi vdiq, më sakt, u mbyt më 1986.
Mos të harrojmë se veprimtarë politikë të çështjes tonë kombëtare shqiptare për bashkimin e trojeve tona dhe bërjen e Shqipërisë Etnike, ka pasur edhe para Metush Krasniqit e Adem Demaçit, por është për keqardhje se këta, përmenden aty këtu, sa për sy e faqe nga historianët tonë me ideologji komuniste, por nuk shkruajnë për veprimtarinë e tyre atdhetare!

Meqë jemi tek ribashkimi i trojeve tona, edhepse kishte shumë atdhetarë nga të gjitha trojet tona të okupuara nga ish Jugosllavia, cilët po punonin për Shqipërinë etnike. Unë po përmendi vetëm dy ish të burgosur nga grupi i LNDSH-së nga Llapi. Në vitin 1953 burgoset Sabit Kapiti, profesor në Gjimnazin e Podujevës, Shaban Shala, i cili edhe vdes-mbytet nga torturat e UDB-së e shumë të tjerë.
Po nga këta të parët që ishin me mija të vrarë, të dënuar e terrorizuar nga të gjitha trojet tona, nuk kemi si t`i trajtojmë ndryshe, vetëm si ideologë dhe prijës të lirisë.

Unë, shkruesi i këtyre rreshtave, si shumë të tjerë, nëpër rrugët e metropoleve evropiane, kam brohoritur parrulla: Rroftë Adem Demaçi! Liri për Adem Demaçin!
Pse A.Demaçi nuk arriti të bëhet i pari i Kosovës, mendoj se fajin e ka vet Demaçi dhe kështu, sikur unë, mendojnë shumica e shqiptarëve.

A matet atdhetarizmi dhe burrnia me stazhin e madh për një të burgosur politik? Mendoj se jo.

Në Shqipëri ka shumë të burgosur politik, që kanë vuajtur burg me dekada, si Osman Kazazi, kryetar i Rinisë të Ballit Kombëtar për Tiranën, gjatë LDB-re, vetëm për shkak të bindjeve të tij antikomuniste të pa kompromis, ka vuajt 43 vjet burg!

Si një nacionalist antikomunist që jam, kam disa pyetje për prof.dr. H. Bajramin:

1.- Më 1966 Tito viziton Amerikën. Xhafer Deva ka organizuar protestën kundër vizitës të Titos. Ai i ka bërë thirrje qeverisë amerikane, të mos e presin Titon, me arsyetimin se populli shqiptar i Kosovës po diskriminohet. Pra, kishte një ideolog kombëtar, të cilin komunisti Hakif Bajrami e heshtë me qëllim e vetëdije të plotë.

Pse nuk u gjet ndonjë ideolog për organizimin e një proteste kundër vizitës së Titos në Kosovë, më 1968?

2.- Pse nuk kishte ideolog për organizimin e demonstratave edhe në Kosovë më 1971, kur prijësit e pushtetit të atëhershëm kroat, studentët dhe populli i Kroacisë kërkonin shkëputje nga Jugosllavia, për ta mëvetësuar Republikën e Krocisë në një shtet të pavarur kroat?

3.- Pse nuk u organizuan demonstrata në vitin 1974, që kishte shumë arsye, sepse me ndryshimet e Kushtetutës së Jugosllavisë, Kosova fiton Statusin e një Autonomie, por dihet se kërkesa definitive e shqiptarëve për barazinë tonë kombëtare ishte: në mos bashkimi me shtetin amë Shqipërinë, atëherë, së paku, të jetësohet Republika e Kosovës, në kuadër të Jugosllavisë?

Autonominë e fitoi edhe Vojvodina, e cila nuk kishte punuar-skarifikuar për këtë..!

4.- Pse nuk kishte ideolog për organizimin e një demonstrate-protestes kundër vizitës së Titos në Kosovë më 1979?

5.- Pse të organizohen demonstratat e vitit 1981, menjëherë pas vdekjes së Titos? Dihet se me vdekjen eTitos, Serbia do të dominonte mbi sundimin e Jugosllavsë dhe Beogradi nuk do u jipte shqiptarëve asgjë, përpos plumbave vdekjeprurës..!

6.- Pse Enver Hoxha me 1981 tek pas 28 ditësh të zhvillimit të demonstratave masive në Kosovë, kur jugosllavët filluan ta akuzojnë Shqipërinë, për përzirje në punët e mbrendshme të Jugosllavisë, me të drejtë, por vetëm atëherë, me shumë vonesë reagoi E.Hoxha?

Historia e vërtetë nuk mund të shkruhet, vetëm me dokumentet e arkivave të okupatorit serb

Prof.Bajrami, sikur përpiqet ta vej në dyshim vrasjen e Milladin Popoviqit, se kinse atë e paskan vra forcat e Sigurimit sekret jugosllav, e jo patrioti Haki Taha!

7.- Pse Enver Hoxha, menjëherë pas përfundimit të LDB-re, fillon me botimin e shumë librave, jo edhe aq me vlerë, por asnjë libër nuk e botoi për Kosoven, ndërsa tek pas vdekjes së Titos, më 1982 botonë librin “Titistët”, libër ky plot gënjeshtra dhe sajesa tipike komuniste?!

8.- Pse pas botimit të librit “Titistët” filloi urrejtja më e madhe se kur njëherë në mes titistëve dhe enveristëve, por edhe kundër djathtizmit shqiptar, që nuk ishte diçka e re?

9.- Pse H.Bajrami lavdëron Fadil Hoxhën, Enver Hoxhën, Milladin Popoviqin, Stalinin e komunistë të tjerë?

10.- Në përkujtim të 30 vjetorit të demonstratave të vitit 1981, në Heidelberg të Gjermanisë, më 21 maj 2011 në praninë e nja 150 veprimtarëve u mbajt një tubim. Shumica e pjesmarrësve ishin ish të burgosur politik, ndër ta edhe Adem Demaçi e Zeqir Gërvalla.
Ish studenti i demonstratave të vitit 1981, Murat Musliu, cili kishte vujatur 12 vjet burg të rënd, ai duke diskutuar tha: „Unë jam njeni nga të parët që kam dal nga menza e studentëve në rrugët e Prishtinës, them se demonstratat u zhvilluan në mnyrë të pa organizuar, sepse nuk kishte një qendër-ekuilibër i përbashkët për një organizim si kolektivitet…„. Pohimin e zotit Murat Musliu, as kush nga të pranishmit nuk e demantoi.

11.- Pse H.Bajrami për shumë veprimtarë, të LNDSH-së të pushkatuar e të dënuar me shumë vite burg, nga regjimi titistë dhe UDB-a Jugosllave, aty-këtu ndonjërit ia ka përmend emrat, por nuk ka shkruar për ta shlyer borxhin ndaj veprimtarisë së tyre atdhetare, kur dihet se ata ishin promotor e ideologë të parë të të gjitha lëvizjeve tona kombëtare, pavarësisht bindjeve të tyre ideologjike?!

Mendoj se këto dhe shumë pyetje tjera janë të një rëndësie të madhe, për trajtimin dhe shtjellimin e tyre nga historianët tanë. Mendoj se historia e vërtetë nuk mund të shkruhet, bëhet duke u bazuar vetëm në dokumentet e arkivave të okupatorit serb, që shumëherë nuk i përgjigjen realitetit, sepse ato UDB-a i ka seleksionuar, përpunuar e paraqitur sipas ineresave politike për ish – Jugosllavinë dhe botën demokratike perëndimore.

Prof.Dr.Hakif Bajrami deklaron: “Unë gjatë luftës së fundit kam qenë këshilltar i A.Demaçit”!

Xh.Leci: Këtë e dëgjova për herë të parë nga vet goja e H.Bajramit!

Ne tash kemi mësuar se dy ish funksionarët e lartë komunistë: Azem Vllasi dhe i ndjeri Mahmut Bakalli, si këshilltarë të A.Demçit, figurojnë në listën për njohje të statusit të veteranit të UÇK-së. Emrat e këtyre gjenden në listën e Zyrës Politike të UÇK-së në Prishtinë, të cilën e pati udhëhequr Adem Demaçi.
Por nuk e kuptojmë pse mos të figurojë edhe emri i historianit Hakif Bajrami si këshilltar i Demaçit, në listën për njohjen e veteranit të luftës?!

Tash lind pyetja, si spjegohet kjo që z. A.Demaçi, në shumë tubime të ndryshme, në vend dhe jasht vendit, në mesin e mërgimtarëve, akuzon titistët për shumçka? Demaçi, jo vetëm funsionarët por edhe puntorët e thjeshtë, i akuzon si bashkëpuntorë të titizmit, bile në të shumtën e rasteve pa sjellur asnjë dëshmi, ndërsa për këshilltarë i ka marrë pikërisht titistët funksionarë të rangut më të lartë në Kosovë dhe ish Federatën e Jugosllavisë!! A thua në mesin e intelektualëve enveristë dhe të tjerë që nuk kishin lidhje me enverizmin e as me titizmin, për Demaçin nuk kishte intelektualë, diplomatë e politikanë për këshilltarë, por vetëm titistët ishin të ditur e të besueshëm?!

Kjo bie ndesh me parimet e Demaçit, dhe për shumëkend e pakuptueshme.

Dhe, tash për këto 15 vite vuajtje në burg, Demaçi, në vend se ta akuzonte Bakallin, ai e muar për këshilltar dhe tash don ta dekorojë me njohjen e statusit të veteranit!

Ne e dimë se nga të gjitha Republikat e ish – Jugosllavisë ka pasur të burgosur politikë, por askush jo me një stazh aq të gjatë sa z. A.Demaçi! Dua të përmendi vetëm 3 persona ish të burgosur politik, në Kroaci dy ish presidentët kroat, Stjepan Mesiq e Franjo Tuxhman dhe në Bosnje Presidenti Alija Izetbegoviq. Nejse, e dimë edhe këtë pse Demaçi nuk mundi të bëhët president i Kosovës, sigurisht, vetëm me fajin e tij, duke ia rrënuar vetëvetes kapitalin e tij politik, të krijuarr me shumë mund e sakrifica!

Shkojmë më tutje, nuk dua të flas pse prof. dr. Hakif Bajrami, i cili dikur na ishte një historian i njohur komunist, titist, i cili ka shkruar historinë jugosllave, që për ate kohë edhe e kuptojmë, por tash, kohëve të fundit, u konvertua në stalinist dhe kurrësesi nuk e kuptojmë pse nuk bënë histori kombëtare, por ideologjike!

Prof.Dr.Hakif Bajrami: “Vetëm njerëzit e mëdhenj si Adem Demaçi, edhepse kanë vuajtur aq shumë burg, mund ta quajnë popullin serb popull vëlla..”!

Xh.Leci: Pyes opinionin se a ka kuptim të quhet vëlla një popull, i cili që njëmijë vjet ka okupuar trojet tona, ka vra, burgosë, shpërngulë, masakruar e terrorizuar popullin shqiptar?!
A ka kuptim një historian vërtetë prof.dr. si H.B. me një përvojë të madhe, të bëjë shaka me njerëz që kanë vuajtur aq shumë, si A.Demaçi, por që ndoshta kanë nevojë për shërimin shpirtëror, të lënduar nga pasojat shumëvjeçare nëpër kazamatet e burgjeve jugosllave.

A ka ndonjë serb që e ka quajtë ndonjëherë popullin shqiptar, popull vëlla?

Hakif Bajrami kishte me qenë i ndershëm vetëm atëherë, kur do të fliste të vërtetën.

Prof.dr.Hakif Bajrami: Në do letra kopje të UDB-së, që i mbante në dorë, tregonte një dokument në të cilin shkruante se: Milladin Popoviqi qenka vra vetëm një orë pas vrasjes të atdhetarit Haki Taha..! Domethanë në ora 9.00 qenka vra Haki Taha e në ora 10.00 Milladin Popoviqi!

Xh.Leci: Mendoj se ora, dita dhe viti, mund të ndodh e të shkruhet-shënohet gabimisht, ose me qëllime të caktuara të politikave, sidomos të vendeve shumë nacionale, të politizuara dhe hasmuara në mes popujve, siç ishte ish – Jugosllavia.

Prof.Bajrami, sikur përpiqet ta vej në dyshim vrasjen e Milladin Popoviqit, se kinse atë e paskan vra forcat e Sigurimit sekret jugosllav, e jo patrioti Haki Taha!

Sepse, kinse, Milladini paska qenë pro bashkimit të “ Kosovës me Shqipërinë”.

Për vrasjen e M.Popoviqit nga Haki Taha, ka shumë dëshmi të pa kundërshtueshme.

Qazim Vula, nga Gjakova, ka qenë bashkëpuntor i mësuesit, atdhetarit Haki Taha në vrasjen e Milladin Popoviqit. Hakif Bajrami, pse nuk e thuani të vërtetën kur e dini?!

Pas kryerjes të atentatit, Haki Taha ndiqet nga pocilia serbe nepër rrugët e Prishtinës dhe, sipas dëshmitarëve, ai vetvritet me revolen e vet, sepse nuk ka lejuar të vritet nga dora serbe, e aq më pak të dorzohet e torturohet për së gjalli.

Ndërsa Qazim Vula kapet, dënohet dhe dërgohet për vuajtjen e burgut në Mitrovicën e Sremit. Qazimi arrin të ik nga burgu, dihen sakrificat dhe vuajtjet e ikjes këmbë me qindra kilometra, derisa arrin të kaloj ilegalisht në Shqipëri. Edhe Qazimi si shumë atdhetar të tjerë shqiptar nga trojet e mbetura jashtë Republikës së Shqipërisë, kërkonin strehim në Shqipëri. Atje dënohet me 25 vjet burg, nga regjimi i diktatorit komunist Enver Hoxha, vetëm pse kishte qënë vëzhgues-roje e Haki Tahës në vrasjen e Milladin Popoviqit!!!

Qazimi sikur ta kishte pranuar se ai ka qenë bashkëpuntor i atdhetarit Haki Taha, regjimi i Enver Hoxhës do e pushkatonte menjëherë, pa gjyq. Q.Vula pasi vjen nga Shqipëria në Kosovë, pas mbarimit të luftës, për mediat tona të shkruara dhe elektronike, ka folur e treguar për vuajtjet dhe sjelljet shtazarake, që i kanë bërë atij pushtetarët komunistë në Shqipëri, nëpër burgje, duke e akuzuar pse e kanë vra Milladinin, “mikun” e Enver Hoxhës..! Këto që shkrova unë për atdhetarin Haki Taha janë vetëm dy rreshta, në krahasim me ato që ka folur- treguar Qazim Vula, e të tjerë që kanë shkruar e folur, e që din shumë më shumë se sa unë, e që mund të shkruhen libra volluminozë në lidhje me Haki Tahën.
Prof.dr.Hakif Bajrami, nëse dëshiron të mësojë më shumë për të vërtetat e kësaj ngjarje të madhe historike, nëse nuk e ka takuar ndonjëherë deri më tani, ende nuk është vonë, le të bisedojë sa është gjallë, me nipin, djalin e vëllait të Haki Tahës, atdhetarin dhe intelektualin e devotshëm të çështjes tonë kombëtare z. Agim Gjakova, i cili gjithashtu ka vuajt, si gjarpëri nën gur në Shqipëri, për disa dekada me radhë.

Citat: Ja çka shkruan për Haki Tahen

“Prof. as. dr. Elmas LECI,

Drejtor i Institutit te Studimeve të Problemeve të Sigurimit dhe Mbrojtjes,Tiranë
A e shiti Enver Hoxha Kosovën?!

Linku: http://www.trepca.net/2004/02/040221_el_a_e_shiti_enver_hoxha_kosoven.htm

Ky është deklarimi më kuptimplotë i njërit prej liderëve më kryesor të Kosovës, Fadil Hoxhës, i cili tregon se ç’ishte Kosova për Enver Hoxhën. Këtë deklarim, (nëse e dini se ç’përfaqësonte Fadil Hoxha ) jo vetëm e ka shkruar në librin e kujtimeve, por e ka thënë në një intervistë edhe në TVSH-në tonë (nëntor 1999) dhe na e tha edhe në shtëpinë e tij, kur në verën e 1999-es ishim me Presidentin Moisiu ( ateherë ish-President i Shoqatës së Atlantikut ) me gjeneral Përllakun (Hero i Popullit), me gjeneral Bekteshin (ish-pjestar i Bujanit) e me Liri Belishovën (ish-Sekretare e Komitetit Qendror të PPSH-së).

Haki Taha vrau Milladin Popoviqin, mikun e Enver Hoxhës

Nxori nga gjiri flamurin kombëtar:”Kosova Shqipërisë. Vdekje tradhëtarëve”!

Pytje Fadil Hoxhës:

A e dini përse e vranë dhe cili e vrau Miladin Popoviqin, që Enver Hoxha i vizitoi edhe varrin kur ishte në vitin 1946-ën në Beograd?!

Atë e vrau një shqiptar patriot, Haki Taha, ish mësues. Haki Taha, para se të qëllonte, nxorri nga gjiri flamurin kombëtar, e shpalosi, ku në të, me shkronja të arta ishte qendisur: “Kosova Shqipërisë. Vdekje tradhëtarëve”! Dhe qëlloi…”. Komentet, mendoj janë të tepërta.

Të “pavërteta” e të “pa qena” i quani dënimet që jepte regjimi shqiptar i Tiranës për ata që flisnin, para viteve ’70-ta, për Kosovn e Shqiperinë etnike.

Lë të hidhemi edhe njëherë në retrospektivë: Në shtëpinë e tij, në verën e vitit 1999, Fadil Hoxhës i bëra pyetjen: A kishte kontaktuar dhe a ja kishte bërë ndonjëherë prezent Enver Hoxhës, çështjen e rëndë të Kosovës? Fadil Hoxha m´u pergjigj: “Po, kam shkuar te Enver Hoxha në Tiranë, në dhjetor të vitit 1945, inkonjito, pa lejen e Titos, së bashku me Zekeria Rexhën dhe i kam shtruar si gjendjen e rëndë nën Serbi ku ndodhen kosovarët, ashtu edhe se ç’duhet të bënim. Kjo ishte bisedë shqiptarësh e, mendoj, për shqiptarët. Biseda e zhvilluar në kabinetin e Enverit, në vend që të bëhej preokupim i Qeverisë Shqiptare, kishte mbërritur para kthimit tim te Tito”!

Prof.dr.Hakif Bajrami: “Stalini ka kërkuar bashkimin e Kosovës me Shqipërinë, por Tito me udhëheqjen e lartë jugosllve nuk e kanë pranuar këtë..!

3

Enver Hoxha 5 herë, ka vizituar Bashkimin Sovjetik, përherë është takuar me Stalinin dhe pastaj ka botuar librin „Kujtimet“. Përherë të parë në shtator 1947, kur, pos tjerash, nikoqiri dhe musafiri në stadionin „Lenjin“ në Moskë kanë përcjell ndeshjen e sportistëve në Spartakijad.

4 5

Beograd qershor 1946 Enver Hoxha Xhavit Nimani, Mahmut Bakalli, me Titon në aeroportin – Zemun-Beograd Fadil Hoxha dhe Josip Broz Tito

Xh.Leci: Kjo që fletë historiani H.Bajrami, nuk qendron dhe nuk është aspak e vërtetë. Lë të na sjell dokumente, fakte e argumente, sepse me pallavra nuk bëhet historia.

Ja çfarë mendonte Stalini për shqiptarët:

Dialogjet e mëposhtëm janë nga bisedat zyrtare të protokollit më të lartë të zhvilluara në Kremlin, në zyrën e ish-njeriut më të fuqishëm në Rusinë komuniste dhe diktatoriale, Josif Visarionoviç Stalin.

Ajo është regjistruar gjatë takimit zyrtar në prill të vitit 1947 të delegacionit të nivelit të lartë të ish-Jugosllavisë, nën drejtimin e numrit dy të saj, Edvard Kardel, ministrit të jashtëm jugosllav, Simiq dhe ambasadorit jugosllav në Moskë, Velko Popoviq, shkruan portali “Albeu”:

“STALIN – Po si i keni punët me shqiptarët? Enver Hoxha sikur është ankuar për këshilltarët tuaj politikë në ushtrinë e tyre, sikur ata e dobësojnë disiplinën, apo jo?

E. KARDELI – Kjo është gjë e re për ne. Ata nuk na kanë thënë asgjë për këtë.
STALIN – Cila është origjina e shqiptarëve?
E. KARDELI – Ata janë pasardhës të ilirëve.

STALINI – Më kujtohet se Tito më ka thënë që ata janë si puna e baskëve.
E. KARDELI – Kjo është e vërtetë.

S. SIMIQI – Ka të dhëna që thonë se shqiptarët janë populli më i vjetër në Gadishullin Ballkanik. Disa fjalë prej tyre vërtetojnë që gjuha shqipe është më e vjetër se greqishtja. Fjala greke “Afrodita” është huazuar nga gjuha shqipe. Në gjuhën greke Afrodita nuk ka kuptim.
STALINI – Ky popull ka mbetur shumë mbrapa në zhvillim.

POPOVIQI – Shqiptarët janë shumë trima dhe njerëz besnikë.

STALINI – Të tillë kanë qenë tek ne çuvashët. Carët rusë i merrnin ata në gardën personale.
E. KARDELI – Tek ne, në territorin e Kosovës dhe Metohisë edhe sot jetojnë më shumë shqiptarë sesa serbë. Ne mendojmë që më vonë, kur të vendosim lidhje më të ngushta me Shqipërinë, këto territore t’ia japim asaj.

STALINI – Po si janë ndodhur shqiptarët në këto territore?
E. KARDELI – Janë vendosur në këtë krahinë në kohën e turqve. Ndërsa një pjesë e popullsisë është asimiluar.

STALINI – Po si ka mundësi që një popull me nivel më të ulët zhvillimi ka mundur të arrijë një gjë të tillë? Si shpjegohet kjo…?”

(Botuar në Beograd nga gazeta “Borba” më 12-13 gusht 1989 dhe në librin “Rusia dhe Kosova” të ambasadorit shqiptar Shaqir Vukaj, faqe 93)

Edhe një citat:

Dialogu i plotë i Stalinit me zyrtarët jugosllavë: Shqiptari besnik si qeni

“Stalini: Si duket ai popull është mjaft i prapambetur dhe primitiv.

Ndërhynë ambasadori jugosllav në Rusi, Vlladimir Popoviç: Por janë trima dhe besnikë të mëdhenj.
Stalini: Po, ata mund të jenë besnikë si qentë. Ajo është karakteristikë e popujve primitivë. Tek ne, ashtu besnik kanë qenë Çuvashët (popull në Rusi, me prejardhje të përzier turko-finlandezo-ugare Sh. V.). Carët e Rusisë i mbanin për roje personale…”
Këtu poshtë po sjellë disa të dhëna, citate
“Ish i burgosuri shumëvjeçar Kapllan Resuli- Buroviqi, në librin e Shani Burovi, me titull:

“BABAI I KOSOVËS REPUBLIKË – e vërteta e dokumentuar-”
Ja çka shkruan në faqe 15:
“Këto qenë rrethanat që Kapllan Resuli, qysh në vitin 1961, aty në kampin e Çermës, me hanxharin e Enver Hoxhës mbi kokë, i lindi ideja e konsolidimit të Kosovës Republikë me vete dhe plotësisht e pavarur nga kushdo.

“Ne as kemi kërkuar dhe as kërkojmë rektifikim kufish” – Enver Hoxha, Moskë 1960.

Kapllan Resuli jo vetëm që nuk e dinte, por as nuk i shkonte mendja se Enver Hoxha, një vit më parë në Mbledhjen e 81 partive komuniste e punëtore në Moskë, kishte deklaruar:

“Jugosllavët na akuzojnë se gjoja ne jemi “shovinist, ndërhyjmë në punët e tyre të mbrendshme dhe kërkojmë rektifikimin e kufive shqiptaro-jogosllav”. Mjaft nga miqtë tonë mendojnë dhe lënë të kuptohet se ne, komunistët shqiptarë, jemi në këto ujra.

Ne u themi miqëve, që mendojnë kështu, se gabohen rëndë. Ne s`jemi shovenistë.

NE AS KEMI KËRKUAR DHE AS KËRKOJMË REKTIFIKIM KUFISH…!”

Duke mos e njohur akoma sa duhej aktualitetin shqiptar, duke mos e ditur se ideja e Kosovës Republikë ishte në kundërshtim me qëllimet jetike të klikës kriminale social-fashiste të Enver Hoxhës, Kapllan Resuli e ka biseduar parullën Kosova-republikë me organet e pushtetit dhe të Partisë së Punës të Shqipërisë, bile edhe me shefin e kundërzbulimit, kolonelin e Sigurimit Shqiptar, Skënder Backa, prej të cilëve kërkon edhe leje..!

Prof.dr.Hakif Bajrami: Lavdëronte luftëtarët shqiptarë komunistë se si e kanë luftuar fashizmin italian e nacizmin gjerman, për çlrimin e Shqipërisë, të Kosovës etj., pa përmendur asnjëherë forcat e djathta të shtetit të Shqipërisë.

Xh.Leci: Z. Bajrami e dinë shumë mirë por nuk e thotë, se ishin pikërisht forcat e para shqiptare ato të Qeverisë së Mbretit, Ahmet Zogu, të cilat filluan luftën kundër fashizmit italian dhe nacizmit gjerman, për mbrojtjen e Shqipërisë, me të gjitha mundësitë, luftuan me ato forca ushtarake e policore që kishin si: gjeneral Abaz Kupi, kolonel Muharrem Bajraktari e shumë oficerë të tjerë të ushtrisë dhe të policisë, në shumë fronte, anë e mbanë Shqipërisë.

Gjermania ishte okupatore e Serbisë dhe Greqisë, por jo e Kosovës dhe Shqipërisë, bile Gjermania e bashkoi Shqipërinë me Kosovën. Kjo është e vërteta, shoku prof.dr. Hakif Bajrami.

Ata që mbollën dhe ndezën vëllavrasjen në mes të majtës dhe të djathtës shqiptare, në Shqipëri, ishin Milladin Popoviqi, Dushan Mogosha, Svetozar Vukmanoviq-Tempo, etj. Përveç fjalëve të malit gjatë luftës në Shqipëri në mes Enver Hoxhës dhe Milladin Popoviqit, asnjëherë asnjë dokument nuk e kemi pa të figurojë ndonjë marrëveshje e nënshkruar në mes E.Hoxhës dhe M. Popoviqit, se Kosova duhet t`i bashkohet Shqipërisë..! Milladini nuk ishte hiç më pak se një agjent jugosllav, i dërguar nga Beogradi në Shqipëri, me misionin për ta hasmuar popullin shqiptar, që të hapin luftë vëllavrasëse, kundër njëni tjetrit dhe këtë mision shumë qëllimkeq Milladin Popoviqi, Dushan Mugosha etj. me shumë sukses e realizuan..!

As për atë kohë derisa Milladin Popoviqi, punonte si funksionar i lartë në Kosovë, nuk e ka përmend në asnjë tubim apo konferencë bashkimin e Kosovës me Shqipërinë. Kjo është një sajesë, një trillim i qëllimshëm i komunistëve në Shqipëri dhe i tellallëve,të Enverit në Kosovë, për ta justifikuar miqësinë fatale të Enver Hoxhës me agjentët jugosllavë, Mugosha, Popoviq dhe të tjerë, të cilët e degjeneruan luftën çlirimtare në luftë civile në Shqipëri.

Hitlerin dhe Musolinin e mundën demokracia amerikane në krye me presidentin amerikan Roosevelt dhe presidentin anglez Churchill, e jo komunizmi stalinist-titist-enverist.

Dhe, për fund u themi: Mjaft më me përralla të gjithë atyre pseudohistorianëve, të cilët përpiqen ta shtrembërojnë pa fakte historinë tonë të vërtetë, për interesa të veta dhe të bashkëmendimtarëve të tyre.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top