HISTORIA, SI MOSPËRBALLJE ME REALITETIN

SHKRUAR NGA EMIN AZEMI

Këtë vit e kemi nis me festa dhe po mendojmë se të shënosh data e ngjarje të rëndësishme historike – është e vetëmjaftueshme. Jo rrallë historia te ne trajtohet si një pompë që duhet të shfryhet sa herë që nuk gjejmë forcë për t’u përballur me realitetin. Si duket, jo rastësisht edhe Çerçili kishte thënë se “popujt e Ballkanit prodhojnë me shumë histori se sa që munden ta përballojnë”.

Nuk ka asgjë të keqe në vetvete nëse ekziston një vullnet i përgjithshëm për të shënuar e festuar data e ngjarje nga e kaluara jonë, por kur ato ngelin “ishuj të vetmuar” në veprimtarinë tonë të përgjithshme dhe nuk reflektojnë një mesazh që duhet të bëhet moto e aksioneve kulturore, mjedisore, sociale e politike, atëherë i bie që të gjitha këto ngjarje i bëjmë vetëm sa për t’u argëtuar nja dy, tre ditë dhe pastaj merr fund gjithçka sikur të mos kishte ekzistuar as “nam as nishan” nga ato data e ngjarje.

Mospërballja me realitetin a mundet të na shkarkohet si barrë mbi kurrizin tonë që mundohemi ta mbajmë drejt me “armaturë” të huazuar nga telat e çiftelisë. Është bërë mirë që sivjet është shpallur “Viti i Skënderbeut”, por a ka pyet ndokush se sa ne si komb pellazgo-ilir  po sillemi si pasardhës të denjë të Gjergj Kastriotit, dhe a ndodhë shpesh që t’ia marrim fytyrën këtij burri të madh me sjelljet dhe  palaçollëqet tona.

A e kanë pyetur veten ata individë që pa e kryer shkollën e mesme po bëhen fakultetlinjë, ose ata që brenda tri vjetëve ngrysen si gjimnazistë e gdhihen si doktorë shkence. A e kanë pyetur veten ata politikanë që uljen në kolltukët e buta e konsiderojnë si “vepër shkencore”, ndonëse kanë harru se kur e kanë lexuar librin e fundit. A e kanë pyetur veten ata gazetarë, të cilët thashethemnajën e kanë shndërruar në burimin kryesor të informacionit. A e kanë pyetur veten gjithë ata prindër që mendojnë se fëmijët e tyre janë të paprekshëm dhe arsimtarët duhet të kenë shumë kujdes sesi sillen me ta. A e kanë pyetur veten ata “bijë të shqipes” që nuk hezitojnë ta ngushtojnë një rrugë publike për të ndërtuar shtëpinë “ma të madhe se t’vëllait”.

Edhe shumëkush duhet të pyetet në këtë “Vit të Skënderbeut”, por në natyrën e njerëzve është që t’u iket përgjigjeve të sikletshme, sidomos atyre që na e thërrmojnë pasqyrën false para të tjerëve, ose kur realiteti na i bën përshesh hundët.  Pra, ne mund të festojmë natë e ditë, madje jo rrallë edhe të shkrepim ndonjë “rafal” në dasmën e kushëririt, sepse ndryshe s’kemi si ta tregojmë veten sa trima jemi, ose sa të afërt e kemi ndonjë “udbash”. Transferimi etik e njerëzor që po bëhet nga realiteti tek historia, po ia ngushton gjithnjë e më tepër hapësirën atyre ideve e pikëpamjeve të cilat qëllimisht margjinalizohen nga “pylltarët” e xhunglës sonë politike, mediatike, fetare e social-kulturore. Ka të ngjarë që një ditë të gjithë ne të gdhihemi me tymin e stërmadh të asgjësë që xhungla jonë po e prodhon në fabrikat e injorancës. A do ti shkojë ndërmend ndokujt të na shpëtojë nga kjo ndotje etiko-morale , apo secili në oborrin tonë të instalojmë nga një “drisëll” për të shpëtuar shëndetin mendor e intelektual.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top