HISTORIA PËRSËRITET 1943-2016

Shkruan Daim Hiseni, Kryetar i SHVL të UÇK-së

Çdo marrëveshje që shkruhet e firmoset jashtë Shqipërisë, për shqiptarët, nuk është marrëveshje, por përqeshje…

E fundit marrëveshje në dobi të Kombit, por që për fatin e keq, u prish nga tradhëtarët e interesave kombëtare, ka qenë ajo e Mukjes, marrëveshje midis shqiptarësh. Kush thotë që punoj për kombin, duhet të shkojë të trokasë në portën e historisë së kësaj Marrëveshjeje dhe të dëgjojë zërin e popullit.

Asnjëherë nuk u kuptuan marrëveshjet që janë firmosur nga “shqiptarë” për problemet e shqiptarëve kudo që janë bërë, por në këtë shkrim nuk do të zgjatem, kërkoj nga lexuesit të nderojnë ata bij shqiptarë që morën pjesë në këtë Marrëveshje dhe të mos flasim më me gjuhen e armikut: “Ti komunist”, “Ti ballist”, “Ti nacionalist”, “Ti demokrat”, “Ti…”, por ta shohim njëri – tjetrin në sy si shqiptarë, si bij të një nëne, si zotër të vatanit, kush vazhdon rrugën e diskriminimit dhe urrejtjes mes njëri – tjetrit, dashje pa dashje punon kundër vetvetes, kundër zhvillimit dhe bashkimit tonë kombëtar.

Lavdi firmëtarëve martirë të kësaj Marrëveshje!

Marrëveshja e Mukjes lindi si domosdoshmëri për të sistemuar arritjet dhe për të vendosur piketat e së ardhmes.

“Më 21 korrik 1943, zhvillohet një takim i përbashkët midis Mid’hat Frashërit dhe Hasan Dostit në njërën anë dhe Abaz Kupit e Mustafa Gjinishit nga krahu tjetër.

Mid’hat Frashëri u kumtoi Gjinishit dhe Kupit, se ishte dakord me emrat e propozuara prej Shtabit të Përgjithshëm Nacionalçlirimtar në përbërjen e përfaqësuesve nacionalistë. Për më tej, ai i njohu këta atdhetarë, me traktin që rinia e Ballit Kombëtar kish shpërndarë ato ditë, ku pos të tjerave thuhej: “Nuk na besohet: Bashkim, Bashkim, Bashkim! O Zot i madh, po ne atë themi, atë kërkojmë, atë lusim, atë shpresojmë dhe atë po përpiqemi ta bëjmë, ai do të jetë fati më i lumtur i Atdheut.

Jemi ne, nacionalistët që po u themi komunistëve, të cilët, po e përsërisim, janë vëllezërit tanë, sepse janë bijë të njajtës nënë; Shqipërisë! Siç u shtrimë neve dorën e djathtë, ashtu shtrimani edhe juve dorën e djathtë, që t’jua shtrëngojmë me gjithë zemër”.
(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 14, dosja “Trakte të Ballit Kombëtar ).

“Më pas takimi tjetër u zhvillua më 26 korrik 1943, në fshatin Tapizë, pak kilometra në veri të Tiranës, në shtëpinë e atdhetarit Ihsan Libohova. Në krye të delegacionit nacionalçlirimtar, në Tapizë ishin; Abaz Kupi, Myslim Peza, Mustafa Gjinishi dhe Ymer Dishnica. Ndërsa delegacioni i nacionalistëve përbëhej nga; Mid’hat Frashëri, Hasan Dosti dhe Faik Quku. Kryetar i këtij takimi, unanimisht u zgjodh Mid’hat Frashëri, i cili ftoi burrat e tjerë shqiptarë të krahut tjetër, të kërkonin menjëherë, përpara organizatave ndërkombëtare dhe sidomos përpara Fuqive Aleate, vetëvendosjen e Kosovës dhe Maqedonisë shqiptare, si dhe bashkimin e tyre me shtetin amë. ”Pamvarsisht se lufta ka mbaruar (u shpreh Mid’hati) ne duhet të jemi të bashkuar qysh tani në këtë kërkesë publike, që nesër ajo të jetë e vështirë për t’u manipuluar”
(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë, Fondi 14, dosja “Trakte të Ballit Kombëtar”).

“Më 3 gusht 1943, në lëndinat e fshatit Mukje, në veri të Tiranës, përqafoheshin të gjithë së bashku, nën emocionet e paharruara të asaj çfarë ishte arritur. Për të parën herë qysh prej vitit 1912, shqiptarët po merreshin vesh me njeri – tjetrin, madje nacionalistë e komunistë formuan dhe shpallën Komitetin Provizor për Shpëtimin e Shqipërisë, i cili do të çonte shumë shpejt në krijimin e një qeverie provizore”
(Arkivi Qendror i Shtetit – Tiranë. Fondi 270, dosja 11, fleta 18 ).

Kushdo që ka shkruar për problemin e vëllavrasjes shqiptare, nuk ka lënë pa u referuar Konferencës së Mukjes, që për fatin e mirë dhe të keq të kombit tonë, ishte ngjarja më e rëndësishme që vuri themelet e një bashkëpunimi të gjithë shqiptarëve pa dallim feje, krahine e bindje politike, në luftë kundër pushtuesve dhe çuarja e vendit drejt zgjedhjeve të lira dhe demokratike pas lufte, por ishte dhe fati tragjik i shqiptarëve i prishjes së kësaj marrëveshjeje dhe fillimi i vëllavrasjes që për fat të keq, vazhdon edhe në ditët tona.

Prishja e Marrëveshjes së Mukjes:

“Në datën 8 gusht 1943, u la një tjetër takim midis komunistëve dhe delegacionit të Ballit Kombëtar, lidhur me vendimin e “Lidhjes së Mukjes” për të caktuar në mënyrë definitive, detyrat e Komitetit të Shpëtimit. Në 7 gusht, komunistët u kërkuan prijësve të Ballit Kombëtar që ky afat të shtyhet për gjashtë ditë. Për turp të komunistëve, ”Lidhja e Mukjes” ishte tradhtuar. Ç’farë kishte ndodhur në të vërtetë? Dy prej pjesëmarrësve në kampin komunist të asaj kohe, N. Kerenzhi dhe Ymer Dishnica, kanë hedhur dritë mbi ngjarjen. Ata tregojnë se si është turbulluar dhe çorrur Mugosha në sy të komunistëve shqiptarë, ashtu si kundër ka sharë poshtë e lartë Popoviçi. Të dy emisarët jugosllavë, duke pasur si vegël të bindur në duart e tyre Enver Hoxhën, mblodhën në fshatin Vithkuq të Korçës, në mënyrë urgjente klikën komuniste të Tiranës. Në këtë takim konspirativ dhe urgjent, Mugosha, i pari e dënoi marrëveshjen e arritur në Mukje, madje kërkoi të merren masa ekstreme për përfaqësuesit e delegacionit nacionalçlirimtar. Ndërsa serbi tjetër, Popoviçi duke folur mbi rrezikun që kishin teza të tilla si ajo e Shqipërisë Etnike, shkoi më tutje. Ai u propozoi komunistëve shqiptarë, luftë të hapur dhe të armatosur me përfaqësuesit e Ballit Kombëtar.

Emisarët jugosllavë, i dërguan një mesazh K.Q. të PKJ – së ku mes tjerash thuhet:

“Kemi ndikuar fuqimisht tek udhëheqja e Partisë Komuniste Shqiptare dhe në përgjithësi tek Lëvizja Nacionalçlirimtare, që të prishin marrëveshjen e Mukjes” .

(R. Rajovi, ”Autonomia Kosovo” Beograd 1985 ).

Shkruan: ZYBA HYSAN HYSA

Ps.

Kush janë sot, ata që nuk duan marrëveshje mes shqiptarëve?

Kush ikë nga kualicioni ndërshqiptarë?

Në interes të kuj është përçarja mes partive shqiptare?

A janë akoma gjallë në mesin e politikanëve shqiptarë: Dushan Mugosha dhe Milladin Popoviqi ?

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top