HISTORIA NUK ËSHTË MONOPOL I ASKUJT

Shkruan: Xhafer Sadiku

Në një intervistë për Channel One, i pyetur nga Z. Sebastian Zonja për marrëdhëniet shqiptaro-amerikane, për minutat që kisha në dispozicion, kam theksuar disa momente :

1- Sipas të dhënave të dokumentuara, për kryengritjen e Malësisë të vitit 1911 përfaqësuesi amerikan në Cetinjë raportonte se kryengritja ishte nxitur nga mbreti Nikolla dhe se synimi i tij ishte Shkodra.

2- Kur filloi Lufta Ballkanike, në tetor 1912, Federata “Vatra”, e konsultuar me miq amerikanë u bëri thirrje shqiptarëve të bashkoheshin me ushtrinë e perandorisë osmane për të mbrojtur tokat shqiptare nga coptimi. (Eshtë e theksuar ne Historine e Shqiperise, viti 1965, vellimi II)

3- Ambasadori amerikan në Athinë, George Fred Uilliams, ka protestuar kundër masakrave të shteteve ballkanike kundër shqiptarëve (në fakt kundër shqiptarëve myslimanëve). Për këtë i është drejtuar edhe presidentit Uillson me kërkesë që të merrte në dorë çështjen shqiptare. (Perveç nje botimi te Uilliams dhe shtypit te kohes, ka dokumente te shumta ne AQSH)

4- Konferenca e Paqes në Versajë, më 1919, filloi duke patur si bazë për diskutim projektin e Traktatit të Fshehtë të Londrës. Por Presidenti Uillson, më 3 prill 1919, e refuzoi me arsyetimin se traktati ishte privat dhe i fshehte dhe si i tillë, palët e treta nuk kishin detyrime për ta zbatuar dhe aq më pak mund ta zbatonte SHBA. (në Arkivin Qendror te Shtetit dhe Biblioteken Kombetare ka dokumente dhe botime per luften diplomatike ne Konferencen e Paqes)

5- Presidenti Uillson deklaroi se në diskutimet italo-jugosllave nuk do të përfshiheshin territoret shqiptare. (Përveç dokumenteve mund te konsultohet Tommaso Titoni dhe Vitorio Scialoja)

6- Kongresi i Lushnjes ishte zbatimi ne terrenin shqiptar i njërës prej 14 pikave të Deklaratës së Presidentit Uillson, asaj të vetvendosjes. Pra kongresi i jepte mandat perfaqesimi qeverisë për të vetvendosur, sic ndodhi në realitet. (Mund të lexohet informacioni i “Libertas” dërguar qendrës në SHBA)

7- SHBA ishte ndër të parat që njohu Mbretërinë shqiptare dhe Mbretin Zog, brënda datës 15 shtator (1928). (telegrami i Presidentit amerikan eshte botuar ne shtypin shqiptar te kohes).

8- Në qëndrueshmërinë e Mbretërisë Shqiptare në vitet 1928-1938 ka rol edhe miqësia e SHBA. (raportet e ambasadorëve amerikane me shtetin shqiptar të kohës kanë qenë shumë miqësore).

9- Pas vendosjes së regjimit komunist, shumë shqiptarë janë dënuar, të akuzuar nga regjimi komunist, se donin Amerikën. Kjo eshte e dokumentuar ne shumicen e vendimeve gjyqesore. Kam theksuar se të persekutuarit e kanë dashur Amerikën. (Jam konsultuar me qindra akt-akuza dhe vendime gjyqësore)

10- Gjatë krizës së Kosovës më 1999, SHBA luajtën rolin vendimtar. (eshte fakt i njohur dhe s’ka nevoje te provohet)

11- Si konkluzion, kam përmendur se gjatë historisë një shekullore të marrëdhënieve shqiptaro-amerikane, në momentet më të vështira të kombit shqiptar ndihma e SHBA ka qenë vendimtare. Këto që kam shprehur janë të dokumentuara, pavarësisht se dikujt nuk i kanë pëlqyer. Por e theksoj se koha kur historiografia ishte monopol i tyre ka perënduar. Pëgjithmonë.

Leave a Comment

Adresa juaj email s’do të bëhet publike. Fushat e domosdoshme janë shënuar me një *

Scroll to Top